Kosova

Kosova me “pakon për kulturën” në kohë pandemie, organizatat bëhen bashkë

14:46 - 04.04.20 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ndërsa pandemia e COVID-19 ka “ndalur jetën” në pjesën më të madhe të globit, pos masave emergjente të marra për mbrojtjen e jetëve njerëzore, mbajtjen në këmbë të ekonomisë, arsimit, biznesit a turizmit, jo pak shtete kanë menduar edhe për njerëzit e kulturës.




Mes tyre, edhe qeveria në krizë e Kosovës ka nisur tashmë implementimin e “pakos për kulturën”. Lajmi bëhet i ditur nga një deklaratë e përbashkët e organizatave kulturore në Kosovë.

DEKLARATA

Organizatat e pavarura kulturore të poshtënënshkruara vijnë me këtë:

KOMUNIKATË PËR MEDIA

Ne, si organizata kulturore aktive mirëpresim hapat e ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e në veçanti iniciativën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për përkrahje të organizatave të skenës së pavarur në kuadër të Pakos Emergjente përballë ndikimit të COVID-19 në sektorin tonë.

Në takimin e zhvilluar me Ministren e Kulturës znj. Vlora Dumoshi, ne kemi konstatuar gjendjen e krijuar dhe ndikimet që kjo i sjell skenës përmes mbylljes së hapësirave kulturore, anulimit apo ndryshimit të festivaleve si dhe gjendjes ekonomike të organizatave që i kërcënon vendet e punës të shumë punëtorëve kulturor, si dhe ekzistencën e organizatave të ndërtuara me shumë mund dhe vetëflijim gjatë 20 viteve të fundit. Duke u pajtuar rreth nevojës për përkrahje emergjente nga MKRS, ne u dakorduam që të bashkëpunojmë në identifikimin e nevojave të organizatave dhe punëtorëve kulturor, planifikimin e ndërhyrjeve për zbutjen e impaktit, si edhe përshtatjen e programeve dhe planeve të organizatave në mjedisin e krijuar nga COVID-19.

Si përfaqësues të organizatave vlerësojmë se dëmtimi, mos-funksionaliteti dhe shuarja e iniciativave dhe strukturave do të ishte me pasoja të rënda shoqërore në Kosovë. Pas kalimit të situatës së pandemisë, ri-ndërtimi i këtyre iniciativave dhe strukturave, përpos që do të kërkonin angazhime shumë më të mëdha si njerëzore ashtu edhe financiare, do të krijonin një zbrazëtirë shumë-vjeçare, gjë që do të dëmtonte rëndë shoqërinë kosovare, sidomos në aspektet e diversitetit kulturor, demokracinë shoqërore, shprehjes së lirë si dhe kohezionit të përgjithshëm shoqëror. Ne propozojmë, që në harmoni me praktikat e mira ndërkombëtare dhe duke u bazuar në situatën faktike dhe analizën e risqeve, të caktohen kritere objektive që lejojnë vlerësimin e drejtë dhe transparent të përfituesve nga kjo skemë, si numrin e ngjarjeve të organizuara gjatë 12 muajve të fundit në nivel lokal, rajonal ose ndërkombëtar; posedimi i hapësirës kulturore; të ardhurat financiare të organizatës gjatë vitit të fundit; numri i stafit dhe niveli i harxhimeve operacionale; aktivitete të realizuara në bashkëpunime ndërkombëtare; dukshmëria e punës së organizatave dhe kritere tjera që i cakton grupi punues.

Në vazhdën e mbështetjes emergjente, poashtu propozojmë që autoritet publike që japin mbështetje për projektet kulturore, Ministria e Kulturës dhe Komunat në Republikën e Kosovës, të ofrojnë flekibilitetin e duhur dhe të nevojshëm për organizatat përfituese në raport me situatën e krijuar sa i përket projekteve që janë në realizim e sipër, por edhe ato që duhet të fillojnë në këtë kohë. Ky fleksibilitet do t’u mundësonte organizatave adaptim të planeve fillestare si pamundësi e realizimit të projekteve e programeve siç janë planifikuar fillimisht.

Për ta përfaqësuar grupin e organizatave dhe kontribuar në hartimin e programit emergjent, sipas kërkesës së Ministres së Kulturës, ne i propozojmë z. Ares Shporta dhe z. Florent Mehmeti si anëtarë të grupit punues.

Nga: 7 Arte, Anibar, Artpolis – Art and Community, Autostrada Biennale, CHwB Kosova, Dokufest, Shtatëmbëdhjetë, Kino ARMATA, LUMBARDHI, Oral History Kosovo, Qendra Multimedia, Teatri ODA dhe Termokiss.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.