KULTURË

Shkrimtarët e mërgatës rikthehen në shtëpi

11:41 - 21.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Për ku jeni nisur?” shtrohet pyetja në një roman të famshëm të Novalis-it. “Gjithmonë drejt shtëpisë” është përgjigjja. Shtëpia, vendlindja, atdheu janë pikënisja dhe pikëmbërritja e shkrimtarit në odisenë e jetës dhe krijimtarisë së tij.
Një takim i veçantë mbahet më 22 shkurt në Pallatin e Kongreseve me shkrimtarët e mërgatës. I organizuar nga Qendra e Botimeve për Diasporën, institucion në varësi të Ministrit të Shtetit për Diasporën dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, ai e kthen Tiranën në pikëmbërritje të autorëve nga Holanda Albana Shala e Flutura Açka; nga Spanja: Bashkim Shehu; nga Anglia: Rudolf Marku; nga Suedia: Entela Tabaku e Shqiptar Oseku; nga Italia: Anilda Ibrahimi, Arben Dedja, Durim Taçi, Denata Ndreca e Griselda Doka; nga Franca: Anisa Markarian; nga Rumania: Luan Topçiu; nga Belgjika: Eleana Zhako; nga Greqia: Thanas Medi; nga Zvicra: Besa Myftiu, nga Amerika e largët Gazmend Kapllanin, etj.




LETRA NGA DIASPORA
Në tekstin shoqërues të broshurës së takimit, risillet në vëmendje se historia e letrave shqipe që në zanafillë ka njohur shkrimtarë që zgjedhin të shtegtojnë për shkollim a një njohje më të mirë të botës, për përvojë jete a nevojë mbijetese, ashtu siç ka njohur edhe shkrimtarë të dëbuar, të ashtuquajtur “të ekzilit”, shkrimtarë të ndaluar apo shkrimtarë të mërgatës, por pavarësisht arsyeve dhe rrethanave të largimit prej vendlindjes, të gjithë ruajnë në shkrimet e tyre vulën identitare të gjuhës shqipe apo kujtesën e prejardhjes.
“Atdheu afër dhe larg”, “Letërsia si kujtesë”, “Mërgimi i gjuhës”, “Revista letrare në diasporë”, “Përkthimi dhe promovimi i letërsisë shqipe” do të jenë disa nga temat që do të trajtohen në këtë takim. Përpos autorëve nga diaspora në këtë bashkëbisedim do të jenë të pranishëm dhe autorë të rëndësishëm që jetojnë në Shqipëri si: Virion Graçi, Stefan Çapaliku, Enkel Demi e shumë të tjerë, si dhe miq nga trojet shqiptare përreth. Takimi synon të jetë edhe një shkëmbim idesh për rrugën që ka ndjekur dhe po ndjek letërsia shqipe, për gjendjen e autorit shqiptar brenda dhe jashtë, si dhe për ndihmesën që mund të japim me gjetje vetjake apo grumbullime të përbashkëta për nxitjen e leximit dhe për promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare; një rast i rrallë për t’u njohur nga afër me autorë që jetojnë larg, por që janë pjesë e qenësishme dhe e pandashme e kulturës sonë.

TEMA E MENDIME
Për temën “Revistat kulturore në diasporë” do të flasin Ardian Ndreca (Itali), Bashkim Shehu (Spanjë), Luan Topçiu (Rumani), Rudolf Marku (Angli) nën moderimin e Prof. Dr. Persida Asllanit.
Revistat kulturore lidhin emra të mëdhenj, me momente të mprehta historike, me dije e shkrime specifike kombëtare dhe me potenciale të fuqishme leximi. “Albania, “Diturija”, “Hylli i Dritës”, “Zani i naltë”, “Leka”, “Shkëndija”, “Përpjekja shqiptare”, “Minerva” etj., janë vetëm pjesa më e dukshme dhe më e shkëlqyer e një rrjetëzimi të papërsëritshëm kulturor. Të lindura së pari në diasporë, por të ndjekura edhe nga simotrat e tyre brenda territorit të shtetit shqiptar, ato përfaqësojnë mediumin më cilësor të komunikimit tonë ndërkulturor.

Për temën “Pluraliteti i kujtesave dhe letërsia” do të flasin Anisa Markarian (Francë), Durim Taçi (Itali), Enkel Demi e Stefan Çapaliku Tiranë me moderimin e Arta Markut. Duke nisur nga kujtesa si bazë letërsie, këtu dhe atje, këndej apo andej kufijve, letërsia është PLURALITETI I KUJTESAVE të krijuesve, që nuk është një arkiv i matshëm me fjalë, por me përjetime. Për kujtesën vetjake të shkrimtarit si perceptim të pasqyruar në letërsi; për perceptimet vetjake të perceptimeve të paraardhësve; për përzgjedhjen në kujtesë të lëndës letrare; për njerëz, vende a ngjarje konkrete që qysh në kujtesë kanë nisur ta tejkalojnë realitetin; për të vërtetën letrare, që sado e “endur” në laboratorë krijuesish, mund të jetë e vërteta me V të madhe… me shkrimtarët në panel.

