OPINION

Si duhet të sillet Albin Kurti me të dërguarin e Presidentit Trump

07:29 - 21.02.20 Berat Buzhala
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Muaj më parë, Presidenti Trump e kishte veshur me përgjegjësi shtesë Richard Grenell-in, ambasador amerikan në Gjermani, që njëkohësisht është edhe dekan i të gjithë ambasadorëve amerikanë në Evropë, që të ndërmjetësonte për arritjen e një marrëveshjeje paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë.




Se çfarë opinioni kam për presidentin Trump, tashmë kjo dihet botërisht, mirëpo opinioni im dhe opinioni ynë si qytetarë privatë assesi nuk do të duhej të ishte opinion i Qeverisë së Kosovës dhe opinion i institucioneve tona në raport me ShBA’në.

Qeveria e Kosovës e ka obligim që të bashkëpunojë me këdo që është në Shtëpinë e Bardhë dhe më këdo që kjo shtëpi e autorizon që të komunikojë me Kosovën. Në rastin konkret, me Richard Grenell-in.

Takimet e shpeshta të lidershipit të Kosovës me z. Grenell ka mundësi që në sytë e qytetarëve e kanë demistifikuar diplomatin amerikan, mirëpo realisht, pesha e tij politike është tmerrësisht e madhe. Bie fjala, ai pardje ka shkruar që presidenti Trump e ka autorizuar atë që t’i paralajmërojë shtetet evropiane se cilado prej tyre që arrin marrëveshje me kompaninë kineze për rrjetin 5G “do të na pamundësojë që të bashkëpunojmë edhe më tutje në fushën e ndarjes së informatave në nivele të larta”.

Me fjala të tjera, cilido shtet europian që do të guxojë të futet në bashkëpunim me kinezët do të mbetet në terr informativ sa i përket terrorizmit dhe çfarëdo lloji tjetër të informatave që ata i marrin nga ShBA-ja e që për këto shtete janë të një rëndësie ekzistenciale.

I autorizuar për të biseduar me Europën për këto tema është Grenell-i e të cilit i ka rënë hise që kohë pas kohe t’i takojë edhe Agim Veliun dhe Avdullah Hotin, Kurtin e Konjufcën, edhe Thaçin e Veselin, e që besa edhe qytetarë të tjerë të Kosovës. Një gjë e tillë ka mundësi që e ka dëmtuar pak reputacionin e tij, sepse, sipas praktikave tona, ne tregohemi shumë më të dëgjueshëm, nëse pala tjetër, ajo që jep urdhra, është më enigmatike. Mirëpo ajo që desha të them është se për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për momentin që ne po flasim, çështja e rrjetit 5G është shumë herë më e rëndësishme se sa kjo e Kosovës me Serbinë, kurse Grenell-i po merret me të dyja.

Gazeta Express, përmes burimeve të saj, në dy ditët e kaluara ka raportuar për një eskalim të marrëdhënieve Kosovë – ShBA.

Nëse Kurti dhe Qeveria e Kosovës nuk e heqin taksën dhe nuk e zbusin tonin për dialog, nëse nuk heqin dorë nga reciprociteti, kryeministri i Kosovës do të izolohet nga ShBA-ja. Cinikët, ata që nuk kanë përgjegjësi as për vendin e ndoshta as për familjet e tyre, ata të cilëve askush kurrë “puna e mbarë” nuk iu ka thënë, do të dalin nëpër medie dhe do t’i bëjnë thirrje Kurtit që të mos lëshojë pe. Patjetër që do të këtë të tillë shqiptarë gjaknxehtë edhe në LVV që do ta inkurajojnë shokun e tyre që t’ia tregojë vendin ShBA-së, Trump-it dhe Grenell-it. Mirëpo pyetja që qëndron kërcënueshëm mbi kokat tona është kjo: Çka nëse vërtet ShBA-ja heq dorë prej nesh për shkak të një takse idiote?

