Intervista

Fatos Malaj: Pensionet nga Greqia, ku do të penalizohen emigrantët shqiptarë

10:55 - 24.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi janë ndeshur me një problematikë tjetër lidhur me pensionet që mund të përfitojnë nga shteti fqinj. Para se të vinte në pushtet, partia Demokracia e Re u premtoi homogjenëve se do të shfuqizonte nenin e ligjit 43/87 të majit të 2016-ës, që përcakton se marrja e pensionit kombëtar kushtëzohet nga 40 vite qëndrim në Greqi. Ndërkohë, në projektligjin e ri nuk ka asnjë klauzolë që e shfuqizon këtë pikë. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ndërmjetësi ndërkulturor në Ministrinë greke të Emigracionit, njëkohësisht kreu i organizatës për mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve “Arogji-Përkrahja” sqaron situatën dhe penalizimet që do të kenë emigrantët shqiptarë. Ai thotë se do t’u hiqen vitet që kanë munguar në Greqi, pra 1 në 40 dhe ligji nënkupton që pensioni kombëtar merret kur individi ka 20 vite punë me siguracione dhe 40 vite qëndrim në Greqi, një masë prej 885 euro. Ndërkohë, nëse individi ka 15 vite punë (4500 ditë të siguruara) dhe 40 vite qëndrim në Greqi, masa e pensionit kombëtar është 345.50 euro. Më tej, Malaj shton se ligji i ri që po diskutohet në parlament ka edhe një klauzolë pozitive që lidhet me pensionin e kontributeve, ku emigrantët shqiptarë edhe nëse nuk plotësuar 4500 ensima, do të marrin pension bazuar në numrin e ensimave që kanë plotësuar, sado qofshin ato.




Ditët e fundit është ngritur shqetësimi mbi kushtet e marrjes së pensioneve nga Greqia për emigrantët shqiptarë, që kanë punuar në këtë shtet. Mund të na sqaroni më specifikisht se në çfarë konsiston ky ligj?

Meqenëse ditët e fundit është bërë një bujë ku flitet mbi pensionet që humbasin emigrantët shqiptarë që kanë punuar në Greqi, dua të bëj një sqarim për të gjithë. Kemi të bëjmë me ligjin që quhet “Katrugalos”, ligji 43/87 i 13 majit të 2016-ës. Problemi nuk është aktual, por ka qëndruar që prej datës së krijimit të tij nga qeveria e mëparshme. Sipas këtij ligji, emigrantët nuk mundnin të merrnin dot pensionin e plotë. Pra që prej 2016-ës është votuar ky ligj, që thotë se çdokush në Greqi që përfiton pensionin kombëtar, duhet të ndodhet në Greqi i ligjshëm 40 vitet e fundit.

Pse pati këtë revoltë pikërisht tani nga homogjenët? Si penalizohen shqiptarët në këtë rast?

Ligji bëri bujë këto ditë, pasi në parlamentin grek po diskutohet mbi ligjin e ri nga qeveria e re për siguracionet. Në 26 shkurt të këtij viti pritet të votohet. Partia në pushtet gjatë kohës së zgjedhjeve u premtoi homogjenistëve që kjo pikë e ligjit (40 vite qëndrim në Greqi për të marrë pension) do të hiqej. Ndërkohë në projektligj nuk ka asnjë pikë që e shfuqizon këtë vendim, e si rrjedhojë homogjenistët u ngritën kundër. Homogjenëve iu premtua që nga prilli ose maji do të ketë një ligj të posaçëm, që do të heqë këtë pikë të ligjit. Por problemi qëndron edhe te emigrantët shqiptarë, jo vetëm te homogjenët. Në ligjin që do të votohet në datën 26, do të shtohen pensionet për ata që kanë mbi 30 vite pune në Greqi, ndërsa për pensionin shtesë supozohet që të hyjnë në lojë edhe firmat private për kontributet shtesë. Shtesat që më parë merreshin nga shteti, do të merren nga kompanitë private.

Sa është masa e pensionit kombëtar në Greqi dhe cilat janë kushtet që duhen plotësuar?

