Intervista

“Po sundon forca e krimit”, Oketa: Është koha të ndalim diktaturën e re

16:00 - 24.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Gazmend Oketa, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, akuzon kryeministrin Edi Rama se po e çon vendin drejt një diktature të re, duke uzurpuar institucionet e vendit. Kjo sipas z.Oketa, pasi kryeministri nuk drejton me forcën e ligjit, por me atë të botës së krimit. Ish-ministri i Mbrojtjes shprehet për “Gazeta Shqiptare” se në një situatë të tillë, pas përmbushjes së reformës së re elektorale, opozita ka dy rrugë “Ose zgjedhje të parakohshme, ose rikthim te protestat masive”. Ish-ministri i Mbrojtjes akuzon ‘rilindjen’, për bashkëqeverisje me krimin, ndërsa apelon se tani është koha për të ndalur diktaturën e re të Edi Ramës. Z.Oketa akuzon Edi Ramën se po shkatërron institucionet e vendit dhe se Presidenti Ilir Meta duhet mbështetur në mision e tij për mbrojtjen e Kushtetutës. “Përveç opozitës, e cila e ka për detyrë të frenojë përpjekje të tilla, i vetmi institucion i cili po e pengon marrinë për të shkatërruar përfundimisht shtetin shqiptar është institucioni i Presidentit të Republikës. Pikërisht për këtë arsye gjykoj se ai institucion duhet mbështetur”, – shprehet z.Gazmend Oketa.




Z.Oketa, konflikti i ashpër mes opozitës dhe mazhorancës sikur është zbutur kohët e fundit, nisur edhe nga ndërprerja e protestave dhe ulja në tavolinë për reformën e re zgjedhore. Besoni se kjo taktikë e PD-së dhe aleatëve të saj është alternativa e duhur përballë shqiptarëve?
Në gjykimin tim, thelbi i konfliktit ndërmjet opozitë dhe Rilindjes, por edhe ndërmjet qytetarëve shqiptarë dhe Rilindjes nuk ka ndryshuar. Përdora termin rilindje dhe jo mazhorancë, pasi sot qeveria ka humbur si numerikisht, ashtu edhe moralisht mbështetjen e qytetarëve shqiptarë. Sot, mazhorancë është opozita dhe qytetarët shqiptarë, të cilët kërkojnë largimin e kësaj qeverie sa më parë dhe jo Rilindja, e cila nuk përfaqëson më as PS-në. Për shumë arsye, sidomos pas ndërprerjes së protestave ka ndryshime në mënyrën se si përcillet dhe perceptohet ky konflikt, por jo se ai është zbutur apo zgjidhur. Duhet të kujtojmë se protestat të cilat u zhvilluan pothuaj gjatë gjithë vitit 2019 dhe që për nga pjesëmarrja tregonin një bashkim të opozitës politike me qytetarët e paangazhuar politikisht, u ndërprenë në një periudhë kur BE-ja do të vendoste për hapjen apo jo të negociatave me Shqipërinë. Me të drejtë opozita vendosi të ndërpriste protestat për të ulur disi tensionin politik dhe për të ndikuar me sa mundej në një përgjigje pozitive nga BE-ja. Pavarësisht se si zhvillohet sot ky konflikt, duhet të kujtojmë se kërkesat e opozitës nuk kanë ndryshuar. Plotësim i kushteve të vendosura nga Bundestagu gjerman, çuarja para drejtësisë e atyre që kanë deformuar proceset zgjedhore, siç edhe u vërtetua nga publikimi i përgjimeve të prokurorisë, shkëputja e politikës nga krimi, krijimi i kushteve për zgjedhje të ndershme janë kërkesa, të cilat nuk janë hequr nga asnjë deklaratë politike e PD-së, pavarësisht ulje-ngritjeve të “temperaturave” në të cilat konflikti është zhvilluar. Reforma zgjedhore është një çështje, e cila ka qenë së paku që pas zgjedhjeve të vitit 2017, një çështje për t’u zgjidhur dhe ulja në tavolinë për realizimin e saj është kthyer në domosdoshmëri. Kjo reformë duhet parë si një instrument, i cili do të çojë te zgjidhja e krizës nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme.

