OPINION

“Greqia dhe Shqipëria, siç nuk do duhej të jenë”, një libër faqepak e dhimbjeshumë…

19:27 - 28.02.20 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Redaktori i librit, Ambasador Shaban Murati: “Libri i publicistit dhe eseistit Pano Hallko, përbën një kontribut të rëndësishëm në njohjen dhe kuptimin më të thellë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë. Simbioza e njohjes së gjuhës, kulturës, personaliteteve dhe filozofisë greke, me njohjen e përditshmërisë, të jetës së sotme të shoqërisë greke, por edhe me nervin ideoemocional të talentit krijues, i japin librit një vlerë të veçantë publicistike dhe kulturore. Libri i Pano Hallkos duhet lexuar për temat dhe çështjet e reja, që sjell pena e një prej individualiteteve më të spikatur të publicistikës shqiptare”.




Nga Albert Hitoaliaj

Ditët e fundit është botuar libri “Greqia dhe Shqipëria, siç nuk do duhej të jenë”, me autor gazetarin e njohur Pano Hallko. Libri është një përmbledhje

artikujsh (analiza e refleksione), të cilët janë botuar në shtypin e përditshëm, në dy dekadat e fundit, nga autori. Të gjitha këto shkrime e kanë rrënjën në truallin e marrëdhënieve greko-shqiptare. Së paku për këtë arsye, libri nuk është thjesht e vetëm një përmbledhje artikujsh. Them “së paku”, pasi këto marrëdhënie dyanëshe nuk kanë parë kurrë “klimë” mesdhetare: ngrohtësia është e vetmja “klimë” që nuk njihet për to! Dëshmitarë jemi të gjithë, paçka se, sa për sy e faqe jemi edhe partnerë strategjikë, edhe fqinjë të përsosur, edhe me marrëdhënie të shkëlqyera, edhe dy popuj miq. Të 33 shkrimet e këtij libri faqepakë (187 faqe), por me peshë shumë, janë dëshmi e këtyre marrëdhënieve. Pavarësisht se u përkasin dy dekadave, historitë e ngjarjet që trajtohen, kanë sfond shekullor e më tutje. Libri është një kontribut me vlerë për të zgjeruar kuptimin marrëdhënieve greko-shqiptare.

Autori, si njohës i gjuhës, kulturës, traditës dhe ngjarjeve të rëndësishme historike të Greqisë, sjell një pasurim të këndvështrimit shqiptar kur trajton tematikën që rrok marrëdhëniet tona. Vlera e shkrimeve qëndron edhe te retrospektiva që mund të bëhet sot, pasi shumë problematika janë dekadë pas dekade njësoj. Megjithatë, nuk duhet lënë mënjanë stili me të cilin vijnë këto analiza. Krahas objektivitetit, analizat shoqërohen me një stil të spikatur e tipik, i cili krijon një lidhje të pandërprerë mes shkrimeve. Stili i përdorur është i pasur me krahasime, figura letrare, metafora etj., duke u dhënë shkrimeve aromën ballkanike e mesdhetare, identifikuese kjo për vendet tona. Thënë thjeshtë, kjo përmbledhje mund të lexohet nga kategori të ndryshme lexuesish dhe të pëlqehet si për informacionin e analizën, edhe për mënyrën karakteristike të lëvrimit të shkrimit nga autori.

DY FJALË PËR AUTORIN DHE VETËM NJË PËR

MOTIVIN

Jam i bindur se shkrimet në çdo formë qofshin, kanë jetën e tyre të pavarur dhe një shkrim i mirë nuk lidhet detyrimisht me profesionin, karrierën, qëllimin etj. Metafizika e realitetit u jep shkrimeve peshën e tyre. Ata që lexojnë një shkrim pa e njohur autorin, krahasuar me ata persona që e njohin atë, kanë po aq shanse, e mbase edhe më shumë, që ta pëlqejnë atë shkrim. Por, dy fjalë për autorin duhen thënë, pasi këto pak fjalë (jo jetëshkrim!) hedhin ndonjë rreze drite më shumë, për të kuptuar trajtimin e tematikave dhe motivin. Autori, pas studimeve të larta në 1985, përfundon në 1989 studimet pasuniversitare të filozofisë në Universitetin e Tiranës. Ka qenë korrespodenti i parë i gazetës “Koha Jonë” në Athinë, e në vazhdim edhe i televizionit “Koha”, duke qenë njëkohësisht edhe anëtar i Lidhjes së Korrespodentëve të Shtypit të Huaj, në Athinë; drejtor i Qendrës së Botimeve dhe Përkthimeve në Ministrinë e Mbrojtjes; shef i botimeve në Qendrën e Analizave të Mbrojtjes dhe kryeredaktor i revistës kërkimore-shkencore të FA; mban gjithashtu gradën shkencore “Master” në “Siguri dhe mbrojtje”. Është i pranishëm prej dekadash në shtypin shqiptar, në një sërë të përditshmesh.

