KULTURË

Milto Vako, figurë e shquar e artit muzikor

10:00 - 30.03.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Prof. Zef Çoba* –  (me rastin e 90 vjetorit të lindjes)  Me daten 30 mars 2020, dirigjenti i korit prof. Milto Vako(artist i merituar) kremton ritualin e festës së qirinjëve mbi torte, në përvjetorin e 90-të të datëlindjes së tij. Edhe në këtë moshë,  interesat e tija mbeten puna studimore, muzika, kori. Deri para tre viteve aktiv dhe energjik si gjithnjë, vinte i ftuar në Fakultetin e Muzikës të Universitetit të Arteve në Tiranë, për të zhvilluar leksione për artin e këndimit koral dhe të dirizhimit koral. Elegant e me një komunikim të zhdërvjelltë me të gjithë brezat megjithëse ishte në moshen 87 vjeçare, gëzonte aftësi për të  krijuar një dialog të dashur e të këndëshëm me studentë e pedagogë. E këtë dashuri ato ia kthenin me respekt e mirënjohje, me urimin e përzemërt: paçi shëndet, jetë të gjatë e të lumtur profesor Milto.




Një jetë i lidhur me muzikën, që fëmijë kur kushtet nuk ishin për të mësuar artin në shkolla të profilizuara. Ndoshta është rasti të hamendësojmë pyetjen: shkoj ai tek muzika apo …? Ndoshta misteri i shprehive komunikuese muzikore të lindura në të, ia nisi këngës, e ai për ta kënduar atë, kërkoj të mësonte gjuhen e artit të tingujve.

Në qytetin e Pogradecit që është vëndlindja e tij, mori mësimet e para të muzikës. Duke ecur mirë, filloj të merrte pjesë në mandolinatën dhe fanfarën e qytetit të drejtuar nga Luigj Filaj. Talenti dhe prirjet i japin drejtimin që i përcakton përfundimisht të ardhmen, sepse vazhdon studimet në Liceun Artistik të Tiranës në vitet 1948 – 1951. Pas diplomimit, fillon punë si formulonjës muzike në Kinostudion “Shqipëria e Re” të porsa krijuar, si dhe emërohet ndihmës dirigjent i filarmonisë shqiptare.

Fati i dha mundësi që studimet e larta ti vazhdojë në Rusi në vitet 1953-1959, në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës, nën udhëheqjen e një prej figurave më të shquara të muzikës korale të kohës profesor V. G. Sokollov, periudhë kjo që brumosi e konsolidoi idealet e tija artistike. Pas mbarimit të studimeve të larta ku u diplomua shkëlqyeshëm si dirigjent kori në vitin 1959, kthehet dhe  plot energji, profesionalizem, shpirt pune e përgjegjesi artistike, futet në marrdhënie me institucionet më të profilizuara të formimit e të prodhimit artistik të vëndit. Frutet e këtij bashkëpunimi dhe mbresat e debutuesve e të publikut, janë të pashlyeshme.

7 3 4 5 6
<
>

Në vitin 1959 emërohet dirigjent i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, detyrë të cilën e vazhdoi deri në vitin 1963. Është fakt i njohur që ky ansambel arriti të ndertojë një art dinjitoz me fizionomi të qartë kombëtare. Padyshim një ndjenjë respekti buron për të gjithë ato që e krijuan e punuan për vendosjen e bazave të këtij institucioni të rëndësishem kombëtarë, ndërmjet të cilëve spikat edhe emri i Milto Vakos.

Po në këtë periudhë ngriti korin e Liceut Artistik “Jordan Misja”, duke futur përvojen e eksperiencës së edukimit vokal më të mirë botërore  të quajtur “voce biancho”. Kjo gjë ngjalli shumë diskutime, sepse i binte ndesh praktikave të mëparëshme dhe tabuve të kohës. Ja si shprehet pianistja e njohur prof. Nora Çashku në kujtimet e saja: “…. Kam pasur shancin të isha një nder nxënëset e Korit të Liceut në vitet ‘60. Prof. Milto Vako i sapokthyer nga studimet, me pasion, energji dhe përkushtim të lartë profesional, ngriti një kor që u kthye në një instrument me të cilin prof. Milto luante si nje mjeshtër i madh. Përfitimi profesional nga ky kor për mua ka qenë deçiziv: Për herë të parë morëm konceptet për frazën, për raportin e melodisë dhe akompaniomentit, të fuzionimit të zërave e të tjera elemente të cilat janë të dodmosdoshme për lojen instrumentale. Ndoshta magjia që transmetonte, apo mënyra e të shpjeguarit ma bëjnë shumë të afërt e të pashlyeshme atë kohë.”

