Intervista

“Infrastrukturë ligjore dhe zgjedhore”, Bozdo: Zgjedhjet janë te pragu

11:30 - 09.03.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Enno Bozdo, anëtar i kryesisë së PD-së, është besimplotë se zgjedhjet e parakohshme janë shumë afër dhe se strukturat e partisë në të gjithë vendin janë gati për sfidën zgjedhore. Bozdo thotë për “Gazeta Shqiptare” se pas një periudhe të gjatë protestash, opozita është fokusuar te reforma elektorale, pasi sipas tij, “Zgjedhjet janë në prag. Ndërkaq – shprehet zyrtari i lartë demokrat – vazhdon puna në finalizimin e detajeve të programit tonë zgjedhor”. “Grupet e punës janë duke u dhënë dorën e fundit tezave për të gjithë sektorët e rëndësishëm të vendit”, – thekson Enno Bozdo. Anëtari i kryesisë së PD-së ka bindjen e plotë se Edi Rama do të ikë përmes zgjedhjeve të lira dhe të barabarta. Bozdo përmend se: “Në 30 vitet e demokracisë sonë, me përjashtim të vitit 1990, asnjëherë nuk ka rënë qeveria vetëm nga tubimi i njerëzve (sado i madh) apo nga drejtësia e kauzës opozitare (sado e drejtë). Ndryshimi ka ardhur vetëm me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Edhe kësaj here kështu ka për të ndodhur. Z.Bozdo flet edhe për dy pika shumë të forta të PD-së në fushatën e ardhshme, që sipas tij, janë ekipi i zgjedhur dhe programi elektoral. “Te dy komponentët së bashku do të mundësojnë një rotacion politik”, – thotë z.Enno Bozdo.




Z.Bozdo, ku është përqendruar aktualisht opozitarizmi i demokratëve?
Pas një periudhe të gjatë protestash, me afrimin e zgjedhjeve, tashmë kanë dalë në plan të parë çështjet që kanë lidhje me reformimin e sistemit zgjedhor. Zgjedhjet që duket që janë në prag kërkojnë detyrimisht krijimin e një infrastrukture ligjore dhe zgjedhore, e cila në përqasjen tonë duhet të minimizojë manipulimin zgjedhor dhe të krijojë kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Veçanërisht çështjet si blerja e votës, ndikimi i krimit, votimi elektronik, financimi i partive politike etj. janë shumë të rëndësishme dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin zgjedhor. Kjo është siç edhe kuptohet, arsyeja që PD-ja është përqendruar fort në këto çështje të reformës zgjedhore. Nga ana tjetër, forcimi i organizimit të brendshëm të partisë dhe bërja gati e strukturës partiake për zgjedhjet ka qenë një tjetër prioritet i yni gjatë kësaj kohe.

Kjo nënkupton që strukturat e partisë janë të gatshme për sfidën zgjedhore?
Sot Partia Demokratike paraqitet plotësisht e organizuar, strukturalisht shumë e aftë dhe e gatshme t’i përgjigjet sfidës zgjedhore në rastin më të parë. Ndërkaq, vazhdon puna në finalizimin e detajeve të programit tonë zgjedhor. Grupet e punës janë duke u dhënë dorën e fundit tezave për të gjithë sektorët e rëndësishëm të vendit.

