Uncategorized

Mynever Shuteriqi: Kur krijohej Lidhja e Shkrimtarëve

11:30 - 24.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Mynever Shuteriqi – Shqipëria u çlirua dhe ne u kthyem nga mali në qytetin tonë. Kanë kaluar dekada dhe unë kam të gjallë Elbasanin e atyre ditëve, që gëlonte nga entuziazmi dhe hareja. Mbarë qytetarët ishin derdhur rrugëve dhe shesheve për të përshëndetur ngjarjen e madhe historike, çlirimin, ku ishim përfshirë edhe ne. Por si çift i ri tanimë, ne kishim edhe ëndrrat tona, për jetën e re, ëndrra të bukura por që dilnin jashtë kornizave të kohës dhe të vetë mundësive tona. Shumë shpejt jeta u normalizua: qyteti iu kthye punës, rindërtimit të vendit të shkatërruar nga lufta. U krijuan strukturat e reja qeverisëse, por edhe ato të partisë. Dhimitri filloi punën në Komitetin Ekzekutiv të Prefekturës, ndërsa unë në Komitetin e Partisë të nënprefekturës së Librazhdit, si anëtare e atij Komiteti. U ndamë kështu kur akoma nuk ishim bashkuar, me dhimbje por të ndërgjegjshëm për detyrat e reja që na ishin ngarkuar. Nuk harroj vështirësitë e asaj kohe, në malësitë e Çermenikës dhe të Martaneshit, në atë dimër të acartë, në fshatrat e atyre krahinave ku punova bashkë me shokun tim Mihal Dodbiba. U ktheva në Elbasan pas dy-tre muajsh. Do të punoja në gazetën “Shkumbini” e para gazetë para asaj të viteve ’20. Dhimitrin nuk e gjeta, ishte transferuar në Tiranë, por më kishte lënë një letër, e para letër prej tij, tepër të ngrohtë si prej një poeti romantik siç ai ishte në atë kohë.
Dhimitrin e kish thirrur ministri i Arsim-Kulturës, Sejfulla Malëshova. I komunikoi emërimin në atë ministri për përgatitjen e teksteve shkollore për të gjithë sistemin arsimor. “Na duhen tekste të nivelit shkencor, por mbështetur në ideologjinë tonë marksiste- leniniste” kishte thënë ministri. Ndërkohë, do të merrej me përgatitjen dhe organizimin e kushteve për themelimin e organizatës së shkrimtarëve, “siç kemi biseduar bashkë në Grenobël*”. Kjo e joshi shumë Dhimitrin por edhe e habiti. “Nuk është mbyllur viti i parë i çlirimit dhe kur akoma janë të hapura dhe të shumta plagët e luftës, thoshte ai dhe ne përgatitemi të formojmë një organizatë shkrimtarësh” ?! Mendonte se kjo ishte thjesht iniciativë e Malëshovës. Sidoqoftë, di të them se Dhimitri kësaj pune i kushtoi shumë vëmendje, shumë angazhim, pasion dhe e bëri temë të ditës. Bashkë me Dhimitrin u morën me këtë punë edhe shkrimtarë të tjerë, por unë kujtoj nga ajo kohë vetëm Shevqet Musararë, me të cilin takuan dhe biseduan me shumë intelektualë, personalitete të fushës së kulturës, artit, etj. pa dallime politike e klasore, për të marrë mbështetjen e tyre. Më 15 gusht të këtij viti (1945) Dhimitri i dërgoi Këshillit të Kulturës të Tiranës letrën e mëposhtme: Në biseda të shumta që kam pasë, në Tiranë dhe gjetiu, me shkrimtarë të ndryshëm, asht shfaqë shpeshherë dëshira për t’u organizue, ne shkrimtarët e Shqipnisë, në një organizatë të vetme, në mënyrë që të mund të shofim ma mirë interesat tona profesionale dhe ekonomike, dhe t’u apim një nxitje të re letrave tona.




Unë për vetë mendoj se çasti asht i pjekun për ngritjen e kësaj organizate dhe se kjo çashtje duhet shqyrtue mirë prej nji grupi iniciator. Andaj edhe mendova se këtë punë mund ta bajë ma së miri Kryesia e Këshillit t’uej qi interesohet për të gjitha problemet kulturale, edhe për letrat. Për këtë gja, do të lutesha, të bahet nji mbledhje e Kryesisë së Këshillit t’uej, ku unë mund të vija dhe të shtroj ma gjanë çashtjen e organizatës së shkrimtarëve tonë dhe, mbasi të bisedojim bashkë, të shëkojim se ç’duhet ba qi kjo organizatë të ngrihet në Shqipni. Tue qenë i sigurt se Kryesia e Këshillit t’uej do ta ketë për zemër këtë dëshirë të shkrimtarëve shqiptarë dhe do ta çmojë sa duhet, pres që të caktoni ditën e mbledhjes dhe të ma lajmëroni që të vi aty dhe të bisedoj me ju.