Nëse rreziku për një skenar të tillë është vetëm 1 për qind, atëherë nuk ia vlen të rrezikohet. Kurse burimet e Gazetës Express tregojnë që ky rrezik është shumë herë më i madh.

Prandaj Kurti nuk duhet të pranojë që agjenda e tij politike të përcaktohet prej anarkistëve. Ai duhet të përgjigjet, duhet të tregojë – e ka obligim moral dhe kushtetues – se cili është plani i tij, se çka do të bëjë ai nëse ndodh diçka ose përse realisht po e mbështet taksën apo edhe planin e tij për reciprocitet. A po e bën këtë ngase Serbia e meriton që t’i përgjigjemi dhëmbë për dhëmbë apo thjesht po e bën për ta bllokuar dialogun deri në një fazë më të mirë?

Nëse po e bën për ta penguar dialogun, ne mund t’i themi që ishalla është duke e ditur çfarë po bën.

Ky është një rulet politik, ku me një bast mund të humbësh çdo gjë të fituar në 30 vjet e për ç’gjë Kurti nuk është që e ka ndonjë meritë të veçantë. Kontributin e tij për shoqërinë ne e presim në vitet në vijim.

Pra, Kurti duhet të dijë se askush nuk e ka autorizuar, ai nuk është votuar për ta vënë në peshore çdo të arritur në këto tri dekada. Ai ka marrë vota për tjetër gjë. Ai është zgjedhur kryeministër, mirëpo shoqëria nuk i ka dhënë mandat për ta rrezikuar aleancën me ShBA’në, madje as me ShBA’në e Trump-it. Këtë mandat nuk e ka askush.

Ne jemi marrë vesh, për shkak të keqqeverisjeve të dy dhjetëvjetëshave të fundit, që të mos lëshohemi shumë thellë në biografinë e kryeministrit Albin Kurti, mirëpo e kaluara e tij na mëson që, së paku në dy momente kritike ai ka qenë në anën e gabuar të ngjarjeve. Ka qenë në anën e gabuar në vitin 1999 gjatë konferencës së Rambujesë, kur luftonte që të mos nënshkruhej ajo marrëveshje e që doli marrëveshja më e mirë e nënshkruar ndonjëherë prej nesh (imagjinojeni sikur ta kishim dëgjuar Kurtin që të mos nënshkruhej ajo dhe të mos fillonin bombardimet e NATO’s) dhe e kishte gabim kur thoshte që Pakoja e Ahtisaar-it nuk e bën Kosovën të pavarur. Nëse ai e vazhdon konfrontimin me ShBA’në duke mos pasur plan B, atëherë ne si shtet vërtet kemi probleme serioze. Ndoshta, në këtë rast, LDK-ja duhet të kalojë në planin B, të cilin tash nuk po e elaboroj më tutje se çfarë plani do të duhej të ishte ai. Po e lë në imagjinatën tuaj.

Ndërsa nëse themi që Kurti taksën nuk po e mban për ta penguar dialogun, por thjesht si masë normale ekonomike dhe politike ndaj një shteti që nuk na njeh, atëherë kjo është e diskutueshme. Ne të gjithë pajtohemi që Serbisë duhet t’i përgjigjemi në mënyrë reciproke kudo, kurdo dhe për çfarëdo, por fillimisht duhet t’ia japim kohën e duhur z. Grenell-it, në aleancë me Gjermaninë, për t’i  provuar idetë e tij për marrëveshje përfundimtare. Është shumë më mirë që t’i thuhet JO propozimit, sesa t’i thuhet JO dialogut. Ai, në një reagim të tij në Twitter, sot tha që janë lajme të rreme ato që thonë se plan i tij është ndarja e Kosovës. Këtë postim të tij mund ta përdorim kundër tij në një fazë më të vonshme të dialogut.

