BLUETOOTH

Fadil Berisha: Kam gati një film për Shqipërinë, ja pse zgjodha pikturat e Besa Dautit për setin e Shën Valentinit

12:11 - 10.03.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Të gjithë e njohim për punën me fotografitë dhe pasionin e pashtershëm për të bukurën. Që prej shumë vitesh është bashkëpunëtori i preferuar i personaliteteve në mbarë botën. Patjetër që ju ka shkuar në mend emri i Fadil Berishës, që tashmë prej shumë vitesh njihet si ikona e shkrepjes së fotove. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta shqiptare”, fotografi tregon për setin që ka realizuar në ditën e të dashuruarve, duke theksuar detajet e trëndafilave të artistet së njohur, Besa Dauti. Gjithçka ka lindur natyrshëm e duke parë interesin që njerëzit patën për punimet e saj, Berisha vendosi që të mos e humbiste rastin për të sjellë një set të veçantë me sfond trëndafilat e kuq, simbolin e dashurisë.




Modeles, së cilës i rrinte mjaft mirë veshja e Helen Yarmak (dizenjuese e yjeve të Hollivudit dhe artistëve në Music Awards 2020) i kanë ngelur në mendje këto çaste. Fotografi ndau me ne përshtypjen dhe vlerësimet e tij për artisten, si dhe rrëfeu për herë të parë një projekt që do të marrë jetë shumë shpejt. Një film për Shqipërinë, për ta njohur atë me mbarë botën dhe për të shpalosur anën shpirtërore të njerëzve. I entuziazmuar dhe falënderues për njerëzit që i kanë besuar dhe vazhdojnë ta mbështesin, Fadil Berisha shprehet se do të jetë krahëhapur për të gjitha talentet që duan të realizojnë ëndrrat. Më tej, ne realizuam një intervistë të shkurtër me piktoren Dauti. Ajo nuk ka shumë kohë që është kthyer në Kosovë, ku është pritur mjaft mirë dhe ka marr urime nga më të ngrohtat. Pa fshehur lumturinë, Besa pohon se ky është një tjetër vlerësim që u bëhet pikturave të saj. Rrugëtimi i artistes do të vazhdojë. Nëse dëgjoni nëpër kryeqytetet e botës, pyesni për piktorin. E nëse është Besa, ndaluni një çast për të përjetuar emocionet e veçanta që transmeton arti pamor i saj.

 

adasfagf asdafff asss1345566 asssssssss14444 89538615_526698504650670_1317894831988539392_n 89265663_2637478856526376_2788880715226284032_n
<
>

Me aparatin tuaj keni vënë në fokus personazhe të famshëm nga mbarë bota. Së fundmi keni realizuar një set fotografik me rastin e festës së të dashuruarve. Çfarë përjetimesh keni kur realizoni sete për Shën Valentinin? Ku qëndron e veçanta e tyre?
F.B: Emocione përjetoj te të gjitha setet, natyrisht. Ato shkrepje ngelen shenjë për Shën Valentinin. Mamaja ime është marrë me lule dhe unë i kam dashur gjithmonë ato. Çdoherë që mendoj për të realizuar punë për festën e të dashuruarve, më shkojnë në mend lulet. Në fakt, këtë vit bashkëpunimi me Besën ka ngjallur mjaft kureshtje. Kështu, mendova se zgjedhja e duhur do të ishin pikturat e saj.

Keni pasur në sfond pikturat e artistes Besa Dauti. Pse kjo zgjedhje?
F.B: Kur vajza e vëllait më tregoi për Besën dhe punën e saj, m’u shtua interesi. Më pëlqyen shumë pikturat e saj, për të mos folur pastaj për lulet. Më krijojnë një mbushje shpirtërore, ndaj kam zgjedhur që thuajse çdo kënd i shtëpisë të jetë me lule. Kështu u njoha me tepër me punën e saj. Në tablo arrin të shohësh edhe të padukshmen, ndjesi që ta falin ngjyrat dhe detajet. Të gjitha punimet e saj janë unike. Kjo më bëri të ndihem i gëzuar, pasi kisha të bëja me një artiste mirëfilli. Pikturat e Besës ma zbukuruan studion, ashtu siç u njohët ju përmes fotosh. Gjithçka ishte e mirëmenduar. Ajo mbrëmje qe mahnitëse.
Si lindi bashkëpunimi me Besën? Dimë që ajo ka pasur dhe një ekspozitë në studion tuaj.

