OPINION

Ja ku gaboi ambasadorja Çitaku!

07:45 - 25.02.20 Jorgji KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pas tërmetit diplomatik që shkaktoi përgënjeshtrimi i njohjes së Kosovës nga vetë ministrja e Jashtme e Xhamajkës fundjavën e kaluar, në prononcimet  e saj publike, ambasadorja Çitaku, jo vetëm nuk dha ndonjë shpjegim konkret të arsyeshëm, por u ngatërrua më keq në ullukët e politikës; madje, duke hedhur me nëntekst qyrkun e përgjegjësisë te disa faktorë “jashtë Kosovës”. Nuk e dimë se çfarë ka raportuar tek eprorët e vet, por gjithsesi ky incident i rëndë mund të ishte shmangur fare lehtë, mjaft që të ishin zbatuar procedurat më elementare diplomatike.
Mirë, çfarë të ketë ndodhur vërtet dhe cilat janë gabimet e pafalshme diplomatike të ambasadores Çitaku? Mbështetur në praktikën ndërkombëtare dhe në përvojën vetjake konkrete për tre dekada në diplomaci edhe jashtë vendit, me dashamirësi dhe respekt ndaj kolegëve diplomatë të Kosovës po shpjegoj tre skenarët më të mundshëm se ku, pse dhe si ka gabuar në këtë rast diplomacia e Kosovës, si në Uashington ashtu dhe në Pristinë.
Padyshim që ambasada e Kosovës në SHBA, e drejtuar për gati pesë vjet nga Zonja Çitaku, me staturë dhe përvojë i kanë bërë me kohë demarshet përkatëse për njohjen e Kosovës nga Xhamajka; kjo ka rëndësi për gjithë procesin e njohjeve, të bllokuar prej dy vitesh, si pasojë edhe e lobimit agresiv serb. Në këto demarshe diplomatike, ata mund të kenë patur mesazhe mbështetjeje nga kolegët e tyre xhamajkianë për njohjen e Kosovës. Jo rrallë, diplomatët tregohen bujarë në të tilla pohime dhe premtime, sidomos në sebepe festive, në veprimtari miqësore mes kolegësh, etj; për më tepër që në diplomaci, me ndonjë përjashtim të rallë nuk thuhet “JO”; veçse kujdes dhe nga “PO”-ja, e cila shpesh nënkupton “ ndoshta” Në fakt, shenja të tilla premtuese mund të kenë ardhur dhe nga nivelet e larta dhe fare pranë ministres së Jashtme apo dhe kryeministrit të Xhamajkës, falë lobimit dhe ndërhyrjeve nga miqtë dhe aleatët tanë të njohur perendimorë.
Problemi këtu është se kjo “PO” për njohjen e Kosovës është thënë vetëm në parim, në përgjithësi, me fjalë, ndoshta dhe me ndonjë mail, por pa u konkretizuar në ndonjë dokument zyrtar. Po atëhere ku qëndron gafa dhe përgjegjësia e ambasadës së Kosovës në SHBA që mbulon dhe Xhamajkën? Në faktin se ambasadorja Çitaku mund ta ketë “fjetur mendjen” duke marrë të mirëqena premtimet e lartpërmendura; e pastaj, nxitoi pa kuptim për një diplomate me përvojë, nisur ndoshta dhe nga dëshira e mirë për ta “ shitur” sa më shpejt këtë produkt të ri diplomatik “ Made in Jamaica” te shefat në Prishtinë. Mirëpo, këtu u harrua “ABC”-ja e diplomacisë, dmth shoqërimi i fjalëve, që siç thuhet “i merr era” me dokumentin përkatës që quhet “NOTA VERBALE”. Është pak a shumë një faqe gjë, më tepër me frazat rutinore diplomatike, por që i vë firmën dhe vulën çdo pohimi dhe premtimi të kësaj natyre. Notat Verbale janë si “buka dhe djathi” në diplomaci, pa to, nuk mund të rezevosh qoftë dhe një sallë në aeroport apo hyrjen në një institucion e kështu me radhë. Pa atë Notë, asgjë nuk ka vlerë dhe fuqi juridike e publike. Këtë e di dhe stazhieri më i ri që sapo futet në shërbimin diplomatik e jo më një ambasadore.
Po, nuk përjashtohet rasti që, siç ndodh jo rallë në diplomaci, Nota në rastin tonë mund të jetë bërë gati, ndoshta dhe të jetë nënshkruar në pritje për t’u dërguar në destinacion; por, pikërisht në momentet e fundit, për shkaqe dhe ndërhyrje të ndryshme, një telefonatë nga dikush nga jashtë, etj ajo është anulluar, duke e shtyrë kështu dhe njohjen e premtuar të Kosovës për një periudhë të mëvonshme
Sipas skenarit të tretë, vërtet që Ambasadës së Kosovës në SHBA mund t’i jetë konfirmuar njohja me gojë apo dhe me ndonjë mail, me premtimin se Nota Verbale do vinte shumë shpejt; diplomatët e dinë mirë që në të tilla raste duhen disa ditë derisa Nota “të marrë udhë”. Ndaj, ambasada duhej të priste sa të vinte Nota e pastaj të vijonte më tej. Ose të paktën, ambasadorja t’i sugjeronte shefave të saj në Prishtinë që njoftimin e saj gjithnjë paraprak ta mbanin në konfidencë, pra për dijeninë e tyre dhe jo ta bënin publik derisa të vinte Nota në fjalë; punë ditësh do të ishte.
Gjithsesi, gabim ka vepruar edhe Presidenca e Kosovës, si dhe MPJ-ja e Kosovës, nga duhej te vinte në fakt ky njoftim; sepse ato kanë këshilltarë dhe ekspertë diplomatë që i njohin këto praktika; ndaj Presidenca dhe të tjerë pas saj nuk duhej kursesi të prononcoheshin publikisht pa këtë Notë: madje, pavarësisht nga mirëbesimi duhej t’ia kërkonte atë Ambasadës në Uashington.
Së fundi, shmangia e incidenteve të ngjashme në të ardhmen me ndjeshmëri të jashtëzakonshme politike dhe publike kërkon nga kolegët diplomatë të Kosovës që të tregohen më të kujdesshëm, të mos bien preh e presioneve dhe urgjencave për konsum të brendshëm politik dhe çdo pohim ta shoqërojnë detyrimisht me dokumentet përkatëse të çdo lloji dhe mbi të gjitha me NOTE VERBALE zyrtare, me firmë dhe me vulë.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.