Formimi që ka, eksperienca profesionale e gazetarisë dhe ajo jetësore në Greqi i kanë bërë të mundur që ta shohë realitetin e marrëdhënieve dypalëshe greko-shqiptare, nën një “mikroskop” e “teleskop” të veçantë e të saktë. Por nuk mjaftojnë vetëm “lentat” e mjeteve optike. Që të kesh sukses me mjetet optike nevojitet patjetër që të dish të rregullosh raportin e largësisë së objektit me lentat. Ky “raport” është motivi, në rastin e publicistikës. Mund të kesh njohuri, por pa motiv, pa vëzhgim të mprehtë që të ushqejë atë motiv, vështirë që njohuria të materializohet në shkrim e sidomos në shkrim që të ndikojë.

Atëbotë që janë shkruar, e deri tani, këto shkrime kanë pasur rrugën e tyre, lexuesin e tyre, pra jetën e tyre. Thoshin dikur pleqtë e vjetër: “Fjala si plumbi. Kujdes, se po u tha nuk vjen më pas!”. Thoshin në kohët e fjalës, sepse sot nuk ka më as fjalë e as pleq… E përmenda këtë gjë, sepse që një shkrim të rezistojë në kohë, duhet që të rezistojë motivi i tij. Shtysa që e mban atë gjallë duhet të jetë akoma me aftësi “motorike”. Mund të dallosh shumë motive në shkrimet e këtij libri, por në sfond, qëndron, si një heshtje më e fortë se sa fjala, motivi përbashkues i të gjithë këtyre shkrimeve, të cilët sjellin peizazhe të pafundme padrejtësish, marrëzish historike e shtetërore, paradoksesh, mashtrimesh e gjaku. Në sfond, qëndron dhimbja. Ky është motivi lidhës. E kjo dhimbje vjen nga padrejtësitë, por edhe nga shkelja e të vërtetës.

“E VËRTETA” E

GAZETARISË SI “E VËRTETA” E VETME E PANOS

Jetojmë në një epokë informacioni që bollëkun e vet e pagëzoi me emrin “feik njuz”. Sot janë tronditur kryq e tërthor botës, themelet e gazetarisë e të publicistikës. Ka humbur kënaqësia e dikurshme e letrës së shtypur. Mjafton një adresë interneti dhe për 10-15 minuta një individ mund edhe të bëhet i njohur në gjithë botën. Kjo gjë ka cenuar ekuilibrin e informimit publik me të vërtetën. Ka dezinformim, keqinformim, mungesë profesionalizmi gazetaresk, si dhe shumë interesa. Interesat prodhojnë gënjeshtra e manipulime. Këto të fundit janë si “ndotësit” në “ujërat e ndotura” ku oksigjeni pakësohet dhe gjallesat zhduken. E vërteta strehohet më tepër te gazetarët e pavarur dhe te mediet idealiste kundër rrymës. “Gazetari është që të botosh diçka, që dikush tjetër nuk do të donte që të botohej; çdo gjë tjetër është marrëdhënie publike”, -thoshte Xhorxh Oruell. Dhe e ka thënë ashtu siç po ndodh sot. Në shkrimet e Panos lexon histori shqiptarësh në Greqi, të cilët janë mishërim i shprehjes popullore: T’i dhimbsesh dhe qyqes.  Në to, motivi mund të jetë dhimbja, por gjuha e vetme është padyshim “e vërteta”. Autori nuk ka kompromis më këtë gjë dhe kjo nuk e bën thjesht “gazetar”, por e bën “të bezdisur”. Aq e vërtetë është kjo gjë sa nja dy herë ka përfunduar pa punë, sepse ka shkruar si njeri i lirë, atë që besonte dhe të vërtetën e dukshme. Mjafton ky detaj i sjellë, që të kuptohet se shkrimet, janë të ngarkuara me arsenal të vërtetash dhe jo me pudër makijazhi. Nga këto të vërteta të shprehura, lind natyrshëm pyetja: “Ç’marrëdhënie kemi me grekët?”.

