OPINION

Dita Botërore e Teatrit/ Mesazhi i regjisorit që ruan godinën: U politizua edhe Europa Nostra?

13:53 - 27.03.20 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

DITA BOTËRORE E TEATRIT




Nga Edmond Budina

Dita Botërore e Teatrit u vendos në Vjenë, më 1961, në kongresin IX botëror të Institutit Ndërkombëtar të Teatrit (I.T.I.). Prej 27 marsit 1962, Dita Botërore e Teatrit është shpallur nga Qendrat Kombëtare të I.T.I. që ekzistojnë në njëqind vende të botës. Shqipëria nuk bën pjesë në të. (E ç’i duhet? Në fund të fundit, për politikën teatri është vrima e fundit e kavallit.) I.T.I. u krijua në vitin 1948 me iniciativën e UNESCO-s dhe personaliteteve më të shquara të teatrit. Është organizata më e rëndësishme botërore, jo shtetërore, në fushën e arteve skenike. Synimi i saj është: “Të nxitë shkëmbimet ndërkombëtare në fushën e njohjes dhe praktikimit të arteve skenike, të stimulojë krijimin dhe zgjerojë bashkëpunimin mes njerëzve të teatrit, të sensibilizojë opinionin publik për të marrë në konsideratë krijimin artistik në fushën e zhvillimit, të thellojë mirëkuptimin e dyanshëm për të ndikuar në forcimin e paqes e miqësisë mes popujve, në mbrojtje të idealeve e qëllimeve të përcaktuara nga UNESCO.”

 

Krijimi teatror ka të bëjë me shpirtrat njerëzorë, që i besohen njëri-tjetrit e hyjnë në komunikim mes tyre. Aktori, që jeton çastin e vdekjes, të themi, në një tragjedi dhe spektatori, që e përjeton atë çast si të vërtetë dhe emocionohet, vuan, qan, a nuk e bëjnë atë moment të papërsëritshëm dhe të shenjtë? (Çdo njeri, qoftë aktor a spektator, që e ka jetuar, e di se ç’dua të them.) E njëjta gjë ndodh edhe në një komedi, ku çlirimi, ngazëllimi, dëshira e të jetuarit është e dyanshme. Teatri vazhdon edhe përtej shfaqjes, në idetë që ai përcjell, në reflektimin që spektatori merr me vete. A nuk ndodh, që edhe kohë pas një shfaqjeje, njerëzit përdorin frazat e personazheve, njëjësojnë aktorin me personazhin ose i thërrasin me emra personazhesh? Sa herë në historinë e teatrit personazhe ose shfaqje kanë influencuar në jetën shoqërore e politike të një vendi. A nuk është aktori ai që mishëron, i jep jetë personazheve të së shkuarës e në mendjen e masave ata mbeten të tillë? Ringjallja, mishërimi, dhënia jetë e një personazhi, që ka ekzistuar ose jo, a nuk është një akt shenjtërimi? Dhe ky shenjtërim ndodh, pikërisht në një vend të shenjtë, në Teatër. Aktori është predikuesi dhe besimtarët e tij janë spektatorët. Teatri, ky komunikim tejpërfshirës shpirtëror ka brenda tij dramaturgun, regjisorin, skenografin, punonjësit e skenës, sallës, gjithë prapavijën. Të gjithë së bashku në harmoni ngjizin atë shenjtërim që ndodh brenda mureve të teatrit. Kjo ndërthurje energjish shpirtërore në një teatër ka të bëjë si me spektatorët pjesëmarrës në atë çast, ashtu edhe me miliona të tjerë që e kanë jetuar atë sallë në të tjera shfaqje. Është e ndërlidhur me shpirtrat e krijuesve, që e kanë jetuar në të tjera kohë. Sa më i vjetër teatri, aq më e madhe vlera shpirtërore që ai ruan brenda vetes në muret, dërrasat, karriget, kostumet e gjithë objektet, që ndodhen në të. I tillë është Teatri ynë Kombëtar, që në këtë ditë botërore të teatrit, ka marrë një vlerësim të jashtëzakonshëm. Ka hyrë tashmë në Europë, atje ku politika jonë troket e troket, por dera nuk e dimë nëse do t’i hapet. Ka hyrë falë rezistencës së pashembullt qytetare, që është bërë simbol i një mënyre të re të menduari. Shpesh na kanë anatemuar, fyer. Na kanë thënë e çfarë nuk na kane thënë! Ka pasur edhe intelektualë, artistë, që janë justifikuar se ne qenkërshim, vallaha edhe të politizuar. Mos vallë edhe Europa Nostra është e politizuar? Të politizuar e militantë kanë qenë shembësit, ata që për hir të interesave të vockëla mediokre, i janë ligavitur pushtetit. Mund t’i kuptoj bindjet e ndryshme, por në rastin e Teatrit nuk ka bindje ndryshe. Ka vetëm mediokritet e injorancë nga njëra anë dhe dëshirë të sinqertë për të mbrojtur e dashur një vlerë të përbashkët kombëtare, nga ana tjetër. Fakt është, që kultura fitoi mbi injorancën. Me ç’moral do të kenë guximin të pretendojnë të luajnë në atë sallë, kur ajo të jetë rikonstruktuar, të jetë bërë nga më funksionalet e më të bukurat, ata që kanë firmosur prishjen? Po ata, që me heshtjen e tyre janë bërë pjesë e lojës së pistë të interesave mafioze? Me ç’moral Ministrja e Kulturës, që ka studiuar edhe për ruajtjen e objekteve të trashëgimisë, do të bashkëpunojë me Europa Nostra-n, po Kryebashkiaku, Kryeministri? Ata që na përrallisin se nuk ka fonde, që shkelën Kushtetutën e donin të vidhnin truallin publik? Po ata deputetë injorantë, që ngritën kartonat e votuan si derrkucë të nginjur? Jam i bindur, që edhe në të ardhmen do të mundohen të futin shkopinj nën rrota, por qytetarët do të jenë atje!

 

Është një rast i rrallë, jo vetëm në Shqipëri, që qytetaria mbron për një kohë kaq të gjatë, ditë e natë, një vlerë të përbashkët. Edhe për këtë intelektualët e mbarë kulturës europiane e vlerësuan maksimalisht. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se gjithçka mori fund, fituam. Jo! Lufta vazhdon deri në ristrukturimin e plotë, hapjen e dyerve të Teatrit në të gjithë shkëlqimin e tij.

111 222 333 444
<
>


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.