Intervista

Ndoka: Përkrah Metës, si para 12 vitesh në grevën e urisë në Kuvend

11:00 - 02.03.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Nard Ndoka, do të jetë sot përkrah Ilir Metës në sheshin “Dëshmorët e Kombit, njësoj si edhe para 12 viteve në grevën e urisë në Kuvend edhe në atë kohë në mbrojtje të Kushtetutës. Kreu i PDK-së, z.Ndoka thotë për “Gazeta Shqiptare’, se Presidentin nuk e sheh si opozitar, por përkundrazi si një shtetar i përgjegjshëm dhe i guximshëm në përgjegjësitë e tij kushtetuese. Sipas tij presidenti është në kauzën e duhur dhe se kjo kauzë ka ndërgjegjësuar edhe me qindra socialistë që duan më shumë vendin se Rilindjen. Ndoka flet edhe për ndryshimin e strategjisë së opozitës nga ndërprerja e protestave tek ulja në dialog me mazhornacës për reformën e re elektorale. “Atë që e fituam me “luftë”, po e farkëtojmë me paqe për t’u ndeshur në përballje politike, si të barabartë dhe me standarde të garantuara”, – shprehet aleati i Lulzim Bashës.




Z.Ndoka, Presidenti Meta ka ftuar sot shqiptarët në një manifestim masiv ndërkohë që opozita ka angazhuar strukturat e saj për sa më shumë pjesëmarrje në tubim. Çfarë duhet të ndodhë me 2 mars?
Dy marsi është zgjedhur si datë embleme, si besëlidhje për mbrojtjen e Kushtetutës, për mbrojtjen e sovranitetit, të sistemit, të pluralizmit, të demokracisë, të lirive tona njerëzore. Thirrja e Presidentit është kambane alarmi për çdo qytetar, për çdo politikan, për çdo politikëbërës, për ndërkombëtarët, për diasporën, për çdo individ që kërkon rregull dhe standarde ligjore. Qytetarët besoj, janë edhe me të çliruar politikisht kur protestojnë për veten e tyre dhe për vendin, për brezat që do vijnë, për të dhënë shpresë e besim se ky vend ka njerëz që i dalin për zot.

Opozita e bashkuar nuk mundi të arrijë qëllimin e saj përmes protestave për largimin e Edi Ramës nga pushteti. Por a mund t’ia dalë Presidenti Ilir Meta përmes protestës që të ‘mbrojë Kushtetutën’?
Opozita e Bashkuar arriti shumëçka nëpërmjet protestave, së pari, lënia e mandateve erdhi si rezultat e respekt ndaj protestës së parë qytetare. Së dyti, deligjitimi i kësaj mazhorance dhe i Kuvendit monist erdhi si një mesazh i qartë i protestave në rritje. Së treti, axhenda e vendosur nga Bundestagu gjerman, u formalizua nga ndërgjegjësimi i reagimit qytetar dhe politik i opozitës dhe qytetarëve. Ne nuk kemi pretenduar të përmbysim qeverinë me protesta, por të rrëzojmë sistemin korruptiv dhe krimin zgjedhor dhe unë besoj se i kemi arritur këto objektiva. Sot kemi disa ministra të larguar nga qeverisja, si të akuzuar për korrupsion dhe lidhje me grupet kriminale dhe shumë të tjerë të përfshirë në krim elektoral, që presin ditën e gjykimit. Institucioni i Presidentit nuk po kërkon të rrëzojë qeverinë, por të ruaj të pa prekur shtetin nga pushteti dhe pushtllëku. Kjo kauzë mbështet nga çdo qytetar normal, nga çdo njeri që ka zgjedhur të jetojë në këtë vend, kjo kauze ka ndërgjegjësuar me qindra socialistë që duan më shumë vendin se rilindjen.

