Homo Albanicus

A do të vijë anti-amerikanizmi në Shqipëri?!

08:00 - 07.03.20 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ka mjaftuar përballja e kryeministrit të ri kosovar Albin Kurti me taksën ndaj mallrave serbe dhe imponimin disi jashtë kornizave të detyruara të SHBA-së për dialogun me Serbinë, që të shpalosen qëndrime të ndryshme sa i përket mbështetjes pro-amerikane në Shqipëri dhe në Kosovë. Debatet u ashpërsuan ditët e fundit në Shqipëri, kur veç akuzave ndaj presidentit Meta me gabimin foshnjarak të shfrytëzimit të imazhit të flamurit amerikan, e ndoqën politikanët e tjerë në garë për të treguar valencën e afrimit me SHBA dhe kuptohet shumica me justifikimin e borxhit të madh që Kosova dhe Shqipëria ka ndaj administratës amerikane në stade të ndryshme të arritjeve demokratike të dy shteteve shqiptare.




Në fakt, argumentit tonë i mungon një e dhënë thelbësore dhe ajo ka të bëjë me një studim të thelluar për anti-amerikanizmin në vend. Kuptohet se janë bërë matje për mbështetjen, por jo studime të thelluara për argumentin tonë. E, kjo, jo se rrjetit të ndryshëm të OJQ-ve në vend nuk i ka shkuar ndërmend apo se nuk do ta bëjë, por përgjigjet pothuaj dihen: Mbase të dhënat nuk janë ato të viteve të para ’90, kur shqiptarët pritën emisarët e parë të mëdhenj dhe sidomos pas investimit të SHBA në luftën e Kosovës, por shqiptarët janë në përqindje të madhe një komb pro-amerikan.

Perceptimit i mungon dhe një e dhënë shumë e madhe: Përcaktimi real se çfarë është anti-amerikanizmi në vitin 2020?! Në këtë qerthull, dy studiues Colin W. Lawson dhe John Hudson në artikullin e tyre Who is Anti-American in the European Union?-realisht treguan se pse termi anti-amerikanizëm është kaq shumë i zakonshëm në debatin publik dhe akademik në dekadën e fundit. Në fakt studimi është i vitit 2015 dhe si bazë ishin marrë të dhënat e Eurobarometrit 2003, 2005 dhe 2006, ku pothuajse 20% e të anketuarve të Bashkimit Evropian (BE), nuk pranonin politikën e SHBA në të pesë çështjet e shtruara prej anketave. Çështja kryesore që shtruan ata në metodologjinë e tyre dhe sfida e vërtetë ishte përcaktimi real se çfarë është koncepti i anti-amerikanizmit në ditët tona! Dhe, mes shumë referencave, që zgjodhën ata, ne kemi zgjedhur disa syresh: ajo që e përkufizon anti-amerikanizmin si “një model të vazhdueshëm të kritikës së rëndë të vlerave kryesore të Kushtetutës së SHBA” (Spiro.1988). Gati dy dekada më vonë, studiuesi i njohur Krastev (2004) e përkufizon anti-amerikanizmin si “kundërshtim të çdo politike thjesht sepse është miratuar nga qeveria amerikane”. Pak a shumë një mendim realist për këtë argument për të ardhur tek një studiues tjetër, i cili e sqaron ndryshe atë që e bashkon të gjithë këtë frymë. Studiuesi Fabbrini (2002) vëren se “. . . në Evropën (kontinentale), anti-amerikanizmi duket se është një nga ato pak filozofitë publike që mund të bashkojnë pjesë të mëdha të së Majtës, të Djathtës dhe të kishës katolike”.

