OPINION

Ne shqiptarët do jemi Ekrem Bardha vetëm kur do punojmë fort si ai

07:45 - 02.03.20 Ndriçim Kulla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Faik Konica, në librin e tij “Shqipëria-kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”, e shikonte kështu shkakun se përse shqiptarët nuk janë të aftë ta begatojnë ekonomikisht vendin e tyre:




      Ndërsa popujt e tjerë i kanë përqendruar energjitë e tyre për të nxjerrë para, për të grumbulluar sende të bukura, ose për të kaluar kohën këndshëm me rrugë të ndryshme, këta njerëz të thjeshtë e të ashpër kanë pasur vetëm një qëllim në jetë dhe e kanë arritur disa herë me çmimin e vdekjes së njerëzve të familjes së tyre: të jenë individualisht të lirë kundër ardhësve. Ky është një program i marrë, që injoron gjërat më të holla të jetës dhe vetëkënaqësinë që rrjedh nga bindja ndaj rregullave të arsyeshme. 

Në qoftë se ka qenë kështu kur shqiptarët ishin të pushtuar, cili është shkaku që shqiptarët nuk i përqendruan energjitë për të begatuar vendin e tyre, kur u krijua shteti shqiptar? Shkaku duhet kërkuar te ajo veti e keqe e karakterit të shqiptarit që përmend Mid’ hat Frashëri, kotësia, të cilën ai e quan si burimin e të gjitha të këqijave për shqiptarët. Nëse ka ndonjë mit që ka qenë produkt i kotësisë së shqiptarëve dhe që i ka dëmtuar më shumë ata, ky është miti se meqenëse toka shqiptare ka pasuri të shumta nëntokësore, dhe shqiptarët flenë mbi flori, atëherë ata do të jetojnë në pasuri me të ardhurat e fituara nga nxjerrja e këtyre pasurive nëntokësore. Pasuritë nëntokësore do t’ i nxirrnin sigurisht të huajt të cilët do t’ i ndanin fitimet me shqiptarët. Disa shqiptarë sigurisht që duhet të punonin me të huajt për nxjerrjen e këtyre pasurive, por me paga shumë të mira. Kjo mendësi i la shqiptarët në gjendje vegjetimi, duke mos punuar mbi tokë, ku, gjithashtu, kishin pasuri të mëdha, toka bujqësore, bregdet, pyje, lumenj. Fan Noli e quante për detyrë që t’ ua hiqte bashkatdhetarëve të tij këto ide të gabuara. Prandaj, ai, në një fjalim të mbajtur në parlament, në 1923, iu tërhiqte vëmendjen shqiptarëve që të mos vegjetonin me shpresën e të ardhurave nga pasuritë nëntokësore, por t’ i viheshin punës për të shfrytëzuar pasuritë mbitokësore:

 

      Shqipëria ka pasurinë që duket, e cila është përmbi tokë dhe pasurinë që s´duket, nën tokë. Uroj me gjithë zemër që pasuria nën tokë të jetë më e madhe se sa e kujtojmë, po është marrëzi të kryqëzojmë duart e të presim të gjitha të mirat nga kjo pasuri problematike e të lemë të pazhvilluar pasurinë parimtare, e cila sikundër na sigurojnë të gjithë ekspertët e huaj, është e mjaftë për të ushqyer dhjetë herë më tepër ndenjës(banor) se sa ka Shqipëria sot