Opozita ka ndryshuar strategjinë e saj, nga protesta në denoncime me fakte kundër qeverisë, por edhe platforma konkrete për qeverisjen e nesërme. Sipas jush, cila strategji e çon atë drejt zgjedhjeve të parakohshme?
Denoncime dhe fakte nga opozita ka pasur edhe gjatë protestave. Nuk duhet harruar se një nga arsyet që protestat u zhvilluan dhe kishin një pjesëmarrje masive ishte pikërisht denoncimi publik që iu bë manipulimit të zgjedhjeve nëpërmjet përfshirjes në proces të elementëve kriminal. Rilindja, apo më saktë z. Rama, duket fare qartë që ka humbur çdo lidhje me realitetin, dhe në vend që të bëjë ndonjë hap pas zbulimit të ndonjë skandali apo afere korruptive, ai me kokëfortësi dhe me një papërgjegjshmëri të pafalshme për një kryeministër zhytet në një tjetër aferë. Kjo ka bërë që numri i denoncimeve me fakte të bëra nga PD-ja në këtë periudhë të rritet. Në një vend normal demokratik që pas daljes së përgjimeve ku zyrtarë të lartë të Rilindjes përfshiheshin në manipulim zgjedhjesh me elementë të botës së krimit, pas zbulimit të aferës së “Unazës së Re”, pas ligjit korruptiv për shembjen e Teatrit Kombëtar, pas protestave të studentëve, zgjedhjet e parakohshme do të duhej të ishin zhvilluar tri apo katër herë. Fatkeqësisht z.Rama jo vetëm që nuk i ka bërë detyrat e tij si kryeministër dhe nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet e tij kryesore elektorale, por e ka çuar vendin drejt një diktature të re, e cila nuk drejton apo sundon vetëm me forcën e ligjit, por edhe me forcën e botës së krimit. Është fare e qartë se z.Rama tashmë nuk ka më mbështetje nga qytetarët shqiptar dhe nga një pjesë e mirë e socialistëve të cilët më shumë se partinë duan Shqipërinë. Edhe elementi që e dëshmon këtë fakt janë ligjet, VKM-të apo aktet normative antikushtetuese që z. Rama po prodhon çdo ditë. Një kryeministër me mbështetje popullore nuk ka nevojë për ligje apo organizma policore për të mbajtur pushtetin e tij. Përkundrazi, kur ai ka mbështetje, fryma liberale dhe politikat sociale janë kryefjala e qeverisjes dhe reformave. Në këto kushte, gjykoj se zgjedhjet e parakohshme do të ishin e vetmja zgjidhje në funksion të interesit të Shqipërisë dhe të çdo shqiptari, pavarësisht se cilën forcë politike ai mbështet. Dhe që të shkohet në zgjedhje të parakohshme, sigurisht opozita duhet dhe ka strategjinë e saj, por nga ana tjetër, ka edhe faktorë që nuk varen nga opozita. Një nga këta faktorë është papërgjegjshmëria e kryeministrit.

PD-ja po synon reformimin e thellë të sistemit zgjedhor dhe politik. Cili sistem zgjedhor i duhet Shqipërisë për të pasur zgjedhje të lira dhe të barabarta?
Siç kanë ardhur punët në Shqipëri, duket si çështje luksi të flasësh për sistem, i cili garanton zgjedhje të lira e të ndershme. Zgjedhjet e lira së pari i garanton përgjegjshmëria e klasës politike, i garanton respekti për qytetarët, respekti për kundërshtarin politik, përfaqësimi i subjekteve politike me figura përfaqësuese të qytetarëve dhe jo figura përfaqësuese të oligarkëve apo të botës së krimit. A plotëson ndonjë nga këto kushte qeveria aktuale, apo më saktë Rilindja? Personalisht gjykoj se jo.