F.B: Unë e njoh shumë mirë Nju Jorkun. Që në fillim mendova që gjithçka ta realizohej në studion time, me njerëz artdashës. Doja që të krijonim një atmosferë ndryshe nga ajo e galerive. Qëllimi është që çdokush që do të vinte, të ndihej si në shtëpi. Falë Zotit gjithçka doli siç e patëm menduar dhe për këtë jam shumë i lumtur, pasi Besa me punën e saj e meritonte vlerësimin dhe fjalët e mira të të pranishmëve.
Çfarë ju lidh ju me artin? Sa i përkrahin shqiptarët në botë? Marr shkas nga mbështetja që keni treguar ndaj Besës.
F.B: Unë jam rritur në Amerikë. Asokohe nuk njihja shumë artistë shqiptarë. Në momentin që takova 5 artistë nga Shqipëria, u gëzova aq shumë, saqë i solla në studio dhe i mbajta për një vit këtu. Po ashtu, s’lija rast pa u treguar amerikanëve se ne artin e kemi në gjak dhe se ka shumë artistë të talentuar, kudo nëpër shqiptari. Kam kaluar një kohë shumë të bukur me ta. Gjithmonë kam dashur të mbështesë artistët dhe kjo histori vazhdon dhe sot. Arti nuk ka kufi. Ai kapërcen të gjitha limitet dhe ngelet i patjetërsueshëm. Kjo na bashkon ne me botën. Arti pamor të paraqet ca kode, të cilat duhet të gjesh çelësin për t’i zhbiriluar. Këto që po ndaj me ju i kam menduar dhe kam bërë çmos t’u jap krahë atyre që e duan punën e tyre. Edhe Besës do i jem gjithmonë në mbështetje duke e ndihmuar që ta bëj sa më të njohur artin e saj.

Shqiptarët krenohen dhe ju vlerësojnë shumë. Keni menduar të realizoni diçka nga ana profesionale, për Kosovën dhe Shqipërinë?
F.B: Patjetër që po. Në fakt kemi organizuar ekspozita dhe evenimente të ndryshme për shqiptarët. Ndihmoj çdo artisti që vjen nga çdo anë jo vetëm nga Shqipëria e Kosova, por edhe nga Maqedonia, Mali i Zi e të gjitha vendet ku ka shqiptarë. Nuk jam ndalur kurrë së punuari dhe së ndihmuari vëllezërit tanë ngado që ndodhen. Dua të ndaj për ju edhe një lajm mjaft të rëndësishëm për mua dhe besoj për të gjithë. Jam duke u përgatitur për të xhiruar një film për Shqipërinë. Prej vitesh kjo ka qenë ëndrra ime më e madhe. Dua ta njoh botën me bukurinë shqiptare dhe ajo që është më kryesorja, në film do t’i njoh ata me shpirtin e bukur të tyre (shqiptarëve).

Si u ndjetë kur mësuat se Fadil Berisha do të realizonte sete fotografikë dhe në sfond do të ishin pikturat e tua?
Sa pyetje e bukur! Jam shumë e emocionuar ende. Pranë Fadilit arrij të shpreh inteligjencën dhe talentin e përbashkët në fotografi. Të marrë përsipër një fotograf i njohur, me një brushe në dorë, patjetër del një imazh i bukur. Të kuptosh se si rrjedh drita është pjesa thelbësore e të shkrepurit foto në mënyrë të shkëlqyer (së bashku me teorinë e ngjyrave).