Këto fjalë që Noli u drejtonte shqiptarëve dhe reagimi i shqiptarëve ndaj tij, ngjajnë shumë me bisedën e Edith Durhamit me malësorët dy dekada para këtij fjalimi të Nolit,   ku Durhami u quajt gënjeshtare nga malësorët kur iu tha se prosperimi ekonomik i një vendi arrihej duke paguar taksa njerëzit me paratë që i kishin fituar duke punuar shumë. Në qoftë se Fan Noli mendonte se mjaftonte që dikush t’iu thoshte me zë të lartë  shqiptarëve, që të hiqnin dorë nga ëndrrat me sy hapur se do të jetonin në begati, pa punuar, me të ardhurat e marra nga shfrytëzimi i pasurive nëntokësore prej të huajve dhe t’i viheshin punës së rëndë për të begatuar vendin, pasi shqiptarët do të zgjoheshin nga ky ëndërrim me sy hapur, ai e kishte shumë gabim, siç e tregoi koha. Sepse shqiptarëve nuk iu pëlqente që të dëgjonin fjalë të tilla që prishnin iluzionet e tyre. Nuk donin ta pranonin se begatimi ekonomik vinte me punë të vështirë. Shumica e shqiptarëve të asaj kohe, ashtu si shqiptarët e sotëm, me punë kuptonin, ose që të gjenin një vend pune shtetëror, ose që të hapnin një dyqan ku të rrinin në karrige duke e kaluar pjesën më të madhe të kohës duke bërë muhabet me të njohurit që hynin e dilnin në dyqan për të vrarë kohën. Mid’hat Frashëri, shkruan për këtë prirje të shqiptarëve në 1923:

      Me mijëra njerëz në vendin tonë thonë se janë tregtarë, tyxharë. Po në të vërtetë janë njerëz pa punë. Hyni në dyqan të tyre, ç’ të shihni? “Tregtari” ynë është shtruar këmbëkryq, me cigar në dorë dhe finxhan’ e kafesë përpara; dimërit ka një mangallë dhe rreth shpuzës bën muhabet me miq. Brënda vlefta e plaçkës “sermajaja” s’kapërcen dy mexhitka: dy okë kripë, njëqint dërhem piper, tri tërkuzë, dy mendile të kuqe, katër qelqe llambe. Dhe me këto plaçkurina fiton dhjetë franga në muaj- në mos dhe në mot-po gënjen veten, të shoqen dhe fëmijët: jam tregtar  

Nëse Mid’hat Frashëri do të shihte qytetet e sotme shqiptare, të mbushur pëllëmbë e dyqane, të cilët kanë një xhiro të vogël ditore, do të thoshte se gjendja nuk ka ndryshuar. Çifti britanik Jan e Cora Gordon, që e vizitoi Shqipërinë nga Tirana, në Jug e në Veri, në 1925, do të vinte re të njëjtën gjë në qytetin e Elbasanit:

Elbasani është pa ekzagjerim një farë dyqani. Me dhjetë mijë banorë që ka qyteti, atje ka pothuajse një mijë dyqane, kështu pra duke zbritur nëpunësit e qeverisë, gratë dhe fëmijët e shumtë në numër, duket sikur çdo person në Elbasan mban një dyqan ose diçka të ngjashme. Mbajtja e dyqaneve nuk ishte barrë ose mundim, në përgjithësi. Përmasa mesatare e një dyqani është afërsisht 3 m i gjatë dhe 2 m i gjerë (afro 6 m²), por me një qira vjetore prej gjashtë stërlina dhe dhjetë shilinga, në kushtet e një konkurrencë të madhe, është problem të arrish që dyqani të mbajë të zotin. 

Elbasani ka ndryshuar që nga ajo kohë vetëm në atë që dyqanet janë rritur në raport me rritjen e popullsisë. Dhe të huajt që vizitojnë Elbasanin sot kanë të njëjtën përshtypje si çifti anglez Gordon. Jo më i paktë se numri i dyqaneve, është numri i kafeneve, në të gjitha qytetet e Shqipërisë, duke përfshirë edhe Elbasanin. Shumicën e dyqaneve dhe të kafeneve i kanë dhënë pronarët me qira dhe vetë jetojnë duke e kaluar kohën nëpër kafenetë e tjera. Edhe ata që kanë tokë bujqësore, mendimin e parë e kanë të gjejnë ndonjë mundësi për ta dhënë me qira, jo ta punojnë vetë. Ky është koncepti i vjetër turk i “iradit” për të cilin Mid’hat Frashëri fliste   gjithmonë.