Për “Letërsinë identitare apo Identitete gjuhësore e kombëtare likuide?” do të flasin Anilda Ibrahimi (Itali), Arben Dedja (Itali), Entela Tabaku e Shqiptar Oseku (Suedi) nën moderimin e Prof. Diana Kastrati. Rëndom, ekziston mendimi i përbashkët se identiteti kombëtar është një e dhënë natyrale. Por, mjafton t’i hedhim sytë prapa dhe mund të vërehet lehtësisht se identiteti i ashtuquajtur europian e mandej ai kombëtar, është sa proces ndërtimi vijueshëm, aq edhe zhdukjeje, harrese, riplazmimi. Nga shekulli XVI e tutje, Perëndimi është ndërtuar përmes një leximi selektiv të historisë: janë ekzaltuar rrënjët greko-romake e të krishtera, e janë harruar ato babilonase, egjiptiane, hebraike e myslimane apo hindu. Bauman pohon se ideja e identitetit ka lindur nga kriza e përkatësisë dhe nga sforcimi që ajo ka krijuar për të mbushur ndarjen midis asaj që “duhet të jetë” dhe asaj “që është”, në një kohë që e dimë fort mirë e nuk mund të fshihemi pas hipokrizisë lehtësuese që, kontrolli i kujtesës është më së pari çështje kontrolli e supremacie politike. Sa ndikon kjo e ashtuquajtur përkatësi kombëtare dhe a bëhet faktor vendimtar në përzgjedhjen tematike të krijuesve që operojnë jashtë kufijve tanë?
Për “Udhët e kthimit: lashtësia e një miti modern” flasin Bessa Myftiu (Zvicër), Ismete Selmanaj e Leba (Itali), Flutura Açka (Holandë) e Virion Graçi Tiranë me moderimin e Prof. As. Dr. Lili Sula. Ndërsa me moderimin e Alda Bardhylit trajtohet tema “Dy pyetje – një lexim” me pjesëmarrës Denata Ndreca, Griselda Doka (Itali), Ndue Ukaj (Kosovë) Thanas Medi (Greqi).
Duke nisur nga miti i rikthimit rravgues të Odiseut është rimodeluar në trajta të ndryshme, malli për atdheun metafizik e vendin ideal e njëherësh është sjellë ironia e sarkazmi për atdheun real plot probleme. Gjithçka është endur mes sindromës së barrierave kufitare në kërkim të lirisë jashtë atdheut, e pamundësinë për ta riparë atë pas shumë kohësh. Në këtë perspektivë, të atdheut larg e afër, përmes veprave të autorëve bashkëkohorë, do të bashkëndajmë përvoja artistike e personale, për të përftuar pamjen e atdheut te sotëm në letrat shqipe.

“Përkthimi dhe promovimi i letërsisë shqipe jashtë vendit” sjell bashkë Albana Shalën (Holandë) Eleana Zhakon (Belgjikë), Iskra Thomën dhe Livio Muçin (“Besa edittrice” – Itali) me moderimin e Ben Andonit.
Përkthimi i letërsisë bashkëkohore shqipe është dhe do të mbetet një nga misionet dhe sfidat më të rëndësishme të kulturës shqiptare. Kjo, për vende të vogla si Shqipëria, merr një rëndësi të veçantë dhe është gati edhe një mision për të përhapur kumtin e një hapësire të vogël, si edhe gjuhe të veçantë që i ka mbijetuar shekujve, por mbi të gjitha që shpreh si pakkush shpirtin e Homos Albanicus. Letërsia shqiptare u përkthye më shumë, sa i përket madhësisë, në kohën e Diktaturës, por përzgjedhja ishte e lidhur në pjesën më të madhe me konjukturat. Nga të paktit që bëri dallimin ishte shkrimtari më i shquar shqiptar Ismail Kadare, vepra e të cilit u përkthye dhe vazhdon të përkthehet në shumë nga gjuhët kryesore të botës. Pas viteve ’90 kemi një përpjekje institucionale, por që ka qenë e pamjaftueshme për të shprehur realisht të gjithë shprehjen dhe rrymat e letërsisë sonë. Gjithsesi, TRADUKI disa Qendra Kulturore dhe Institucione të huaja kanë ndihur me sa janë gjendur mundësitë për ta ekspozuar këtë letërsi. Është fat, që kemi një diasporë, e cila është rritur shumë dhe cilësisht, kontributi i të cilës mund të përfshihet edhe në përkthimin e letrave shqipe. Tashmë, me zhvillimet e vendit, përkthimi i letërsisë sonë është edhe një detyrë për t’i dhënë qytetarinë e duhur letërsisë sonë. Duke treguar përvojën më të mirë të pas viteve ’90, si edhe institucionet dhe Shtëpitë Botuese që e kanë inkurajuar përkthimin e letërsisë sonë, paneli mëton të sjellë jo thjesht një panoramë, por realisht të gjenerojë prej folësve mundësitë dhe atë që letërsia jonë mund të afrojë në familjen e letrave, si edhe të kërkojë mundësi për ta mbështetur në të gjitha mënyrat.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.