KULTURË

Artistëve që mbrojnë Teatrin “u bllokohet” mbledhja e firmave

10:16 - 26.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Prej disa ditësh Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka dalë që të mbledhë firma që rikonfirmojnë mbështetjen e qytetarëve për mbrojtjen e teatrit. Por gjatë ditës së martë, ndërsa një pikë e mbledhjes së firmave ishte në pedonale, një tjetër ishte në sheshin afër Bibliotekës Kombëtare. Dy policë bashkiakë janë afruar pranë vullnetarëve që mblidhnin firma me kartë identiteti dhe u kanë kërkuar të largohen prej atyre me pretendimin e zënies së hapësirës publike. Aktori Neritan Liçaj, pjesë e Aleancës, ka lëvizur nga pika e pedonales drejt asaj afër Bibliotekës dhe ka pasur një debat me policët. “Debati mes nesh lindi sepse ata kërkuan të heqim kartonin ku bëhet thirrja ‘mbro teatrin’. Ne nuk pranuam, ata thanë keni zënë hapësirën publike. Pati shumë qytetarë kalimtarë që reaguan dhe që vinin e firmosnin gjatë momenteve të debatit. Na kërkuan të hiqnim karrigen, ndonëse iu thamë se edhe bashkia ka vënë karrige pa leje nëpër shesh. Ndërkohë që ne ishim aty, erdhën edhe artistë të tjerë dhe ne u thamë policëve që nuk iknim prej aty veçse me furgon policie, më pas ata u larguan”, tha dje për “GSH”, aktori Neritan Liçaj, që ishte aty gjatë debatit. Ndërkaq, aksioni i tyre vijon edhe në ditët e ardhshme, kur edhe do të lëvizin edhe në qytete të tjera.
Prej tri ditësh Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka nisur rimbledhjen e firmave të qytetarëve për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, si akt rikonfirmimi, që Aleanca po bën veprimet e duhura qytetar në mbrojtje të trashëgimisë kulturore e në mbrojtje të demokracisë në Shqipëri. Ata po rikërkojnë që qytetarët të jenë të gatshëm të deklarojnë përkatësinë e tyre ndaj kësaj kauze edhe 2 vjet pas fillimit të saj, siç thuhet në një njoftim.




Deri dje në drekë, sipas tyre, disa qindra qytetarë kanë firmosur e disa dhjetëra vullnetarë qenë angazhuar në pedonale për të mundësuar procesin e firmosjes.
Por, Aleanca thotë se nuk ka munguar as “vëmendja e atyre që teatrin e duan të rrafshuar një orë e më parë e që nuk i ndahen atij jo vetëm prej dy, por prej njëzet vitesh”. Ata shprehen se në mëngjesin e hënës banderolën “Monument kulture mbrohet nga populli” që e vunë të re pas aktit vandal të para disa javëve, e gjetën përsëri të grisur. “Një dorë nate kishte bërë aktin vandal të grisjes së saj, akt i cili tregon vetëm vogëlsinë e grisësve që fshehin dorën përballë kauzës dhe qytetarëve që e çojnë atë përpara pa u përkulur. I ftojmë qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë që t’i bashkohen këtij aksioni për mbledhjen e firmave, protestës sonë të përnatshme dhe aktiviteteve tona artistike për ta çuar me sukses përpara protestën tonë me art e qytetari”, thuhej në thirrjen e artistëve e aktivistëve të Aleancës ditën e hënë.

Më herët ata e kanë cilësuar muajin shkurt si një prej muajve më aktiv me kulturë pas dy vitesh qëndrese. “Tani artistët e të gjitha zhanreve që kanë performuar në teatër, janë me dhjetëra mbështetësit që kanë qarkulluar, janë me mijëra. Teatri është kthyer si një infrastrukturë lidhëse, njëlloj siç janë rrugët, hekurudhat, urat dhe shumë vepra të mëdha publike që na lidhin. Teatri po lidh dhe njëherë tesutin social, të shqyer nga forca që e duan shoqërinë të copëtuar, pa asnjë kohezion, mbushur me nomadë që kuturisen në të mirat kulturore, ekonomike, sociale që ofrojnë këta që na kanë kapur për fyti”, thuhet në faqen e tyre zyrtare.
“Që nga marta do të gjeni dy artistë të talentuar nga Korça, Thanas Dushkun, Erald Muçon, që në institucionet qendrore vështirë se do të gjenin hapësirë. Teatri ka prodhuar dimensionin e kundërkulturës, që është kaq e domosdoshme për prezantimin e alternativave dhe diversitetit të mendimit e të shprehive. Vizitojeni Teatrin, do të gjeni dashuri të pamatë. Një përqafim nga sheshi. Ditë mbroth!

Rikthehet në Shqipëri, pas pesë vitesh, për t’u bërë pjesë e kauzës së drejtë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. E ngjitur për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar, Hersi Matmuja, ambasadorja jonë e kulturës jashtë vendit, na përcolli emocionin e saj nëpërmjet muzikës folklorike shqiptare, të sjellë në një format të ri dhe të personalizuar në stil prej saj”, vërejnë artistët e qëndresës. Për Hersin, shkruajnë se ajo preferon të këndojë në shqip, duke mbajtur gjuhën, si lidhjen me veten dhe vendin. Ajo iu përgjigj menjëherë kërkesës së artistëve për t’u bërë pjesë e Festivalit për Mbrojtjen e Teatrit, duke e futur në agjendën e saj artistike, Teatrin dhe Kukësin vendlindjen e saj. Edhe pse pak e njohur për publikun shqiptar brenda kufijve, Hersi është modeli i artistit shqiptar, e cila përhap nëpër skenat europiane vlerat e kulturës dhe traditës shqiptare. Padyshim një artiste e talentuar dhe për më tepër frymëzuese që të përcjell vlera njerëzore dhe artistike.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.