DOSSIER

“Nga vilat lukzose të gjyshit, ish-kryeministër i Shqipërisë vuajtëm për 46 vjet në barakat e internimit”

12:00 - 21.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Dashnor Kaloçi – Gjatë viteve 1943-’44 që gjyshi im Mehdi bej Frashëri ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës, ai banonte në një shtëpi së bashku me familjen e Koço Dilos tek Rruga e Dibrës të cilën ua kishin marrë me qira familjes Petrela, sepse shtëpinë e tij, e cila pas viteve ’90-të për shumë kohë ka qenë rezidenca e ambasadës ruse, Mehdi beu ua kishte lëshuar një përfaqësie gjermane, me qiranë e së cilës ai përballonte jetesën e familjes. Në ditët e para të nëntorit të vitit 1944 kur partizanët e Enver Hoxhës po përgatiteshin të sulmonin Tiranën, gjyshi Mehdi bej Frashëri mori bashkëshorten e tij Nejre (Biçaku) dhe bashkë me tre fëmijët: Vehbiun, Medihanë e Ragipin, u nisën në drejtim të Shkodrës dhe u larguan nga Shqipëria për në Itali. Në atë kohë këtu në Shqipëri, Mehdi Beut i ngeli vetëm vajza e tij e madhe, Shehriari, që është nëna ime”. Kështu e kujtonte Tefik Çelo, djali i së bijës së Mehdi bej Frashërit, largimin e gjyshit të tij nga Shqipëria, i cili dëshmonte dhe gjithë historinë e familjes prej nga ai rridhte dhe gjyshit të tij, Mehdi beut, që është konsideruar si një prej personaliteteve të politikës shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të kaluar. Kush është Mehdi Bej Frashëri dhe cila është origjina e familjes së tij, një nga me aristokratet e Shqipërisë së asaj kohe? Ku u shkollua ai dhe përse Porta e Lartë në Stamboll e emëroi si Guvernator të Palestinës dhe nënkomisar të saj në Misir të Egjiptit? Kur u kthye ai në Shqipëri dhe si e filloi karrierën e tij politike Mehdi Frashëri, duke u zgjedhur Prefekt, Deputet, Ministër, Kryetar i Këshillit të Lartë të Shtetit, Kryeministër dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës? Si u largua ai nga Shqipëria në nëntorin e vitit 1944 dhe si jetoi në Romë së bashku me familjen e tij? Cilat ishin marrëdhëniet shoqërore të Mehdi Bej Frashërit dhe familjes së tij me familjen e Mbretit Zog dhe të tjerave familje të njohura shqiptare që ishin në emigracion e korrespodenca që ai mbajti me ta? Cila është veprimtaria studimore e Mehdi bej Frashërit me 600 artikujt publicistikë dhe librat e botuar? Si e përballoi jetesën familja e Mehdi Beut gjatë viteve që qëndroi në emigracion në Romë dhe përse ai dhe tre fëmijët e tij sa ishin gjallë nuk pranuan që të merrnin nënshtetësinë italiane? Si i kaloi ai vitet e pleqërisë deri sa vdiq në moshën 91 vjeçare në vitin 1963 dhe kush ishin personalitetet e diasporës shqiptare dhe përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në Romë që morën pjesë në varrimin e tij? Lidhur me këto e të tjera fakte e ngjarje nga jeta e Mehdi bej Frashërit dhe e familjes së ti, bëhen të ditura nga nëpërmjet dëshmive që na ka dhënë nipi i tij, Tefik Çelo vite më parë, si dhe dokumenteve të shumta që ai dispononte dhe kishte mundur të ruante gjatë viteve të gjata të internimit.