Çfarë porosish kanë marrë strukturat e opozitës për protestën e sotme? Kush do të marrë pjesë në këtë manifestim kundër grushtit të shtetit?
Nuk ka ndonjë organizim specifik, apo thirrje “taborësh”, por thjesht ndërgjegjësim politik e qytetar për të çdo individ të lirë me apo pa parti. Forca e qytetarëve të bashkuar është një sinjal dhe një uragan, që mund të marrë përpara çdo politikan apo parti të pandjeshme apo të papërgjegjshme. Kjo protestë si rrallë herë, do ketë qytetar, që marrin pjesë me vullnet të lirë edhe nga diaspora, intelektualë, analiste e figura publike. Reagimi qytetar, forca e qytetarëve të bashkuar, është një test për të gjithë, uroj që këto lëvizje qytetare të lexohen qartë nga Presidenti në radhe të parë, nga mazhoranca dhe nga përfaqësitë diplomatike ne Tiranë.

Duket se konflikti më i ashpër aktualisht është mes presidencës dhe mazhorancës, ku kreu i shtetit Ilir Meta akuzon qeverinë për dhunim të kushtetutës dhe ‘grusht shteti’ ndaj saj. A ekziston një rrezik I tillë dhe si e shikoni betejën e z.Meta në mbrojtje të Kushtetutës?
Ilir Meta është i vetmi President Republike, që mbrojti realisht Republikën dhe këtë nuk e ka bërë sot me këtë përballje publike, por që ditën e parë. Presidenti ka kthyer ligje antikushtetuese, ka rrëzuar propozime ministrash, me drejtësinë ka kërkuar standarde kushtetuese, me KLSH duke propozuar kandidate profesional e integritet, si Komandant i Forcave të Armatosura ka mbajtur qëndrime të qarta. Pra, në këtë sens, Ilir Meta ka vendosur një standard të lartë të kryetarit të shtetit, duke ndarë qartë perceptimin nga një “zyrë noteriale” ceremonish me një institucion kushtetues mbi të gjitha palët. Jam i sigurtë se Ilir Meta këto qëndrime, nuk i ka mbajtur për protagonizëm, as për përfitime të momentit politike, por për garantimin e rolit të tij kushtetues si President i Republikës, duke iu treguar të gjithëve sesi duhet të jetë ky Institucion i Shenjtë Kushtetues. Kjo na provoi të gjithëve, se Presidenti nuk është një hallkë ceremoniale, por një Institucion që ruan dhe garanton ecurinë normale të shtetit shqiptar, në respekt të Kushtetutës.