Për t’u futur më në thellësi e për ta kuptuar më mirë anti-amerikanizmin duhet të kuptojmë sjelljen e Francës ku gjendet, sipas matjeve evropiane, një masë e madhe anti-amerikane në vend. Megjithëse me një lidhje historike të spikatur mes vete dhe shumë të vjetër Shtetet e Bashkuara nuk ia falën Francës borxhet e saj të Luftës së Parë Botërore. Nga ana tjetër, Presidenti Ruzvelt fillimisht e favorizoi Republikën e Vichy, ndërsa kërkonte një qeveri realisht ushtarake të pas luftës. Ndërkohë, studiuesit, të cilëve edhe iu jemi referuar në këtë artikull thonë se komentatorët francezë shohin një përplasje midis idealeve të civilizimit francez dhe avokimit amerikan për pikëpamjen e tyre ndaj demokracinë. Për Francën sot, demokracia amerikane ka çuar dhe përfshin një formë të papranueshme gati hakmarrëse dhe disi të paqartë të kapitalizmit (Grunberg, 2005; Todd, 2003).

Dhe, vimë në rastin tonë. Armiku më i madh i Shqipërisë socialiste nga 1946-1989 ishin SHBA-të. I gjithë narracioni dhe epika vendase kishte një metaforë, kalaja e fortë dhe e vogël, kundër gjigandit imperialist amerikan, burimit të gjithë të këqijave. Kuptohet se prej dekadash e kemi  braktisur këtë narracion, por aman në koshiencë ka mbetur fuqia e errët amerikane dhe jo pak herë nën perceptimin ideologjik të Majtë dhe të Djathtë ka pakënaqësi sa i përket qëndrimit amerikan ndaj demokracive të vendeve të ndryshme. E jo krejt rastësisht, të gjithë zyrtarët e lartë shqiptarë i kanë sjellë probleme SHBA-së. Berisha me embargon, Nano me paqartësinë e tij me Millosheviçin, Meta me problemet e tij jo të pakta dhe Rama në fund me kritikat e tepruara ndaj presidentit Trump në momentin e kandidimit. Pra, edhe pse i detyrohemi absolutisht SHBA-së nuk mund të harrohet se jo pak herë fërkimet tona kanë qenë jo të vogla. Disa nga votimet e Shqipërisë në OKB, disa qëndrime të saj specifike me probleme që nuk shkonin me Amerikën realisht kanë treguar probleme jo thjesht moskuptimi në palën shqiptare. Nuk është rasti ynë të flasim për Kosovën, krijesën e SHBA në Ballkan, por një gjë nuk duhet harruar: Disa herë administrata amerikane ka folur përtej vijave për zyrtarët kosovarë që ajo ka mbështetur. Kuptohet se përballja shqiptare është pothuaj e padukshme në SHBA, që nëse nuk do kishte ato struktura në Departament me përgjegjësi të mëdha dhe specifike për rajonet në botë, atëherë shumica e zyrtarëve të saj as nuk do e dinin fare se ku binte Shqipëria.

Por, tashmë na mbetet të perceptojmë realisht SHBA-në, qëndrimin tonë dhe realisht pse e duam ende atë në këtë masë, që ta kemi dhe mbi të gjitha pse jo pak herë dalin zëra debutues, që po sjellin një si frymë anti-amerikanizmi? A po ravijëzohet një frymë evropiane mbi atë amerikane për hir të procesit të integrimit? Apo SHBA e ka mbaruar misionin, që e artikuloi dikur Presidenti Bill Klinton në Asamblenë e Përgjithshme të OKB në Shtator 1993: “Lufta e Ftohtë ka mbaruar. Bota nuk është më e ndarë në dy kampe të armatosur dhe të mllefosur. Kanë lindur dhjetëra demokraci të reja. Është një moment mrekullish”.

A duket se jemi në një stad, që po duam ta braktisim mrekullinë e demokracisë, që identifikohet me SHBA-të, për t’u zhytur si gjithnjë në atë batakun tonë? Ndoshta, por klasa e re e politikanëve shqiptarë po e kërkon identitetin më shumë në kontinent dhe me narracione të tjera. Për këtë na duhet një studim, në mënyrë që Albin Kurti dhe Edi Rama  të shohin realisht sesa duhet t’i llogarisim SHBA-të edhe në të ardhmen si aleatin krysor. Por detyra më e vështirë për të gjithë duket se është dilema jo fare e thjeshtë: a po vjen anti-amerikanizmi në vend?! (Homo Albanicus)

-Referencat janë shfrytëzuar nga artikulli Who is Anti-American in the European Union i Colin W. Lawson dhe John Hudson.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.