MILOSAO

Njeriu kurth…

12:45 - 08.03.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Besim Fusha – …Mili nuk ju vret. Por, më zi se aq, ju zë të gjallë… Mili ju kap gjallë në gjendje të pagatuar… dhe ju përpëliteni në fotografinë e tij si peshku në rrjetë… Mili është njeriu kurth… – ka ca marifete… të ve në provë… simbas tij ka po aq mënyra për të dalë në fotografi, sa çka edhe njerëz… – tha Zhan Pol Sartri.
* * *
Gjon Mili – shqiptaro-amerikani, që, me artin e tij, ndjesoi Botën. Fotograf. “Shqiptari gjenial” – e quante dramaturgu irlandez Sean O’Casey. Dhe thënia niste Botën, duke e braktisur autorin. Mbase sepse, diçka përtej autorit, i adresohej vërtetë gjeniut që “kurthoi…” gjenitë: Pikaso, Matis, Sofia Loren… Sekondçaste domethënëse nga jeta e tyre. Përjetësimi. Dhe, madhështie figurative…
* * *
Prof. Dr. Safete Musa Juka (1921-2005) – (shqiptaria me vlera akademike në filozofi, art dhe letërsi franceze – lektore në Universitete me vlera – Profesoreshë në Harvard… – universitet që ka “prodhuar” 8 presidentë amerikanë dhe 40 fitues të çmimit “Nobel”. Ismail Kadare, e ka cilësuar si intelektualen më të madhe shqiptare…) – i shkruan një miku dhe kolegu, Lec Shllaku, mbas vdekjes së Gjon Milit:
…Gjon Mili, mbas nji udhëtimi në Rumani, pat botue, në LIFE Magazinë, një artikull në lidhje me familjen e vet. N’at artikull flit’te gjatë për nanën e ma shkurt për të jatin. Thonte kjartas se e ama ishte shqiptare, përsa i përket babës, nuk u kuptonte krejtë mirë prej tekstit në se edhe aj, si e ama, ishte shqiptar. Përfitova prej rastit, kur i shkrueva për ekspozitën… për me e pyet për kët gja. Gjon Mili m’u përgjegj pa vonesë tuej më thanë se nuk do të kishte dëshërue qi ndokush të kishte dyshim për origjinën shqiptare të babës së tij. Aj shtonte se, në fakt, si prindët e tij, ashtu edhe aj vetë, kishin lindë në Korçë.




 

