OPINION

Një udhëtim historik në Padovën e ndritur të At Giuseppe Valentinit

18:52 - 01.04.20 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ndriçim Kulla




Mardhëniet Shqiptaro – Veneciane janë një periudh e art me fqinjët tanë përtej detit.Në themelet e këtyre mardhënieve qëndron historia ,kultura, qytetaria ,arti dhe përkushtimi për jeri-tjetrin. Atje tej – thonë italianët, për ne shqiptarët,ka njerëz që na duan. Ndërsa për ne shqiptarët si në kohën e komunizmit por edhe në periudha të mëparshme historike Italia ishte limani ku ne shpesh ankoronim shpresat. Jemi dy popuj  me përkushtim të rrallë për njeri-tjetrin.

Urat e miqësisë dhe komunikimit midis popujve ngrihen e mbahen në këmbë nga njerëzit e tyre të mëdhenj, që i forcojnë dhe lartojnë këto marrëdhënie. E  At Giuseppe Zef Valentini është një urë e fortë bashkëveprimi dhe përkushtimi për të dy popujt tanë të lashtë, gjendur përjetësisht bashkë  në të dyja anët e  Adriatikut.

Padova, qytet i pasur me monumente të shquara të çfarëdo epoke dhe  personazhe të famshëm në të gjithë hapësirën e dijes, ndoshta nuk e di që i ka dhënë brezave të ardhshëm, në agim të shekullit të kaluar, një at jezuit me famë qartësisht mbarë-botërore: at Giuseppe Valentinin.

Aktualisht në kohën e epidemis apokaliptike te koronaviruesit marrdhëniet shqiptaro -italiane po shkruajnë  sërish një histori shumë njerëzore.Por brënda kësaj historie jeziuti italian ,albanologu me famë boterore ,që unë disa vite më parë i kam kushtuar librin “Binjaku i Nënë Terezës” qëndron si një episode  i art i këtyre mardhënieve.

Historia  e  kulturës  shqiptare,  në  të  vërtetë  nuk  është shkruar as sot e kësaj dite, në asnjë lloj forme. Ose, për ta thënë më saktë,  ishte pikërisht At Valentini ai që nisi të shkruante edhe  një  histori  të  kulturës  shqiptare,  si  një  prej  shumë projekteve  të tij.  Prandaj  një histori  e kulturës  shqiptare  nuk mund të shkruhet  pa u përmendur  atje shumë herë emri i At Zef Valentinit, nismëtarit të saj Valentini nuk është thjesht një studiues, një autor, ai është edhe një shkollë më vete. Çdo studiues që i hyn studimit të veprës së tij, ka përfitimin shtesë që të bëjë njëherësh edhe një shkollë metodologjie shkencore  në të gjitha disiplinat e albanologjisë, një shkollë ku mësohen metodat e kërkimit, stili i punës dhe shumë elementë të tjerë që e formojnë një studiues. Valentini veç të tjerash ka qenë edhe një mësues, një mësimdhënës me aftësi të rralla. Si një njeri që ka ushtruar profesionin e mësimdhënësit në nivele të ndryshme të arsimit, deri në atë universitar, unë guxoj të them se pashë tek ai një model nga i cili çdo mësimdhënës ka diçka për të mësuar.