vijon nga numrat e kaluar




Mehdi 5 Mehdi 4 Mehdi 3 Mehdi 2 Mehdi 1 Mehdi 6
<
>

Mehdiu beu, ndihmonte komunistët
Lidhur me periudhën e pushtimit fashist të Shqipërisë kur Mehdi bej Frashëri ishte një ndër politikanët më të lartë të shtetit shqiptar, nipi i tij Tefik dëshmonte: “Ndonëse gjyshi im Mehdi Bej Frashëri gjatë viteve të pushtimit fashist kishte pranuar postin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Regjencës, ai nuk kishte asnjë lloj urrejtje për komunistët, përkundrazi në shumë raste ai i ka ndihmuar ata. Mehdi beu ka pasur bindje antifashiste dhe që me ardhjen e Italisë ai u internua prej tyre. Gjatë viteve 1943-’44 familja e gjyshit banonte tek Rruga e Dibrës së bashku me familjen e avokatit të njohur Koço Dilo, në një shtëpi që ua kishin marrë me qera familjes Petrela. Familja e Koço Dilos me të cilën ne kishim një miqësi shumë të ngushtë, ishte e lidhur e gjitha me Lëvizjen Antifashiste dhe e kishin kthyer atë shtëpi në bazë të sigurtë të komunistëve ku strehoheshin eksponentë kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptare, e shokë të Koços, si: Qemal Stafa, Vasil Shanto, Nako Spiro etj., pasi dhe Telemaku, Melpomeni e Ksanthipi, ishin komunistë apo të lidhur ngushtë me ta. Siç më ka treguar nëna ime, (gjë të cilën e mbajnë mënd dhe familja Dilo), një natë dimri të vitit 1944, daja i vogël Ragipi, dëgjoi zhurmë në dritaren e banjës dhe shkoi menjëherë aty e ndezi dritën e pa se aty në banjë ishte futur motra e Koços, Ksanthipi. Ragipi e pyeti atë se pse kishte hyrë aty dhe ajo iu përgjigj se shtëpia ishte e rrethuar nga gjermanët, të cilët kishin ardhur për kontroll dhe donin të arrestonin Telemakun e komunistët e tjerë që ishin strehuar aty. Ndërsa Ksanthipi ishte duke i shpjeguar dajës se aty kishte hyrë për të kërkuar ndihmën e Mehdi beut që të dilte dhe të fliste me gjermanët e t’i merrte në mbrojtje ata, gjyshja Nejre, e cila kujtoi se mos komunistët kishin ardhur për t’i bërë atentat Mehdiut, iu drejtua Ksanthipit duke i thënë: ‘Nga kjo dritare që ju keni hyrë për të vrarë këtë plak patriot, ne do t’u shpëtojmë juve jetën’?! Dhe ashtu ndodhi me të vërtetë; Mehdi beu u zgjua dhe doli të fliste me gjermanët duke iu thënë atyre se jo vetëm në atë shtëpi, por në të gjithë lagjen nuk kishte këmbë komunisti. Pas fjalëve të Mehdi beut, gjermanët u larguan menjëherë duke e besuar atë dhe duke menduar se kishin informacion të gabuar mbi vendndodhjen e bazës së komunistëve. Ndërsa Mehdi beu ishte duke u fjalosur me gjermanët, Telemaku dhe disa komunistë të tjerë që ishin strehuar aty, dolën nga ajo dritare dhe u larguan në thellësi të shtëpive të lagjes, duke i shpëtuar arrestimit të sigurtë”, kujtonte nipi I tij, Tefiku lidhur me atë periudhë kohe kur gjyshi I tij banonte tek Rruga e Dibrës në një shtëpi me qira me familjen Dilo.

Atentati i dështuar ndaj Mehdi beut
A ishte e vërtetë që komunistët donin t’i bënin atentat Mehdi bej Frashërit?! Lidhur me këtë, nipi i tij, Tefiku na dëshmonte: “Gjatë pranverës së vitit 1944, katër komunistë të “Njësitit Gueril” të Tiranës, hartuan një plan për t’i bërë atentat Mehdi beut, por ai plan dështoi pasi njëra nga vajzat e familjes Petrela, që kishte dijeni për atë atentat, e tregoi në shtëpinë e saj dhe i ati menjëherë e njoftoi Mehdi beun, i cili mori masa duke lajmëruar komandantin e truprojave të tij Sali Vatën nga Mati. Që nga ajo ditë Sali Vata