A është opozita edhe më inkurajuese në betejën e saj kundër Edi Ramës, pas “opozitës së fortë” që po zhvillon Presidenti Ilir Meta në mbrojtje të Kushtetutës?
Në mendimin tim, opozitë e “fortë” është ajo opozitë që jo vetëm del në rruge dhe organizon tubime (gjë që PD-ja e ka bërë me dhjetëra herë vitin që kaloi, duke organizuar tubime të jashtëzakonshme për nga kauzat dhe përmasat), por ajo opozitë, e cila është efektive në realizimin e objektivave të saj. Për të arritur këtë, opozita i përdor të gjitha instrumentet, tubimet, denoncimet, premtimet, arsyetimet alternative, mbështetjen morale dhe njerëzore të disa kauzave me rëndësi për qytetarët si psh., kauza e Teatrit apo ajo e “Astirit”. Nën këtë frymë, PD-ja mbështeti moralisht dhe numerikisht edhe tubimin e Presidentit të Republikës, sepse kauza e mbrojtjes së Kushtetutës është e rëndësisë së dorës së parë. Beteja e drejtë e Presidentit është për PD-në, prova e fundme që vërteton dhe një herë përpara opinionit publik dhe ndërkombëtar, se akuzat tona ndaj Edi Ramës dhe mazhorancës së tij kanë qenë prej vitesh të drejta. Kapja në mënyrë sistematike e të gjitha institucioneve, e të gjitha pushteteve, pasi është kapur me dorë të hekurt (duke u asfiksuar) ekonomia e vendit kanë qenë dhe mbeten akuzat tona, tashmë të vërtetuara. Shembulli i PD-së që u vetësakrifikua nëpërmjet “djegies” së mandateve, që refuzoi farsën e zgjedhjeve vendore, që organizoi tubime të panumërta përgjatë gjithë vitit të kaluar, besoj ka induktuar gjithandej qëndresën e fortë qytetare dhe institucionale. Nën këtë dritë e interpretoj unë edhe tubimin e fundit të Presidentit të Republikës.

Edi Rama tashmë ka përballë Ilir Metën, opozitën jashtëparlamentare dhe opozitën parlamentare. Por përse vazhdon të qëndrojë sipas jush ende në pushtet, madje i mbështetur edhe nga ndërkombëtarët?
Dy qartësime për pyetjen tuaj. Ajo që ju e quani “opozita parlamentare” është shkaku i vetëm dhe kryesor që Edi Rama ka “çimentuar” numrat e tij në Kuvend dhe tani mund të ndryshojë edhe Kushtetutën, në qoftë se i teket. Pra, hiqeni “opozitën parlamentare” nga rreshtimi opozitar dhe vendoseni pranë qeverisë, aty ku e ka realisht vendin. Atë që ju e quani “mbështetje nga ndërkombëtarët”, unë e interpretoj shumë më ndryshe. Ndërkombëtarët kanë mbështetur dhe mbështesin gjithmonë procese, por jo individë. Për t’a qartësuar më tej këtë shpjegim, do të saktësoja se ata mbështesin psh., reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar. Këto janë prioritete të shpallura publikisht prej tyre. Edi Rama ka ngritur një fabul të tërë mediatike në këtë drejtim, duke e shitur këtë si mbështetje personale për të. Por, nuk është ky rasti. Doni të kuptoni realisht mbështetjen që ndërkombëtarët i japin Edi Ramës dhe qeverisë së tij? Shikoni për fat të keq se ç’po ndodh me procesin e integrimit të vendit. Këto vite Shqipëria është duke iu larguar Evropës dhe jo e kundërta. Këtu duket realisht mbështetja që ndërkombëtarët kanë për Edi Ramën dmth., qeverinë. Ky fakt tregon se çfarë reputacioni gëzon qeveria jonë në vendet e BE-së. Nëntë kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman flasin qartë se çfarë mendon Gjermania dhe BE-ja për qeverinë dhe qeverisjen e Edi Ramës. Pse nuk ka rënë ende Rama? Është pyetje interesante që u takon më shumë sociologëve e historianëve dhe jo politikanëve. Gjithsesi, tradita dhe kultura demokratike luajnë një rol të madh. Në 30 vitet e demokracisë sonë, me përjashtim të vitit 1990, asnjëherë nuk ka rënë qeveria vetëm nga tubimi i njerëzve (sado i madh) apo nga drejtësia e kauzës opozitare (sado e drejtë). Ndryshimi ka ardhur vetëm me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Edhe kësaj herë kështu ka për të ndodhur.

Kreu i shtetit, Ilir Meta, akuzon qeverinë për dhunim të Kushtetutës dhe përpjekje për “grusht shteti”. A ekziston një rrezik i tillë dhe si e shikoni betejën e tij në mbrojtje të Kushtetutës?
Është një rrezik real dhe mendoj se presidenti nuk e ekzagjeron aspak kur flet për “grusht shteti”. Mazhoranca po e sulmon presidentin, në shkelje të hapur të Kushtetutës, me qëllim “eliminimin” e tij institucional dhe kapjen e organeve të reja të drejtësisë. Betejën e z.Meta e shikoj ashtu siç edhe ai vetë e ka shpallur, në mbrojtje të kushtetutshmërisë!

