Opinion-Komente

Paketa financiare e qeverisë dhe informimi si proces jetik për fitimin e “luftës”

14:59 - 23.03.20 Gazeta Shqiptare

Erl Murati 



Kryeministri Rama prezantoi pak ditë më parë paketën financiare që pritet të lehtësojë sadopak pasojat e krizës ekonomike që mund të sjellë në vend bllokimi i jetës publike nga koronavirusi. Fondi në dispozicion: 80 milionë euro për kompanitë që kanë vështirësi për pagesën e rrogave të punonjësve dhe 53 milionë euro për shtresat në nevojë, biznesin e vogël dhe “papunësinë e mundshme për shkak të luftës”.

Ndonëse është disi e paqartë mbi çfarë kriteresh dhe si do të operohet me ndarjen e këtij buxheti, përfaqësues të biznesit druajnë se kjo shumë mund të jetë e pamjaftueshme. Megjithatë, kanë kaluar vetëm 11 ditë nga karantina dhe paragjykimi për efektet e paketës financiare nuk ndihmon askënd. Përkundrazi, ajo është e mirëpritur në një kohë kur e ardhmja duket gjithnjë e më e pasigurt dhe “lufta” mund të zgjasë, së paku deri në qershor.

Një nga sektorët e goditur financiarisht nga kjo situatë është padyshim media. Gazetarët e terrenit kanë qenë dhe janë në frontin e parë të luftës, por mediat ku ata punojnë do të hasin vështirësi në pagesën e rrogave mujore. Reklamuesit kryesorë, bizneset e mëdha do të tërhiqen ose do të tkurrin buxhetet e tyre të marketingut duke qenë se do të goditen vetë nga kjo krizë. Dhe kështu, efekti domino do të jetë i pashmangshëm në “zinxhirin ushqimor”: më pak reklamë nga biznesi, më pak të ardhura për mediat, më pak para për anëtarët e frontit të luftës, gazetarët.

Shumëkush në këtë ambient jeton me qira, paguan një kredi dhe rruga mujore mezi i del në Shqipërinë e 1001 halleve. Dikush ushqen fëmijët, paguan faturat, blen ilaçet. Një gazetar i ri u jep një kontribut-ndihmë prindërve pensionistë, në qytetet që kanë furnizuar “Tiranën e Re” të këtyre 30 viteve.

Thënë shkurt, apeli i para disa ditëve nga shoqatat e gazetarëve është i drejtë: kompanitë mediatike nuk duhet të përjashtohen nga paketa e ndihmës në këto kohë të pazakonta.

Reklamuesit e mëdhenj janë tërhequr, një pjesë e televizioneve po punojnë me stafe të reduktuara. Gazetat e printuara duke përfshirë “Gazetën Shqiptare” kanë vendosur të pezullojnë përkohësisht publikimet, duke mbajtur vetëm variantet “on-line”. Për t’iu bashkuar apelit të vetëkarantinimit, për të dekurajuar daljen e njerëzve nga shtëpia, për të evituar kontakte të rrezikshme në kioskat e shitjes së shtypit të shkruar.

Nga ana tjetër, mediat dhe i gjithë spektri informativ janë armët vendimtare kundër territ informativ që paraqitet si një kërcënim konkret në ditët e luftës me pandeminë COVID-19.

Mediat nuk janë industri luksi, madje e kundërta është e vërtetë. Në kohë lufte si këto që po jetojmë, informimi si themel i ngrehinës së solidaritetit, është jetik.

Informimi dhe mundësia që ky proces të vazhdojë mund të ndikojnë në vetë rezultatin e kësaj lufte. Sensibilizimi dhe këshillat për kujdes mund të jenë vendimtare në bilancin final, kur gjithçka të përfundojë dhe kur shteti dhe populli të numërojnë viktimat e plakës me kosore.

Ndaj, që kjo betejë të vazhdojë bashkërisht duhet të mos e braktisim njëri-tjetrin në llogore. Nuk ka asnjë arsye që media të përjashtohet nga paketa financiare, përkundrazi duhet mbështetur jo thjesht si biznes si gjithë të tjerët, por si një industri misionare që mund të ndihmojë në mposhtjen e armikut. Bota është në luftë dhe për të perifrazuar thënien e famshme të Clausewitz-it: informimi nuk është gjë tjetër, veçse vazhdimi i “luftës” me mjete të tjera.

Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Kjo Analizë, është ndër të paktat(në mos e vetmja) që trajton një temë e cila do duhej të ishte qysh herët në vëmendjen e vendimmarrësve.
    Edhe më parë se të pllakoste kjo gjëmë, gazetarët nuk kanë pasë bërë pjesë te “të përkëdhelurit” e sistemit. Flasim për ata që janë gazetarë(të cilët i kemi të paktë), e jo për pazarxhinj që stisin emisione me ndjekje “të lartë”.
    Për gazetarët, që mundohen të përballojnë nevojat e tyre e të familjes, me të vetmin “biznes” që kanë,-rroga në fund të muajit.
    Nëse para një muaji, gazetarët na nevojiteshin “thjesht për informim” tani e më pas na duhen edhe për të mbijetuar.
    Ky problem, i trajtuar nga njëri prej tre-katër gazetarëve në kuptimin e plotë të fjalës, që i kanë mbetur këtij vendi, duhet të jetë një kambanë për t`u vlerësuar nga ata që marrin vendime.
    Përgëzime autorit!

    Përgjigju ↓