OPINION

Fundi i projektit Europian

10:56 - 01.04.20 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Zeno Jahaj




Coronavirusi nuk erdhi vetëm për të vrarë njerz. Duket sikur erdhi edhe për t’i dhënë shkelmin e fundit Projektit Evropian e për të kënaqur, në këtë mënyrë, edhe aktorët gejopolitikë të cilëve iu prish punë ky Projekt.

Edhe për të kënaqur, së pari, ekstremin e djathtë evropian, që tanimë është bllok e palë kundër Projektit.

Edhe për të miratuar Britaninë e cila ia dha një të shtyrë Evropës, asaj Britanie që ka autorësinë e parimit të akrobacisë diplomatike, sipas të cilit britanikët nuk kanë miq të përjetshëm, por vetëm interesa të përjetëshme. Me daljen e trembur të tyre nga Projekti, britanikët duket se e ri-mishëruan këtë parim, duke u bërë të braktisësit e parë të vaporit që dyshojnë se do të mbytet.

Duket gjithashtu se coronavirusi erdhi edhe për të justifikuar lindorët e tipit Orban, të sapoardhur në Bashkimin Europian demokratik, të cilët e kanë hallin të ri-institucionalizojnë ambicjet autokratike të trashëguara nga sistemi totalitar komunist.

Rusia, natyrshëm, është e interesuar për shpërbërjen e BE ose, e shumta, për një BE të dobët, që të varet nga importet e gazit natyral rus dhe që t’i.dridhen përpara Rusisë. Përkundrazi, një BE që është në gjëndje të ushtrojë sanksione ndaj planeve ruse për rishikimin e kufijve dhe rindarjen e ish republikave sovjetike, është kundërpeshë gjeopolitike në tregun dhe ekonominë botërore dhe, si e tillë, e frikëshme për Rusinë. Një BE e fortë prish edhe planet e tjera ruse në fushëbetejën e Ballkanit Perëndimor, të cilat synojnë degradimin e përpjekjeve dhe shpresave të vendeve të këtij rajoni për institucionalizimin e integrimit në familjen natyrale të Evropës.

Kina nuk ka ndërmend të pushtojë kënd ushtarakisht. Nuk ka as mundësi. Nuk e le gjeografia. Por ajo mund ta pushtojë Evropën dhe çdo projekt tjetër, vetëm me konkurencë.

Çështja shtrohet: janë lëkundur themelet e Evropës? Do bjerë Projekti Europian?

Me një gjatësi “epike” (siç do të thoshte Robert Kapllan) të vijës bregdetare-oqeanike prej rreth rreth 66,000 kilometrash, e barabartë me perimetrin e tokës, Europa gëzon, në krahasim me çdo kontinent apo nënkontinent tjetër, avantazhet më të begata që rrjedhin nga kjo pasuri.

Danubi “blu”, Rini, Elba dhe kanalet e lundrueshëm që ndërthuren thuajse në tërë kontinentin, plotësojnë, si me porosi, atë çka mund të lënë mangut detrat e Atlantiku. Rrafshina e Madhe pjellore e Europës Veriore që shtrihet nga Malet e Pirenejve në perëndim e deri në Malet Urale të Rusisë në lindje, përbën “hambarin” natyral të Europës. Nëntoka, klima dhe reshjet bujare duket se i “vënë kapak” kësaj parajse gjigande natyrore që quhet Evropë.

Sot, Europa e Bashkuar ka një popullsi të përgjithshme prej mbi 500 milionë qytetarësh, pothuajse dy herë më shumë se sa SHBA. Me Prodhimin Bruto të Përgjithshëm prej 20 trilionë dollarësh, BE është gjithashtu, në gjëndje të presë në tavolinë SHBA-në.

Sigurisht që Projekti Evropian është i vështirë. Kështu ishte që në lindje. Shtetet e BE-së, pak përpara themelimit, ishin në llogore të kundërta lufte me njeri tjetrin. Armiqtë shekullorë, Gjermania e Franca, nga shtylla të ndarjes u bënë shtylla të bashkimit.

Po sot?