Për shkruar të shkruar biografinë e tij “Binjaku i Nënë Terezës” disa vite më parë e pashë të udhës se duhej të shkoja në mjediset ku kishte jetuar e punuar Valentini, për të ndjerë shpirtin dhe frymëzimin e tij. Kësisoj shkova në Padova, në vendlindjen e tij dhe shëtita në vendet ku kishte ecur edhe ai, në vendet ku qe rritur. E ndjeva dhe unë ashtu si Valentini dikur mrekullimin që të shkakton qyteti i Shën Antonit (Shna Ndou), Pataviumi i vjetër i kohës romake. Nëse nuk do të kisha vizituar Padovën, nuk do ta kisha rrokur plotësisht psenë e pasioneve të shumëfishta të Valentinit për shumë fusha të dijes, të shkencës, artit etj. Një njeri inteligjent si ai, i lindur dhe i rritur në një qytet si Padova, me një të kaluar të ndritshme kulturore e artistike, vetvetiu do të ishte nxitur nga interesa të shumanshme. Është e natyrshme që At Valentinit në këtë qytet do t’i lindte pasioni i historianit. Padova është qyteti më i vjetër i Italisë verilindore dhe sipas legjendës është themeluar në kohën e rënies së Trojës, pra është mbi 3000-vjeçar (viti 1132 para Krishtet). Në Padova, njeriu lind dhe rritet me historinë, kësisoj çdo njeri inteligjent si At Valentini do të kishte prirjen të bëhej paksa historian. Gjithashtu është e natyrshme që At Valentini do të kishte një pasion të madh për letërsinë posaçërisht për kritikën letrare. E imagjinoj Zefin e ri duke ecur në rrugët e qytetit ku zhvillohen ngjarjet e pjesës më të madhe të një prej komedive të Shekspirit- është fjala për “The Taming of the shreë”. Mjaft që të kalosh në kodrat përreth Padovës dhe të duket se takohesh me disa nga poetët më të mëdhenj të kohërave, se këtyre kodrave u kanë kënduar Lucani, Martiali, Petrarca, Ugo Foscolo dhe Shelley.

Nëse ndjek rrjedhën e lumit në anë të të cilit shtrihet qyteti, ai të çon drejt e në “Eneidën” e Virgjilit, me trojanët që vijnë në Itali për të themeluar qytete, ndër të cilat edhe Padova. Universiteti tetëshekullor i qytetit, me famë në botë, në të cilin ka dhënë mësim edhe Galileo Galilei, kishte një rrezatim dijeje që nuk mund të mos e ndjente Valentini i ri, ndonëse nuk e frekuentoi atë. Çdo i huaj që viziton Padovën mund të jetë në mëdyshje se cilin nga objektet e saj të famshme duhet të vizitojë më parë, Universitetin e famshëm  dhe antik të ngritur që në vitin 1222, apo hapësirat e shumta me vlera historike e artistike të qytetit. Unë si një vizitor shqiptar nuk e kisha këtë mëdyshje. Vendi i parë që pashë ishte Basilica Pontificia di Sant Antonio di Padova, e cila është kisha e Shën Antonit, i njohur në Shqipëri si Shna Ndou dhe i adhuruar si nga katolikët ashtu dhe nga myslimanët dhe ortodoksët. Kur shkova në Padova mësova me habi se kisha e Shën Antonit quhej bazilika e vogël. Në mendjen time kisha e Shën Antonit ishte njësuar me katedralen e qytetit dhe kështu e quajta unë kur kërkova një doracak për të në një nga dyqanet e shumtë që shesin suvenire  për turistët dhe pelegrinët. Shitësi për habinë time më dha një doracak me Kishën e Shën Marisë së Padovës. Unë mendova se ai e kishte keqkuptuar italishten time dhe ia përsërita kërkesën, por ai që kishte gabuar isha unë dhe jo ai. “Incidenti” u zgjidh mes të qeshurash kur unë i tregova atij se vij nga Shqipëria, vendi ku ka një kult të veçantë të Shna Ndout dhe se çdo shqiptar që nuk ka qenë në Padova beson, si unë, se kisha e Shën Antonit është kisha kryesore e Padovës.

-Ah cercate il Santo!- u shpreh padovani në të folurën e qytetit ku bazilika e Shën Antonit quhet thjesht dhe shkurt “Il Santo” (Shenjti). Me këtë mora vesh se Shën Antoni është një shenjt i qytetit, mbrojtës shpirtëror i tij. Njëri nga të katër shenjtët e Padovës, që janë S. Prosdocimo, S. Antonio di Padova, Santa Giustina dhe S. Daniele.