 Historikisht shqiptari është mjaftuar me pak të ardhura financiare, kur ka qenë fjala që ato t’ i fitojë me punë të rëndë nga prona e tij. Sigurisht që shqiptarit i ka pëlqyer të ketë shumë të ardhura financiare, të ketë luks, por me kusht që këto t’ i fitonte lehtë, me anë të plaçkitjes në luftë, ose me anë të hajdutërisë dhe të cubërisë. Edhe sot shumica e shqiptarëve e pëlqejnë pasurimin dhe jetesën luksoze, por jo të siguruar me punë të rëndë, por me veprimtari kriminale, si trafiqet e drogës e të qenieve njerëzore, apo korrupsioni në postet publike. Shqiptari të cilit i duhet të jetojë me punën e vet, mjaftohet në shumicën e rasteve me të ardhura sa për të siguruar minimumin e jetesës.

Mid’hat Frashëri, në 1926, në studimin e tij “Për të formuar karakterin”, thotë se shqiptarët për nga karakteri nuk e pëlqejnë punën e rëndë:

      Por te njeriu dhe sidomos te shqiptari, fle dhe një e metë tjatër: arbëreshit nuk i pëlqen shumë puna e dorës, lodhja e krahut. Jo vetëm që e shikon si një fatkeqësi lodhjen, por e ka për turp punimin. Sot mbase nëntëdhjetë e nëntë përqint e djemve katundarë që frekuentojnë shkollën, janë të bindur se, ay që nxë të shkruajë e të këndojë, më nuk duhet të punojë me krahë. Mësuesi duhet të ketë kujdes që të zhduknjë këtë ide të dëmshme. Duhet të bindnjë nxënësit, se puna është jo vetëm një nevojë, por edhe një detyrë, që s’ ka njeri të përjashtohet prej këtij ligji, që asnjë punë dore, as të mihurit tokën, as të ngarët qetë, as të goditurit mur, as të mbajturët gurë, nuk është turp. 

Shqiptarët që shkuan në emigracion pas vitit 1990 bënë punë të rënda vetëm kur nuk kishin alternativë tjetër dhe pastaj kur i investonin paratë e grumbulluara në Shqipëri, në vend që të hapnin një biznes ku të punonin vetë, sipas profesionit që kishin mësuar në vendin ku kishin qenë emigrantë, ata blinin dyqane dhe lokale për t’ i dhënë me qera, si dyqane, kafene, restorante dhe për të nxjerrë të ardhura në formë “iradi”, siç thotë Mid’ hat Frashëri më lart. Shkurt, shqiptarët, sapo u jepet  mundësia më e parë, heqin dorë nga puna e rëndë, megjithëse nga ajo mund të nxjerrin shumë më tepër të ardhura dhe kërkojnë të jetojnë duke vegjetuar me të ardhurat e qerave.

Është shumë i vogël numri i shqiptarëve të cilët kanë shkuar në emigracion dhe kanë punuar fort, për të ndërtuar biznesin e tyre, me të ardhura të mira dhe pastaj kanë ardhur në Shqipëri jo për të vegjetuar por për të krijuar një biznes që të jetë veprimtari prodhuese. I tillë është rasti i Ekrem Bardhës, i cili pasi vuri pasuri me punë të mundimshme në Amerikë, erdhi në Shqipëri dhe duke punuar fort ndërtoi një platancion të madh me vreshta së bashku me kantinën për prodhimin e verës. Në kujtimet e tij ka një fragment që ndoshta duhet të përfshihet në tekstet shkollore shqiptare për t’ u mësuar fëmijëve dhe të rinjve etikën e punës. Eqrem Bardha shkruan sesi e nisi punën me një restorant McDonalds në Amerikë për t’ i bërë pastaj 18 të tillë:

Për të vendosur rregullin m’ u desh të punoja shtatë ditë në javë nga pesëmbëdhjetë orë ditën. Prej punonjësve të tjerë të lokalit studentët nuk druheshin, ndërsa kur shihnin pronarin në sallë, tregoheshin më të përmbajtur. Më shumë me mirësjellje se sa me urdhra arrita të mënjanoja lodrat e tyre brenda lokalit, shpërdorimet si dhe prishjen e rregullave të mirësjelljes. Si rezultat klientela filloi të shtohej dhe restoranti të frekuentohej më shumë. Megjithatë e ndjeja se kjo nuk ishte e mjaftueshme. Duhej përmirësuar edhe mjedisi i brendshëm, pajisjet, vendosja e tyre. Shpenzova edhe treqind mijë dollarë të tjerë brenda vitit për ristrukturimin dhe zbukurimin e restorantit brenda dhe jashtë, derisa i dhashë formën që dëshiroja. Gjatë një viti humba nga sytë e shoqërisë, nuk dukesha as në xhami, as në kishë, as në Teqen Bektashiane, ku më parë shkoja shpesh të bisedoja me Baba Rexhebin. Jo se nuk kisha dëshirë, por se nuk më mjaftonte koha. Pas një pune 14-15 orëshe në restorant, shkoja në shtëpi që të pushoja sadopak, të mblidhja veten, se të nesërmen do të kisha përsëri një ditë të lodhshme përpara .

Këtu nuk ishte fjala për një emigrant që hapte një restorant, siç ka ndodhur shumë shpesh me shqiptarët në Amerikë, por për një nismë shumë të veçantë, të një shqiptari që me kurajë të madhe i hynte sfidës për të fituar   me punë   besimin e një kompanie me shtrirje globale që kishte një zinxhir ndërkombëtar restorantesh, derisa arriti të kishte një segment prej 18 restorantesh brenda këtij zinxhiri me shtrirje botërore. Dhe ky njeri i mësuar me punë të vështira, pas hapjes së Shqipërisë erdhi këtu për të investuar dhe punuar ashtu siç e kishte zakon, pavarësisht se tani ishte bërë një bos, pra me duart e tij, duke bërë mrekulli siç e tregojnë vreshtat që ngriti nga hiçi në Marikaj pranë Tiranës, dhe kantina e verërave atje. Ai është një biznesmen që ka një veprimtari prodhuese në Shqipëri, që është pikërisht lloji i biznesit për të cilin ka nevojë ekonomia shqiptare. Ai nuk ishte një biznesmen që vinte në Shqipëri nga Amerika për të fituar si të mundte, por edhe një idealist shqiptar që donte t’ u tregonte bashkatdhetarëve një model sesi një biznesmen që vjen nga jashtë vendit në atdheun e tij, siç mund të jetë rasti me shumë shqiptarë që jetojnë në emigracion, mund të krijojë një biznes prodhues, të suksesshëm dhe fitimprurës.   Ne shqiptarët jemi Ekrem Bardha kur punojmë fort, për veten tonë në radhë të parë, por edhe me idealizëm, pa individualizmin destruktiv karakteristik për ne. Mund të ketë edhe raste të tjerë si Ekrem Bardha, por unë zgjodha atë për ta paraqitur si shembull edhe për faktin se kam lexuar librin e tij interesant me kujtime të cilin e kam cituar më lart. Pastaj Ekrem Bardha meriton të sillet si shembull se ai i ka edukuar dhe fëmijët e tij me dashurinë për Shqipërinë, ndonëse ata nuk kanë lindur në Shqipëri. Dhe në sajë të këtij edukimi fëmijët e tij janë shumë të lidhur me Shqipërinë, madje edhe punojnë këtu me projekte të rëndësishme si vajza e tij zonja Donika Bardha.