Cila është garancia e Partisë Demokratike që ajo çfarë ka arritur të shkruajë në letër me PS-në për reformën e re elektorale të zbatohet? A janë sërish ndërkombëtarët një lloj garancie?
Ajo çfarë garanton PD-ja, siç edhe ka bërë në çdo rast, është se i qëndron respektimit të ligjit dhe marrëveshjeve të bëra. Kur bëhet një marrëveshje apo nënshkruhet një kontratë, duhet që të gjitha palët që e nënshkruajnë atë marrëveshje, duhet ta respektojnë. PD-ja jep garanci për pjesën që i takon, por ajo nuk mund të garantojë gjëra që nuk varen nga vullneti i saj. Duket e vështirë që pas një bashkëqeverisjeje dhe ndarjeje pushteti të Rilindjes me njerëz me rekorde kriminale apo ndarjen e pushtetit ekomomik me disa biznese të dyshimta apo të preferuara nga z. Rama, vetëm me një reformë apo marrëveshje, Rilindja të shndërrohet në engjëll. Përsa i takon faktorit ndërkombëtar, sigurisht që ai është një lloj garancie, por nuk është gjithçka. Fakti që reagimi i tyre pas publikimit të përgjimeve me “tërmet elektoral” apo me çuna problematikë ishte jo i standardit që ata përdorin në vendet e tyre, e dëmtoi edhe reputacionin e tyre dhe i ka ulur në sytë e opinionit kuotat e besueshmërisë. Deri më sot ideja për stabilitet politik dhe jo demokraci funksionale ka bërë që shumë gjëra në Shqipëri të shkojnë në drejtimin e gabuar. Përgjegjësia kryesore sigurisht bie mbi klasën politike shqiptare, por besoj se edhe faktori ndërkombëtar duhet të ndjejë përgjegjësinë e tij. Garancia e vetme në suksesin e reformës elektorale është pjesëmarrja masive e qytetarëve në zgjedhje duke u hequr çdo shans çunave problematikë që të vendosin për të ardhmen e qytetarëve shqiptarë. Pjesëmarrja jashtëzakonisht e ulët në votimet moniste të 30 qershorit 2019 ishte një shuplakë e fortë për qeverinë. Shuplaka tjetër do të vijë sapo shqiptarëve t’u jepet mundësia për të votuar.
Opozita ka propozuar qeveri tranzitore 100 ditë para zgjedhjeve, por pse jo një qeveri teknike?
Më i rëndësishëm se emri i kësaj qeverie, tranzitore apo teknike, gjykoj se janë funksionet kryesore të saj, sidomos në raport me garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Vëmendja kryesore e kësaj qeverie duhet të fokusohet në këtë objektiv, sigurisht pa ndikuar ecurinë normale të sektorëve të tjerë si shëndetësia, arsimi, bujqësia, turizmi dhe ekonomia. 100 ditë janë të mjaftueshme që një qeveri me vullnet, sado tranzitore apo teknike të jetë që të sigurojë një funksionim normal të procesit zgjedhor dhe t’i bëjë çunat problematikë që ta mendojnë 10 herë nëse do duhet të shkojnë të votojnë për veten e tyre dhe të mos u shkojë as nëpër mendje që të mund të votojnë për të tjerët apo të kërcënojnë ata.
A e legjitimoi PD-ja zotin Gjiknuri duke u ulur në një tryezë, atë që për shumë kohë e cilësoi si simbolin e krimit elektoral…?
Absolutisht nuk mendoj se është legjitimim apo amnistim i z. Gjiknuri. Unë e shoh ndryshe pranimin e uljes së PD-së me të. Së pari, duke e pranuar atë në tryezë përcillet mesazhi që cilido negociator që PS-ja do të sillte në bisedime, nuk kishte dallim nga z.Gjikuri. Në përgjimet e shumëpërmendura doli jo vetëm emri i z.Gjiknuri, por edhe emri i shumë zyrtarëve të nivelit të lartë të qeverisë së Rilindjes, përfshirë dhe vetë z. Rama, kështu që cilido të ulej në atë tryezë, pak dallim do të kishte. Së dyti, prania e z. Gjiknuri dhe çdo dalje publike e tij lidhur me reformën elektorale nuk bën gjë tjetër veçse risjell në kujtesën e qytetarëve “tërmetin elektoral” dhe çunat problematikë. Ky përfaqësim gjykoj se më së shumti është një strategji e gabuar e vetë Rilindjes. PD-ja nuk dënon dhe as amniston askënd, ajo vetëm këmbëngul që drejtësia të funksionojë. Por mesa duket, edhe drejtësia e re dhe e shumëpritur po rezulton veçse një propagandë shumë e bukur për të qenë e vërtetë.

Pas reformës së re zgjedhore, çfarë hapash të tjera duhet të ndjekë opozita? Cila është mënyrë më efikase për të shkëputur lidhjet e politikës me krimin?
Pas reformës zgjedhore, ka dy rrugë. Ose zgjedhje të parakohshme, ose rikthim te protestat masive. Për pjesën e dytë të pyetjes do të bëja një korrigjim. Nuk është e lidhur politika me krimin, është Rilindja ajo që është e lidhur me të. Dhe Rilindja nuk përfaqëson as PS-në, e jo më të përfaqësojë të gjithë politikën. Për të ardhur te përgjigjja, do të thosha se zgjidhje për të shkëputur lidhjet e qeverisë me krimin ka vetëm një. Zgjedhje të reja dhe largim me votë i z.Rama dhe të gjithë atyre që forcën e shohin te lidhjet me krimin dhe jo tek lidhjet me qytetarët.