Në fakt, kisha e vërtetë e shenjtorit, siç e pashë më pas ishte kisha e Santa Maria Mater Domini, ku shenjti ishte varrosur sipas vullnetit që kishte shprehur. Ai e zgjodhi këtë kishë që ishte pranë manastirit të cilin ai krijoi tre vjet para se të vdiste, se duket që aty e kishte gjetur frymëzimin për të bërë shumë nga gjërat e pavdekshme që bëri. Kisha e vogël ku u varros së pari shenjti është përfshirë me një aftësi të rrallë arkitektonike në bazilikën e shenjtit, me emrin Cappella Della Madona Mora. Unë hyra në bazilikë dhe dëgjova meshë atje dhe m’u duk se shpirti im u njësua me shpirtin e Valentinit, i cili gjithashtu kishte dëgjuar meshë në këtë kishë të famshme. U përzjeva me turmën e pelegrinëve që vinin në Padova për Shën Antonin dhe admirova së bashku me ta strukturat arkitektonike të bazilikës, ashtu siç kishte bërë edhe At Valentini dikur. Ndoshta edhe te ky kompleks arkitektonik e kishte gjetur frymëzimin për të parë ndër kulturat elementët pajtues të tyre, ashtu siç qenë pajtuar në këtë ndërtesë të madhe shumëshekullore stili arkitektonik gotik, romanesk, bizantin, barok etj. E kisha Valentinin në mendje gjatë gjithë kohës që isha në Padova, edhe në çastet kur po admiroja basorelievet e famshme me temë nga jeta e shenjtit, të cilat qenë vepër e Donatellos së madh.

Duke ndjekur gjurmët e At Valentinit në Padova shkova te Cappella degli Scrovegni, kisha e famshme tek e cila gjenden një numër afreskesh që janë vepër e Giottos gjenial. Më pas shkova në Palazzo Della Ragione dhe atje kuptova thelbin e qytetërimit të këtij rajoni, produkt i të cilit kishte qenë edhe Zef Valentini. Palazzo della Ragione është salla më e madhe e mbuluar në Europë që mbulohet nga një çati që nuk mbështetet në kolona. Salla ka një gjatësi prej  81.5 metrash, gjerësi prej 27 metrash dhe lartësi prej 24 metrash. Ajo përmban një nga tregjet më të vjetra në Europë. Ndërtimi i këtij pallati ka nisur në 1172 dhe ka përfunduar në 1219. Një shekull më pas, në 1306, një murg Augustinian, Fra Giovanni, ndërtoi çatinë më të famshme të Europës. Këtë pallat unë guxoj ta quaj katedrale të qytetërimit dhe për mua ajo është simbol i harmonisë që feja katolike krijoi me fushat e tjera të jetës brenda qytetërimit, boshti i të cilit ajo ishte. Në sytë e mi edhe vepra e Valentinit merr pamjen e kësaj katedraleje të qytetërimit. Një katedrale të tillë intelektuale donte të ndërtonte ai për shqiptarët. Dhe ia arriti kësaj. Ky qe projekti i madh i jetës së tij. Projekti i kësaj katedraleje intelektuale nuk është më pak gjenial se ai i katedrales së vërtetë të Padovës, e cila u rindërtua në shekullin XVI sipas projektit të gjenialit Mikelanxhelo.

Më pas, gjatë shëtitjeve të mia në Padova qëndrova në Prato della Valle, i cili është sheshi i dytë më i madh i Europës. Sheshi është i rrethuar nga 78 statuja, të cilat u përkasin qytetarëve më të famshëm të Padovës në kohëra. Zef Valentini nuk është njëri prej tyre. Por kjo është e natyrshme se ai punoi për Shqipërinë, larg Padovës, nga e cila iku që në moshë të re. Valentinit nuk ia ka borxh një statujë Padova, por Shkodra, qyteti ku erdhi së pari në Shqipëri dhe ku punoi, por edhe Tirana, kryeqyteti i vendit për të cilin ai bëri aq shumë si studiues. Gjatë qëndrimit tim në Padova u ndala të vizitoj edhe sinagogën e shekullit XVI, një ndërtesë e stilit barok, ndër më të çmuarat në Europë. Edhe Valentini duhet ta ketë admiruar atë, s’ka se si të mos jetë mahnitur para hijeshisë arkitektonike të sajë, ani se ishte një vepër hebraike . Nuk është rastësi fakti që në shkrimet e Valentinit nuk gjen asnjë gjurmë antisemitizmi, ndryshe nga ç’ndodh me klerikë të tjerë të kohës së tij, për fat të keq edhe në Shqipëri.

