KULTURË

80 njollat e dhembjes

11:36 - 21.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Dhjetëra njolla të verdha u ngjajnë dritëzave të verdheme mbi një trup të shtrirë e të dorëzuar. Si në një film ‘neonoir’ dritëzat fshehin nën të verdhemen e zbehtë krime e drama. Trupi i shtrirë është harta e Shqipërisë ndërsa dritëzat shenjojnë vendet e vuajtjes së dënimit gjatë komunizmit. Llakatund, Kamzë, Yzberisht, Beden, Zejmen, Sukth, Gosë, Plug, Rinas, Shtyllas, Sauk, Thumanë, Rubik, Shën Vasil, Valias, Porto-Palermo, Savër, Turan, Tepelenë, Ballsh, Maliq, Qafë-Bari, Vilë Bashtovë, Spaç, Burrel, Shkodër, Gjirokastër… Teksa i lexon pothuaj të merret fryma kur përshkon nga veriu në jug vendin e vogël bri deteve, ndërsa mbi hartë, e verdhemja duket se i ndriçon të 28 mijë kilometrat nën pluskimin e frikshëm të dritëzave. Kanë qenë rreth 80 vendet ku janë vuajtur dënimet e kundërshtarëve politikë gjatë sistemit, të ndarë në kampet e internimit, kampet e përkohshme të punës dhe burgjet e kamp-burgjet afatgjata. Jo të gjithë patën të njëjtën peshë, disa prej tyre u kthyen edhe në varre, disa të tjera ishin vendngujime, por sot të gjitha së bashku përbëjnë 80 njollat e dhembjes.




TAKIMI
Nën titullin “Harta e madhe e vuajtjeve të një vendi të vogël” u prezantua dje në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, në Tiranë, videoja e vendeve të vuajtjeve të dënimit në Shqipërinë komuniste. Një video e realizuar nga fondacioni kujto.al me mbështetjen e Konrad Adenauer Stiftung, përmbledh në pothuaj 16 minuta, hartën me shënjimet e vendeve ku kishte burgje, kampe internimi dhe kampe pune të detyruar në 46 vite.
“Është tepër e rëndësishme të kemi informacion për këto vende, ku janë kryer këto krime. Megjithëse Shqipëria është një vend i vogël, ne pamë në këtë dokumentar një listë të gjatë të vendeve të vuajtjes”, u shpreh drejtori i KAS Albania, Tobias Rüttershoff, pas video-prezantimit. “Kur shohim këtë video ku paraqiten burgjet dhe kampet e panumërta kuptohet sa punë mbetet për t’u bërë në zbulimin e këtyre krimeve. Dhe për ne, është një çështje e rëndësishme që dhe të rinjtë ta marrin këtë informacion që këto krime mos të ndodhin më”,-shtoi ai.

Rëndësinë e prezantimit të vendeve të vuajtjes në një format modern, tërheqës për të rinjtë dhe studentët, si në këtë video, e theksoi edhe pedagogu i Departamentit të Historisë, Andi Pinari gjatë fjalës së tij.

Video-prezantimi i hartës së vendeve të vuajtjes, është një nga realizimet e fondacionit kujto.al, të themeluar nga Agron Shehaj para tre vitesh. “Kujto.al në nismën e saj, ka dashur të ketë publikun partner. Në më pak se tre vjet që nga themelimi, kujto.al ka mbledhur qindra dëshmi, ka krijuar një arkiv me mbi 40 mijë njerëz që kanë vuajtur, qindra familjarë na shkruajnë për të përditësuar profilet e të afërmëve të tyre”, tha studiuesi Erald Kapri, pjesë e kujto.al.

Video tregoi se punët më të vështira si tharja e kënetave, hapja e kanaleve, ndërtimi i rrugëve, që shtroheshin si domosdoshmëri për qeverinë komuniste, iu ngarkuan menjëherë të dënuarve politikë, të cilët punonin si skllevër. Në fillim të viteve ’50, burgjet, me shumë pak përjashtime, u shndërruan në Reparte Riedukimi me punë të detyruar dhe të dënuarit e tyre zhvendoseshin sa nga një kamp pune në tjetrin, pranë të cilave improvizoheshin fjetore dhe vendosej rrethimi me gjemba. Këtu do të shohim kampet e viteve të para dhe ato të mëvonshme që u vendosën për një afat të kufizuar kohe pranë vendeve të punës. Aktiviteti u zhvillua në 29-vjetorin e shembjes së shtatores së Enver Hoxhës në kuadër të “Ditëve të Kujtesës”, të organizuara nga KAS Albania dhe IDMC. Në të ishin të pranishëm, veç studentëve dhe përfaqësuesve të institucioneve që merren me të kaluarën komuniste, edhe princ Leka II dhe shqiptaro-amerikani Marko Kepi, themelues i “Albanian Roots”. Të pranishmit ndanë idenë që Shqipëria është ende në hapat e parë të përballjes me të kaluarën, një kusht i domosdoshëm për një të ardhme më premtuese.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.