KULTURË

LETËR MIMIKËS SË NDREKË LUCËS/ Kur vinte ta priste me biçikletën e tij të vjetër

11:59 - 03.03.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Miho Gjini – E dashur Mimi! Po të shkruaj një copë letër, pa e ditur se ku ndodhesh. Me siguri që edhe mund të habitesh që po të kujton shoku yt i klasës Miho Gjini, aq më tepër pas 57 vitesh! Se jemi në një kohë të ndërmjetme që s’dimë se ku ndodhemi, se jemi as jemi fare, në jemi gjallë a kemi vdekur! Po gjithsesi imazhi ynë mbetet i fiksuar në ato 4 vite të lumtura e të paharruara të Shkollës së Lartë të Aktorëve “Aleksandër Moisiu”, kur ndjenja e mrekullueshme e artit, shoqëria, miqësia e dashuria njerëzore, ishin të shtrenjta, të shenjta e te pa zëvendësueshme! E asgjë nuk “fshihet me gomë”, as “tretet mbi dhe a nën dhe”. Se emra të tillë si Mimika, Edi, Bexheti, Donika, Filika, Aisheja, Maxhideja, Marjo, Serafini, Alberti, Bernardi, Viktori e me radhë, nuk harrohen për jetë të jetëve…
Mbase më pate harruar, e dashur Mimi, mua Miho Gjinin, “Peshkopin e ndrojtur të librave”, interpretuesin e Memecit tek Përralla “Ylli i Alpeve”, atë rojtarin pijetar tek komedia e Shekspirit “Shumë zhurmë për asgjë”, që lozte çakërrqejf bashkë me Robert Ndrenikën dhe sidomos atë Avokatin shqiptaro-amerikan Petro ( te “Martesa e një avokati” të Foqion Postolit, të mbiquajtur Piterson!) që e interpretuam së toku, moj Mimi, bashkë me Aishen dhe Marien?! Qenë vite të bukura ato, para se të vinin prishjet e mëdha , njera pas tjetrës e mbas asaj gjëme që më ngjau edhe mua, kur më “palosën” për një tjetër shfaqje teatrore që nuk i pëlqeu Diktatorit e më zhytën disa pashë nën dhe!




Po ja ku jam edhe tani, tek hyjë poshtë një portiku gjigand në “Labinot Fushë” të Elbasanit dhe përballem me portretin e qeshur të aktorit Ndrekë Luca, bashkëshortit tënd të ndjerë dhe të portretit të shoqes time të klasës. Në murin e një maketi-godine, imitacion i Kinostudios, si edhe më tej të Akademisë së Arteve dhe mbetem pa frymë!

Gjithçka mu kthye gjysmë shekulli mbrapa: Balerina Mimi që erdhi pak me vonesë në klasën tonë, aktori Ndrekë që vinte dhe e priste Miminë, pas etydeve të “Mjeshtërisë së Aktorit”, për ta marrë me biçikletën e tij të vjetër, si edhe stepja jonë studentore që ndodheshim të befasuar para aktorit të “tmerrshëm” që interpretonte Jagon e Shekspirit, duke të parë njëherësh tinëzisht edhe tya, o shoqja jonë shumë e dashur e tepër e ndrojtur, me bishtin e syrit! Ndërsa ne që vajtëm aty te puna e tët biri, shohim po kaq të mrekulluar njeri-tjetrin: unë Mihoja, Josifi (Papagjoni), Feridi (Hudhri) dhe Agroni(Xhangolli), miq të hershëm, po kaq edhe të pandarë. Se, sikundër lexojmë një citat të shkruar me germa kapitale në një faqe muri: “Është më zor të bësh bashkë dy shqiptarë, sesa një thes me pleshta!”(Konica), Dhe ja tek bëjmë njëfarë përjashtimi ne të katërt, që për pesë dekada, nuk na ndau dot njeri. Po këtu, ky Gjergji yt, e ka mbushur edhe me citate të tjera të mençura nëpër mure godinash e fabrikash për prodhimet e detit, me ndërtime të tjera funksionale, me hapësira urbane, lulishte, piktura e skulptura, me sajesa të këndshme, kënde çlodhëse e lokale, të cilat, në harmoninë e tyre ngjajnë si një makete gjigand xhirimi filmash, si ato të Hollivudit, për të përfunduar tek tunelet e Enver Hoxhës në një faqe mali (për t’u mbrojtur nga amerikanët, më pastaj nga rusët e paksa më vonë edhe nga Kinezët!), mbi të cilët ngrihet tani i madhërishëm busti gjigand i Gjergj Kastriotit, ideuar po nga ky Gjergj Luca yt!

Dhe u dashka që të largohesh prej këndej e të të “bombardojnë” mendimet e të të “sulmojë” një “PSE” e madhe dhe sfilitëse: “Ç’mund të bëhej vallë me gjithë ato fabrika e kombinate, reparte ushtarake, tunele e bunkerë të panumërt që u ngritën dikur me parat e popullit e me një punë vullnetare rraskapitëse prej skllevërve të bindur, gjatë periudhës së tmerrshme të diktaturës, të cilat më pas, në sistemin tjetër tranzitor, ca më keq akoma, u shkatërruan, u vodhën e ca u kthyen në gërmadha?! Ç’i kemi bërë Perëndisë, moj Mimi, që ranë mbi ne të gjitha ndëshkimet?! Përse nuk punohet tek ne gjithkund, sikundër bëri djali yt i mençur, që dha kështu një shëmbëlltyrë të shkëlqyer të shndërrimit të gërmadhave në disa “bina” me vlerë për njerëzit, që punësoi aty terë ata familjarë të zonës, zanatçinjsh, inxhinierësh e arkitektësh, të cilët, jo pak herë, “vrasin miza” si ai N/prefekti i Robert Ndrenikës në një film të Saimir Kumbaros, që e ka “qarë” mrekullisht me interpretimin e tij?!

Po me ata qindra-mijëra aktor që kanë mbaruar shkollën tonë, ç’bëhet e çdo të bëhet, e dashur Mimi? A nuk hyjnë edhe ata në këtë “masë inerte të papunësh” që është krijuar këtu tek ne?! Kam parë, jo pak herë në disa fabrika të braktisura të Athinës e në një distileri alkooli, po ashtu të braktisur, në Toronto të Kanadasë, që jepen edhe shfaqje skenike, spektakle muzikore e hapen ekspozita të artit pamor, ku për habi dynden një mori e madhe spektatorësh kureshtarë! Më bëhet zemra mal, e dashur Mimi, shoqja jonë e mirë, aktorja e heshtur, balerina e dikurshme e Teatrit të Operës, si edhe dramaturgia e parë që doli nga klasa jonë me emër të mirë. I paharruar të jetë emri e kujtimi i NDREKË LUCËS!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.