Si një njeri me bindje iluministe unë nuk mund të mos ndalesha të vizitoja edhe të famshmen Caffe Pedrocchi, e cila deri në vitin 1916 kishte qëndruar e hapur ditë e natë, prandaj edhe quhet kafeneja pa porta. Për më shumë se një shekull ka qenë një vend i rëndësishëm takimi për intelektualët, studentët, akademikët dhe politikanët italianë të kohës. Në këtë kafe mblidheshin studentët revolucionarë për të bërë debatet e tyre të zjarrta. E kapa veten duke medituar se si do të më kishin gjykuar mua këta studentë me bindje jakobine, me siguri si një renegat. Unë nga bindjet politike iluministe isha më afër tyre. Jezuitët kishin qenë armiqtë e tyre të betuar. Si t’ua shpjegoja unë atyre se isha një iluminist i bindur dhe se fakti që unë kisha gjetur mirëkuptim intelektual te jezuiti Valentini ishte një pajtim kulturash që nuk mund të imagjinohej në kohën e tyre, por që ishte bërë i mundshëm në kohën  time dhe kjo falë njerëzve  si Valentini. Unë guxoj të them se edhe studentët revolucionarë të Caffe Pedrocchi të vitit 1848 do te qenë mrekulluar nga Valentini në një tjetër kohë. Edhe në Shqipërinë e kohës kur erdhi At Valentini kishte të rinj radikalë, të sojit të atyre të Caffe  Pedrocchi të vitit 1848, të cilët e akuzonin Valentinin si konservator, deri edhe klerik reaksionar, akuza këto që më pas do t’i përfshinte në arsenalin e vet diktatura komuniste për të goditur njerëzit si Zef Valentini. Nëse e lexon veprën e tij e kupton se ai jo vetëm që nuk ishte konservator dhe reaksionar, por ishte një njeri me prirje moderne dhe reformatore. E gjithë vepra e tij kushtuar Shqipërisë dhe shqiptarëve është një thirrje për reforma. Por jo çfarëdolloj reformash, si ato të nxitura nga ideologjitë radikale, por reforma të urta, të vlefshme.

Duke ecur rrugëve të Padovës, ku dikur kishte ecur edhe At Valentini, në veshë më kumbonin fjalët e profesorit At Carlo Messori Roncaglia, i cili në hyrjen e librit “Studi albanologici Balcanici, Bizantini e Orientali” : Padova, qytet i pasur me monumente të shquara të çfarëdo epoke  e personazhe të famshëm në të gjithë hapësirën e dijes, ndoshta nuk e di që i ka dhënë brezave të ardhshëm, në agim të këtij shekulli, një at jezuit me famë qartësisht mbarëbotërore, At Giuseppe Valentini… E që Padova të mos e harrojë e ta nderojë këtë bir të saj, Kolegji Universitar Antonianum i kërkoi Institutit të Glotologjisë në Universitetin e Padovas, nëpërmjet prof. Giovanni Battista Pellegrini, drejtuesit të Seminarit të Filologjisë Ballkanike, të bëhej promotori i një përmbledhjeje studimesh për nder të tij nga studiues të shquar italianë dhe të huaj. Publikimi iu besua Shtëpisë së njohur Botuese për vepra të tilla shkencore, Leo Olschi në Firence…

E gjithë kjo le të kontribuojë sa më shumë në mbajtjen gjallë të kujtimit dhe veprës së këtij studiuesi të shquar padovan, albanolog, historian dhe autor i një numri të madh librash dhe artikujsh me një frymëmarrje të gjerë shkencore.

