OPINION

Dritë – hije në miqësitë personale politike

09:44 - 22.02.20 Jorgji KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në veprimtaritë dy dhe shumëpalëshe tashmë është bërë zakon që liderë të ndryshëm ta quajnë njeri-tjetrin « mik ». Kështu iu drejtua dhe Kryeministri kanadez Trudeau javën e kaluar në fillim të një takimi informal në Munih homologut të tij shqiptar, zotit Rama. Por, kujdes, në këto raste, « mik » është thjesht një eufemizëm diplomatik për mirësjellje, për të krijuar një atmosferë sa më të ngrohtë; madje shpesh ata i drejtohen njeri tjetrit dhe me emrin e parë. Në shumicën e këtyre rasteve nuk bëhet fjalë për miqësi personale politike; për rolin e tyre në historinë botërore vazhdon të flitet dhe shkruhet shumë. Si miqësi të vërteta, të shfaqura në çdo moment, sado i vështirë, që ka vijuar edhe pas përfundimit të mandateve të tyre politike dhe vetëm vdekja e ka ndarë. Kjo miqësi VIP, e shoqëruar dhe me vizita, kontakte dhe komunikime të shpeshta fizike, telefonike i kapërcen ku e ku caqet e mirësjelljes, dashamirësisë dhe mbështetjes politike.




Ajo ndërtohet mbi bazën e marrëdhënieve të ngushta politike, parimeve, vlerave dhe interesave të përbashkëta, të cilat qëndrojnë në themel të përfaqësimit, mbrojtjes dhe realizimit të objektivave madhore strategjike. Mbi të gjitha, kjo miqësi dallohet për rezultatet dhe ndihmesën konkrete që jep, duke mos mbetur thjesht dhe kryesisht në gjeste, akte dhe deklarime mediatike «pa bukë» ose për konsum të brendshëm publik.

Ka plot shembuj që tregojnë se kjo miqësi ka fare pak të bëjë me ngjyrime dhe flamuj partiakë. Miqësitë personale politike vazhdojnë të kenë ndikim të madh pozitiv në krijimin dhe nxitjen e një klime miqësore mirëkuptimi, besimi dhe sigurie, duke shërbyer si model dhe për vendet e tjera.

Le të ndalemi në disa emblema të këtyre miqësive të 75 viteve të fundit, duke përmendur dhe ndonjë dritë hije të tyre.

Miqësia më e madhe dhe më jetëgjatë politike u përket pesë çifteve historike franko- gjermane. Ajo lindi si përgjigje ndaj sfidave madhore për të dy këto vende të mëdha, në radhë të parë pajtimin e tyre historik, pas 27 luftërave gjakatare në tre shekujt e fundit. “Pionierët” e kësaj miqësie epokale janë Kancelari i parë i Gjermanisë së re, Konrad Adenauer dhe Presidenti mitik francez Gjenerali De Gol në vitet 50 – 60. Krahas përmbajtjes, të shumta janë dhe gjestet e tyre simbolike me jehonë në Europë. Kështu, gjatë turneut zyrtar në Gjermani më 1962, De Gol përshëndeste dhe entuziazmonte qindra mijëra njerëz në gjuhën gjermane. «Qershiza mbi tortë» e kësaj miqësie ishte nënshkrimi prej tyre në Pallatin Elize në Paris i Traktatit të Miqësisë ndërmjet tyre më 22 Janar 1963 që u rinovua një vit më parë nga Merkel – Macron. Ky Traktat legjendar vulosi fundin e 2 shekujve armiqësi të përgjakshme dhe të miqësisë e bashkëpunimit në çdo fushë. Me atë rast, De Goli deklaroi po në gjermanisht se« zemra më vlon nga gëzimi, kurse shpirti im është mirënjohës për çdo gjë »

Pas skepticizmit të Pompidu ndaj Brandt për “Ostpolitik” kjo histori e madhe miqësie u përsërit me tonë dhe më të forta me çiftin politik Kancelarin Helmut Schmidt- Presidentin Valeri Giscars d’Estaing ; si më e gjata në histori, që filloi në vitin 1974 qysh kur të dy ishin ministra financash dhe u ndërpre me vdekjen e Schmidt më 2015 në moshën 97 vjeçare. Ajo kontribuoi për shumë arritje dhe suksese ndaj sfidave madhore, si kriza e naftës, e dollarit, ideja për krijimin e monedhës së përbashkët evropiane, zgjerimi i BE-së dhe lufta ndaj kërcënimit sovjetik, etj. Ata kanë meritën se lançuan G-6 që më vonë u kthye në G- 7. « Miq për jetë » titullohet dhe një dokumentar televiziv kushtuar këtij binomi të famshëm politik. Kujtimi i fundit i kësaj miqësie ishte Parathënia për librin e D’Estaing mbi Evropën, ku Schmidt shprehet me superlativa ndaj mikut të vet të ngushtë francez.