…Gjon Mili, mbas nji udhëtimi në Rumani, pat botue, në LIFE Magazinë, një artikull në lidhje me familjen e vet. N’at artikull flit’te gjatë për nanën e ma shkurt për të jatin. Thonte kjartas se e ama ishte shqiptare, përsa i përket babës, nuk u kuptonte krejtë mirë prej tekstit në se edhe aj, si e ama, ishte shqiptar. Përfitova prej rastit, kur i shkrueva për ekspozitën… për me e pyet për kët gja. Gjon Mili m’u përgjegj pa vonesë tuej më thanë se nuk do të kishte dëshërue qi ndokush të kishte dyshim për origjinën shqiptare të babës së tij. Aj shtonte se, në fakt, si prindët e tij, ashtu edhe aj vetë, kishin lindë në Korçë.
* * *
Kur hapi një ekspozitë në Paris (1946), prezantuesi e quajti Xhon… Gjon Mili – korigjoi… – tha se diku në këtë Europë ndodhet edhe në Shqipëri… dhe shqipja e ka një Gj. – që më piknis emrin… Heshtje. Që përshpejtoi ta përzente Zhan-Pol Sartri: “… kjo që thotë Gjoni do duartrokitur!” Dhe, nisi i pari. Nisi edhe fjalën e famëshme që Gjon Mili e mbante brenda vehtes si një hajmali… Zhan-Pol Sartri i madh, tha:
Mili ka një kokë milingonangrënësi, një hundë që shkon t’i marrë erë botës shumë përpara tij, a thua se do ta zhysë papritmas në ndonjë fole milingonash, e pastaj, nën këtë hundë, shumë më prapa, ca mustaqe të vogla. Nga pjesa tjetër e fytyrës, sy, mollëza, flokë katrahurë, ai do të ngjante më fort me një cub malazez. Gjithsesi, është gjuetar dhe mishngrënës. Nuk kisha njohur, para tij, veçse fotografë me gjak të shterpët, që fotografonin nga inati, ashtu siç vritet. Mili nuk ka inat; atij i pëlqen gjithçka: të hajë, të pijë, të kërcejë; e njeh Harlemin më mirë se asnjë i bardhë, Nju Jorkun më mirë se askush. Ai është i lumtur. Nuk ka dëshirë t’ju vrasë. Puna është më zi se aq, do t’ju zërë të gjallë. Në portretet tuaja më të mira, ju jeni të vdekur të balsamosur, të kripur në hiposulfit, ashtu siç ju shndërron në brendësi më në fund përjetësia. Mili ju kap gjallë në gjendje të pagatuar dhe ju vazhdoni të përpëliteni në fotografinë e tij, si peshku në rrjetë, si puna e atij zhonglerit me cilindër të mëndafshtë që vazhdon të bëjë trishtueshëm në atë pamje numrin e tij dhe topat e të cilit herë dalin nga lëvizja përgjysmë si prej një bataku, herë përlloçen në të, herë shkrihen krejt me të, apo si ato kërcimtaret zezake që ai i ka futur në një kafaz e që hidhen më kot në tavan në përpjekje për të dalë andej, apo si ajo gruaja lakuriqe që ngjan si e parë me sytë shumëplanësh të mizave. Ai është një njeri-kurth dhe, për t’ju bërë të shkujdesur, ka ca marifete prestidigjitatori; ai nuk kënaqet që t’i kapë njerëzit e famshëm me aparatin e tij, por bën hall që çdo fotografi të jetë një vënie në provë: sipas tij, ka po aq mënyra për të dalë në fotografi sa ç’ka edhe njerëz. Po të bini brenda, jo vetëm që do t’ju ketë ngulur për së gjalli me gjilpëra me kokë në koleksionin e tij, por edhe do t’ju ketë vëzhguar, do t’ju ketë njohur: do t’i jeni dorëzuar dyfish. Popujt primitivë të Deteve të Jugut, siç tregohet, nuk lënë njeri që t’i fotografojë; u duket se po i robërojnë dhe se po ua rrëmbejnë timonin nga duart për jetë të jetëve. Shiheni fotografinë e Molotovit nga Mili dhe do ta kuptoni mençurinë e tyre.
* * *
Ka qenë messhkurti i vitit ’84, kur mbarë Bota njoftonte vdekjen e Gjon Milit. (Bazuar në të shpejtën “The New York Times”). Shqiptarët këtu, të shurdhër e të heshtur… (Radiovalët që mund të çanin pengesat dëgjoheshin “hajdutshe”… e, po “hajdutshe”, ende zorshëm përshpëritej veshëve). Në të vërtetë lajmi e kapërceu praghyrjen e ATSH-së, por “Axhanset e verdha”, ashtu të blinduara, rreptësisht adresoheshin vetëm për “Bllokun”. Unë e vola fletën lajmëse për Milin – por, kush më ndihmoi, kërkoi ngulshëm t’i kthehej se, “ashtu ishte puna…” Qenë ditët e një tensioni të jashtnatyrshëm, qetësiprishëse, të pandodhura në ASHSH, duhej arritur FESH (Fjalori Enciklopedik Shqiptar), thuhej pragveshëve se “xhaxhi” (E.H) qe sëmurë dhe “t’ia bëjmë qefin në datëlindje…”(Madje shtohej me marifet se, kush pengonte mbante përgjegjësi penale). Ç’do tetë të mëngjesit mblidheshim për detyrat, në ca zyra kote, ashtu frymëngrirë, në godinën e akullt antike të Toptanasve. A.Papa guxoi për Nënë Terezën… Të shtohej ndër figurat. Dhe foli për të. Qe hera e parë që dëgjova se një shqiptare pat “habitur” Indi, zhuri Nobeli (1979) dhe njerëzimin mbarë…Unë mora vrull dhe propozova Gjon Milin. “Ç’është ky?”- u pyet. Ç’ka bërë?” “Ku ka punuar? A e ka dashur Shqipërinë?…” Ç’bënte gjatë Luftës?!…
-Atë që bënin tërë amerikanët. Megjithatë, Mili jonë, fotografonte të varfërit nën Statujën e Lirisë… Për revistën “Life”… -Qe thënia më kote që kam folur ndonjëherë. Sigurisht nga e papritura kësisoj dhe përpjekja për ta “shpëtuar”… Një tis bezdie nisi ta shtynte entuziazmin drejt portës së inatit… Por, s’u zgjat.
-Ama në “Life” ka punuar? Mbylle atë muhabet…edhe për Terezën… Borxh s’u kemi. Në shtypin tonë asgjë s’është shkruar ndonjëherë dhe, ne vjelim arritjet e shkencës shqiptare…
“Greku” A.H. me luajti syrin. Unë heshta. Dhe u mbyll. Dy shqiptarët e mëdhenj, Nënë Tereza dhe Gjon Mili, mbetën jashtë faqeve të FESH. Mbetën jashtë edhe plot të tjerë… Me më kryesorin Mehmet Shehu, kryeministrin më detyrëgjatë në këtë truall, që qe vrarë apo vetvrarë, nja një vit e ca më parë. Përkundër nisën të shtoheshin të tjerë gjatë botimit – me prapaktheu plot telashe të zorshme… – figura hiç… që, së pari po i dëgjoja: V. Çerava, Mine Guri, Petro Dode dhe… – ç’ta zgjasim, ngase është ngjarja më cingërrimë në tërë historinë rreptësisht të papërshkrueshme të mendësisë a situatës që ndërtoi së pari Monumentin e Kulturës Shqiptare: FESH-in (1985). Thellësisht në kohë do të mbetet aq më shumë Monument, tamam sepse, mbart mbi kurriz ç’ka duhej e s’duhej, mangësinë a plotësinë e tamam kësaj: ç’ka duhet e s’duhet…si në refleksionin e një pasqyre të rreptë. Qenë kohë trysnie “robotike” açisoj, për produktin e së cilës, shqiptarët e punës këtu (të ndërgjegjësuar ose jo), me shumë se me faj… kanë veçse merita…

