OPINION

Gjesti human/ Elena Merlika: Vlerat lart, atje ku fluturojnë shqiponjat

13:34 - 01.04.20 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Elena Merlika




“Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqipëtar

Zemrën ti m’a gatove plot me dëshirë e me zjarr.”

NAIM FRASHËRI

 

Jam shqiptare dhe krenare për atë gjë edhe se tashmë kam kaluar më shumë vite në Itali se sa në tokën time. Magjia e rrënjëve është e fuqishme.  Është e lidhur me dashurinë e natyrshme për tokën time dhe, në mënyrë të pandashme, me pasqyrimin e vlerave njerëzore të Vendit tim. Një tokë e një magjepsjeje të lashtë që shpesh bota bashkëkohore duket se nuk ka sy për t’a soditur.

Vitet e para të jetës më kanë formuar dhe më kanë krijuar themelin mbi të cilin kam ndërtuar vështrimin vetiak të s’ardhmes. Ato rrënjë kanë ndriçuar çdo herë sfidat e mija  që kam përballuar dhe ecjen e vështirë të atij që largohet nga Vendi i tij.

Rrënjët e mija janë njerëz, veprime, vënde, tregime…. që nuk është gjithmonë e lehtë të rrëfehen nëse nuk i ke jetuar vetë.

Të rritur në një veçim tepër të gjatë ëndërronim shtete, vënde  të përfytyruara të përsosura me vlera të njëjta ose më të larta se tonat… ashtu sikurse imagjinata e një fëmije mund të çojë nëpër mënd.

Pastaj u rrita dhe kuptova se përfytyrimi dhe realiteti kanë fytyra të ndryshme. Kështu bota e përsosur e përfytyruar nga një vend  i vogël i humbur zbulohet një botë e ndryshme.

Por ti vazhdon  të punosh duke ndjekur atë skelet të ngulitur në mëndje që fëmijë e vazhdon t’a kërkosh pa pushim, duke shkuar drejt shumë zhgënjimesh.

Por ja që në botën në të cilën banoj duket një përbindësh i padukshëm i aftë të shkaktojë vuajtje të tmerrshme. Ja një armik i padukshëm që bën botën të heshtë. Një armik që nuk dihet se si duhet luftuar e që nuk sheh në sy asnjë…. nuk kursen as gra e fëmijë.

Ky përbindësh godet qytetin që më ka mirëpritur prej më se njëzet vitesh. Dora dorës zhvendoset shpejt duke mbuluar me heshtje e dhimbje gjithë Italinë.

Kjo Itali që aq bujare ka qenë me ne shqiptarët gjëndet e sëmurë e nevojtare për ndihmë, për ngushullim, për fjalë t’ëmbla që t’i lehtësojnë dhimbjet e tmerrshme.

Megjithatë në heshtje ngrihen fjalë t’ashpra…. që në shtratin e një të sëmuri nuk duhet të shqiptoheshin kurrë. Janë ende më të dhimbëshme me që arrijnë nga brendia e vetë familjes së saj.

Fjalë që i arrijnë vendit të mbyllur në izolim në shtëpitë e tyre e në dhimbjet e tyre. Një mbyllje që e çon secilin prej nesh të përsijasë mbi kushtet parake të njeriut  e mbi rrugëtimin  e tij për t’u quajtur i tillë.

Në kërkimin e një bari konkret për t’a zhdukur, si një cunami vjen  i vetmi bar i efektëshëm për këtë virus: ngrihen të fuqishme vlerat njerëzore.

Solidariteti e mirënjohja, si një erë e  nxehtë ngrohin shpresën… shpresën se asgjë nuk është e humbur, që nuk jemi vetëm e që mund të fitojmë. Ajo erë trupëzohet tek tridhjetë mjekë e infermierë që vijnë nga Vendi im, një Vend i varfër në kushtet e tij ekonomike, por i pasur në shpirt.

Nuk jemi të pasur por jo pa kujtesë. Nuk mund t’i lejojmë vetes të mos i vërtetojmë Italisë se shqiptarët dhe Shqipëria nuk e braktisin kurrë mikun në vështirësi”

            Fjalët që shoqëruan nisjen, të shqiptuara nga kryeministri i ynë, janë fjalë që do të dëshironte të shqiptonte çdo shqiptar nga çfarëdo cep i botës në të cilin ka qenë i shtrënguar të mërgojë.

“Faleminderit Vëndit tënd”, “ç’fjalë të bukura”, “jam i emocionuar”, “ një mësim stili e solidariteti”, janë mesazhe të miqve të mij italianë, të prekur nga zemra e Vendit tim.

U zgjova e lumtur sot, një ditë në të cilën është e vështirë të jesh e lumtur… zgjohem e lumtur sepse si shqiptare më rreh zemra e mallëngjyer për shpirtin e madh të Vendit tim, aq të përceptueshëm për të gjithë dhe ndjehem e kuptuar në krenarinë që kam në zemër për të qenë bijë e asaj toke.

Vetëm me veprime të tilla mund të shpresojmë në një botë më të mirë e të ndryshme kur të ketë kaluar e gjithë kjo. Veprime që nuk vijnë nga pasuria lëndore por nga pasuria e vlerave njerëzore, të afta të lindin mirëqënien e vërtetë.

Faleminderit Atdheu im!

Mars 2020


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.