Akoma më lart e ngritën « stekën » e kësaj miqësie Kancelari i ribashkimit Helmut Kohl dhe Presidenti i madh francez Mitterand, e cila vijoi për mbi 16 vjet. Miqësia e tyre ishte vendimtare për shembjen e Murit të Berlinit, ribashkimin gjerman dhe atë evropian, forcimin e boshtit Euro-Atlantik dhe njohjen e Gjermanisë së ribashkuar nga më të mëdhenjtë e botës. Ndërmjet shumë episodeve, ka mbetur i gjallë në kujtesë nderimi emblematik që ata u bënë 750 mijë të rënëve të të dyja vendeve në Varrezat në Verdun në Dhjetor 1984. Jashtë protokollit, gjatë interpretimit të himneve kombëtare, ata qëndruan në heshtje solemne, të kapur dorë për dore, duke ngritur një tjetër monument, kësaj radhe dhe vetes së tyre. Të njëjtën miqësi Kohl farkëtoi me Presidentin e famshëm të Komisionit Europian, Jacques Delors, të cilit në vitin 1989 i premtoi dorëzimin e Deutsch Markut. Po ashtu, miqësia e tij personale me Regan, Bush, Thatcher dhe Gorbachov ndikuan tej mase për përshpejtimin e ribashkimit, falë besueshmërisë gjermane.

Schroder dhe Shirak e vijuan më tej këtë miqësi, sidomos kur kundërshtuan me forcë ndërhyrjen ushtarake amerikane në Irak. Kritikëve se përse u ngritën kundër mikut të tyre tej Oqeanit, ata iu përgjigjen se aleatët duhet jo vetëm të njoftojnë se kur do të sulmojnë një vend, por dhe nëse duhet ta bëjnë një gjë të tillë.» Koha u dha plotësisht të drejtë.

Por ndryshe nga paraardhësit, Schroder ka hedhur hije dyshimi jo të vogla me miqësinë e fortë personale me Presidentin rus Putin. Sapo u largua si Kancelar më 2006 pranoi ofertën dhe u zgjodh President i « Rosneft » kompania e dytë më e madhe qeveritare e naftës në Rusi me seli në Moskë, përballë Kremlinit. Madje, Schroder është munduar të justifikojë dhe politikat e gabuara ruse, duke iu kundërvënë  sanksioneve amerikane dhe të BE-së.

Për nga intensiteti i miqësisë personale ndërmjet Kancelares Merkel dhe Presidentit francez Sarkozy, ata u mbiquajtën « çifti Merkozi » Vetëm se kjo miqësi ishte jetëshkurtër, sepse Sarkozy nuk u rizgjodh dot më 2012 dhe vazhdon me procedura të ndryshme gjyqësore. Megjithë demarshet, as Holande dhe as Macron nuk kanë mundur të ngrihen dot në nivelin e parardhësve të tyre. Veç faktorit kohë, kjo dhe për shkak të disa interesave dhe qëndrimeve të ndryshme dhe të kundërta për disa aspekte të komplikuara ndërkombëtare.

Miqësia e fortë politike ka karakterizuar dhe disa prej liderëve më me zë amerikanë dhe evropianë. Këtu veçohet miqësia e rrallë në llojin e vet Regan – Thatcher, e cila hodhi spirancat e një partneriteti strategjik te privilegjuar anglo-amerian. Ata u njohën më 1975, dmth shumë më parë se të vinin në pushtet më 1979 dhe 1981. Kjo miqësi konsiderohet si « martesë politike » ndërsa bashkëpunëtorët e tyre i kanë quajtur « shokë politikë » Më 1984, pas funeralit të ish – liderit të BRSS-së K. Çernenko, ku ajo takoi pasardhësin e tij, Thatcher njoftoi Regan se ia vlente të punoje më Gorbachovin dhe Regan si gjithmonë ia dëgjoi fjalën. Kjo përshpejtoi Samitin e tyre dhe shembjen e komunizmit. Siç shkruan Geoffrey Smith në librin « Reagan dhe Thatcher » kjo e fundit ishte këshilltarja e tij më e mirë për çdo gjë. Janë të shumta kujtimet, episodet dhe kujtimet e kësaj «dashurie» të madhe politike. Me gjithë gjendjen e rëndë shëndetësore, Thatcher shkoi për t’i dhënë lamtumirën e fundit, siç u shpreh ajo, Presidentit, Burrit të Madh të Amerikës dhe Mikut të saj të ngushtë » Siç bëri dhe Nancy Regan me Thatcher disa vite më vonë.