PARADOKSI: NE QENI,

ATA DHELPRA…

Në mitologjinë antike, ka një rast të cilit mund t’i referohemi, duke e marrë si shëmbëlltyrë, për të portretizuar marrëdhëniet greko-shqiptare. “Dhelpra teumese” ose “dhelpra kadmike” ishte krijuar nga perënditë me dhuntinë që të mos kapej dot prej kurrkujt. Ishte lëshuar nga Dionisi për të gjuajtur në Tebë, si dënim për ta. Zgjidhjen si të shpëtonin nga kjo gjuetare me dinakëri të pathyeshme e gjeti Amfitrioni, i ati njerëzor i Herakliut. Ai solli një krijesë tjetër të perëndive, qenin Lailap, si zgjidhje. Lailapi ishte krijuar nga perënditë, me dhuntinë që të mos i shpëtonte kurrë asnjë prè që ndiqte. Ia ndërsyen qenin dhelprës dhe u krijua një paradoks hyjnor: ajo nuk kapej dot, ndërsa ai nuk i shqitej pa e mbërthyer. Gjuetia ishte e pafundme. Zeusi u përball me këtë kontradiktë pa zgjidhje dhe u detyrua që t’i shndërrojë të dyja kafshët në gur. Çifti u përjetësua te yjet si yjësia “Canis Major”/”Qeni i Madh” (Lailapi) dhe yjësia “Canis Minor”/”Qeni i Vogël” (“Dhelpra teumese”). Kjo simbolikë që solla, gjendet e thënë me fjalë të tjera, edhe në shkrimet e librit që flasim. Mbase kjo legjendë tregon me pak fjalë marrëdhëniet e dy vendeve tona.  As ata (“dhelpra” greke) nuk na thyejnë dot, as ne (“qeni” shqiptar) nuk i ndalim dot. Kemi qenë fqinj që nga antikiteti dhe me shumë gjasa këtu do të jemi akoma. Duhet gjetur zgjidhja, përndryshe, ashtu si te miti, gjuetia do të jetë e përjetshme. Duhet paqe dhe paqja vjen nga pranimi i të vërtetave.

PLAKA ARVANITASE

Vite më parë, në një prej kafeve të zakonshme me Panon, ra llafi tek arvanitasit dhe te Greqia. Më mbeti ndër mend një fabul e asaj bisede. Për të mos e zgjatur, më tregoi një takim të bërë me një plakë të vjetër arvanitase, banore e lagjes më të vjetër athinase poshtë Akropolit, kur jetonte në Athinë. Teksa pinin nga një duhan të dy, e kishte pyetur plakën shamizezë, që tymoste duhan me gishtat eshtakë, duke i thënë: “Po, djemtë që ke, përse nuk të vizitojnë?”. Plaka me një përgjigje lakonike kishte thënë dy fjalë sa për dy libra: “Biro… Sisa e mëmës zeher, ajo “gjëja” e gruas sheqer”. Kuptohet, që një plakë e tillë e sertë dhe e mendjehollë, edhe atë “gjënë” e përmendi shqeto, ashtu si flisnin shqiptarët e qëmotit, pa lajle-lule. Tymi i duhanit që ajo tymoste, ashtu si bijtë e plakës, teksa ngrihej në ajrin e nxehtë të gushtit, ikte lart për të mos u kthyer më te hiri i duhanit. Si për analogji ky ishte edhe fati i arvanitasve: harruan sisën e nënës Arbëri dhe u martuan me shtetin e ri grek. Se si vajti ajo martesë apo bashkëjetesë, e dinë më mirë ata vetë: arvanitasit. Natyrisht, këtu e kam fjalën për ata pakë, që mund të kenë shpëtuar nga “mulliri” vizionar shekullor religjiozo-shtetëror grek, i cili pas Revolucionit të 1821-shit, i bloi mirë fiset arbërore të Greqisë dhe me “miellin” e nxjerrë, ndërtoi “kukullën” e re të palikarëve helenë, edhe pse me fustanellat si balerina, tashmë. Ca me hir e më shumë me pahir, i shtruan e i përpunuan.