Hapja e Konsrvatorit të Tiranës në vitin 1962, ishte ngjarje e rëndësishme për kulturën dhe artin në vëndin tonë. Profesor Milto jep një kontribut të çmuar si pedagog, në lëndët e dirizhimit dhe të solfezhit. Ai është autor i hartimit dhe përshtatjes së disa teksteve mësimore për degën e Dirizhimit Koral dhe Teorisë së Solfezhit.

Në vitet 1963-1969 i ngarkohet detyra e dirigjentit të Korit të Teatrit  të “Operas dhe Baletit” në Tiranë, periudhë në të cilen janë vënë disa vepra kombëtare si: “Mrika” e “Skënderbeu” të Prenk Jakovës, “Heroina” të Vangjo Novës, “Vjeshta e Artë” e Tish Daisë, “Arbëria Kryezonjë” e Çesk Zadejës; vepra të zgjedhura nga literatura e kompozitorëve të njohur botërorë si “Le nozze di Figaro” të Mozartit, “Madama Butterfly” e “La Bohème” të Puçinit, “Les Pècheurs de Perles” e “Carmen” të Bizesë, “Rigoletto” e “La Traviata” të Verdit, “Il Barbiere Di Siviglia” e Rosinit, “Pagliacci” të  Leoncavalos etj.

Shoku dhe kolegu prof. Rifat Teqja në vlerësim të tij është shprehur: “Milto Vako karakterizohet nga vullneti i çeliktë në mësimdhënie dhe nga pasioni për të krijuar art me cilësi të lartë, sidomos në dirigjimin koral. Talenti i tij u duk që në Konservatorin e Moskës, ca më shumë, në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë, ku punuam bashkë, unë si dirigjent simfonik e ai si dirigjent koral”.

Në vitin 1968 emërohet drejtor artistik dhe dirigjent i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, detyrë të cilën e vazhdoi deri më 1973. Nën drejtimin e Milto Vakos ansambli vazhdon të konsolidohet, jep shfaqje e premiera dhe bëhet protagonist në jetën kulturore artistike të vëndit. Zhvillon turne në disa vende të botës si Rusi, Kinë, Vietnam, Egjipt, Kore, Jugosllavi, Francë,  Rumani, Itali, Suedi etj., si dhe është nderuar me çmime të para në aktivitete ndërkombëtare, si ai i “Dizhonit”, në vitin 1970 në Francë.

Nga vitin 1973 deri më 1991 pas vendimit të pleniumit të lV të PPSH, jeta artistike dhe karriera  profesionale e Milto Vakos ndërpritet prej rregjimit totalitar. Ndaj tij u ushtrua dhunë deri në heqjen e lirisë, e për pasojë familja vuajti  masa  të rënda ndeshkuese.

Pas ndryshimeve politike në vitin 1991, fillon për të një jetë e shumëpritur me interesa intelektuale e artistike. I vihet punës dhe jep një kontribut me vlerë, për ringritjen e Korit Orthodoks të Kishës Autoqefale Shqiptare, për shërbesat fetare muzikore. Si mjeshtër e njohës i mirë i këndimit koral, ka meritë se duke u bazuar në traditat më të mira, konturon karakterin e stilit të kënduarit koral orthodoks, njëkohësisht pasuron repertorin si në funksion të ritualit kishtar liturgjik ashtu edhe koncertor.

Po në vitin 1991 artistit të merituar, mjeshtrit të korit Milto Vako, i harruar nga institucionet e artit e të kulturës, i kërkohet të jetë pedagog në Akademinë e Arteve të Tiranës (sot Universiteti i Arteve), për të  dhënë leksione në lëndët e klasës korale dhe të muzikës së dhomës. Nga viti 1993 deri në vitin 2002, emërohet drejtues i departamentit Kanto – Dirizhimit, si dhe dirigjent i Korit të Vajzave të Akademisë së Arteve, i cili pati arritje të larta artistike. Ky kor përgatiti e dha me sukses shumë koncerte brënda vëndit, si dhe mori pjesë në veprimtari e kompeticione të rëndësishme nderkombëtare në: Itali, Gjermani, Zvicër, Francë, Izrael e në vëndet e rajonit të Ballkanit, duke u nderuar me çmime të para e vlerësime të larta.