08_03_20sdsdd20_gsh 08_03_202sasasa0_gsh 08_03_sasasa2020_gsh
<
>

* * *
Një nga fotografët më të mëdhenj të shekullit, Gjon Mili, ndërroi jetë në Stamford, në Connectidut, më 14 Shkurt 1984. Shërbesa fetare dhe homazhet u kryen në New York më 16 shkurt, aty ku Mili kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij.
Ai i pati kryer studimet në Institutin Teknologjik të Massachusets, MIT. Ku edhe u diplomua si inxhinier elektrik në 1927.
Menjëherë më pas u ngarkua nga Westinghouse për të bërë kërkime mbi dritën në laboratorët e tyre. Aty punoi nja 10 vjet.
Debutimin në karrierën si fotograf e pati më 1937, kur ai filloi të përdorte shkencërisht flashin elektronik, për të shprehur lëvizjen. Shkurt: ndriçimin e fragmentuar të lëvizjes në sfondin e terrshëm… – shpikur nga miku i tij Harold Edgerton.
Gjon Mili u bë shpejt i njohur dhe u vlerësua me të gjitha meritat në SHBA, ku ai punonte dhe jetonte. Mili, bashkë me familjen, iku pesë vjeç në Rumani. Mori aty shkollimet e mesme. Iku 9 vjeç në Amerikë, mbaroi shkollimet e larta dhe u punësua atje. Fill mbas Luftës së viteve dyzet (1946), Mili kërkoi të vinte në Shqipërinë e dashur por, edhe herë të tjera, prap nuk u lejua. Arsyeja “e heshtur” le të themi se qe – ngase punonte në shtypin Amerikan…
Gjon Mili lindi më 1904 (28 Nëntor) në Korçën shqiptare, kujtimeve për të cilën, i qëndroi besnik.