Ekrem Bardha me biznesin e tij, me vreshtat e tij të gjelbëruara, kuroi me sa mundi edhe një plagë të sotme shqiptare që është shkatërrimi i mjedisit, duke dashur t’ u japë një mësim shqiptarëve se mjedisi duhet mbrojtur si një pasuri kombëtare. Sepse Individualizmi destruktiv i shqiptarëve shfaqet edhe me mungesën e hezitimit që kanë për të bërë shkatërrime të mëdha të natyrës, kur është fjala për të nxjerrë të ardhura financiare të çastit. Ata nuk pyesin se kështu bëjnë një dëm të madh, jo vetëm ndaj komunitetit, por edhe ndaj vetvetes. Kështu sot barinjtë iu venë zjarrin kullotave për t’ i bërë pjellore për një apo dy vjet, pa u shqetësuar se kështu djegin edhe pyje të tërë dhe shkaktojnë rrëshqitje të dheut, duke u shkatërruar shpesh edhe vetë shtëpitë e tyre. Ata marrin zhavorr në shtretërit e lumenjve pa menduar se kështu prishin një mbrojtje natyrore të tokës dhe sjellin si pasojë vërshime të lumenjve dhe erozion të tokës ku kanë parcelat bujqësore dhe truallit ku kanë ndërtuar shtëpitë. Shqiptarët presin lëndë drusore në pyje pa pyetur për dëmin që bëjnë duke shkatërruar pyjet, e me këtë shkaktojnë rrëshqitje të dheut, duke humbur kullotat e tokat bujqësore. Por edhe kjo nuk është një gjë e re në sjelljen e shqiptarit. Në vitet ‘20, At Anton Harapi ankohej se:

 

      Malcori e katundari nuk e ban mall landën e bimën; e pret, e than, e qet fare, të thuesh për argtim, a për nevojë qi s’ janë nevojë. Për me xjerrë nji tra në mal a në pyllë, aj çon dam njizet tjerë; do me ba nji barrë dru, e than krejt nji bri mali: bariu i ep zjarrmin bjeshkës, e sillet e shikjon me knaqe, si të kish mujtë nji luftë; për me ba nji koshiq thekën, për me xjerrë kullosën e dhetë a pesëmdhet dhenvet, aj nuk ka dert pse zharritet e dermohet nji bjeshkë a nji pyll anë m’ anë. 

Kjo gjë nuk ndodhte vetëm në Shqipërinë e Veriut, por edhe në atë të Jugut dhe në Shqipërinë e Mesme dhe ndodh edhe sot e kësaj dite, në të gjithë Shqipërinë. E për ta vendosur në Shqipërinë e sotme këtë tablo të shkatërrimit të të natyrës që na paraqit At Anton Harapi, nuk na duhet të heqim ndonjë gjë prej përshkrimit të tij, por vetëm të shtojë gjëra të tjera, si furrat e gëlqeres dhe guroret, të ngritura në mënyrë abuzive në kundërshtim me rregullat e ruajtjes së mjedisit, e që shkaktojnë dëme të mëdha.

Një tjetër shprehje e individualizmit vetëshkatërrues të shqiptarëve dhe kotësisë që ndikonte në veprimet e tyre ekonomike, duke u sjellë dëme të mëdha, ishte depozitimi masiv i parasë që bënë shqiptarët sidomos në vitet 1995-1997 në firmat piramidale, me shpresën se do t’ i rrisnin disa herë paratë e depozituara. Pavarësisht se e kuptonin se në fund skema do të dështonte dhe shumë vetë do të dilnin të humbur, secili mendonte se ai vetë do të dilte i fituar. Kotësia nxiste dëshirën për të nxjerrë të ardhura të mëdha pa punuar. Por në fund humbën të gjithë, përveç atyre që i drejtonin këto skema dhe atyre që kishin lidhje me pushtetin.

Kur shtrohet pyetja “Kush jemi ne shqiptarët?” sa i përket ekonomisë dhe punës , përgjigjia nuk është shumë e favorshme për ne. Ne shqiptarët kemi talent për biznes, por nuk na pëlqen shumë puna e rëndë, megjithëse në emigracion kur jemi të detyruar të punojmë fort, tregojmë se dimë ta bëjmë edhe këtë shumë mirë. Ne shqiptarët sidoqoftë vuajmë pasojat e një kulture të gabuar të punës dhe akoma nuk kemi fituar kulturën e duhur të biznesit.

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.