AKTUALITET

Punimet për “Pallati me Shigjeta-rrethrrotullimi ‘Shqiponja””, ARRSH: Ja si do të devijohet trafiku

10:00 - 29.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Trafiku i automjeteve që hyjnë në kryeqytet përmes nyjes së sheshit ‘Shqiponja’ do të devijohet, duke nisur nga fillimi i javës së ardhshme, për shkak të fillimit të punimeve për ndërtimin e mbikalimit në këtë shesh, pjesë e projektit “Rehabilitimi i segmentit rrugor ‘Pallati me shigjeta – Rrethrrotullimi ‘Shqiponja”. Përballimi i fluksit të trafikut në këtë nyje, si dhe krijimi i hapësirës së nevojshme për kompaninë ndërtuese që të vijojë me ritmet e duhura punën për ndërtimin e kësaj vepre, janë dy nga arsyet kryesore të këtij devijimi. Plani i menaxhimit të trafikut, i cili parashikon masat për të siguruar një lëvizshmëri sa më të mirë të automjeteve gjatë periudhës së punimeve, i hartuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Policinë e Shtetit është prezantuar sot nga zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho si dhe shefi i Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, Erion Ahmeti “Është shumë e rëndësishme kjo dakordësi, e cila merret sot midis disa institucioneve të cilat janë përgjegjëse për çështjen e transportit, sigurisë rrugore sidomos, pasi bëhet fjalë për ndërhyrjet në një nga akset më të rëndësishme të transportit nga njëra anë, por dhe të infrastrukturës rrugore nga ana tjetër, të qytetit të Tiranës. Do të ketë një siguri maksimale gjatë kohës që realizohen këto punime, jo vetëm gjatë ditës, por edhe gjatë natës kur ky shesh do të jetë i ndriçuar. Skaleta të cilën specialistët kanë përgatitur do të bëjë të mundur që këto punime të realizohen në një kohë sa më të shpejtë dhe nga ana tjetër, radhët apo pritjet të jenë sa më të vogla mundësisht”, u shpreh zëvendësministri Shkreli. Drejtori i ARRSH sqaroi se janë marrë të gjitha masat për pajisjen me sinjalistikën e nevojshme, që do të orientojë lëvizjen e drejtuesve të automjeteve në bashkëpunim edhe me Policinë Rrugore. Verdho bëri të ditur, gjithashtu, se do të punohet 24 orë në ditë në mënyrë që kjo vepër të përfundojë sa më shpejt. “Pritet të miratohet leja e ndërtimit dhe menjëherë fillojnë punimet. Për të dakordësuar menaxhimin jemi mbledhur me aktorët kryesorë të veprimeve. Kemi menduar një skemë trafiku ku do pajiset me sinjalistikën e nevojshme të kantierit, me vijëzime ngjyrë të verdhë, sinjalistikë horizontale dhe vertikale për të qenë e sigurt dhe gjatë ditës dhe gjatë natës. Policia do na mbështesë dhe ne do jemi në bashkëpunim me të dhe me bashkinë në çdo hap të projektit. Do të punohet 24 orë në 24 derisa vepra të mbarojë”,-theksoi Verdho.
Policia rrugore
Nga ana e tij, shefi i Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, Erion Ahmeti, njoftoi masat që ka marrë policia lidhur me menaxhimin e trafikut sa i takon punimeve që janë parashikuar të nisin. “Policia Rrugore e Tiranës i ka marrë detyrimet në bazë të këtij plani të menaxhimit të trafikut lidhur me punimet që do të kryhen. Kemi qenë pjesë e grupit të punës me ARRSH-në dhe me bashkinë në hartimin e këtij plani. Me shërbimet e përditshme, por dhe me ato shtesë, sidomos ato të emergjencës, kemi marrë masat dhe detyrimet për një rrjedhshmëri normale të trafikut në të gjitha segmentet hyrëse dhe dalëse të qytetit të Tiranës. Në vijimësi për gjithë problematikën jemi në komunikim të herë pas hershëm me ARRSH dhe Bashkinë”, bëri të ditur Ahmeti. Duke nisur që nga dita e hënë, ndërhyrjet për lehtësimin e trafikut do të fillojnë me lejimin e aksesit drejt rrugës dytësore në anën e majtë të superstradës Tiranë – Durrës (drejtimin Durrës – Tiranë) përkatësisht në dy pjesë, pranë kryqëzimit të rrugës “Dardania” dhe rrugës “Nozllaku” do të lejohet kalimi djathtas drejt rrugës dytësore të superstradës për akses në zonën e Yrshekut, Kasharit, Yzberisht etj. Pranë fillimit të mbikalimit të Kamzës, do të lejohet akesi kthim djathtas nga superstrada drejt rrugës dytësore si dhe drejt rrugës “Kasem Shima”, e cila do të dedikohet me një sens kalimi në mënyrë që mos kemi trafik të mjeteve.




Për lëvizjet e automjeteve me drejtim Durrës-Tiranë

Pranë kryqëzimit të rrugës “Dardania” dhe rrugës “Nozllaku” do lejohet kalimi DJATHTAS me dalje në rrugën dytësore të superstradës (në afërsi të Kompleksit Eifel) – e aksesueshme për lëvizjet drejt Yrshekut, Kasharit, Yzberisht etj.
Pranë fillimit të mbikalimit të Kamzës, do aksesohet DJATHTAS nga superstrada për në rrugë dytësore, gjithashtu, dhe në drejtim të Rr. “Kasem Shima” (pranë CFO FARMA), e cila për shkak të gjeometrisë së ngushtë të urës pranë lumit Lana, do jetë vetëm me 1 sens (drejt rrugës ‘7 Nëntori’).
Mbikalimi Kamzës KRAHU MAJTË (drejtimi Durrës-Tiranë) do të përdoret me 2 korsi për të pasur të njëjtën vazhdimësi trafiku si superstrada.
Nënkalimi i Kamzës (Veri-Kamëz-Tiranë) nga 2 korsi – ngushtohet në 1 korsi pas rrugës “7 Marsi”.
Në zbritje të Mbikalimit kemi bashkimin në 3 korsi – 2 prej të cilave vijnë nga Superstrada dhe një nga nënkalimi Kamzës.
Lëvizja në Sheshin Shqiponja do mbetet me rrethrrotullim, në ndryshim nga rrethrrotullimi ekzistues do spostohet 30 m drejt jugut, dhe do zgjerohet në rreze për të akomoduar një numër më të madh mjetesh.
Rruga “Teodor Keko” (Unaza e Re drejt Pallatit me Shigjeta dhe anasjelltas) do të përdoret me 3 korsi në të dy senset e lëvizjes.
Rruga “Vangjel Noti” (pranë ish AMC) do vazhdojë të përdoret si përdoret aktualisht me dy korsi (me nga një korsi për çdo sens lëvizje).

Për lëvizjet e automjeteve me Drejtim
Tiranë–Durrës

Me 3 korsi do të lëvizet nga rrethrrotullimi ‘Shqiponja’ dhe deri përpara mbikalimit të Kamzës, nga ku vazhdon lëvizja normale e mjeteve drejt Durrësit apo Kamzës e veriut të vendit.
Rruga “Dritan Hoxha” në drejtimin Tiranë–Durrës do të ngushtohet nga 4 korsi në 3 korsi (që në rrethrrotullimin me 3 korsi të jetë linjë e vazhduar trafiku) dhe ngushtimi i korsisë do të kryhet rreth 100 m nga rrethi (pranë karburantit ekzistues).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.