KULTURË

Masat për parandalimin e Koronavirusit/ Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit: Abuzive, fatura financiare po shtohet

18:04 - 16.03.20 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka reaguar ditën e sotme pas masave të marra nga qeveria për ndalimin edhe të këmbësorëve. Në një reagimi Aleanca shprehet se kjo masë është abuzive dhe krejt ndryshe nga panorama e vendeve perëndimore.




Deklarata e plotë

Prej datës 9 mars në Shqipëri po zbatohet vendimi i qeverisë për kufizimin e veprimtarisë jetësore në funksion të parandalimit të përhapjes së sëmundjes COVID-19. Shkollat e universitetet kanë ndërprerë mësimin, bizneset pothuajse janë paralizuar dhe në veprimtari të plotë janë vetëm (super)markatet ushqimore dhe ato që shesin produkte higjiene si dhe farmacitë.

Qytetarët anembanë vendit po respektojnë thirrjen për vetëkarantinim në kushtet e shtëpisë. Kontaktet sociale janë reduktuar ndjeshëm, të gjithë e kanë kuptuar përgjegjësinë që kanë ndaj vetes dhe tjetrit dhe janë të ndërgjegjësuar lidhur me ndihmën që duhet të japin që sistemi shëndetësor të mos kolapsojë. Me qindra mjekë e infermierë i janë përgjigjur thirrjes për t’u angazhuar vullnetarisht në përballimin e situatës.

Pavarësisht gjithë këtij angazhimi dhe kësaj përgjegjshmërie të dëshmuar mbarëqytetare, kryeministri i cili i jep urdhrat me tuta nga mjediset e shtëpisë përmes Facebook-ut paralajmëron gjoba për cilindo qytetar që do të kapet duke lëvizur në këmbë pas orës 18:00, duke iu referuar për këtë vendimit të Ministres së Shëndetësisë Manastirliu.

E denoncojmë këtë masë tërësisht abuzive e që merret nga një organ që nuk e ka aspak tagrin. Konstatojmë:

  1. Nuk jemi kundër masave parandaluese për luftën ndaj virusit por një masë e tillë merret vetëm në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme. Atëherë përse nuk shpallet ajo? Nëse do të shpallej gjendja e jashtëzakoshme qeveria duhet të dëmshpërblejë bizneset dhe individët që dëmtohen nga masa të tilla në bazë të ligjit. Fatura financiare vetëm se shtohet çdo ditë, rreth 30 milionë euro në ditë me referenca nga ekspertë të fushës.
  2. Qeveria u paralajmërua prej kohësh nga mjekë dhe nga opozita për kontrollin në pikat kufitare për të parandaluar ardhjen e sëmundjes nga vendet e prekura dhe nuk ndërmori pothuajse asgjë në një periudhë 2-mujore (janar – mars), për pasojë sot do të kishim një jetë më shumë dhe më pak të prekur nga sëmundja. Ndërkohë që në një vend si Tajvani, pikërisht se qeveria mori masa shtrënguese lidhur me personat që hynin aty në pikat kufitare, sëmundja pavarësisht afërsisë me Kinën nuk ka arritur të depërtojë në nivele shqetësuese (aktualisht raportohen rreth 50 të prekur nga kjo sëmundje në Tajvan).
  3. As edhe sot nuk dihet saktësisht se cila është gjendja materiale në spitalet shqiptare për të përballuar krizën sanitare, duke nisur nga aparatet respiratore. Në kushtet e një emegjence sanitare si kjo që po përjetojmë, është e nevojshme që koncesionet që shpenzojnë me qindra milionë lekë të taksapaguesve shqiptarë të ndërpriten e me ato para të arkës shtetërore të manaxhohet financiarisht kjo emergjencë duke shtuar me urgjencë investimet në drejtimet që këshillohen nga ekspertët e fushës.
  4. Izolimi i qytetarëve me orar duhej mbështetur në ligjin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Përderisa nuk ka ndodhur kështu, kjo masë është abuzive. Shembujt nga SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia, Austria, Izraeli e vende të tjera perëndimore, japin një tjetër panoramë për masat që mund të merren, të cilat kërkojnë angazhimin vetiak të qytetarëve dhe jo imponim mbi ta me masa ndëshkimore e shkelëse të të drejtave të njeriut. Si një shembull ndër të shumtë të tillë, kryeministri i Austrisë Kurz në daljen publike të datës 15 mars, kërkoi nga njerëzit të qëndrojnë në shtëpi e në rast nevoje të shëtisin në pyje, parqe apo rrugët e qytetit, vetëm ose me njerëzit me të cilët jetojnë.
  5. Përdorimi nga Kryeministri i një gjuhe të mbushur me gjoba e ndëshkime është tregues i pastër i synimit për të vendosur de jure diktaturë. Justifikimi i tyre me rrezikun e infektimit kërkon nënshtrimin paqësisht nga ana e popullit.

Shqipëria është një republikë demokratike dhe në kushtet kur në të nuk është vendosur gjendje e jashtëzakonshme çdo masë kufizuese që shkon kundër lirisë e të drejtave themelore të qytetarëve është abuzive dhe antikushtetuese.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.