KULTURË

ARILENA ARA/ Nxjerr në gjuhën angleze këngën që na përfaqëson në Eurosong

12:00 - 11.03.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Këngëtarja Arilena Ara, që përfaqëson Shqipërinë në Eurosong, në maj ka publikuar dje këngën në versionin anglisht të saj. Në shqip kënga titullohej “Shaj”, ndërsa në gjuhën angleze me të cilën do të interpretojë në Roterdam të Holandës, kënga ka marrë titullin “Fall from the sky”.
Që kur Ara fitoi “The X Factor Albania” në vitin 2013, është një nga vajzat më të ndjekura të muzikës. Me gjithë nevojën që këngëtarët kanë për këngë komerciale që sjellin fitime marramendëse dhe të shpejta, Ara ka ruajtur konturet e këngëtares profesioniste dhe cilësore, duke mos rënë në prehrin e turbofolkut, që ka përfshirë edhe artistë më në zë.




Pasi fitoi “Festivali i Këngës” në dhjetor, Arilena Ara përmendi që teksti i këngës së saj u shkrua fillimisht në anglisht, por ky version nuk u publikua. Në vend të kësaj, Arilena udhëtoi në ShBA, ku punoi në rindërtimin e këngës fituese. Versioni i rishikuar i “Shaj” është tashmë “Bie nga qielli”.
Ara do të konkurrojë me flamurin e Shqipërinë në gjysmëfinalen e dytë në Festivalin e Këngës Europiane në Holandë, në muajin maj. Kënga e saj “Shaj” me kompozim të Darko Dimitrov e Lazar Cvetkovski vjen e ripërpunuar në gjuhën angleze, duke ndryshuar disi nga forma origjinale me të cilën u rendit si kënga më e mirë në festivalin e Këngës në RTSH në muajin dhjetor.

Teksti i këngës “Shaj” qe shkruar nga Lindon Berisha. Festivali i 65-të Evropian i Këngës 2020 zhvillohet në Holandë, pas fitores në Tel Aviv (2019, Izrael), me këngën “Arcade” kënduar nga Duncan Laurence. Deri më tani kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre rreth 50 shtete, përfshirë edhe vendin tonë. Holanda e organizon këtë garë për herë të pestë, për herë të fundit ka qenë në vitin 1980.

Gjysmëfinalja e parë mbahet më 12 maj, gjysmëfinalja e dytë më 14 maj dhe finalja më 16 maj. Në fund të muajit shkurt, media prestigjioze britanike BBC i ka kushtuar “Eurovizionit” një artikull duke u ndalur edhe te konkurrentët. Në gjykimin e BBC-së nuk do të quhej Eurovizion pa një baladë nën një performancë në mes të erës, e kënduar nga një vajzë me shumë flokë. Media e famshme britanike e klasifikon në pesëshen më të mirë këngën e Shqipërisë. “Në këtë zhanër, Arilena Ara do të japë maksimumin. Kënga e saj është ‘ulërimë’ dhe rrëfen notat e larta me gjithë hollësinë e një borie makine në një bosht ashensori. Kënga është konstruktuar me zgjuarsi me momentet e mëdha, duke u përshtatur në vargje të qeta, më pas në të mesme, para se të prekë notat e fundit. Arilena ka përvojë edhe do ta përballojë me sukses atë”. Me më shumë se 1.1 milionë ndjekës në “Instagram”, një prej këngëve të saj më të njohura, “Nëntori” ka arritur të bëhet hit në disa vende jashtë Shqipërisë.

Arilena Ara ka lindur në Shkodër. Ajo si fillim mori pjesë te “Gjeniu i Vogël”, një emision i talenteve të këndimit dhe zuri vendin e 3. Pas vdekjes së të atit, mori pjesë në sezonin e dytë të “X Factor”. Më pas mori pjesë në disa audicione dhe performoi një version akustik të Ana Johnsson’s “We Are”. Në vijim Arilena u angazhua në emisionin “Dance With Me” duke konkurruar me partnerin e saj Labi, një gazetar nga Kosova i njohur nga emisioni “Një kafe me Labin”. Në 26 shtator 2014 ajo lançoi këngën e saj të parë “Aeroplan”, me videoklip që arriti mbi 2 milionë shikime në rrjetin social “YouTube”. Pas këngës “Aeroplan”, ajo publikoi këngën “Business Class”, që gjithashtu kishte shumë shikime në “YouTube” si dhe këngën e saj të tretë të quajtur “Vegim”, e dedikuar për vdekjen e babait të saj. Arilena Ara ka pohuar se ka ndryshuar pas sukseseve të arritura në muzikë. Dikur ishte një konkurrente që afrohej e ndrojtur në kompeticionet muzikore, ndërsa tani ka kaluar në një stad tjetër. Tani që është në botën e artit si protagoniste, mendon dhe kujdeset për emrin e saj, kujdeset për veshjet dhe ka ndryshuar mënyra e saj e të menduarit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.