KULTURË

TRINGË SMAJLI E MARIE ÇOBA/ Gratë që emancipuan shoqërinë shqiptare

13:00 - 11.03.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Vetëm kur të arrihet të mbushen mësonjëtoret me vajza ashtu si me djem, vendi ynë do të radhitet në vendet e qytetëruara”, – Shaqe Marie Çoba.
Të hënat e çdo muaji i kushtohen një tematike të caktuar duke i shoqëruar me imazhe nga arkiva “Marubi”.
Muaji mars u kushtohet grave shqiptare, që me historitë e tyre të jashtëzakonshme në raport me kontekstin historik dhe social në të cilin kanë jetuar, janë nismëtare të një aktivizmi për barazi ku spikat idealizmi, virtytet e lufta për vlerësimin e rolit të gruas në shoqëri.




TRINGË SMAJLI
E fillojmë me Tringë Smajl Martini Ivezaj (1870-1917) e njohur ndryshe si Tringë Smalji apo Tringa e Grudës. Vajza e bajraktarit të Grudës me internimin e vdekjen e të atit, udhëheqës i forcave mbrojtëse të degës së Lidhjes së Prizrenit për Grudën, në Anadoll e pas vrasjes së dy vëllezërve vendos të mos martohet e t’i kushtojë jetën çështjes kombëtare.
Ndër personat më të besuar të Dedë Gjo Lulit u bashkua me kryengritësit në Betejën e Deçiçit, mori pjesë në Memorandumin e Greçës, duke vijuar aktivitetin patriotik edhe pas shpalljes së pavarësisë.
Betejat e gjestet e saj heroike bënë jehonë edhe në shtypin ndërkombëtar, ku gazeta e revista të tilla si “New York Times”, “Le Petit Journal” e vlerësojnë si ndër femrat me influencë në Ballkan, duke e cilësuar si Zhan D’Ark shqiptare. Tringa na risillet edhe përmes kujtimeve të shkrimtares e studiueses britanike Edith Durham, gjatë udhëtimeve të saj në veriun e Shqipërisë.
E njohur për ndihmën e saj në emancipimin e grave, me dënimin e dhunës ndaj tyre, me kundërshtinë e fejesave në djep, është njëkohësisht ndër figurat femërore më emancipuese të kohës.
Për fisnikërinë dhe virtytet e saj, na rrëfen edhe At Gjergj Fishta në epopenë “Lahuta e Malcis”, në këngën kushtuar saj, “Tringa”.

Se për lila e karajfila,
Për zymyla e për bylbyla,
E për gurra nëpër curra:
P’ r ato hije nëpër vrrije,
P’ r ato flutra nëpër zalle
Pasha Orë e Shtozovalle,
Pasha t’ rijt e pasha verën,
Për sa bjeshkë e lule blerën.
Mâ fisnike ‘i vashë s’ e ké
Kah ndritë hâna e dielli zé!

MARIE ÇOBA
Lufta e Koplikut (1920-1921) për mbrojtjen e zonës së Shkodrës kundër ndërhyrjes ushtarake jugosllave, e cila synonte të shkëpuste një pjesë të territoreve të veriut të Shqipërisë, shënoi angazhimin e qarqeve patriotike shqiptare në një qëndresë të organizuar, e cila çoi në thyerjen e trupave jugosllave. Në të ra në sy edhe kontributi i grave në asistencën ndaj të plagosurve, grumbullimin e ndihmave, ndihmesën ndaj familjeve të luftëtarëve e atyre të varfra. Në këtë fotografi të Kel Marubit, po ashtu veprimtar në luftë, e në krah të patriotëve Mustafa Kruja e Riza Dani, dallojmë Marie Çobën (1875-1954) – teksa i tregon fotografit edhe materialet e grumbulluara – intelektualen e parë shqiptare që ngriti çështjen e të drejtave të grave.
Në vitin 1920, së bashku me Habibe Bekteshin – në fotografi e veshur me të zeza e me shami të zezë – themeluan komitetin “Gruaja Shqiptare”, me qëllim grumbullimin e fondeve në ndihmë të ushtrisë shqiptare që po përballej me sulmet jugosllave në Koplik.
Në krah të tyre u aktivizuan shumë gra e vajza të cilat u bënë pjesë e rezistencës.
Ky komiteti, në vitin 1921, botoi revistën “Gruaja Shqiptare”, hapësira e parë e shtypit që mbulonte çështjet e grave, që trajtonte problematikat e gruas shqiptare, të drejtat e saj, respektimin e lirive, mbrojtjen e shëndetit, këshilla për nënën e fëmijën, arsimin e edukimin, përmirësimin e jetës dhe veshjeve të grave e tematika të tjerat të rëndësishme për kohën.

Marie Çoba u angazhua edhe në riplanifikimin të shoqatave të grave në nivel kombëtar.
Me ardhjen e regjimit komunist, i shoqi Ndoc Çoba, veprimtar politik, pjesëmarrës në Kuvendin e Vlorës, përfaqësues i Shkodrës në Kongresin e Lushnjës, Ministër i Financave (1920), kryetar i bashkisë së Shkodrës (27 gusht 1937-24 qershor 1939), pjesëmarrës në Konferencën e Pezës, botues arrestohet dhe vdes në burg pas torturave.

Vetë Maria do të vdiste në Shkodër në dhjetor të vitit 1954.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.