Opozita po synon reformimin e thellë të sistemit zgjedhor dhe politik. Përse manipulohen zgjedhjet në Shqipëri? Cili sistem zgjedhor i duhet vendit për të pasur zgjedhje të lira?
Të pasurit apo jo të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nuk varet aspak nga sistemi zgjedhor. Neve mbi të gjitha na duhen ligje dhe rregulla që shkurajojnë çdo vullnet të mbrapshtë politik të mazhorancës për të fituar zgjedhjet në tavolinë, apo për t’i vjedhur ato me njëqind e një mënyra. Për këtë arsye fokusimi i debatit politik për llojin e sistemit, duke anashkaluar arsyet e vërteta përse zgjedhjet në Shqipëri manipulohen, është në rastin më të mirë një miopi politike dhe në rastin më të keq, një djallëzi politike. Përfundimisht, Shqipëria ka nevojë të domosdoshme, si ajri që thithim për zgjedhje të pakontestuara. Në të kundërt, kriza e sotme ekonomike, politike dhe sociale, më e rënda që Shqipëria njeh ndonjëherë, jo vetëm që nuk do të zgjidhet, por do të përkeqësohet më tej.

Cila është garancia e opozitës se ajo çfarë ka arritur të shkruajë në letër me PS-në për reformën e re elektorale të zbatohet? A janë sërish ndërkombëtarët një lloj garancie?
Ne kemi një garanci të fortë nga ndërkombëtarët se ato për të cilat bihet dakord në tryezën e reformës zgjedhore, të gjitha do të implementohen deri në detaje. Por për këtë nevojiten disa parakushte: propozimet e PD-së duhet të marrin miratimin e PS-së (të shohim në qoftë se kanë vullnet për këtë) dhe së dyti, duke e pasur shumë të qartë se nuk ka asnjë ligj dhe asnjë rregull që pengon një vullnet diabolik politik të vjedhë zgjedhjet. PS duhet të angazhohet realisht për këtë. Jo se personalisht kam ndonjë besim të madh që do ta bëjë.

Opozita ka propozuar qeveri tranzitore 100 ditë para zgjedhjeve, por pse jo një qeveri teknike?
Sepse ka një dallim të madh mes të dyjave: qeveria teknike ka si objektiv funksionimin e administratës për periudha relativisht të gjata kohe, me qëllim arritjen e objektivave të ndryshëm për vendin. Quhet “teknike” sepse drejtohet nga njerëz teknikë dhe nuk merr asnjëherë vendime politike. Në fakt, nuk e ka tagrin për këtë. Pra, thelbi i qeverisë teknike është qeverisja apo bashkëqeverisja për të arritur objektiva teknike të shumta në fusha apo sektorë të ndryshëm të jetës së vendit. Një qeveri tranzitore për zgjedhjet është një qeveri, e cila kujdeset vetëm për realizimin e zgjedhjeve të lira. Pra, kohëzgjatja, fokusi dhe objektivat janë shumë të limituara dhe i shërbejnë një synimi të vetëm. PD-ja kërkon qeveri tranzitore, si një praktikë e njohur tashmë që jep garanci të nevojshme që pushteti politik të mos përdoret për vjedhje votash apo shtrembërim të vullnetit të zgjedhësve, siç ka ndodhur rëndë në dy zgjedhjet e fundit. Gjithsesi kujdes, po them “të nevojshme” dhe jo “të mjaftueshme”!