Nëse do të perifrazoja çka shkruan Faik Konica për shqiptarët, do mendoja që armiku i BE-së është vetë BE-ja.

Sepse brenda BE-së kanë lindur dyshimet nëse ia vlen të mbahet në këmbë, ose jo, Projekti Europian. Disa të “brendshëm” të Evropës kanë shpikur teorinë e “dy shpejtësive” për ta ndarë Evropën në “Evropë bërthamë” dhe “Evropë periferi” ose “Sallonet e mëdha” dhe “Klubet e vogla.” Sigurisht duke harruar se, që të shkosh larg dhe të përballosh faktorë konkurues e, madje, armiqësorë gjeopolitikë, duhen aleatë të barabartë, jo aleatë të dorës së dytë apo të tretë. Sepse gjeografia e rreziqeve nuk njeh aleatë të dorës së dytë apo të dorës së tretë. Turqia, për shembull, nuk është aleate e BE-së, madje është e padëshiruara e saj, por pa Turqinë, emigrimi sirian do kishte qenë epidemi më vete për BE-në.

Disa të tjerë kanë shpikur frikën nga shtetet e vogla, të dobëta apo deficiente të Evropës, duke e ndarë familjen evropiane në dy pjesë e duke e lënë, në këtë mënyrë, pjesën e dobët, në dorë të aktorëve të tjerë gjeopolitikë. Ballkani, për shembull, si gjithnjë, bëhet kokë turku. Por a mund të ketë Projekt Evropian pa një Ballkan të qëndrueshëm e të sigurtë? Në kuptim gjeografik, në kuptim vlerash dhe në kuptimin e përballimit të rreziqeve, Europa është vetëm një familje. Dhe në familje, askush nuk mbetet i vogël.

Ja ku jemi: rreziku aktual për Evropën, sikurse për tërë botën, është pandemia. Coronavirusi i gjeti të papërgatitur të dy organizmat europiane dhe euroatlantike, edhe BE-në, edhe NATO-n. Kapacitetet e shërbimeve inteligjente, të cilat duhet të kishin vlerësuar rrezikun që në nëntorin e vitit të kaluar, nuk u bënë të gjalla.

E kanë thënë të gjithë se lufta e sotme, sidomos ajo e nesërme, është luftë e një lloji të veçantë dhe, për këtë arsye, kërkon edhe përgjigje të një lloji të veçantë. Nuk pamë të kishte vlerësime të tilla.

Është thënë se lufta e sotme, sidomos ajo e nesërme, krijon një mjedis specifik të sigurisë dhe, si e tillë, kërkon plane e kapacitete të bashkërenduara e të përqëndruara për ta përballuar. Nuk pamë të kishte plane dhe përgjigje të tilla. Përkundrazi, pamë që secili vend ruajti veten, duke e lënë Italinë në rrezik të mbytet, vetëm.

Nuk është fjala të lëshojmë vlerësime, thirrje apo alarme morale. Është logjika e efektivitetit. Të gjitha pandemitë që do vijnë e që do jenë më agresive e më të ndërthurura me “pandemikë” të tjerë, të hapur apo konspirativë, mund të përballohen vetëm me kuptim të përbashkët, me veprim të përbashkët dhe me solidaritet kapacitetesh.

Sot e në të ardhmen, Evropa ka dy qasje ndaj aktorëve të tjerë gjeopolitikë: të ecë përpara me Projektin e Bashkimit Evropian, apo të bjerë sipas Projektit të Shpërbërjes Evropiane.

Nëse, për shkak të vlerave, Evropa i qëndron Projektit të Bashkimit Evropian dhe ecën përpara me të, atëherë edhe mund të rrezikohet të “pushtohet” nga vala e refugjatëve nga Lindja e Mesme e Azia Jugëperëndimore, por do të jetë e aftë t’i vejë kufi Rusisë dhe të përballojë konkurencën e Kinës. Do të fitojë mbi të gjitha pandemitë e “pandemikët”, sepse me kapacitete të përbashkëta do t’i parashikojë e menaxhojë ato, për të mënjanuar apo zbutur efektet shkatërrimtare.