A është opozita edhe më inkurajuese në betejën e saj kundër Edi Ramës pas ‘opozitës së fortë’ që po zhvillon z.Meta?
Ilir Meta po vepron si Institucion Kushtetues, si garant i unitetit kombëtar dhe i kushtetutës, si kryetar shteti, që nuk ka pranuar dhunimin e Institucionit të Presidentit, të Drejtësisë në tërësi dhe në veçanti të Gjykatës Kushtetuese. Nuk e shikoj Ilir Metën sot, si opozitar, përkundrazi si një shtetar i përgjegjshëm dhe i guximshëm në përgjegjësitë e tij kushtetuese. Ilir Meta ka ditur gjithmonë në karrierën e tij politike dhe si drejtues i institucioneve me të rëndësishme të vendit, të ndajë interesat personale apo partiake, me ato të vendit dhe të qytetarëve, ka ditur të ndërtojë dhe mbrojë kauza, të veprojë dhe të fitojë. Sot Presidenti Ilir Meta është në kauzën e duhur dhe unë jam përkrah tij, si edhe para 12 viteve në grevën e urisë në Kuvend edhe në atë kohë në mbrojtje të kushtetutës.
Konflikti i ashpër mes opozitës dhe mazhorancës sikur është zbehur kohët e fundit nisur edhe nga ndërprerja e protestave dhe ulja në tavolinë për reformën e re zgjedhore…
Opozita e Bashkuar ka ndërtuar një kauzë historike, garantimin e votës së lirë! Kemi marrë mbështetjen maksimale qytetare me protesta e qëndrime, kemi dorëzuar mandatet në shenjë besimi e përgjegjësie për kauzën dhe ndërgjegjësimi për partnerët tanë ndërkombëtar, por edhe distancim i qartë dhe i prerë nga mazhoranca aktuale dhe Kuvendi monist. Kemi bërë “nul” edhe kryetarët e emëruar të bashkive nga rilindja. Sot po japim kontributin tonë për kauzën dhe për respektimin e detyrave tona politike për nëntë pikat e axhendës europiane të vendit. Ky është kontribut institucional e politik i opozitës sot dhe angazhim e siguri për standardet për nesër. Atë që e fituam me “luftë”, po e farkëtojmë me paqe për t’u ndeshur në përballje politike, si të barabartë dhe me standarde të miratuara dhe të garantuara. Nuk kemi hequr dorë nga protestat, ato nuk janë monopol vetëm i partive. Sa herë një grup qytetarësh ka protestuar, opozita ka qenë në krah të tyre dhe pjesë e tyre, madje duke marrë përsipër përgjegjësi për dje dhe garanci për nesër. Kauza e opozitës sot, po kalon përmes një spiraleje të ndërlikuar bashkëpunimi me mazhorancës aktuale. Kjo “paqe” do shërbejë për vendin, procesin dhe për garancitë për më tej. Opozita nuk është e prirur që kauzën e vet ta arrijë vetëm nëpërmjet luftës politike. Nuk jemi ne që u zmbrapsëm nga kauza e jonë, por mazhoranca që reflektoi dhe pranoi me në fund realitetin e ri politik. Opozita as mund të krijohet, as mund të fantazohet, as të shpiket. Opozita votohet si e tillë, që të mbrojë dhe garantojë sistemin dhe ne kemi arritur mes shumë vështirësive ta bëjmë një gjë të tillë.
Opozita po synon reformimin e thellë të sistemit zgjedhor dhe politik. Cili sistem zgjedhor i duhet Shqipërisë për të pasur zgjedhje të lira?
Çdo sistem i barabartë për palët është demokratik ne thelb. Ka sisteme që krijojnë kriza, ka sisteme që krijojnë super mazhoranca, ka sisteme bipolare si ky që kemi sot. Unë jam për sisteme, që i kemi provuar dhe kanë qenë mjaft përfaqësues dhe efikas në qeverisje e kontroll parlamentar. Sistemi mazhoritar, me proporcional mbetet sistemi me i mirë i mundshëm dhe rezultativ, i provuar dhe i testuar në zgjedhje dhe qeverisje. Tendenca për bipolarizim është një rrezik real për demokracinë dhe pluralizmin. Duhet t’i rikthehemi debatit logjik politik dhe të përgjegjshëm, Opozita e Bashkuar dhe lideri i saj, Lulzim Basha e ka demonstruar këtë vullnet, jemi të hapur për sistemin më të mirë zgjedhor dhe të gatshëm për konsensus të gjerë politik e qytetar.

Cila është garancia e opozitës që ajo çfarë ka arritur të shkruajë në letër me PS-në për reformën e re elektorale, të zbatohet?
Garanci me këtë mazhorancë është pak e vështirë të ketë, por garancitë qëndrojnë te përmirësimet në Kod Zgjedhor, si dhe nga administrimi i zgjedhjeve nga një qeveri tranzitore, kjo është garancia reale.
Ndërkombëtarët do monitorojnë çdo hap dhe pa diskutim, që janë një garanci për sot dhe për nesër. Nëse kjo mazhorancë do përpiqet për dredhi, si për Kodin Zgjedhor, si për arritjen e konsensusit do përballet sërish me zemërimin opozitar e qytetar, tashmë në një betejë fundore ballë për ballë. Nuk do të dorëzohemi kurrë në kauzën tonë deri në fitoren përfundimtare.