Trëndafili është detaji më i veçantë i ditës së të dashuruarve dhe simboli më i shpeshtë i pikturave tuaja. Cila ka qenë kërkesa më e çuditshme nga artdashësit?
Do e quaja motivim me efektin verbues të së kuqes, që ka të bëjë me ndjenjën, e thënë ndryshe, “me gjithë zemër”, qoftë dashuri apo zemërim gjithashtu dhe rrezik, veprimin instinkt dhe të pamatur e të qenit e papjekur, por edhe e mirësisë e feminitetit, e ndjenjave delikate, të cilat të shkëpusin nga realiteti. Së fundmi, më kanë pyetur: Çfarë ngjyrash kanë emocionet e tua? Ende nuk janë të vetëdijshëm se pasqyra më e mirë e gjendjes sime të brendshme janë ngjyrat dhe trëndafili, por kërkesat e çuditshme i quaj stimul shqisor dhe i shoh si mënyrë për t’i çuar edhe më larg punimet e mia.

Si ju pritën në Kosovë pas rrugëtimit që patët në Amerikë?
Ishte mahnitëse dhe një ndjesi e jashtëzakonshme kur sheh nga të gjitha anët se si lulëzojnë trëndafilat e mi të pikturuara.

Cili ka qenë urimi më i bukur që keni marrë?
“Ju keni shumë talent”! Unë buzëqesh me mirësi sa herë që ma thonë këtë fjali. Interesimi për veprat e mia është dhurata më e çmuar që mund të më bëjnë. Dashuria ime për artin, dizajnin, gatimin, vallëzimin janë të mbledhura në një mënyrë fine, në një kuti shpirtërore që e quaj kreativitet. “Trëndafili yt meriton vendin e duhur”, një tjetër urim. Trëndafili që i përshtatet shijes së shpirtmirëve e deri ne trëndafilin popullor (i Juliete, që njohim nga Shekspiri) kalon nëpër ca udhë, të cilat e bëjnë dhe më magjepsë. Po ashtu, një tjetër urim që kam marrë ka qenë ky: “Është e vështirë të injorosh bukurinë e pastër të trëndafilave të tu, kur kemi një ditë të keqe dhe hapim ‘Facebook’-un apo ‘Instagram’-in dhe i shohim ata me ëndje”. Ekspozitat në Nju Jork u nisën dhe mbaruan duke më thënë se kisha sjellë pranverën në mes të dimrit. Kjo është arsyeja që pikturoj trëndafilin, për t’ju kujtuar të shihni bukurinë në të gjitha dimensionet e jetës. Një nga shprehjet më të famshme të piktorit francez impresionist Henri Matisse, i njohur për pikturat me luleve, është: “Gjithmonë ka lule për ata që duan t’i shohin”.
Sapo keni përmbyllur dy ekspozita të suksesshme. Tani që ka ndodhur dhe bashkëpunimi me të madhin Fadil Berisha, emri i Besës po lakohet gjithandej, falë talentit dhe punës që ka spikatur. Keni ndonjë ngacmim për të sjellë një ekspozitë tjetër?

Krijimtaria ime vazhdon në vende si Italia, Parisi, Belgjika, Holanda etj., ku frymon arti dhe gjej paqe e lumturi. Ato që përmenda më sipër janë vendet e mia të preferuara. Dua artin, ushqimin, kulturën, modën dhe fshatrat e bukura. Pasioni im, përveç pikturës, është arti dhe kultura e vendeve. Si kuratore që jam, shoh me dashuri çdo detaj artistik, qoftë ai amerikanë, italianë, parisienë apo të çdo vendi tjetër të botës, pasi më ofrojnë frymëzim për veprat e mia të artit. Çdoherë them: Nuk ka asgjë më të lartë se sa të krijosh art. Ky i fundit bën mirë për trupin, mendjen dhe shpirtin.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.