Nëse Evropa thyhet e bie poshtë sipas Projektit të Shpërbërjes Evropiane, për shkak të “identitetit dhe nacionalizmit”, atëherë, vendet e saj, kësaj radhe veç e veç, do të fitojnë kundër valës së refugjatëve nga Lindja e Mesme e Azia Jugëpërëndimore, por do të diktohen nga Rusia e do të kushtëzohen nga Kina për hallet që secili vend evropian do të ketë. Të veçuar, do të humbasin ndaj të gjitha pandemive e “pandemikëve”sepse, secili veç e veç, nuk do të ketë dot kapacitete për të parashikuar dhe menaxhuar efektet shkatërrimtare të tyre.

SHBA, sigurisht që nuk është e interesuar ta lejë Evropën vetëm. Por bota e nesërme nuk është ajo e djeshmja dhe aq më pak ajo e sotmja. SHBA-së i duhet të merret jo vetëm me një aktor gjeopolitik, siç është marrë deri sot, por me shumë aktorë. Kështuqë, Evropës i duhet të ketë kapacitete të përballojë edhe orekset e Rusisë, edhe konkurencën e Kinës, edhe pandemitë e “pandemikët” e tjerë si terrorizmi, të cilët kanë nevojë për hapësira jetike në këtë botë që po ndryshon.

Prandaj Projekti Evropian nuk duhet të vdesë. Pa këtë Projekt, të gjithë europianët janë domosdoshmërisht të humbur. Me këtë Projekt, ata mund të jenë të fituar. Varet nga vetë ata.

Coronavirusi vetëm se iu tërhoqi veshin dhe vëmendjen. Projekti Evropian duhet shtyhet përpara, jo t’i jepet e shtyra e fundit për të rënë poshtë. Vetëm brenda këtij Projekti të përbashkët, edhe Gjermania mban peshën e saj klasike, edhe Franca ruan idetë si asete unike, edhe ballkanasit përparojnë aspiratat për t’u bashkuar në familjen evropiane së cilës i përkasin natyralisht.

Në të kundërt, jashtë këtij Projekti, Gjermania mbetet gjithnjë e vetrrezikuar e Franca gjithnjë e mëshiruar.

Nëmos iu rikthefshin armiqësive ndaj njera-tjetrës (sepse xhelozive iu janë rikthyer tashmë).

Ballkanasit, po e po, se kanë ende shumë barut të thatë.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Analizë me këmbë në tokë. Nuk e dimë sesa, Europa e Bashkuar, nga Bashkim për Qymyret dhe Çeliqet, është kthyer atje ku ka trumbetuar gjithë kohës:-Në Europë të vlerave, pa lere ne Europë të popujve.
    Britania, ishte kundër atij projekti, qysh në vitin 1931, kur kryeministri i Francës, paraqiti Librin e Bardhë para 26 kryeministrave të tjerë të Europës së atëhershme.
    SHBE-ja, është e pamundur të bëhet, për shumë arsye që nuk është koha dhe vendi këtu t`i diskutojmë.
    Sepse vendet, popujt, nuk mundet kurrë, t`i bashkojë vetëm një monedhë e përbashkët. E cila edhe kjo, nuk është e tyre. Por e bankierëve dhe tregtarëve.
    Më 9 Maj të 1950-ës, që ishte Dita e Fitores mbi fashizmin, e u kthye në Ditën e Europës, Robert Schuman, ndër të tjera, nënvizoi dy pika:
    1-“Paqja botërore nuk mund të ruhet nëse nuk ndërmerren përpjekje të përbashkëta, në raport me rreziqet që e kërcënojnë.
    2-Menaxhimi i përbashkët i prodhimit të qymyrit dhe çelikut, do të ndryshojë fatin e atyre zonave, që prej shumë kohësh merreshin me prodhimin e armëve për luftëra, viktima të të cilave ishin vetë ata”.
    Secili le të nxjerrë konkluzionet e veta, se sa kanë ndodhur këto gjëra në realitet.
    Autori, meriton përgëzime për analizat e tij, sa me nivel intelektual, aq edhe me këmbë në tokë. Ai është një njohës i mirë i Gjeopolitikës.

    Përgjigju ↓