Opozita ka propozuar qeveri tranzitore 100 ditë para zgjedhjeve, por pse jo një qeveri teknike?
Në thelb është e njëjta gjë, ndoshta është momenti që të vendosim dhe përcaktojmë standarde edhe për të ardhmen. Çfarë stature duhet të ketë kryeministri tranzitor dhe ministrat e tjerë? Duhet që e gjithë qeveria të ikë, apo vetëm kryeministri dhe 4-5 ministra që kanë lidhje direkte me zgjedhjet? Kjo është temë dhe format, që meriton debat dhe konsensus të pakontestueshëm. Kjo është garancia dhe stabiliteti për vazhdimësinë e qeverisjes efektive dhe të pranuar nga palët.
PD-ja dhe aleatët e saj kërkojnë që hetimin e krimit zgjedhor ta bëjë SPAK…
Krimi zgjedhor, në fakt, e ka marrë gjykimin qytetar, moral e politik me kohë, ne po presim gjykimin ligjor nëpërmjet drejtësisë së re, të reformuar. Ky është një shans, një provë, një mundësi dhe një garanci për të ardhmen. Unë besoj së SPAK do të lëviz në drejtimin e duhur, do fitojë lirinë dhe drejtpeshimin e duhur, si shpresë për drejtësi për të gjithë. Reforma elektorale merr jete e garanci në zbatim, pikërisht nga ndëshkimi i personazheve të kapur në krim zgjedhor.

Për opozitën reforma zgjedhore është hapi i parë drejt zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa mazhoranca ka deklaruar se kjo reformë bëhet për zgjedhjet e vitit 2021. Në këtë rast si mund të shkohet drejt objektivit të PD-së për zgjedhje të parakohshme?
Nuk ka rëndësi në këto momente për datat, por për garancitë për sot dhe të ardhmen, që kriza të marrë fund dhe mos të përsëritet sërish, si një “koronavirus” i rrezikshëm politik. Axhenda e Bundestagut Gjerman, nëntë pikat përfshijnë, Kodin Zgjedhor, Gjykatën Kushtetuese dhe zgjedhjet e parakohshme, nëse i lexojmë dhe i zbatojmë drejt dhe me përgjegjësi politike e kombëtare. Zgjedhjet e parakohshme, sot i shërbejnë vendit, institucioneve, opozitës, por edhe vetë mazhorances aktuale.

Si mund të shkëputen lidhjet e politikës me krimin?
Ligji i dekriminalizimit ka bërë një shkëputje përfundimtare ligjore, por akoma jo politike e miqësore nga “babloku”. Ne kemi një Kryeministër në detyrë sot, që deklaron: “se ato që ligji i ka nxjerr jashtë sistemit janë miqtë e mi gjithmonë, sot në parti e nesër në qeli”! Ky është një problem real i trishtueshëm, por ka një zgjidhje, që edhe Edi Ramën ta largojmë nga qeveria dhe t’i japim mundësi të qëndrojë me miqtë e tij të shpallur “non grata”, sot nga SHBA-të dhe nesër me votë nga qytetarët. Kjo do të jetë ndarja përfundimtare e krimit nga politika dhe institucionet e shtetit në çdo nivel. Pastrimi përfundimtar është vota ndëshkuese ndaj kujtdo!

Pas reformës së re zgjedhore, çfarë hapash të tjerë duhet të ndjekë opozita?
Të vetmen rrugë dhe axhendë politike e qytetare, mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Sipas jush, kreu demokrat Lulzim Basha duhet të përballet me zotin Rama vetëm në zgjedhje apo edhe në një tryezë?
Lulzim Basha është një politikan tipik me staturë europiane, në fakt, i vetmi i tillë në politikën shqiptare. Përballë tij ka sot “bablokun”; demagog, tinzar, dredharak, hileqar, e me gjithë këto sërish unë e inkurajoj Bashën të ulet në tryezë, për të lartësuar institucionin e konsensusit të munguar sidomos nën mbretërimin e rilindjes dhe Ramës. Takimet me axhende të qartë, transparente dhe shpresëdhënëse janë të mirëpritura gjithmonë, nëse Rama ndryshon stil në fundin e tij politik, duhet përshëndetur dhe pse jo, t’i jepet mundësia e fundit për një takim me format zyrtar.