* * *
“Fotografia”, thoshte Mili, “jo domosdoshmërisht duhet të të ftojë të reflektosh, por duhet të shokojë spektatorin dhe ta “ndërsejë” të perceptojë anomalinë e arratisjes”…
E thëna e Heraklitit: “gjithçka është dhe s’është, gjithçka është fluide, paprerë në ndryshim, ç’do gjë ekziston dhe zhduket vazhdimisht…”’ hyri thellë brendësisë së Milit, qysh herët, në vitet mbasuniversitare. Atëherë kur Mili e pat gjetur rrugëzimin e jetës: Fotografia. Mbaroi në Massachusets Institute of Technology, për elektrike, më 1927. Dhe për dhjetë vjet (deri më 1937), qe inxhinier ndriçimi në Westinghouse Corporation në Cambridge. Punoi tamam në kontruktimin e fijeve të llampave për projektim. U arrit sinkronizimi i fotografimit deri në 1/250 e sekondës me flash-llampat e ndërtuara nga fije alumini (zbuluar në Gjermani më 1931). Por Mili kërkonte më shumë. Ekzistenca dhe zhdukja i ndodhin kësaj jete pambarimisht në thërmijë. Si mund të “ndalet” një predhë topi, pushke…? Si mund të copëzohej e “vilej” lëvizja e padukshme e një objekti? Dhe shansi erdhi. Bashkëpunimi me Harold Edgerton. Që mundësuan 1/100.000 e sekondës. Lindi kështu fotografimi artificial i ashtuquajtur stroboscopic. Që lypte tashmë vetëm imagjinate. Meritën për të cilën e plotpushton Mili. Me valltaren e “copëzuar” deri në “pakuptim”. Me predhën e “ngrirë” në grykë të topit. Me… 1937: balerina e shkathët B.Fridman u fut në kurthin e eksponimit të shumëfishtë. “Life” e Nju-Jorkut ndërroi pamjen. Habiti lexonjësit. I mbërtheu në kureshtje: mendim të thellë dhe tisin e humortë që rrezonte emocioni i copëzimit të lëvizjes a energjisë njerëzore brenda një kuadrati. Kjo “përkundje” në hapësirë, kjo ngulje njëkohësisht e pjesëzës së lëvizjes, theu plotësisht ligjet e kohës dhe gravitacionit. “Life” shtoi famën dhe të famshëm e bëri edhe Milin. Që nisi udhët e Botës. Në vende, popujt, njerëz… Të thjeshtë e të njohur. Artistë, politikanë, shkencëtarë. Në ngjarje të mëdha të Botës: në qendra kulturore, sporti, politike, arti. “Shqiptari gjenial”, shkeli Botën, e fiksoi atë me mund dhe mend dhe zuri vend edhe në të gjitha librat shkollore të edukatës artistike si mjeshtri i “çastit të llogaritur”. Veçse jo në librat shqiptare. Aspak për arsyen e thjeshtë dhe të çuditshme: që edhe s’pati arsye.

* * *
Kur vërejmë se një kuadrat fotografik mbart brenda vetes sharmin që të përnxit… ndër të tjera themi edhe: “ky fotograf paska sy…” Dhe, meqë punët fotografike që vërtetë përnxisin, e thëna “paska sy…” adresuar Gjon Milit, duket e mangut… Përse? Ngase, parësore në imazhet e Milit, mbetet ngulitëse vlera e “syrit të shpirtit…” Që është një shkallëzim majëlart, tutje nga “syri vëzhgues…”
Harold Edgerton e shpiku përpjestimin nënsekondësh të komandimit të dritës, – e ashtuquajtur stroboscopice… Gjon Mili e aplikoi… E përjetësoi dashurueshëm. Shpikësi mbeti më mbrapa… Pikëvështrimi mbetet përherë relatë vlerësuese. E bën domethënëse një vepër arti. Ka rëndësinë e vet “syu vëzhgues”. E thotë me të drejtë Sartri, se Mili është “njeriu kurth”… Diçka që mund të thuhet edhe për nënsekondin e lëvizjes. Të rrokësh gjetshëm shprehinë e lëvizjes përballë, mbetet kapje “breshëri” edhe e “syrit vëzhgues”… Por, një vepër arti në fotografi, lyp edhe të tjera ndjesi… – komplekse – sukseseve… – për ta cilësuar autorin në shkallëzimet e artistit dhe personalitetit…
Gjon Mili ka “grackë” edhe “syrin e shpirtit…” “Syri i shpirtit” i artistit fotograf plotzotëron “Grepin grackë…” “Syri i shpirtit” vështron tensionueshëm plot-hapësirën e imazhit… me gishtin në shinjestër godet çastin më të ngopshëm. Ndjerë së brendshmi, mundi finalizon arritjen. Në grimcëkohën që kërkohet me nge, imazhi bie në grackë mëvetishëm. Ka një “thirrje” të çlirisë së objektit, ka një goditje aspak trembëse, ka një puqie që e rrok pamjen plot jetësi… Mbetet një ndalje fryme si dëshmi… ai gllabërim i imazhit – një mëvete zotërimi ai nënsekondësh i goditjes… Mbetet vepra që ndjeson art… Grimcëkoha fiksohet, ndalet ç’kapet… më nuk ikën – mbetet monument… lind kështu, imazhi i ndjeshëm, i ngopur me art… “Grepi grackë” ka plotzotëruar dhe përjetsuar hapësirën artistike… – e ka siguruar pavdekshëm me kyçin e artë… “Syri i shpirtit” së fundmi “rehatohet”… vëzhgon e pret në heshtje për të mbledhur opinion… Pra, kështu, imazhi i ndjejës, natyrshëm “krekoset” përballë gjykimit të ardhmë…
A ka imazh nga ç’na la Gjon Mili, që të mos krenohet përpara syve tanë?!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.