Sipas jush, kreu demokrat, Lulzim Basha, duhet të përballet me zotin Rama vetëm në zgjedhje, apo edhe në një tryezë…?
Nuk mendoj se duhet shtruar çështja thjesht si një çështje personale ndërmjet z.Basha dhe z.Rama. Në cilësinë e kryetarit të PD-së dhe të opozitës së bashkuar, është z.Basha që po kërkon me insistim të përballet me z.Rama në një garë të ndershme elektorale dhe mundësisht që nesër. Është z. Rama ai, i cili mesa duket nuk ka lejen e çunave problematikë, që i shmanget një përballjeje të tillë. Arsye për t’u përballur në tryezë unë nuk shoh, me përjashtim të rastit kur vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, atëherë gjykoj se z. Basha duhet të insistojë të përballet në një debat mediatik me kryeministrin në largim.
Duket se konflikti më i ashpër aktualisht është mes Presidencës dhe mazhorancës, ku kreu i shtetit Ilir Meta akuzon qeverinë për dhunim të Kushtetutës dhe “grusht shteti” ndaj saj. A ekziston një rrezik i tillë dhe si e shikoni betejën e z.Meta në mbrojtje të Kushtetutës?
Që Rilindja nën urdhrat direkte të z.Rama ka shkelur pambarimisht Kushtetutën është një gjë, që tashmë e kanë të qartë të gjithë shqiptarët e aq më qartë e ka Presidenti i Republikës, i cili e ka detyrim parësor mbrojtjen e saj. Që Rilindja ka bërë gjithçka brenda dhe jashtë ligjit për të kontrolluar sistemin e ri të drejtësisë, tashmë kam përshtypjen që e kanë kuptuar dhe ndërkombëtarët. Rreziku që z.Rama të kontrollojë në mënyrë antikushtetuese Gjykatën Kushtetuese nuk është thjesht një hamendësim. Dokumentet zyrtare të publikuara nga zyra e presidentit, falsifikimi i tyre në mënyrë paradoksale nga Ministria e Drejtësisë janë prova të qarta, të cilat heqin çdo dyshim mbi qëllimin e z. Rama për të pushtuar dhe majën më të lartë të drejtësisë së re.

Presidenti Meta i ka ftuar shqiptarët në një tubim masiv në datën 2 mars në mbrojtje të Kushtetutës. Si e shikoni këtë nismë të z.Meta…?
Në fakt, nga çdo veprim i qeverisë në kundërshtim me parimet kushtetuese, interesat që cenohen më shumë janë ato të qytetarëve dhe ata duhet të jenë të parët që duhet të protestojnë. Është hera e parë në historinë e demokracisë së brishtë shqiptare, që një president republike thërret qytetarët në një tubim në mbrojtje të Kushtetutës, apo e thënë më thjeshtë, në mbrojtje të interesave të tyre. Kjo e bën të duket një gjë e veçantë dhe në pamje të parë u jep të drejtë atyre, të cilët e kritikojnë presidentin për një hap të tillë dhe e quajnë këtë një lloj protagonizmi politik të tij.

A është Shqipëria në një situatë normale, a janë institucionet shqiptare të pavarura apo një individ i vetëm i kontrollon të gjitha pushtetet?
Në një sistem perfekt duhen kërkuar sjellje dhe veprime perfekte nga cilido. Në një diktaturë të cilën ti e shikon të instalohet çdo ditë para syve të tu, gjykoj se veprime të tilla në mbrojtje të të ardhmes së fëmijëve tanë duhen ndërmarrë. Shprehja, “të marrit hapi rrugë” në politikë nuk duhet të funksionojë, përkundrazi, e kundërta po. Gjykoj se çdo përpjekje e cilitdo institucioni që kërkon të frenojë marrinë politike të z. Rama për të kontrolluar çdo institucion, për të bërë polici mbi polici apo polici mbi prokurori, duhet veçse mbështetur. Përveç opozitës, e cila e ka për detyrë të frenojë përpjekje të tilla, i vetmi institucion i cili po e pengon marrinë për të shkatërruar përfundimisht shtetin shqiptar është institucioni i Presidentit të Republikës. Pikërisht për këtë arsye gjykoj se ai institucion duhet mbështetur.

Cila është në gjykimin tuaj, strategjia fituese e opozitës? Si mund të shkohet drejt rotacionit politik?
Unë gjykoj se tashmë opozita e ka strategjinë e saj fituese. Kontaktet e drejtuesve të PD-së dhe të z.Basha me qytetarët dhe bizneset shqiptare në çdo qytet të Shqipërisë, propozimet konkrete për çdo sektor, si arsimi, shëndetësia, rendi, punësimi nuk bëjnë gjë tjetër veçse afrojnë ditën e zgjedhjeve dhe fundin e qeverisë, e cila vazhdon ta rendisë Shqipërinë gjithnjë e më poshtë në tabelën e vendeve të korruptuara apo vendeve ku të bësh biznes duket thuajse e pamundur. Nëse pas reformës zgjedhore nuk shkohet drejt zgjedhjeve të parakohshme, atëherë besoj se vendi do t’u rikthehet protestave akoma më të mëdha se ato të vitit 2019.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.