Politikisht, Kosova është shumë më mirë tash, sesa ishte para disa muajve. LVV’ja dhe LDK’ja kanë mandat për të biseduar për një marrëveshje me Serbinë. Shumica shqiptare i ka votuar këto dy parti politike. Nuk është më një pakicë shqiptare që qëndron në pushtet falë votave të Listës Serbe. Gjithashtu, edhe Kurti e edhe Osmani, ose sa për atë punë edhe Avdullah Hoti, janë mjaft të përgatitur për të diskutuar dhe dialoguar në nivele të larta ndërkombëtare. Pamjet e shtatë-tetë burrave shqiptarë që shkonin në zyrën e Federica Mogherini-t për të biseduar për dialogun me Serbinë kanë qenë të shëmtuara. Ajo kohë fatbardhësisht ka ikur, ndërsa ata e morën çmimin e merituar. Nuk do të shkojë shumë gjatë dhe çmimin e merituar do ta marrë edhe njeriu i fundit i asaj klike, presidenti Thaçi, sapo t’i skadojë mandati.

Kështu që Albin Kurti është thjesht dhe vetëm në fillimin e punës së tij, kurse rivali i tij më i madh, presidenti Thaçi, është thjesht dhe vetëm në fundin e jetës së tij politike.

Shumëkush ka të drejtë, kur thotë që Albini është më së paku përgjegjës për gjendjen në të cilën ndodhemi, sepse të tjerët para tij e kanë sjellë vendin këtu, duke e përfshirë këtu edhe pozitën e palakmueshme për dialogun.

Sigurisht, de jure, Kurti nuk e ka asnjë përgjegjësi, kurse de facto, si lider opozitar, i ka edhe ai përgjegjësitë e tij. Por të gjitha këto tash janë irelevante. Ai nuk ka ardhur në pushtet me premtimin se “kur të zgjidhem, situata do të bëhet edhe më e rëndë, sepse të tjerët përpara meje kanë bërë shumë dëme”. Jo, ai ka ardhur në pushtet me premtimin që do t’i japë rrugë problemeve të shkaktuara nga ata para tij. Problemet nuk zgjidhen duke i shkaktuar edhe ca të tjera, siç është tensionimi me ShBA-në. Guruja e diplomacisë amerikane, Henry Kissinger, ka thënë se “Amerika nuk ka miq ose armiq të përhershëm, ka interesa”. Kurti e ka obligim që Kosovën ta bëjë interesante dhe interes për Amerikën. Askujt nuk i intereson se kush kishte të drejtë në këtë përballje të Davidit me Goliatin. Në gurin e varrit askujt nuk i shkruan që “filani vdiq, por kishte të drejtë”. Qeveria e Kosovës, e prirë prej tij, duhet të bëhet pjesë e procesit.

Për palestinezët thuhet që sa herë e kanë refuzuar një ofertë të amerikanëve për zgjidhjen e problemit të tyre me Izraelin, ofertën e radhës e kanë marrë edhe më të keqe.

A është karahasimi me Palestinën dhe palestinezët krahasim i saktë? Sigurisht që nuk është krejtësisht i saktë. Ne nuk jemi Palestina, Serbia nuk është Izraeli, mirëpo Amerika është ndërmjetësues në të dyja rastet.

Së këndejmi, ka mundësi që edhe logjika, energjia dhe temperamenti janë të njëjta. “Kemi zgjedhje në nëntor të vitit 2020, prandaj më mirë është që të mos e testosh gatishmërinë tonë.”

Në këto rrethana, pyetjen që duhet t’ia shtrojmë vetes është kjo: A dëshirojmë që të mësojmë në librat tanë të historisë që ne kemi pasur të drejtë në vitin 2020, kur ndaj nesh ishte bërë një padrejtësi e madhe apo dëshirojmë që të mësojmë se ajo ishte një periudhë mjaft e rëndë për Kosovën, por falë një kryeministri të zhdërvjelltë, ne kishim arritur që të dalim faqebardhë nga ajo situatë e palakmueshme, në të cilën na kishin sjellë udhëheqësit përpara tij? Unë do të preferoja që ta zgjidhja mësimin numër 2. Po ti?

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.