Ndërkohë jep leksione edhe në Universitetin e Arteve të Tetovës.

Një aspekt tjetër i rëndësishem i aktivitetit artistik të prof. Milto Vako, është lëvrimi i mendimit krijues. I nxitur nga dëshira e mirë e pasioni për të pasuruar repertorin, në të gjitha marrëdheniet institucionale që ka punuar, ka krijuar e perpunuar këngë e vepra korale që kanë hyrë në repertorin e zgjedhur të koreve më të mira të vëndit, si dhe janë interpretuar nga kore e ansamble vokale të vëndeve të tjera. Në këtë repertor, vëndin kryesorë e zënë këngët e bukura të krahinave të ndryshme, në të cilat të gjitha mjetet artistike i ka përdorur mjeshtërisht e me inteligjencë, në funksion të karakteristikave stilistike të materialit burimor. Si profesionist, ka studiuar traditat e veçanta që ka populli i ynë për këngën kolektive. Ka studiuar artin e këndimit tradicional të trevave të ndryshme të vëndit, ka përpunuar e kompozuar krijime të vendosura bukur në instrumentin e korit.

Falë kësaj pune 10 vite më parë, pikërisht në mars të 2010-tës, në 80 vjetorin e lindjes, na dhuroi botimin “Krijimtari korale”, në faqe të parë të të cilit është vënë shënimi: “Trashëgimia korale shqiptare nën mishërimin e Milto Vakos”.                                                                                                   

 Ky repertor ka sherbyer edhe për formimin e artistëve të rinj të Fakultetit të Muzikës së Universitetit të Arteve, për lëndët e Këndimit Koral, Ansambel Dhome dhe Dirigjim Koral.

Tani pas 10 viteve, në 90 vjetorin e lindjes, kemi në dorë librin “PUNA ME KORIN” (ribotim), i cili është produkt i punës së thellë studimore të autorit, si dhe eksperiencës së gjatë artistike e pedagogjike. Ky botim i rishikuar, është tregues i angazhimit serioz të profesor Milto Vako, për të përmbushur me tërë kuptimin e fjalës misionin e tij, me profilin e përcaktuar qartë mjeshtëror – artistik e pedagogjik si Dirigjent Kori.           

I vlerësuar e i respektuar brënda dhe jashtë vëndit, është vlerësuar, nderuar e zgjedhur anëtar në disa forume e organizata si:

  • Mban titullin “Profesor”(1995);
  • Anëtar i Forumit europian “Europa Cantat”;
  • Anëtar i Forumit “Teho” – Maqedoni;
  • Anëtar i Forumit Ballkanik për Muzikën Korale;
  • „ANETAR NDERI“ i Shoqatës Miqtë e Muzikës “ROZAFA EXPRESSION”;

Këshilli drejtues i Shoqatës Kulturore Ndërkombëtare “FORUMI  BALLKANIK PËR MUZIKËN KORALE” (FBMK)  me rastin e përvjetorit të 90-, në njohje të meritave të prof. Milto Vako për krijimin e  FBMK, zhvillimin e artit koral në shtetet e gadishullit të Ballkanit  dhe rolit të tij për bashkimin e popujve të tyre nëpërmjet kengës, ka vendosur ta nderojë me titullin lartë:

        ANËTAR NDERI I “FORUMIT BALLKANIK PËR MUZIKËN KORALE”

Kolegë e emra të nderuar të kulturës, muzikës e artit, shumë nxënës e studentë të tij sot emra të shquar, janë shprehur me konsiderata e vlerësime dinjitoze për vlerat dhe kontributin  e profesor Miltos. Por në mbyllje të këtij shkrimi, po i kthehem edhe një herë konsideratave të dirigjentit të mirënjohur, Rifat Teqja (artisti i popullit):

Milton e vlerësoj për pasionin, talentin dhe zotërimin e plotë të profesionit të dirigjimit, dhe kjo është vertetuar me sukseset e shumta të tij si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Milto është përfaqësuesi më kompetent i kulturës vokale-korale në vendin tonë”.

*Dirigjent, Kompozitor

Shkodër, me 25 mars 2020


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.