…dhe si mund të shkohet drejt rotacionit politik?
Rotacioni politik sot është e vetmja mundësi për të krijuar shpresë, besim dhe mundësi për çdo qytetar, brenda vendit dhe për të gjithë ato që u detyruan të braktisin vendin e tyre nga keqqeverisja. Opozita e Bashkuar duhet të jetë një alternativë programore dhe e qartë për çdo gjë; për drejtësinë, ekonominë, rendin, arsimin, bujqësinë, shëndetësinë, infrastrukturën, turizmin, pensionet, për grupet në nevojë, pronat, ish-të persekutuarit dhe për çdo detyrim tjetër në lidhje me qytetarët dhe jetën e vendit. Me premtime të qarta dhe të besueshme, me përgjegjësi e siguri, me përkushtim e bindje, se do të qeverisë në standardin më të mirë në historinë post plurale.

A është e gatshme opozita të qeverisë nesër vendin nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe çfarë duhet të ndryshojë nga qeverisja aktuale?
E para, nuk duhet të fillojmë me mentalitetin “zero”, siç e filloi Rama. Pra, nëse është bërë një punë e mirë, të vlerësohet dhe të vazhdohet më tej. Së dyti, duhet të konkretizohen në 30 ditë premtimet bazë; taksa e rrugës kombit, çmimi i karburantit, qëndrimi ligjor ndaj PPP, pastaj ne një hark 100 ditor duhet të ketë rezultate konkrete me krimin e organizuar dhe rendin. Së treti, duhet strategji e qartë, jo vetëm deklarative për pagat minimale, pensionet dhe rrogat e mjekëve dhe infermierëve. Bujqësia duhet të ketë një vëmendje të konkretizuar me projekte dhe me burime financimi nga donatore. Unë i qëndroj fort zhvillimit të turizmit, nëpërmjet korridorit “Blu”, që lidh Ulqinin, Shëngjinin, Durrësin dhe komplet bregdetin Adriatik e Jonian deri në Sarandë për t’u lidhur me Igumenicën në Greqi. Ky korridor duhet të ndërthuret me projekte bazike të zhvillimit, sipas rajoneve dhe zonave duke krijuar edhe zona të lira, pa taksa si mundësi zhvillimi. Shëndetësia meriton një vëmendje politikëbërëse për të vendosur përfundimisht mënyrën e financimit dhe funksionimit të këtij sistemi, duke fuqizuar shërbimin publik, por duke i dhënë hapësirë konkurruese komplementare edhe shërbimit privat, si pjese e skemës se sigurimeve, jo si kosto e pacienteve.

Një qeverisje në komunikim të vazhdueshëm me qytetaret, për hapat, për vendimmarrjen, për çdo problem lokal apo kombëtar. Referendumet lokale dhe kombëtare, duhet të kthehen si politike primare për qeverisjen për përdorimin e taksave në nivel lokal e qendror. Reforma administrative duhet të rishikohet duke vendosur raporte të qarta, mes numrit të banorëve, sipërfaqes dhe të ardhurave lokale. Decentralizimi i kompetencave për bashkitë, në raport me taksat, shëndetësinë, arsimin dhe policinë. Bashkitë duhet të jenë institucionet vendimmarrëse për të gjitha institucionet e shërbimeve duke përfshirë edhe emërimet e titullarëve të tyre. Kontrolli parlamentar, hapësira e opozitës, raporti me median duhet të lartësohen në parametra europian me praktikat me efektive. Besoj dhe shpresoj, se Lulzim Basha do të jetë një kryeministër krejt ndryshe nga paraardhësi, ne raport me ligjin e Kushtetutën, opozitën, qytetarët dhe vendimmarrjen politike në çdo nivel.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.