Ata që kanë njohuri nga botimet akademike, e kuptojnë mirë se një nderim i tillë si ky që iu bë At Valentinit, është një nder që i bëhet rrallëkujt në fushën akademike. A nuk ka një

paradoks këtu, mendova. Padova, vendlindja e At Valentinit, dhe Italia, atdheu i tij i parë, e nderojnë kështu kaq lart për veprën e tij, e cila i përket kryesisht Shqipërisë! Po Shqipëria, vendi të cilit ai i kushtoi pothuajse krejt jetën e tij prej studiuesi, çfarë ka bërë për të?

Me mendime të tilla, në vazhdim të turneut tim valentinian, bëra një vizitë në Crespano del Grappa ku At Valentini shkoi kur u largua nga Padova në moshën 12-vjeçare, për të ndjekur pas mësuesin e tij privat, rektorin e Seminarit Ipeshkvnor të Padovës, Gaetano Sartori. Në Crespano del Grappa Zef Valentini do të qëndronte për gjashtë vjet deri kur e thirrën në shërbimin ushtarak, në fillim të vitit 1918. Pikërisht në Crespano del Grappa në vitet që kaloi me Sartorin u bë formimi intelektual i të riut Valentini. Qyteza gjendet në provincën venete, në rrëzë të Malit Grappa, i cili ishte dhe është i famshëm për sanktuarin e Madonna del Covolo që është një vend pelegrinazhi përgjatë gjithë vitit për besimtarët katolikë. Në Crespano del Grappa Zef Valentini i ri u ndesh  me një tjetër Sartori, i cili kishte bërë emër të madh aty, ipeshkvi  Giovanni  Battista Sartori (1775-1859), ish-nxënës i Seminarit Ipeshkvnor të Padovës,  i cili kishte dhuruar pasurinë e tij për të bërë ndërtimet që e shndërruan Crespanon nga një fshat në një qytezë. Ai financoi ndërtimin e qendrës së Crespano del Grappa, si dhe një urë të famshme  që e lidhte qytezën me pjesën tjetër të provincës dhe një rrugë për këtë qëllim. Giovanni Battista Sartori kishte qenë një misionar i madh kulturor dhe qytetar, që misionin e tij e kishte përmbushur në qytetin e tij të lindjes Crespano del Grappa. At Valentini do të ishte një tjetër lloj misionari, që do të shkonte te popujt dhe kulturat e tjera.

Nuk mbeta pa shkuar as në Mattarello, qyteza e vogël në Trento Alto Adige nga ku familja e Valentinit kishte ardhur në Padova, pak kohë para lindjes së tij. Mattarelo duhet të kishte pasur një peshë një formimin e Valentinit në sajë të rrëfimeve Familjare . Më pas shkova dhe në Goricia, (Gorizia), ku Valentini bëri rishtarinë si aspirant për të hyrë në Urdhrin Jezuit. Vizitova Chierin, vendin e studimeve të Valentinit, Milanon ku ai kaloi vitet e fundit të jetës. Më bëhet sikur e shikoja At Valentinin diku në këto vende, në rininë e tij, duke ecur krah për krah me Giovanni Batista Montini, atë që më pas do të bëhej Papa Paolo VI. Se që Papa Paolo VI dhe At Valentini kanë qenë njohur që në moshë të hershme, këtë e ka pohuar vetë Ati i Shenjtë, kur tha në audiencën që dha për një dërgatë (delegacion) shqiptare në 1968, me rastin e 500- vjetorit të vdekjes së Skënderbeut:

Keni këtu At Valentinin, të cilin unë e njoh që atëherë kur nuk e kishte këtë mjekër të mrekullueshme që ka sot.