Ky ligj nuk kap vetëm emigrantët, por edhe shtetasit grekë që nuk ndodhen në Greqi 40 vitet e fundit. U hiqen vitet që kanë munguar në Greqi, pra 1 në 40. Ligji nënkupton që pensioni kombëtar merret kur individi ka 20 vite punë me siguracione dhe 40 vite qëndrim në Greqi një masë prej 885 euro. Ndërkohë nëse individi ka 15 vite punë (4500 ditë të siguruara), dhe 40 vite qëndrim në Greqi, masa e pensionit kombëtar është 345.50 euro. Në Greqi keni të drejtë të dilni në pension edhe në 62 vjeç, por do të ketë zbritje të masës me 2 për qind për çdo vit, derisa të plotësohen vitet e daljes në pension, që është mosha 67 vjeç.

Cilat janë llojet e pensioneve që jepen nga shteti helen?

Shteti helen jep 3 lloj pensionesh që i përkasin qytetarit që përmbush kriteret e marrjes së pensionit. Është pensioni kombëtar që e sqaruam më lart, është pensioni i kontributeve dhe pensioni i shtesave. Këto 3 pensione mblidhen dhe në fund del një shumë, të cilën e përfiton individi.

Sipas ligjit 43/87, a do të marrë dot pension një emigrant shqiptar që ka punuar në Greqi, por nuk ka 40 vite qëndrim në këtë shtet?

Emigrantët shqiptarë janë njohur si të ligjshëm në shtetin helen në vitin 1998. Nëse një emigrant shqiptar që del sot në pension ka mbushur moshën e pensionit dhe ka 18 vite punë në Greqi, do të marrë 18 të 40-ës më pak, pra pothuajse gjysmën e pensionit.

A ka ndonjë pikë favorizuese në projektligjin që pritet të miratohet?

Ligji i ri që po diskutohet në parlament ka edhe një klauzolë pozitive që lidhet me pensionin e kontributeve. Deri më sot, kush nuk ka plotësuar 15 vite punë me sigurime në Greqi, do të humbiste edhe pensionin e kontributeve, ndërsa me ligjin e ri që do të votohet pritet që kush nuk ka plotësuar 4500 ensima, do të marrë pension bazuar në numrin e ensimave që ka plotësuar, sado qofshin ato.

Cilat do të jenë hapat tuaj si kreu i “Arogji”? A do të kundërshtohet ky ligj që penalizon emigrantët?

I është shkruar një letër e hapur kryeministrit grek, ku i është kërkuar rishikim i 40 viteve të qëndrimit në Greqi, jo vetëm për homogjenët, por edhe për emigrantët që kanë punuar në shtetin helen. Është momenti të reagojnë të gjitha organizatat e shqiptarëve në Greqi dhe grupet e ndryshme të interesit, ndaj kësaj padrejtësie.

Si do të merret vendimi për dhënien e nënshtetësisë greke?

Vendimi për dhënien e nënshtetësisë greke për të gjithë ata emigrantë shqiptarë që kanë aplikuar do të varet nga firma e sekretarit të përgjithshëm të ministrit të Brendshëm grek. Në tetor, ministri i rishikoi vendimin dhe ua ktheu të drejtën periferive për një pjesë të konsiderueshme të rasteve. Por tani, me një urdhër të ri, ministri e “delegon” të drejtën e firmës edhe te sekretari i përgjithshëm për nënshtetësinë, që është një instancë, e cila varet direkt nga ministri i brendshëm. Në urdhrin që ministri Panajotis Theodorakakoks ka nënshkruar në mesin e nëntorit dhe që u publikua me një muaj vonesë, thuhet ndër të tjera: Sekretarit të përgjithshëm të nënshtetësisë në ministrinë e brendshme i delegohet e drejta e nënshkrimit “Me urdhër të ministrit”, vendimet e mëposhtme dhe aktet që përfshihen në kompetencat e tij: Vendime për pranimin ose refuzimin e kërkesave të natyralizimit (Politografisi) të shtetasve të huaj Alogjenë. Vendime për pranimin ose refuzimin e kërkesave të natyralizimit (Politografisi) të shtetasve të huaj homogjenë, që banojnë jashtë Greqisë. Vendime për pranimin ose refuzimin e kërkesave të natyralizimit (Politografisi) të shtetasve të homogjenëve nga vende të ish-Bashkimit Sovjetik që banojnë në Greqi. Vendime për pranimin ose refuzimin e kërkesave të natyralizimit (Politografisi) të homogjenëve që banojnë në Greqi dhe nuk kanë kartë homogjeni. Vendime për pranimin ose refuzimin e kërkesave që janë adresuar për në Këshillin e Nënshtetësisë (Symvulio Ithagenias).

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.