OPINION

Është lufta vetë

10:17 - 20.03.20 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Zeno Jahaj




Përballë koronavirusit, gjëndja nuk është “si në luftë”.  Është lufta vetë. As më pak, as më shumë, në një farë mënyre është një prizëm se si do të jetë Lufta e Tretë Botërore. Është lufta së cilës ia kemi patur frikën prej mëse një shekulli: lufta kundërbakteriologjike – një simetri e luftës kundërbërthamore dhe luftës kundërkimike. Nuk ka rëndësi në ç’laborator apo thertore kafshësh lindi. Nuk ka rëndësi nëse erdhi nga Otava apo Pekini, nga Uashingtoni apo Moska. E rëndësishme është që, prej saj, të gjithë janë të humbur. Të gjithë janë në pandemi, domethënë, në një luftë botërore.

E sigurtë është se lufta e sotme dhe, aq më shumë ajo e nesërme, nuk do të bëhet siç është bërë. Lufta kundërbakteriologike duket se është një nga versionet që do sundojë jo thjeshtë dhe vetëm mendimin farmaceutik, por sidomos mendimin ushtarak.

E sigurt është gjithashtu se lufta e sotme, sidomos ajo e nesërme, nuk bëhet dot vetëm, pa aleatë. Prandaj edhe NATO ka një nen, sipas të cilit, një sulm ndaj një vendi është sulm ndaj të gjithëve. Të gjithë antarët e saj janë sulmuar nga coronavirusi. Por disa prej tyre janë më të sulmuar se sa të sulmuarit e tjerë. Si qytetarë që i kemi besuar dhe na ka besuar sigurinë, do na vinte mirë të dijmë se ç’po bën NATO për Italinë, apo për Spanjën. A do ta provojë veten Aleanca se përse qëndron në këmbë? Do ta akvizojë Nenin 5? Apo secili antar i saj do luftojë për vete dhe Zoti për të gjithë?

Besoj se NATO duhet ta ketë një strategji për këtë lloj lufte. Por qytetarët italianë duhet ta shohin. Qytetarët spanjollë duhet ta shohin. Qytetarët e vendeve të tjera të Aleancës duhet ta shohin, që të besojnë se ajo di si t’i përgjigjet këtij mjedisi specifik të sigurisë.

Kjo është luftë e një lloji të veçantë dhe natyrisht nuk fitohet duke ngritur njësi ushtarake, tanke apo avionë luftarakë. Por pikërisht se është luftë e një lloji të veçantë, ajo kërkon edhe përgjigje të një lloji të veçantë. NATO duhet t’a ketë një plan se si angazhohen kapacitetet kombëtare të çdo vendi, mjekësia ushtarake e tyre, spitalet fushorë të tyre, e të tjera asete, për të përballuar këtë luftë.

Shqipëria e ka shpallur tashmë luftën. Çështja është që kjo luftë duhet të fitohet. Dhe, që të fitohet, së pari, duhet një strategji fitimtare, Është fat që kjo strategji është përcaktuar tashmë. Thelbi i saj është përqëndrimi i përpjekjeve dhe i energjive në një dorë. Si në çdo luftë. Për këtë gjëndje, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale – një mision shumë i gjetur për kohë paqe, është sot, realisht “Ministria e Luftës Kundër Koronavirusit”. Të gjithë punojnë për të: edhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, edhe Drejtoria e Përgjithëshme e Policisë, edhe qytetarët, edhe mediat.

Lufta do gjeneralë, oficerë dhe nënoficerë të mirë. I kemi. Këta janë menaxherët dhe mjekët profesionistë të Shqipërisë. Po i evidenton lufta. Nuk i kishim njohur. Sepse sicc e thotë një poet anglez, njerzit i kthejnë sytë nga Zoti dhe nga ushtari vetëm në kohë lufte.

Por lufta do edhe ushtarë të mirë. Në këtë rast, jemi ne, qytetarët, e gjithë popullata. Është çështje e mbijetesës kombëtare. Jemi një popull i vogël dhe mungesa e dispilinës së hekurt për të zbatuar ligjet e luftës, na rrezikon mbijetesën si komb. Nëse bie ngrehina kombëtare, do i zerë të gjithë poshtë.

Të mos harrojmë se Mesdheu – qendra gjeopolitike e botës së lashtë dhe, aktualisht vakumi më i madh gjeopolitik i botës, historikisht ka qenë edhe zona më e prekshme nga pandemitë. Të shumtat pandemic, të emërtuara “e zezë”, më shumë se kudo, në Mesdhe, kanë shuar qytete, kanë shthurur perandori dhe kanë shkatërruar kombe, madje të mëdhenj.

Shqiptarët, edhe kështu të ndarë e të grindur siç janë, rreziku pandemik i shthur edhe më shumë, Iu rrezikon ekzistencën.

Prandaj, ne si qytetarë, duhet të bëjmë atë që bëjnë të gjithë ushtarët e mirë të një ushtrie fitimtare në luftë: të mbajmë ekuilibër në disiplinë, jo ekuilibër në shkeljen e saj. Refuzimi për të ndjekur urdhërat në kohë lufte është krim.

Çfarë disipline na kërkohet? Thjeshtë të mos vritemi. Thjeshtë të mos vrasim të tjerë. Asgjë më shumë sesa të qëndrojmë brenda shtëpisë. Le ta konsiderojmë shtëpinë si fortifikatën tonë. Duke u mbrojtur vetë në këtë fortifikatë, mbrojmë familjen, farefisin, bashkëqytetarët, tërë kombin.

Koronavirusi duhet konsideruar si kulturë lufte. Një komb që nuk di të luftojë, nuk di as të rrojë.


Shfaq Komentet (1)

Leave a Reply to Pano Hallko Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Përgëzime autorit për këtë thirrje intelektuale, me këmbë në tokë. Por edhe gazetës, që përzgjedh të tilla mendime.
    NATO-ja, patjetër që do duhet të ketë strategji për të tillë skenarë. Dhe duhet t`i ketë të hershëm.
    Thuhet kjo, pasi ai “diktatori i poshtër” plot 44 vite më parë, e kishte parashikuar këtë skenar. E kur e kishte parashikuar ai, doemos që NATO e ka pasë parashikuar.
    Nuk mund të kritikojë askush qeverinë për masat që ka marrë.
    Por ndoshta me këtë rast, duhet falenderuar edhe Dr. Sali Berisha, për qëndrimin konstruktiv që ka mbajtur, duke folur thjesht si DOKTOR, e si Majë e Mjekësisë Shqiptare.
    Sepse duhet, është e domosdoshme, që njerëzit-cilëtdo qofshin këta, ta zhveshin kostumin e ndyrë të politikanit, e t`u flasin bashkëkombasve me zemër në dorë, për të mirën e përgjithshme, për jetët njerëzore.
    Fronti i përbashkët i krijuar, mes qeverisë-opozitës dhe Presidentit, duhet të jetësohet e të ketë vazhdimësi, përballë kësaj gjëme të madhe që kërcënon ekzistencën tonë.

    Përgjigju ↓