 

Papa Paolo VI ishte tre vjet më i madh  se At Valentini, kështu që duket e natyrshme që ata të kenë pasur një njohje me takime jo të rralla,  aq më tepër që të dy i bashkonte pasioni për studimet, deri edhe ato filozofike, për Neo-Tomizmin. Nga fjalët e tij të mëpasme në këtë audiencë, Papa Paolo VI tregoi se kishte dijeni mbi veprën e Valentinit, kur tha:

 

Ka punuar shumë për këtë 500-vjetor, ashtu si dhe për të gjitha gjërat shqiptare, ndaj kërkojani dhe dëgjojani këshillat që ju jep në gjithë mençurinë e vet.

 

Siç shihet, Papa Paolo VI i tha At Valentinit statusin e një lloj ambasadori,  të një nunci apostolik  për shqiptarët, në një kohë që ishte e pamundur që Selia e Shenjtë të kishte Nunciaturë Apostolike (ambasadë) në Shqipërinë komuniste. Kështu që, At Zef Valentini, që nga viti 1968 dhe deri sa vdiq në

1979, mund të quhet edhe si Nunci Apostolik për shqiptarët, madje dhe për Shqipërinë. Më tutje, në fjalimin e tij Papa Paolo VI tha fjalët që përbëjnë një testament apostolic, duke qenë se

u drejtoheshin jo  vetëm shqiptarëve bashkëkohës, por edhe brezave që do të vinin më pas:

Shqiptarë! Duajeni At Valentinin, se ai ju dashuron me zemër. Çmojeni, se ai punon paprerë, për t’ia bërë të ditur botës vlerat tuaja shpirtërore dhe artistike. Ai është juaji sepse i ka dhënë çështjes suaj mendjen dhe shpirtin e vet.

Ky vlerësim i Atit të Shenjtë për Zef Valentinin është para së gjithash një konfirmim i faktit se ati jezuit e kishte kapërcyer me sukses atë rrezik që kalojnë misionarët si ai, që të shndërrohen në një lloj nacionalisti vendas në vendet ku shkojnë. Veçanërisht jezuitët janë shumë të kujdesshëm që kjo gjë të mos u ndodhë me misionarët e tyre, se misionarët jezuitë janë më të rrezikuar, për shkak se është mënyra e tyre e punës që të shkrihen sa më shumë me jetën e vendasve në vendin ku shkojnë me qëllim që të mësojnë sa më shumë mbi gjuhën, kulturën, zakonet vendase. At Valentini u bë një shqiptar i mirë pa u bërë një nacionalist shqiptar. Ai u bë një shqiptar ekumenik, një shqiptar i pajisur me vetëdijen e dialogut të kulturave, por para së gjithash me vetëdijen e vlerave kulturore të katolicizmit shqiptar.

Fjalët që tha Papa Paolo VI për At Valentinin i dëgjuan shumë  njerëz  edhe  brenda  Shqipërisë,  nëpërmjet  Radios së Vatikanit. Ato fjalë mund të dëgjohen edhe sot me zërin apostolik të Shenjtërisë së tij, Paolos VI. Me këto fjalë Ati i Shenjtë pohoi atë që e kupton çdo njeri që lexon veprën e plotë të At Valentinit, se ai  tanimë mund të quhej një shqiptar i vërtetë. Fjalët e Papës Paolo VI qenë edhe konfirmim i faktit se At Valentini e kishte kryer me sukses misionin e tij në Shqipëri dhe për Shqipërinë, mision që e kishte nisur 46 vjet më parë, në 1922. Papa Paolo VI, më tepër se kushdo ishte në gjendje të çmonte rëndësinë e veprës misionare të At Valentinit. Kur Kardinali Montini u zgjodh Papë, në 1963, ai zgjodhi për vete emrin “Paolo”, për të ringjallur me emrin e apostullit dhe misionarit më të madh të Krishterimit të Vjetër, pikërisht ndjenjën e misionarisë. Papa Paolo VI e kuptonte  dhe e çmonte shumë mirë rëndësinë e pjesës bizantologjike të veprës së At Valentinit, se ai Paolo VI do të ishte i pari Papë, që prej shekullit IX, pra që prej 12 shekujsh, i cili do të vizitonte selinë e Kishës Lindore, Patriarkanën e Konstantinopolit, në 1964. Madje do të ishte i pari Papë i cili e quajti Kishën Lindore Ortodokse, me fjalët “Kishë motër”. Takimi mes Papës Paolo VI dhe kreut të Kishës Ortodokse, Patriarkut Ekumenik Athenagora, në 1964, solli heqjen e shkishërimit të dyanshëm mes Kishës së Romës dhe asaj të Kostandinopojës, që kishte ndodhur në 1054, më tepër se 1000 vjet më parë. Në qoftë se do të kërkohet në veprat e dijetarëve të të dyja palëve, katolikëve dhe ortodoksëve, në periudhën që i parapriu pajtimit të madh, vështirë se do të gjendet ndonjë rast si ai i At Valentinit, kur një klerik studiues ka punuar aq pa paragjykime, dhe me dëshirë për pajtim mes dy kulturave. Nga vepra e At Valentinit si bizantolog, kuptohet  se ai ka besuar dhe ka shpresuar në këtë pajtim të madh të Kishave. Studiuesi dhe miku i tij, Alesandro Skurani, shkruan për këtë vokacion “të krishterë lindor” të At Valentinit:

Adoptoi liturgjinë e Giovanni Crisostomo-s dhe nisi të recitojë ungjillin oriental. Zbuloi, kështu,  thesare të papritura dhe  u dashurua gjithnjë e më shumë me këtë liturgji të pasur e të thellë. Iu përkushtua me devocion studimit të arkitekturës kishtare bizantine, të ikonave dhe simboleve të saj. Mësoi t’i deshifrojë duke arritur në përfundime të spikatura. Deri në momentin e vdekjes, kishte arritur të mblidhte rreth tridhjetëmijë diapozitiva të mozaikëve dhe imazheve bizantine, për të mos folur për riprodhimet e tyre në letër. Punimi i fundit, gati i përfunduar, ishte një analizë e plotë e këtij materiali të pamasë, së cilës i kushtoi tre vitet e fundit të jetës në klinikë.

Të gjitha këto bëma të At Valentinit tregojnë për një shpirt të madh ekumenik. Ndaj ishte shumë gjetje e mirë që, kur në

1986 u bë një botim akademik për ta nderuar At Zef Valentinin, ky botim akademik u titullua: “Studi Albanologici Balcanici, Bizantini e Orientali”. Prandaj, gjatë turneut tim valentinian zgjodha të marr me vete librin e cituar “Studi Albanologici Balcanici, Bizantini e Orientali” një botim akademik i bërë në vitin 1986 dhe në Firenze dhe që mban shënimin: “In onore di Giuseppe Valentini S. J.”. Në këtë libër, ku kanë kontribuar studiues të shquar të këtyre fushave, profesor Giovan Battista Pellegrini i Institutit Glotologjik të Padovës, ka vënë shënimin paraqitës:

Propozova projektin e mbrujtjes së një Miscellania (përmble- dhje) studimesh, në të cilën do të bashkëpunonin specialistë të njohur italianë dhe të huaj të angazhuar në kërkime analoge dhe në disiplina të ushtruara edhe nga i ndjeri ynë i shquar… Me At Valentinin ndihesha i lidhur në rrethana të ndryshme. Para së gjithash, vite më parë më kishte folur me admirim dhe elozhe të mëdha ‘mësuesi’ im profesor Carlo Tagliavini (i ndarë nga jeta më 1982, por padyshim midis të tjerash edhe  një ballkanolog me famë botërore), kur më 1950 ai qe emëruar anëtar i Jurisë së Konkursit për postin e Katedrës së Gjuhë-Letërsisë në Universitetin e Palermos, që Valentini e fitoi në mënyrë brilante, duke qenë i mbështetur nga një prodhimtari shkencore në albanologji vërtet të jashtëzakonshme…

E takova, më pas, kur u largua nga Palermo, në raste të ndryshme, veçanërisht në kongreset e shumtë të mbajtur në Itali dhe jashtë, ku pata mundësinë të çmoja gjithnjë e më shumë kulturën e stërmadhe dhe dhuntinë njerëzore.