i shtoi rojet si në shtëpi ashtu dhe në zyrë dhe kur e çonte Mehdi beun nga shtëpia në zyrë dhe anasjelltas, ai rrinte vetë në makinë me të, kurse dy motoçikleta e shoqëronin para veturës. Siç më ka treguar nëna, gjyshi ato roje nuk i mbajti më shumë se dy-tre ditë dhe i dha urdhër Sali Vatës që t’i hiqte duke i thënë: ‘Kush të dojë le të vijë e të më vrasë’. Më pas për arsye sigurie ai u zhvendos me gjithë familjen nga banesa e Petrelasve dhe erdhi aty ku sot janë zyrat e Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, me qëllim që të ishte afër zyrave të Këshillit të Lartë të Regjencës, të cilat ndodheshin disa metra më larg aty ku sot është Biblioteka e vjetër”, kujtonte Tefik Çelo, atë periudhë kohe kur Mehdi bej Frashëri ishte në funksionin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Regjencës, dhe shpëtoi nga atentati që i kishin kurdisur komunistët të cilët ai i ndihmonte vazhdimisht

Si u largua Mehdi beu nga Shqipëria
Tefiku kujtonte: “Ndonëse në vitin 1944 unë nuk kam qenë më shumë se shtatë vjeç, e mbaj mënd shumë mirë gjyshin tim, Mehdi beun dhe shpesh herë i vetëm nga shtëpia i shkoja në zyrë, pasi Lef Nosi që punonte bashkë me të si anëtar i Regjencës më donte shumë dhe më falte ndonjë gjë. Një ditë tek ato zyra të Regjencës më gjeti dhe Mithat bej Frashëri, i cili pasi i pyeti rojet: ‘Ç’do ky fëmijë këtu, më mori për dore dhe më çoi tek një shkollë që ishte aty afër ku ai shkonte dhe takohej shpesh me mësuesit e saj. Mbaj mënd që Mehdi beu kishte miq të ngushtë Patër Anton Harapin dhe Lef Nosin, të cilët pothuaj çdo natë vinin për darkë kur banonim tek shtëpia e Petrelasve në rrugën e Dibrës dhe diskutonin për orë të tëra me gjyshin, e kishte raste që flinin dhe aty tek ne. Po kështu në atë shtëpi vinin dhe shumë njerëz të tjerë, si nga rrethi familjar i babait tim, ashtu dhe të panjohur që kishin halle dhe probleme me qeverinë. Mehdi beu nuk i kthente asnjëherë mbrapsht, por e ndërpriste punën e tij në studio dhe i priste gjithmonë, në çfarëdolloj ore që vinin natën apo ditën. Aty nga fillimi i nëntorit të vitit 1944 kur partizanët e Enver Hoxhës po përgatiteshin të sulmonin Tiranën, periudhë në të cilën ne më shumë rrinim në bodrumin e shtëpisë nga frika e bombardimeve, Mehdi beu vendosi që të largonte jashtë Shqipërisë, Medihanë, dhe dy prindërit e mi, Remziun e Shehriarin, bashkë me mua. Për këtë gjë ai preu dhe biletat e avionit, por kur e mori vesh babai im këtë gjë, nuk pranoi të largohej nga Shqipëria dhe pas kësaj me biletat tona, përveç Medihasë, u nisën dhe Ragipi e Vehbiu. Pak ditë pas largimit të tyre, diku aty rreth ditëve të para të nëntorit 1944, edhe Mehdi beu bashkë me gjyshen Nejren, u larguan nga Shqipëria nëpërmjet Shkodrës dhe dolën në Itali. Nga Tirana për në drejtim të Shkodrës e deri në kufirin me Malin e Zi, gjyshi Mehdi beu u largua i shoqëruar nga një kompani me ushtarë, e cila ishte caktuar apostafat për mbrojtjen e tij dhe siç më ka treguar shoferi personal i tij Osman Baraku, që gjyshi e kishte një nga njerëzit më besnik, gjatë atij udhëtimi ata ranë disa herë në pritat e partizanëve. Osmani e përcolli me makinë Mehdi beun deri në kufi dhe pastaj u kthye përsëri në Tiranë së bashku me komandantin e truprojeve Sali Vatën dhe shoferin tjetër që quhej Qazim”, kujtonte Tefik Çelo për ditët e fundit të gjyshit të tij, Mehdi bej Frashërit në Shqipëri në nëntorin e ’44-ës.

