SHËNDET

Maska me vaj ulliri, për një lëkurë të butë e të shëndetshme

14:52 - 09.03.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Përveç vlerave shëndetësore shumë të rëndësishme për shëndetin, vaji i ullirit konsiderohet si një eliksir për fytyrën. Ky lëng i artë është përdorur për bukurinë që në Greqinë dhe Egjiptin e lashtë. Këto qytetërime, besonin se vaji i ullirit e mban lëkurën të bukur, të butë, të ushqyer dhe të pastër. Ndërkohë, ekspertët e mjekësisë moderne kanë zbuluar se vlerat e vajit të ullirit i atribuohen pasurisë së antioksidantëve. Vajin e ullirit mund ta përdorni për pastrimin e fytyrës nga papastërtitë, sepse ai është më efikas se produktet kozmetike të pastrimit. Ai nuk bllokon poret dhe është i përshtatshëm për të gjitha llojet e lëkurave. Vajin e ullirit mund ta përzieni me pak lëng të freskët limoni ose me ujë dhe ta vendosni në fytyrë nëpërmjet pambukut. Vaji i ullirit është më i preferuari nga njerëzit me lëkurë të ndjeshme dhe ata alergjikë ndaj produkteve kozmetike.




Vaji i ullirit kundër akneve
Vaji i ullirit është antibakterial nga natyra dhe për pasojë rekomandohet kundër akneve. Për më tepër, ai lufton inflamacionin dhe largon skuqjen përreth puçrrave.

Vaji i ullirit për ushqyerjen e lëkurës
Ju mund të përzieni vajin e ullirit me lëng trëndafili ose vaj esencial të lavandës dhe ta lyeni fytyrën. Në këtë mënyrë do të keni lëkurë të ushqyer, por vaji do t’ju ndihmojë të luftoni edhe probleme si ekzema.

Maskë me vaj ulliri
Vajin e ullirit mund ta përdorni edhe për përgatitjen e maskave të ndryshme. Ekspertët e rekomandojnë përzierjen e gjysmë luge gjelle me vaj ulliri, të verdhën e vezës dhe një lugë gjelle me miell. Këtë maskë mund ta mbani në fytyrë për 20 minuta dhe do të vëreni se lëkura e fytyrës do të jetë më e ushqyer.

Kundër rrudhave
Vaji i ullirit përmirëson elasticitetin e lëkurës dhe rrjedhimisht lufton rrudhat, sidomos ato në pjesën e syve. Këtë pjesë mund ta lyeni me vaj ulliri në mëngjes ose edhe në mbrëmje çdo ditë për të parë përmirësim në paraqitjen e jashtme.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.