Kohët e fundit, Presidenti Obama është shprehur në mënyrë të përsëritur se te Merkeli ka gjetur aleaten më të ngushtë. Kjo miqësi vijon dhe sot, madje Obama ka qene disa herë i pranishëm në veprimtari në mbështetje të Kancelares Merkel.

Gjithsesi, këtë lloj miqësie për shkaqe dhe rrethana të ndryshme nuk e gjen kudo dhe në vendet demokratike. Me Italinë, bie fjala, pengesë kane qenë krizat e shumta qeveritare. Më konkretisht, nëse Gjermania në 70 vitet e fundit ka pasur 8 kancelarë, Italia është qeverisur nga 25 kryeministra, madje shumë prej tyre në disa mandate tejet të shkurtra. Nëse Adenauer, Kohl dhe Merkel kanë qeverisur për 14 dhe 16 vjet, në Itali liderët më jetëgjatë, me disa mandate e megjithatë me jo më shumë se 6 vjet janë vetëm Spineli, Forlani dhe Berluskoni.

Padyshim që një miqësi e tillë nuk ka kurrfarë gjase të ekzistojë ndërmjet liderëve të vendeve ish-komuniste dhe autoritare. Kjo kryesisht për shkak të mungesës së besimit dhe vlerave që ata përfaqësojnë; në fakt, miqësia personale atje është zëvendësuar me servilizëm, vasalitet, hipokrizi, shtirje, indiferencë dhe teori konspirative.

Po në rajonin tonë? Le ta themi troç se në vend të kësaj tradite, ka patur e ka më shumë armiqësi dhe konfliktualitet, sepse mungojnë burrat e shtetit, kurajua politike e liderëve të vërtetë dhe mbi të gjitha besimi reciprok.

Siç u përmend më lart, miqësitë e ngushta personale politike vlerësohen mbi të gjitha nga rezultatet konkrete që japin për popujt, paqen dhe demokracinë në vende e tyre dhe më gjerë. Se mund të bëhen samite, të këndohen dhe këngë në dy gjuhë, të bëhen dhe gjeste miqësore, artikulacione, batuta, siç ka ndodhur dhe me liderët tanë, serbë dhe të Kosovës; mirëpo kur rezultatet mungojnë, kur klima politike në rajon mbetet sërish problematike, megjithë numrin e madh të nismave, projekteve dhe proceseve me emra tingëllues, atëhere nuk mund të bëhet më fjalë për një miqësi të tillë, por për spektakle mediatikë të çastit; për pasojë, ato jo vetëm nuk japin rezultate, por shuhen shpejt, si flakë kashte. Ja shihni liderët serbë, si kanë mbetur skllevër të së kaluarës së errët, nuk heqin dorë nga tërheqja e njohjeve të Kosovës, e pengojnë atë të antarësohet në organizata ndërkombëtare, mohojnë Reçakun dhe kështu me radhë. Ndryshe nga Gjermania dhe Franca që e përmendin shpesh, Serbia ende nuk ka kërkuar ndjesë për krimet e kryera 20 vite më parë, madje po i dekoron dhe nderon autorët e tyre.

Për fat të keq, gjatë 30 viteve të fundit, edhe pse ka patur një garë të ethshme që kush e kush të sajojë sa më shumë miq, sidomos « të mëdhenj », ende nuk kemi gjurmë apo shenja të një miqësie personale modeste politike, se për « vëllazëri » është e tepërt të thuhet, as ndërmjet liderëve tanë dhe atyre të Kosovës! Veç deklaratave patetike dhe folklorizmit të zbukuruar me ngjyra patriotike kryesisht në raste festash, më tepër ka tensione, protagonizëm, mëri dhe ndarje dhe «mes vedi» e deri në padi gjyqësore! Edhe pse vlerat, interesat dhe parimet që na bashkojnë janë mbizotëruese. Mungesa e kësaj miqësie personale politike është një minus i madh, që do kapërcyer me kujdes, durim, vizion dhe vullnet politik nga të gjithë, e sidomos liderët tanë partiakë dhe shtetërorë.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.