Gjithashtu vizitova qytetin Gorizia ku Zef Valentini bëri studimet e  rishtarisë  për jezuit. Të bën përshtypje fakti se qytetet ku jetoi At Valentini kanë qenë një pikë e përplasjes së kulturave. Gorizia ka qenë një pikë e takimit dhe e përplasjes të kulturave italiane, gjermane dhe sllave. At Valentini i ri i ka përjetuar të gjitha këto dhe ato ndikuan në formimin e tij, në përgatitjen e tij si misionar. Jezuitët kishin një traditë të madhe në Gorizia, në kohën që atje shkoi Zef Valentini. Në 1680 atje nisi të ndërtohej kisha e Shën Injac Lojolës, themeluesit të Urdhrit Jezuit. Në altarin e saj, At Valentini ka admiruar me siguri tablonë “Lavdia e Shën Injacit” e bërë që në vitin 1721. Duke u kthyer në Shqipëri nga ky udhëtim imi italian krejt i veçantë, kisha bindjen se kisha rrokur atë përmasë të Valentinit, e cila ishte e domosdoshme për të kuptuar veprimtarinë e tij në Shqipëri. Duke  njohur jetën dhe veprën  e At Valentinit unë kam parasysh se ai na e ka lënë vetë si testament mënyrën sesi duhet çmuar jeta dhe vepra e një njeriu të shquar:

Përballë të gjallit nuk duhet- nëse kemi  ndërgjegje- të themi atë që mendojmë për të e çka është e vërteta sepse është në kalim e nuk dëshirohet të paragjykohet e as të prishet ardhmëria. Përballë një të vdekuri nuk është e rendit të thuhet- nëse kihet nderim e pahije e humanizëm e respekt ndaj Gjyqtarit Imzot- të japim gjykimin tonë përveç lavdit; qoftë për atëherë, si thuhet ajo çka ka qenë ka qenë, të vemë mbi të gurin e varrit me një epigraf, e të mos jetë disonante me mëshirën e Perëndisë, gjë që e dëshirojmë edhe për ne, që nuk ndryshon nga ajo drejtësi që e mënjanon dhe e fshin të keqen dhe e ngre në qiell të mirën duke e vlerësuar çdo thërrime. E në këtë masë a parim duhet t’i përmbahet secili, si kundërshtari ashtu dhe miku.

At Valentini kërkonte kështu hiç më pak se standardin hyjnor të drejtësisë kur çmohej jeta dhe vepra e një njeriu. Ai ishte i bindur se njeriu nuk mund  të gjykonte njëlloj si Zoti, por ai mendonte se lipsej që kur një njeri të çmonte jetën dhe veprën e një tjetri, ta bënte këtë gjë me shpirt të pastër të bashkëpunimit, të njohjes e të sigurisë dypalëshe, si dhe ushqehet me çmim të drejtë dhe anasjelltas, e duke qëndruar secila palë në polin e vet për të kryer funksionin e vet të pashmangshëm në interes të përbashkët të të dyve e për mbarë Shqipërinë.

Këto fjalë më vijnë shumë për zemër se kështu raporti im me Valentinin bëhet i pranueshëm edhe për anën iluministe të natyrës time, e cila përndryshe nuk do të pajtohej me këtë jezuit. A është parë që një iluminist të pajtohet me një jezuit? Pyetja duhet shtruar se a është e mundur? Viktor Hugoi e shtroi këtë pyetje në fragmentin e famshëm të romanit “Të mjerët”, ku ipeshkvi katolik takohet dhe bisedon gjatë si mik me jakobinin plak, para vdekjes së këtij të fundit. Synimi i Hugoit ishte që të tregonte se mund të pajtohet më e mira e fesë me më të mirën e Iluminizmit. Kështu guxoj ta shoh dhe unë raportin tim me Zef Valentinin

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.