EKONOMI

Kreditë me probleme vijojnë uljen edhe vitin në 2020

10:18 - 12.03.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Viti 2020 ka nisur me një përmirësim të raportit të kredive me probleme. Statistikat e Bankës së Shqipërisë treguan se në fund të janarit ky tregues zbriti më tej në 8.3%, nga 8.4% që kishte qenë në fund të dhjetorit. Krahasuar me një vit më parë, raporti i kredive me probleme është ulur me tre pikë përqindje. Kjo tregon se ulja e kredive me probleme duket e qëndrueshme dhe ka një tendencë normalizimi. Ky është një tregues thelbësor për shëndetin e sistemit bankar, është, gjithashtu, një faktor përcaktues në ofertën për kredi. Ulja e kredive me probleme është rezultat i një sërë masash të ndërmarra në vitet e fundit, ku ndoshta efektin më të madh e dha rregullorja që detyronte bankat të nxirrnin jashtë bilancit kreditë e klasifikuara si të humbura prej më shumë se tre vjetësh.




Që nga viti 2015, bankat kanë fshirë më shumë se 500 milionë euro kredi të humbura. Duke filluar nga ky vit, afati për të nxjerrë kreditë e humbura jashtë bilancit do të shkurtohet në dy vjet, çka pritet të ndikojë në një ulje të mëtejshme të tyre në bilancet e bankave. Gjithashtu, ulja e kredive me probleme u ndihmua nga përmirësimet në procesin e ekzekutimit të kolateralit dhe nga një përdorim më eficient i ristrukturimit të kredive për huamarrësit në vështirësi të përkohshme. Sidomos që nga mesi i vitit të kaluar, ulja e raportit të kredive me probleme u nxit nga rritja e ritmeve të kreditimit. Statistikat e Bankës së Shqipërisë treguan se vitin e kaluar portofoli i kredisë për ekonominë u rrit me më shumë se 7%, duke dalë nga një periudhë e gjatë stanjacioni. Vetë rritja e madhësisë së portofolit të kredisë është një faktor me ndikim të rëndësishëm në uljen e peshës specifike të kredive të këqija. Viti 2020 ka nisur me premisa të mira për sistemin bankar, por përmirësimi i mëtejshëm i huadhënies duket se po përballet me rreziqe në rritje nga ecuria e ekonomisë reale.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.