Konfiskimi nga komunistët i pronave të Mehdi bej Frashërit
Çfarë ndodhi me Shehriarin, vajzën e madhe të Mehdi bej Frashërit, e cila pas ikjes së babait dhe familjes së saj për në Itali mbeti e vetme në Tiranë? Çfarë qëndrimi mbajtën ndaj saj komunistët që erdhën në pushtet dhe cili qe fati i Hanëme Shehriarit dhe i familjes gjatë viteve të regjimit komunist? Lidhur me këtë, djali i saj, Tefiku dëshmonte: “Në nëntorin e vitit 1944 pas largimit nga Shqipëria të gjyshit Mehdi bej Frashërit, gjyshes Nejre dhe tre fëmijëve të tyre Vehbiut, Medihasë dhe Ragipit, në Shqipëri mbeti vetëm vajza e madhe e tyre Sheriari, që është nëna ime. Në atë kohë që ikën ata, babai im Remzi Çelo, së bashku me nënën vendosën që të largoheshim nga shtëpia e Petrelasve në Rrugën e Dibrës ku kishim banuar me qira së bashku me familjen e gjyshit Mehdi beut, dhe u vendosëm në një vilë të vogël aty ku sot është Qyteti i Studentit. Atë vilë që u bë pronë e përbashkët e dy prindërve të mi, ne e blemë me kursimet e babait, i cili kishte punuar për shumë kohë si Sekretar në Legatën shqiptare të Selanikut, si dhe me disa të holla që i kishte trashëguar nëna ime nga i ati i saj, Mehdi beu. Pas ikjes së gjyshit me gjithë familje, nëna u interesua për fatin e asaj pasurie të pakët që ata kishin lënë në shtëpinë e tyre, por nuk mundi që të merrte dot asgjë, për arsye se komunistët që erdhën në pushtet, vendosën shtetëzimin e shtëpive të të arratisurve politikë dhe si rezultat i saj u shtetëzua dhe vila e Mehdi beut. Interesimi i nënës sime Shehriarit, nuk kishte të bënte me ato pak plaçka që kishin ngelur aty, por sipas porosisë që i kishte lënë gjyshi, ajo donte të merrte vetëm bibliotekën ku ndodheshin qindra tituj librash, të cilët Mehdi beu i kishte ruajtur që nga koha e Turqisë. Por edhe biblioteka u shtetëzua dhe për fat të mirë të gjithë librat e saj përfunduan në Bibliotekën Kombëtare, ku ndodhen dhe sot”, kujton Tefik Çelo atë periudhë të vitit 1944-45 kur nëna e tij Shehriari mbeti e vetme në Shqipëri pas largimit të familjes së saj për në Itali dhe biblioteka e pasur me qindra libra që kishte lënë ish-Kryeministri i Shqipërisë, përfundoi në fondin e Bibliotekës Kombëtare.

Largimi nga Tirana
Por ç’ ndodhi më pas me familjen e vajzës së Mehdi bej Frashërit? Lidhur me këtë, Tefik Çelo dëshmonte: “Regjimi komunist që erdhi në fuqi në nëntorin e vitit 1944, nuk e ngacmoi fare familjen tonë dhe deri nga viti 1946 ne qëndruam në vilën e vogël te Qyteti i Studentit, pa pasur ndonjë problem të karakterit politik. Vetëm në vitin 1946 na njoftuan se Bashkia e Tiranës kishte marrë një vendim që në shtëpinë tonë do të vinte të banonte një ushtarak i lartë shumë i njohur që kishte qenë një nga heronjtë e luftës dhe familja jonë do të shkonte të banonte në shtëpinë e tij që ishte diku në Lagjen Brrakë. Pas këtij vendimi, ne nuk kishim se çfarë të bënim dhe babai shkoi ta shikonte atë shtëpi, por ato ditë ajo shtëpi u shemb nga që ishte shumë e vjetër dhe ne nuk hymë dot për të banuar aty. Megjithëkëtë urdhri i Bashkisë së Tiranës u zbatua dhe ne na nxorën nga shtëpia ku u fut për të banuar familja e oficerit të lartë. Pas kësaj për familjen tonë nuk u mor ndonjë vendim se ku do të banonim, por na thanë që të shkonim ku të donim, në Përmet apo në ndonjë qytet tjetër, veçse nga Tirana duhet të largoheshim. Vendimi i Bashkisë së Tiranës për të na nxjerr ne nga shtëpia që e kishim pronë tonën, padyshim që ishte si rrjedhojë e asaj që nëna ime ishte vajza e Mehdi Bej Frashërit, të cilin regjimi komunist e kishte shpallur si “armik të popullit”, ndonëse në të gjitha listat ku jepeshin emrat e atyre që quheshin “kriminelë të arratisur”, dhe që nuk lejoheshin të ktheheshin në Shqipëri, emri