Për PD-në, reforma zgjedhore është hapi i parë drejt zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa mazhoranca ka deklaruar se kjo reformë bëhet për zgjedhjet e vitit 2021. Në këtë rast, si mund të shkohet drejt objektivit të PD-së për zgjedhje të reja?
Nëse do të marrim për referencë mazhorancën, ndoshta as në vitin 2021 nuk do të kishim zgjedhje. Përfundimi i reformës zgjedhore, kusht ky i kërkuar me forcë nga ndërkombëtarët, plotëson të gjithë kuadrin e nevojshëm për zgjedhje të parakohshme. Në këtë rast besoj se opinioni publik dhe ndërkombëtarët do të jenë plotësisht në favor të tyre. Kurrë më parë PD-ja nuk ka pasur një mbështetje të tillë nga ndërkombëtarët dhe nga opinioni publik për zgjedhje të parakohshme. Prandaj ne mendojmë dhe besojmë se nuk ka rrugë tjetër për të dalë nga kriza. Çdo muaj e më shumë që Edi Rama qeveris, aq më e pashpresë bëhet situata për shqiptarët.
Pas reformës së re zgjedhore, çfarë hapash të tjerë duhet të ndjekë opozita?
Mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme dhe vendore në të njëjtën dite, ky është qëllimi ynë përfundimtar. Të gjitha hapat që të çojnë këtu, do të jenë edhe hapat që do të ndiqen.

Sipas jush, kreu demokrat Lulzim Basha duhet të përballet me zotin Rama vetëm në zgjedhje, apo edhe në një tryezë?
Duhet të përballet kudo ku është e nevojshme, në çdo hapësirë, reale apo virtuale. Asnjë paragjykim për këtë. Kush sugjeron të kundërtën, thjesht nuk mendon politikisht, por emocionalisht. Por edhe një herë kujdes, po flas për përballje dhe jo për tryeza bisedimesh të kota sa për sy e faqe.

Cila është në gjykimin tuaj strategjia fituese e opozitës? Si mund të shkohet drejt rotacionit politik?
Ekipi dhe programi. Këta dy komponentë duhet të jenë dy pikat shumë të forta tonat në fushatën e ardhshme. Integriteti politik dhe profesional i ekipit merr një rëndësi të dorës së parë. Gjithashtu, edhe programi i detajuar dhe bindës. Të dy komponentët së bashku do të mundësojnë një rotacion politik. Shqiptarët janë të etur të shohin qytetari dhe besueshmëri. Për ta, Rama nuk është më një opsion. Sytë dhe veshët janë te Lulzim Basha. Këto vite, Partia Demokratike e ka bërë më së miri detyrën e denoncuesit të krimit, korrupsionit, nepotizmit, vjedhjeve dhe abuzimeve. Beteja të rëndësishme janë fituar në këtë drejtim. Njerëzit e dinë dhe na e njohin këtë si meritë, por kjo tashmë nuk mjafton. Mbi të gjitha duhet t’a bindim opinionin se ne jemi thellësisht të ndryshëm. Duhet të tregojmë se nesër në qeverisje do të zgjedhim njerëzit më të mirë, më me integritet dhe më të aftë profesionalisht, që kanë dhënë prova për këtë. Do të duhet gjithashtu të bindim shqiptarët se premtimet tona nuk do të mbeten në letër. Edhe për këtë, PD-ja ka dhënë gjithnjë prova. Po fituam mendjen dhe zemrën e shqiptarëve në këto dy drejtime, kemi fituar çdo sfidë politike përpara nesh. Pavarësisht vullnetit të mbrapshtë të Ramës për të manipuluar.

A është e gatshme opozita të qeverisë nesër vendin, nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe çfarë duhet të ndryshojë nga qeverisja aktuale?
Partia Demokratike është plotësisht e gatshme që nesër të qeverisë vendin. Ekipet dhe programet janë aty.

…Dhe çfarë duhet të ndryshojë?
Gjithçka. Absolutisht gjithçka, duke e filluar nga e para. Ekonomia, arsimi, shëndetësia, çështjet e rënda sociale, të gjitha kanë nevojë të trajtohen thellësisht ndryshe, në të kundërt nuk do të marrim rezultatet që duam. Por, për këtë jemi më se të përgatitur me njerëz, ide dhe programe. Edhe një herë Partia Demokratike do të thirret në skenën e historisë për ta nxjerrë vendin nga gremina. Edhe një herë PD-ja do të demonstrojë se do të dijë t’a përmbushë më së miri këtë mision të vështirë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.