Kronikë

Detaje/ Arrestimi i drejtorit të burgut, SPAK: Bashkë me shefin e logjistikës i merrnin para tregtarëve për…

19:32 - 03.04.20 gsh

Të tjera detaje dalin për arrestimin e drejtorit të burgut 313 në Tiranë, Eduard Struga. Bashkë me të ka përfunduar në pranga edhe shefi i logjistikës së këtij burgu.



Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 09.03.2020, mbi bazën e kallëzimit të një shtetasi, ka regjistruar procedimin penal nr.89/2020, për veprën penale, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

Pas regjistrimit të procedimit penal u përdorën metoda proaktive dhe tradicionale të hetimit, falë të cilave, sot me datën 03.04.2020, strukturat e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Eduard Struga, me detyrë Drejtor i IEVP-së ″Jordan Misja″, Tiranë; shtetasin F. A., me detyrë Shef i Logjistikës i IEPV-së ″Jordan Misja″, Tiranë dhe shtetasin E. K., përfaqësues i një subjekti tregtar. Shtetasit F.A., iu sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, shuma prej 100 mijë lek, objekt përfitimi të parregullt.

Funksionarët publikë të arrestuar në flagrancë në kuadër të këtij hetimi, në mënyrë të përsëritur kanë kërkuar dhe marrë shuma të konsiderueshme parash, (rreth 550 mijë lek) si përfitim i parregullt, në këmbim të krijimit të favoreve për të ushtruar aktivitet tregtar në ambientet e brendshme të IEVP-së ″Jordan Misja″, Tiranë.

Ndërkohë shtetasi E.K., i arrestuar në flagrancë, i ka dhënë funksionarëve publikë, si përfitim të parregullt, shuma të konsiderueshme parash.

Prokuroria e Posaçme falënderon kallëzuesin për kurajën dhe inkurajon çdo shtetas që të bëjë kallëzim në rastet kur zyrtarë publik abuzojnë me detyrën dhe kërkojnë përfitime të parregullta.

Prokuroria e Posaçme falënderon gjithashtu dhe strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit të përfshira në hetimin e këtij rasti për profesionalizmin, seriozitetin dhe angazhimin e treguar. Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal vazhdojnë.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.