OPINION

Koronavirusi fle në mushkëritë e Rilindjes

07:45 - 26.02.20 Andi Bushati
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Edhe mënyra se si sillen ndaj të papriturave të natyrës i veçon regjimet autoritariste nga ato demokratike. Këtë dëshmon rasti i fundit i koronavirusit që rrezikon të kthehet nga një epidemi në pandemi.
Në Kinen ende monopartiake, shteti autoritarist i Xi Jinpingut refuzoi për një kohë të gjatë ta njihte publikisht problemin. Zyrtarët partiakë në qytetin e parë që u prek, në Wuhan, shtruan një banket me 40 mijë veta për të dëshmuar se nuk ka vend për panik.
Heroi tashmë i vdekur, mjeku oftamolog, Li Wenliang u thirr nga policia dhe u detyrua të nënshkruante të kundërtën e asaj që besonte, ndonëse ai u kishte pohuar që më 20 dhjetor kolegëve rrezikshmërinë e virusit vdekjeprurës.
Ndërkohë, policia e drejtuar nga partia komuniste, që preokupohet më shumë për imazhin e regjimit sesa për mposhtjen e epidemisë, ka ndaluar deri më tani 351 veta, për “përhapje lajmesh të rreme” dhe ka dëbuar nga vendi tre reporterë të “Wall Street Journal”. Shumë qytetarë që kanë vendosur të dëshmojnë në internet për defektet e sistemit mjekësor të regjimit komunist, ose nuk gjenden më në rrjet, ose janë zhdukur.
Ajo që ndodh është e qartë: regjimeve u intereson më shumë propaganda sesa realiteti, sado i rëndë që të jetë ai.
Qasja ouruelliane që komunistët kinezë patën në javët e para ndaj kronavirusit po krahasohet gjithnjë e më tepër me trajtimin që paraardhësit e tyre rusë i bënë shpërthimit të centralit bërthamor të Çernobilit, natën e 26 prillit 1986. Ata e mbajtën të fshehtë për 48 orë katastrofën deri sa vala e lartë e radioaktivitetit u regjistrua në Suedi, duke shkaktuar një numër të konsiderueshëm viktimash. Regjimi sovjetik iu vërsul me një valë akuzash për shpifje mediave perëndimore që filluan të informojnë për të vërtetën deri sa u detyrua ta pranojë atë me një kosto shumë më të lartë.
Po të krahasojmë këtë lloj qasjeje me atë që shohim në Europën Perëndimore, e konkretisht me mënyrën se si Italia po sillet me shpërthimin e epidemisë gjendja ndryshon si nata me ditën.
Qeveria e Romës veproi menjëherë me transparencë, njoftoi në kohë reale për çdo të infektuar dhe person që humbi jetën, dëshmoi vërtetësi për masat e karantinës dhe tregoi se ku gjendeshin spitalet e ngritura enkas për këtë emergjencë.
Mes këtyre dy tablove, midis sjelljes së një regjimi diktatoral dhe një pushteti demokratik, qëndrimi që po adopton Shqipëria, tani që duket sikur rreziku po na troket i ngjan më shumë modelit të parë.
Kanë mjaftuar vetëm dy ditë për të vërejtur se regjimi i rilindjes po i fryn më shumë borive kundër përhapësve të panikut, sesa kujdesit për marrjen e masave, më shumë sekretit sesa transparencës.
Kështu, një mjeku kurajoz, si shefit të kardiokirurgjisë Edvin Prifti, i cili vuri alarmin për mungesën në QSUT të mjeteve që kryenin analizën dhe për sasinë e pajisjeve të dhënies së oksigjenit, që kanë të bëjnë me kurimin, pushteti i kundërvuri menjëherë kolegët e tij, që e kundërshtonin pa fakte.
Po të shikoje të dielën një kronikë të “Top Channel” për masat e marra në aeroportin e Rinasit, do të dëgjoje absurditetin që zyrtarët i kishin pohuar reporterit, se vendi i karantinës mbahej sekret. Po e njëjta gjë thuhet edhe për spitalin që do presë të prekurit.
Vetë kryeministri Rama në të vetmin status që ka bërë për këtë gjë, më shumë është marrë me kundërshtarët politikë, duke goditur “mendjet e shthurura”, që përhapin panik te qytetarët. Edhe më grotesk bëhet qëndrimi i tij kur e krahason me opozitën që ka një paranojë krejt tjetër: faktin se mos pushteti zmadhon rrezikun e epidemisë, për të anuluar mitingun e Metës.
Edhe dordolecët qesharakë të prokurorisë politike, në vend të njoftonin se po hetonin ndonjë zyrtar shteti që tregohet laksist me masat e rrepta që duhen marrë në porte dhe aeroport nga frika se prishet imazhi i rilindjes, shpallin hetime, si kinezë, kundër lajmeve të rreme.
Pra, mendësia oruelliane për të mbajtur nën kontroll gjithçka, kulti i sekretit dhe vendimmarrjes, për të cilën duhet të kenë monopolin vetëm pak njerëz, injorimi i mendjeve të lira të profesionistëve dhe mbështetja te zanatçinjtë servilë, mivendosja e luftës kundër panikut, ndaj nevojës për transparencë, primati i propagandës para përballjes me realitetin janë dëshmitë më të prekshme të regjimit ku jetojmë.
Njësoj siç u provua edhe pas tragjedisë së 26 nëntorit, modeli shqiptar është shumë larg atij të demokracive perëndimore. Dhe nuk ka më nevojë që koronavirusi të kapërcejë Adriatikun për ta parë këtë.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.