OPINION

Koha për kompromisin e shumëkërkuar

07:08 - 26.02.20 Halil RAMA
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Katër vjet më parë, Heroi i Popullit dhe Nderi i Kombit, Rrahman Parllaku, në emër të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar (OBVL) u drejtoi një promemorie krerëve më të lartë të shtetit (ish-Presidentit të RSH, Bujar Nishani, ish-kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama, si dhe kryetarëve të partive parlamentare, ku argumentonte domosdoshmërinë e unifikimit të qëndrimeve në funksion të integrimit euroatlantik të vendit. Apeli i gjeneralit legjendë bëhej në një kohë kur klima politike në vend ishte tejet e tensionuar
“Në moshën time të thyer, 97-vjeçare, përballë revanshit të nostalgjikëve të diktaturës komuniste dhe ekstremistëve pa fre të të dyja palëve, e ndjej si obligim t’ju bëj thirrje, që t’i riktheheni arsyes së shëndoshë, për të realizuar PAJTIMIN KOMBËTAR, aq shumë të dëshiruar nga shqiptarët e të gjitha kohërave”,- shkruante gjeneral Parllaku në promemorien e tij para katër vitesh.
Kryesia e OBVL konkludon se kjo promemorie është në koherencë të plotë me aktualitetin e sotëm, kur klasa politike, si në Shqipëri edhe në Kosovë është në qëndrime ekstreme dhe tejet konfliktuale. Ajo e konsideron të palejueshme këtë situatë, kur para këtyre sulmeve e insinuatave të ndërsjella, krerët e shtetit dhe të institucioneve duhet të merren me hallet e popullit, punësimin, rimëkëmbjen e ekonomisë, luftën kundër krimit, drogës e korrupsionit.
Me këto qëndrime politika shqiptare dhe ajo kosovare jep shembullin më të keq edhe për bashkëkombasit tanë në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi. Ndasia vetëm dëm i sjell kombit dhe çështjes sonë kombëtare.
Për këtë arsye, OBVL ju bën thirrje të heqin dorë nga kjo gjueti shtrigash ndaj njëri-tjetrit, si reflektim ndaj ndërgjegjësimit e pasqyrimit real të shqetësimit jetik të shoqërisë së sotme shqiptare, për t’iu larguar krimit e urrejtjes ndaj njëri-tjetrit.
Është koha kur krerët aktualë të dy shteteve tona (Shqipëri dhe Kosovë) mund dhe duhet të ndikojnë për Pajtimin Kombëtar, në një kohë kur grindjet, shpifjet, sharjet, sherret e sherrnajat po kthehen në institucion, edhe mes tyre, në institucione publike e në debate televizive, si dhe brenda sallave të dy parlamenteve. Këtë domosdoshmëri e dikton edhe përvoja e vendeve më të zhvilluara perëndimore të cilat në themel të zhvillimeve të vrullshme kanë patur dhe kanë bashkëpunimin mes palëve. Veçanërisht shembulli i Gjermanisë, nga e cila i kemi varur shpresat për çeljen e negociatave ia imponon klasës tonë politike kompromisin e shumëkërkuar, i cili në themel duhet të ketë bashkëpunimi mes pozitës dhe opozitës për të përmbushur kërkesat e Bungedestagut gjerman, sidomos realizimin e reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODHIR.
Duke e vlerësuar këtë situatë në kontekstin historik, OBVL u bën thirrje krerëve aktualë të shtetit dhe të mazhorancës e opozitës që të ulen në tryezë për të arritur kompromisin historik aq të domosdoshëm që të konsistojë në unifikimin e qëndrimeve për të përmbushur detyrimet për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Për këtë vendimmarrje historike le t’iu referohen kuvendeve historike mbarëkombëtare, që nga Lidhja e Lezhës që i bashkoi shqiptarët rreth Heroit Kombëtar, Skënderbeut, Lidhja e Prizrenit që ndikoi në bashkimin e shqiptarëve për mbrojtjen e çështjes kombëtare, jo vetëm ndaj fqinjëve grabitqarë por edhe para Europës e deri tek Konferenca e Pezës që bashkoi shqiptarët pa dallim feje, krahine e ideje në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ashtu siç veteranët e LANÇ bënë atë Luftë të lavdishme, duke e bërë Shqipërinë pjesë të Aleancës së fuqishme Antifashiste të Popujve të drejtuar nga SHBA, Anglia e ish BS, është koha që edhe krerët e shtetit, të qeverisë e politikës shqiptare të realizojnë PAJTIMIN KOMBËTAR, i cili kurrsesi nuk mund të arrihet pa realizuar kërkesat e ndërkombëtarëve.
*Sekretar i Përgjithshëm i OBVL-së





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.