Një nga ata të paktë, të shpëtuar, ishte shqiptari i madh Aristidh Kola, të cilit i jemi borxhli si shqiptarë, jo aq për harresën e figurës së tij, se sa për harresën e vizionit, misionit dhe ideve që farkëtoi. Por, plaka i tha të gjitha: “Sisa zeher…”. Deri sa të mos krijohen kushtet që të pranohet e vërteta e pyetjes që mban peng fqinjësinë: “Cilët janë grekët?”, historia e marrëdhënieve greko-shqiptare do të jetë si puna e dhelprës me qenin. Kësaj pyetje nuk i jep kush dot përgjigje, po qe se nuk pranon, se “gjiri” i nënës që ushqeu Greqinë me heronj që nga antikiteti e deri në ‘21-shin e zjarrtë antiosman ishte me origjinë shqiptare. Këto janë të vërteta thelbësore që duhet të zbardhen, me qëllim që mes dy popujve të rivendoset ajo fqinjësi e shëndoshë e vëllazërore që kish ekzistuar para se kisha t’u rrëfente arvanitasve nënshtetësinë ortodokse(!). Kollokotroni i famshëm arbër, por “grek”, me nofkën “Bithguri”, ishte vëllam me arbrin mysliman Ali Farmaku dhe me arbrin e krishterë Marko Boçari. Po, këto të vërteta ngjallin bezdi për palën greke po qe se thuhen.

Këto, dhe të tjera, janë të vërtetat që thoshte Aristidh Kola në mes të një klime mbytëse në Greqi. Panoja e kishte mik, por nuk e përcolli thjesht si mik kur vdiq. E përcolli si një prej shqiptarëve më të mëdhenj që kishte nxjerrë shqiptaria. Për këto marrëdhënie dypalëshe kombesh e shtetesh, ka shkruar e nuk ka heshtur gjithherë edhe Pano Hallko, teksa lëronte zhanrin e dhimbjes me penën e gazetarisë, të tërhequr nga bualli i të vërtetës. Pasi e vërteta, ecën ngadalë, ashtu si bualli në arë, por nuk e lë kurrë arën djerrë. Lexojini shkrimet e këtij e libri e do më jepni të drejtë. Fatkeqësisht, ato janë aktuale edhe sot. Jemi me grekët, siç nuk duhet të ishim…

 

 


Shfaq Komentet (3)

Leave a Reply to ALBERT FRASHERI Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Përgëzimet e mia autorit, që është një intelektual ndër të paktët që kemi si vend, të cilin e kanë preokupuar dhe ka trajtuar tema thelbësore të qenies dhe ekzistencës së këtij kombi.
    Albert Hitoaliaj, është njëri ndër pak Doktorët e Shkencave që ka ky vend, që e mbrojti Doktoraturën pa “copy paste”, por me studime të thelluara ndër dy dhjetëvjeçarë. Në dallim, nga “doctorat” që u bënë me lopatë ndër vite, nga listat e partive, e që qelbin rrugët e këtij vendi.
    Jam njëri ndër ata, që e kanë lexuar librin e gazetarit Pano Hallko.
    Dhe mendoj se vlerësimi që ka bërë Redaktori i atij libri, Mjeshtri i Madh Shaban Murati, nuk le hapësirë për komentet e mia. Ndaj u uroj të dyve, autorit të shkrimit, por edhe autorit të librit, Penë të Artë!

    Përgjigju ↓
  2. Pergezoj autorin e librit, se pari per kurajon ne trajtimin e argumentit (themelor per mbare kombin) e se dyti per permbajtjen e atij libri. Popujt fqinj nuk mnd te bashkejetojne ne marredhenia normale nese historia i fsheh vetedijes qytetare te vertetat e saj. Klasa politike nuk e ka kurajon t’i perballoje ato probleme. Dua te theksoj qe dinjiteti i individit nuk eshte i pavarur nga dinjiteti i mbare kombit dhe kjo gjen vleren e merituar vetem ne driten e diellit. Eshte skandaloze qe Greqia nuk prann ne truallin e saj qytetare shqipatre qe kane lindur ne Greqi. Ata kane frike nga e verteta, pra i mbetet shqiptareve kerkimi i saj. Pershendetje, Albert Frasheri

    Përgjigju ↓