i tij nuk figuronte asnjëherë. Edhe pse emri i gjyshit Mehdi bej Frashërit nuk figuronte në listat e atyre që regjimi komunist i quante “Kriminelë të Luftë” dhe që u ndalohej kthimi në Shqipëri, në vitin 1945 u arrestuan dhe u dënuan me 5 vjet burg, shoferi i tij Qazimi, dhe me 25 vjet Sali Vata, Komandanti i Rojeve. Të ndodhur përpara kësaj situate, aty nga fundi i vitit 1946 familja jonë së bashku me shumë familje të tjera të cilat quheshin të deklasuara, si: Dostët, Vrionët etj, u larguam nga Tirana dhe u vendosëm diku në periferi të Durrësit, ku banuam për katër vjet me rradhë. Pas katër vjetësh qëndrimi në Durrës, duke përfituar nga një ulje apo më mirë të them një zbutje e dallgës së luftës së klasave, aty nga viti 1950 familja jonë dhe shumë familje të tjera me të cilët kishim shkuar nga Tirana në Durrës, u kthyem përsëri në Tiranë. Pas kthimit në Tiranë, duke qenë se nuk kishim asnjë shtëpi se ku të banonim, na mori në shtëpinë e tij aty në Rrugën e Kavajës, Osman Baraku, ish-shoferi dhe njeriu më besnik i Mehdi beut, i cili në nëntorin e 1944 e kishte përcjellë gjyshin me gjithë familje deri në kufirin shtetëror me Malin e Zi. Ato vite të para të pasluftës, nëna vazhdoi të komunikonte me letra me gjyshin, Mehdi bej Frashërin, dhe me dy vëllezërit e saj, Vehbiun e Ragipin e motrën e Medihanë. Letrat që na vinin nga Italia gjithmonë mbanin firmën e dajave apo tezes Medihasë, sepse gjyshi Mehdi beu, asnjëherë nuk shkruante vetë. Në atë kohë regjimi komunist na lejonte që të merrnim dhe ndonjë pako të vogël me rroba apo me ushqime që na i dërgonin ata nga Italia, por më pas kjo gjë u ndalua rreptësishtë dhe jo vetëm pako që nuk na i lejuan më, por na e ndaluan dhe komunikimin me letra”, kujtonte Tefik Çelo periudhën e viteve të para të pasluftës, kur familjes së tij pasi i shtetëzuan vilën, e përzunë nga Tirana për në Durrës së bashku me shumë familje të tjera të atyre që regjimi komunist i quante “klasa të përmbysura” dhe nuk i lejonte që të merrnin letra nga njerëzit e familjes që ishin arratisur nga Shqipëria.

Internimi në fshatrat e Lushnjës deri në 1991-shin
Sa kohë qëndroi në Tiranë familja e së bijës së ish-kryeministrit shqiptar të periudhës së Monarkisë që ishte arratisur që në nëntorin e ’44-ës? Lidhur me këtë, nipi Tefiku kujtonte: “Në atë shtëpi aty tek Rruga e Kavajës ne qëndruam deri në vitin 1953 kur pas një acarimi të situatës politike që erdhi pas vdekjes së Stalinit, na nxorën që andej dhe sipas një vendimi zyrtar të Komisionit të Internim-Dëbimeve na dëbuan nga Tirana duke na internuar në fshatrat e Fierit dhe të Vlorës. Në ato kohë familja jonë u nda në dy pjesë, sepse babanë Remziun e internuan në fshatin Kuç të Kurveleshit së bashku me 80 persona të tjerë nga familjet më të dëgjuara të Shqipërisë, kurse nënën Shehrirain, së bashku me motrën time Mimikën, i çuan në Shtyllas. Në atë kohë vetëm unë munda të qëndroj në Tiranë, pasi më mbajti në shtëpinë e tij, ish-shoferi i gjyshit, Osman Baraku dhe vazhdoja shkollën në Politeknikumin “7 Nëntori” (sot Harry Fultz) së bashku me fëmijët e tij. Pas disa vjetëve qëndrimi në kampet e internimit në Kuç të Kurveleshit, Shtyllas të Fierit dhe Savër të Lushnjës, babai Remziu me nënën dhe motrën, në vitin 1957 u bashkuan në fshatin Gradishtë të Lushnjës, ku ishte një nga kampet më të mëdhenj të internimit në të cilin ndodheshin shumë nga familjet më të dëgjuara të Shqipërisë, si: Dostët, Mirakajt, Gjonmarkajt, Demat, e shumë të tjerë. Nga familja ime vetëm unë munda që të shpëtoj pa shkuar që në fillim në ato kampe internimi, sepse pasi mbarova Politeknikumin në Tiranë, bëra një kurs për teknik të aparaturave mjeksore dhe duke fshehur biografinë, e rregullova që të shkoja