Media

Gjyqtarja bjonde me syze të errëta që liroi të fortin e bandës së Gaxhait, padit NEWSBOMB: Askush nuk dinte se kush isha dhe çfarë pune bëja, tani më njeh i gjithë pallati

08:04 - 21.02.20 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Enkeleda Kapedani, gjyqtarja që vendosi lirimin e menjëhershëm nga burgu i Peqinit i të fortit të bandës së Gaxhait, Viktor Ymeri ka paditur portalin newsbomb.al me administratore Anila Bashën.




Gjyqtarja e cila liroi përfundimisht nga burgu një anëtar të botës së krimit, mbi të cilin rëndonin disa krime dhe dënime, pretendon se fotoja që ne kemi publikuar në portal i ka krijuar asaj shqetësime dhe në këmbim kërkon 5 mln lekë dëmshpërblim.

Bëhet fjalë pikërisht për këtë foto ku në fakt jo vetëm që nuk identifikohen familjarët e saj por as vetë gjyqtarja për shkak të syzeve të mëdha e të errëta që mban vënë.

Megjithatë, Kapedani pretendon se pikërisht nga kjo foto, atë e njohu i gjithë pallati, në një kohë kur më herët s’e njihte askush.

“Që prej asaj dite jeta ime nuk ka vijuar më normalisht. Së pari më ka shkaktuar stres familjar, pasi familjarët e mi vuajnë përgjegjësinë e vendimarrjeve të mia. Bashkëshorti dhe fëmijët e mi, identifikohen si personat e publikuar në një foto së bashku me një gjyqtare që kishte bërë të pabërën pasi kishte nxjerrë nga burgu të fortin e bandës së Gaxhait. Deri para publikimit të fotos, unë isha person i panjohur në ambientin ku jetoj pasi askush nuk dinte se kush isha unë dhe çfarë pune bëja, Falë publikimit të fotos time private të vjedhur në profilin tim, tashmë më njeh i gjithë pallati, madje e gjithë lagjia”, thuhet në padinë e gjyqtares.

1_copy_copy_copy_copy_copy_copy_copy_copy_copy_copy_copy.jpg

Gjyqtarja në padinë e saj përmend çështjen  ‘Von Hannover’ kundër Gjermanisë ku GJEDNJ ka specifikuar që ‘fotografitë e botuara nëpër revista e gazeta mund të përmbajnë të dhëna tepër personale dhe madje intime në lidhje me një person’.

Ndërkaq, ne i kujtojmë Kapedanit se në nenin 8 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut është parashikuar e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare. Në çështjen Alex Springer kundër Gjermanisë, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) argumentoi se “liria e shprehjes përbën një nga themelet thelbësore të një shoqërie demokratike dhe një nga kushtet themelore për përparimin e saj dhe për vetë-përmbushjen e secilit individ” .

Gjykata gjithashtu ka theksuar vazhdimisht rolin thelbësor që luan shtypi në një shoqëri demokratike. Megjithëse shtypi nuk duhet të kapërcejë kufij të caktuar, në lidhje me mbrojtjen e veçantë të reputacionit dhe të drejtave të të tjerëve, megjithatë detyra e tij është që të ofrojë – në një mënyrë në përputhje me detyrimet dhe përgjegjësitë e tij – informacione dhe ide mbi të gjitha çështjet me interes publik. Po të ishte ndryshe, shtypi nuk do të ishte në gjendje të luante rolin e tij jetësor të “mbikëqyrësit (watchdog) publik”.

Për balancimin e së drejtës për jetë private dhe familjare dhe lirisë së shprehjes (kjo e fundit e parashikuar në nenin 10 KEDNJ), GJEDNJ ka marrë parasysh disa kritere siç janë:

1.            Kontributi në një debat me interes publik – Një kriter thelbësor thelbësor është kontributi i bërë nga foto ose artikuj në shtyp në një debat me interes të përgjithshëm.  Në rastin objekt shqyrtimi kemi të bëjmë me diskutimin për një çështje me interes publik, përsa kohë që artikulli i dedikohet një individi me rekorde të caktuara, që përfaqëson një person me rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Nga rrezikshmëria e këtij individi mund të ketë pasoja të caktuara edhe për komunitetin. Ndërkohë fakti që artikulli përmban të dhëna mbi subjektin gjyqtar e bën akoma dhe më publike çështjen, përsa kohë që ky subjekt paguhet nga taksat e qytetarëve të këtij vendi, ndër të cilët përfshihem edhe unë dhe të gjithë lexuesit. Mendojmë se do të kishte cënim të së drejtës për jetë private të paditëses në rastet kur përmbajtja e artikullit do të pasqyronte sjelljen e saj në jetën private, por në këtë rast kemi të bëjmë me qëndrimin e një përfaqësuesi të një institucioni të besueshëm për dhënien e drejtësisë.

2.            Sa i njohur është personi në fjalë dhe cili është tema e diskutimit – Roli ose funksioni i personit në fjalë dhe natyra e veprimtarive përbëjnë një tjetër kriter të rëndësishëm. Në lidhje me këtë, duhet bërë një dallim midis individëve privatë dhe personave që veprojnë në një kontekst publik, si figura politike ose figura publike. Prandaj, përderisa një individ privat i panjohur për publikun mund të kërkojë mbrojtje të veçantë të së drejtës së tij / saj për jetën private, e njëjta gjë nuk është e vërtetë për figurat publike.  Dhe vetë, GJEDNJ e ka pranuar se shtypi ushtron rolin e tij si “mbikqyrës publik” (watchdog) në një demokraci duke shpërndarë informacione dhe ide mbi çështje me interes publik kur individi objekt publikimi është funksionar publik.

3.            Metoda e marrjes së informacionit dhe vërtetësisë së saj – Në të vërtetë, Gjykata ka vendosur që masa mbrojtëse e dhënë nga neni 10 për gazetarët në lidhje me raportimin për çështje me interes publik është subjekt i provizionit që ata po veprojnë me mirëbesim dhe mbi baza të sakta faktike dhe sigurojnë informata “të besueshme dhe të sakta” në përputhje me etikën e gazetarisë.

4.            Përmbajtja, forma dhe pasojat e botimit – Në këtë rast vlen të theksohet fakti që bashkëshorti dhe i mituri i subjektit gjyqtare është i pamundur që të identifikohet nëpërmjet fotos së publikuar në artikullin përkatës, për shkak se në foto janë përdorur teknika “blur”.

Rekomandimi Rec (2003) 13 i Komitetit të Ministrave për shtetet anëtare mbi sigurimin e informacionit përmes mediave në lidhje me procedurat penale – në parimin 1 të tij ka parashikuar ‘Informimin e publikut nëpërmjet medias’, publiku duhet të jetë në gjendje të marrë informacione rreth veprimtarive të autoriteteve gjyqësore dhe shërbimeve policore përmes mediave. Prandaj, gazetarët duhet të jenë në gjendje të raportojnë lirshëm dhe të komentojnë funksionimin e sistemit të drejtësisë penale, duke iu nënshtruar vetëm kufizimeve të parashikuara në parimet e mëposhtme.

Peshimi i interesave në rastin aktual padyshim që duhet të çojë në përfundimin se e drejta e publikut për informacion mbizotëron. GJEDNJ ka argumentuar se neni 8 i Konventës, nuk mund të shërbejë si bazë për ankesën e humbjes së reputacionit të individit, kur ky i fundit është pasojë e parashikueshme e veprimeve të vetë personit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.