Shumë të fala dhe shëndet!
Ky këshill iu përgjigj ftesës me përgjigjen e mëposhtme të atyre ditëve: Ishte një ide e mirë e z. Dh. Shuteriqi, megjithëse s’ishte vetëm e tija, të vijë e të shtrojë çështjen e krijimit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë përpara Këshillit të Shtëpisë së Kulturës këtu në Tiranë. Mundimi s’i vajti kot, se Këshilli s’ia bëri as një as dy po mendoi menjëherë për një komision iniciator, ku të përfshihen të gjithë brezat dhe të gjitha ngjyrat: Rilindja, 24-katrashit,[të vitit 1924] “vrasësit” e E. Totos, 35-shit [të vitit 1935], Nacionalçlirimtarët, klasikët, romantikët, simbolistët, revolucionarët, katedrat dhe gjuhësia, polemika, politika, të gjitha. Vetë Dhimitri, në gazetën “Bashkimi” do të shkruante: Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë, duhet të mbledhë në gjirin e saj të gjithë ata që janë marrë dhe merren me mjeshtërinë e të shkruemit, të vjetër dhe të rinj, pa dallim ideje politike. Kësaj pune përgatitore i parapriu revista e parë letrare “Bota e re”. Revista “Bota e re”, si revistë e përmuajshme kulturore, doli në korrik të vitit 1945, me kryeredaktor Dhimitër Shuteriqin, si një revistë paralele dhe në vijim me revistën progresiste të Korçës të viteve ’30, “Bota e re”. Në këtë numër të parë të revistës, vendin kryesor e zunë: “Roli i kulturës në Shqipërinë e sotme”, fjalimi i mbajtur në 10.VI/1945 në konferencën e gjerë në kinema Kosova nga Sejfulla Malëshova; “Fan Noli shqipëronjës dhe kritik letrar” nga Mitrush Kuteli; “Mendime e konsideracione politike” nga Ymer Deshnica; krijimtari letrare nga disa autorë si Nexhat Habik, Gjik Kuqali etj.
Kështu u arrit në mbledhjen për themelimin e Lidhjes së Shkrimtarëve që u mbajt në 7 tetor 1945 në kinema “Kosova”. Në mbledhje merrnin pjesë 70 vetë: shkrimtarë, publicistë, intelektualë,, përveç një grupi prej 20 të rinjsh që do të formonin një seksion të veçantë brenda organizatës. Mbledhja u hap nga Aleksandër Xhuvani, me një presidium prej: Imzot Vinçenc Prendushi, Sejfulla Malëshova, Don Ndoec Nikaj, Ymer Dëshnica, Lasgush Poradeci, Skënder Luarasi, Selim Shpuza.
Dhimitër Shuteriqi mbajti referatin “Mbi karakterin dhe qëllimin e organizatës”, kurse Skënder Luarasi mbajti një fjalim mbi detyrat e shkrimtarët në Shqipërinë e Re. Me votë të fshehtë u zgjodh Këshilli i Përgjithshëm dhe Komiteti Drejtues. Me unanimitet u zgjodh kryetar nderi Fan Noli, për kontributin e tij të madh në letërsinë e sotme. Në Këshillin e Përgjithshëm u zgjodhën Sejfulla Malëshova, Imzot Vincens Prenushi, Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipo, At Benedikt Dema, Ymer Dëshnica, Shevqet Musaraj, Ali Asllani, Skënder Luarasi, Lasgush Poradeci, Behar Shtylla, Nonda Bulka, Dhimitër Shuteriqi, Sterjo Spase, Dhimitër Pasko, Et’hem Haxhiademi, Vedat Kokona dhe Andrea Varfi. Në Komitetin Drejtues u zgjodhën: kryetar Sejfulla Malëshova, nënkryetar Aleksandër Xhuvani dhe sekretar i përgjithshëm Dhimitër Shuteriqi, anëtar At Benedikt Dema, Et’hem Haxhiademi, Shevqet Musaraj dhe Dhimitër Pasko. Mbledhja vendosi që gjithë të ftuarit në konferencën themeluese të jenë anëtarë të saj. Në fund të kësaj mbledhjeje u aprovua Statuti i Lidhjes.
* * *
Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë rrugëtoi gjatë. Pati një jetë afro gjysmë shekullore, me pluset dhe minuset e veta në jetën letrare të vendit por edhe në rolin që ajo luajti për gjithë krijimtarinë letraro-artistike të vendit. Në vitin 1985 me rastin e 40 vjetorit të themelimit të Lidhjes, (7 tetor 1945) u organizua një mbrëmje jubilare në sallën e Institutit të Arteve. Rrugës për të vajtur në këtë jubile, të shoqëruar nga një mik i Dhimitrit, akademiku Jorgo Bulo, si papritur Dhimitri tha: U plakëm Mynever, s’janë pak plot 40 vjet. Po thashë unë, atëherë kur i hytë kësaj pune ishe plot 30 vjeç dhe tani jo pak, plot 70 vjeç. Miku ynë si për të qetësuar emocionet tona tha: “70 vjeç, por me duar plot profesor.” Mbledhja jubilare ishte shumë e ngrohtë, entuziaste me duartrokitje dhe brohoritje. Kur po ktheheshim në shtëpi disa shokë të Dhimitrit na ftuan të pimë një kafe në një lokal afër shtëpisë sonë. Njëri syresh tha: Mbledhja ishte shumë e mirë, por unë, nuk e kam vetëm për këtë rast dhe nuk e kuptoj pse në këto lloj jubilesh nuk përmenden, jo vetëm për kujtesë, por edhe si mirënjohje e falënderim fillesat, njerëzit që punuan në situata të caktuara për të ardhur tek suksesi e jetëgjatësia, etj. Si thua shoku Dhimitër? Dhe ai u përgjigj me pak fjalë, që unë nuk i kam harruar: Ashtu është por secili ka shijen e vet, përfshi edhe administratorët, por më mirë të themi: O tempora o mores. (Marrë nga ExLibris)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.