në spitalin e qytetit të Korçës, si specialist i mirmbajtjes së aparateve të atij spitali. Gjatë asaj periudhe që punova në spitalin e Korçës, ku për mua kujdesej Dr. Polena sikur të më kishte djalin e tij, unë bëja kujdes që të mos zbulohesha dhe nuk i tregoja asnjeriu që e kisha familjen në internim në Gradishtë të Lushnjës. Kur ikja nga Korça për në Gradishtë për të takuar njerëzit e familjes, gjithmonë shkoja natën dhe pa u zbardhur dita ikja që andej që të mos më shikonte njeri. Pas disa kohësh që punova në atë spital, filluan dyshimet ndaj meje pas një letre që më erdhi nga nëna, e cila mbante vulën e fshatit Gradishtë. Disa ditë pas kësaj teksa kisha shkuar pranë familjes aty në barakat e Gradishtës, natën erdhi për kontroll operativi i Sigurimit dhe më gjeti brenda. Ai pasi i bëri presion nënës që nuk kishte treguar se e kishte djalin e madh, lajmëroi në Degën e Brendshme të Lushnjës për atë që kishte zbuluar. Pas kësaj erdhi letra në Korçë (ku më zbuluan që e kisha familjen në internim) ku u mor vendim dhe më dërguan edhe mua pranë familjes në Gradishtë. Në kampin e Gradishtës ne dhe të gjithë familjet e tjera që ishin të internuara aty, banonim në disa baraka të vjetra gjysmë të rrënuara dhe të mbuluara vende-vende me katrama. Në ato baraka ku ne jetonim bashkërisht me shumë familje të tjera, kishte, ish-ballistë, legalistë, komunistë të dënuar, gjermanë, kosovarë, prostituta jugosllave e të tjerë me të cilët punonim në punët më të rënda të bujqësisë në kanalet e moçalishtet e fushave të pafundme të Myzeqesë. Përveç asaj jetese në kushtet e mizerjes, ajo që na e bënte akoma e më të padurueshme jetën tonë aty, ishte apeli që bëhej tre herë në ditë, ku ne duhet të paraqiteshim para punonjësve të Degës së Brendëshme, ku shpesh vinte dhe vetë Kryetari i Degës, Nuçi Tira, I cili e kishte porosi të veçantë nga Tirana që “të kujdesej” më shumë për ne të internuarit që ishim “armiq të pushtetit popullor”, kujtonte Tefik Çelo, periudhën e internimit të familjes së tij në kampet e internimit të Vlorës, Fierit e Lushnjes, për të vetmin shkak se nëna e tij Sheriari, ishte vajza e Mehdi Bej Frashërit, ish-Kryeministrit të Shqipërisë dhe antarit të Këshillit të Lartë të Regjencës gjatë pushtimit gjerman, të cilin regjimi komunist në fuqi e kishte shpallur armik të popullit.

Burgosja e Tefikut, nipit të Mehdi beut
Çfarë ngjau më pas me familjen e Tefik Çelos, pinjollit të vetëm të familjes së Mehdi bej Frashërit që kishte mbetur në Shqipëri? Lidhur me këtë: Tefiku kujtonte: “Gjatë viteve të para të internimit unë u dënova me një vit e gjysëm burg, pasi u zura dhe qëllova një Operativ të Sigurimit, i cili na ishte bërë tepër i padurueshëm. Pasi e qëllova atë më arrestuan e më dërguan në Degën e Brendshme të Lushnjes, ku vetë Kryetari, Nuçi Tira, mori një dru të madh dhe filloi të më binte ku të mundte. Nga të bërtiturat e mia dolën në ballkone të gjitha familjet e oficerëve që banonin aty pranë dhe një grua i foli Nuçit duke i thënë: ‘Mjaft e qëllove atë djalë se po turpëron jo vetëm veten tënde, por dhe të gjithë ne familjet e oficerëve’. Pas fjalëve të asaj gruaje, Nuçi nuk më qëlloi më dhe kur më dënuan me një vit e gjysmë burg për rrahjen e Operativit, ai nuk më dërgoi në burg, por më mbajti aty në Degën e Brendshme, ku punoja me prapavijën. Në atë kohë që u dënova unë, familjen ma hoqën nga barakat e Gradishtës dhe ma dërguan thellë në kënetë ku jetesa ishte në kufijtë ekstrem të mizerjes”, kujtonte Tefik Çelo ato vite kur ai u dënua me burg për rrahjen e Operativit të Sigurimit, aty në internim ku familja e tij qëndroi nga viti 1953 deri në vitin 1991 kur u shemb regjimi komunist./Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.