OPINION

Poeti Petrit Ruka: Po fitojmë kohë e po bëhemi më të mençur

16:15 - 07.04.20 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kur gazetarja Trendafile Visha, një shoqe dhe mikeshë e mirë e imja, më kërkoi një intervistë për “Gazetën Shqiptare” pata një çast dyzimi në se është çasti për të thënë diçka të qartë në këtë kohë të trazuar shpirtërore. A mundesh ndërkohë që dhe vetë je si një lumë i turbullt që rrjedh pa parë e njohur brigjet që prek anash? Pa le të dish ku është deti, aty ku ndihesh i lirë. Por pastaj mendova se e folura është ndër terapitë më shëruese qysh se njeriu u ngrit në këmbë. Nevoja për t’u ndarë me të tjerët është jetike. Ndodh që një bisedë e filluar me zor, të ketë fatin për të qenë e paharrueshme. Se bisedat, edhe ato janë me fat, duke u varur nga njëqind gjera, shpesh të pashpjegueshme dhe mistike.




Po jetojmë një gjë të çuditshme, gati të pangjarë kurrë në këto përmasa. Për herë të parë gati gjithë njerëzimi  ka ndaluar së ecuri, është mbyllur brenda mureve dhe pret të fitojë kohë. Është futur në luftë me kohën si asnjëherë tjetër, edhe pse çdo jetë njerëzore, çdo individ këtë betejë përjeton, garën me kohën e vet të limituar. Po këtë radhë është tërë bota një herësh përballë kohës. Një grimce e vogël, as e gjallë e as e vdekur ia ka dalë përkohësisht të na mbyllë nëpër miliona kështjellëza të vogla që quhen shtëpi njeriu. Nga më trimat deri tek ata më frikacakët. Njësoj, mbretër dhe të varfër, filozofë dhe shkollarë që sapo mësojnë alfabetin, poetë dhe fshatarë që shohin tokën shtatzënë pas qelqeve të dritares pa mundur ta ndihmojnë të lind bukën. Duke kërkuar të fitojmë kohë për ta mundur një ditë e për ta bërë një kujtim të hidhur, të largët. Po fitojmë kohë e po bëhemi më të mençur.

E midis këtij boshllëku të frikshëm pyetjes së parë të gazetares në se një poet ka muzë apo jo është e vështirë t’i përgjigjesh qartë. Të gjithë jemi akoma nën efektin e një mpirjeje si ajo e një narkoze të rëndë. Midis një mërzie të hatashme që zgjerohet e zgjerohet dhe ja, mësohesh me të.     Muza e një poeti mbase ka marrë arratinë, por plot ulluqe të saj mbledhin e mbushin shpirtin e një poeti. Bien e bien rrëke të gjera trishtimi, një lëndë e një mall aq i vlefshëm për poezinë, që çuditërisht punon me këtë materie mistike më shumë se sa me gëzimin. Kjo mërzi e gjerë, e butë e durueshme (tashmë ne u mësuam me të,) të ndihmon të shikosh thellë në vetvete, të meditosh mbi jetën, si rrodhi e si ikën, të bësh qortime të mëdha për të, të pendohesh me një kjelltësi të habitshme se përse nuk u ke dhënë më shumë dashuri njerëzve të tu të dashur, nënës e babait tashmë të ikur, shokëve, një vajze që deshe dikur, miqve. Duket sikur brenda vetes po mbledh në një arkiv tëndin ca qortime të mëdha, jetike, nga ato që ndryshojnë tërë qenien tënde. Ca kohë me troshitje të tilla vijnë me mësime të mëdha, që nesër do të tronditin tërë jetën tënde, mendimin tënd, shijet e tua, estetikën tënde.

Jo çdo e keqe vjen për keq, thotë populli. Duket sikur ky ankthi që na shoqëron edhe po na pastron njëkohësisht. Është një lloj zjarri pastrues në mendjet tona. Mbase nuk e kuptojmë, po truri ynë me siguri do të fitojë tani mençurira të tjera vetvetiu, pa e ditur as ne. Dashuria duhet të ketë fituar gjeografi që nuk ka mundur as t’i mendojë dot më përpara.

Ditët e mia në fillim më dukeshin si ata qengjat e therur, të varur ne çengelat e festave, më dhimbseshin. Nën hutimin e parë i lashë të fshihen kështu së koti tek njëra -tjetra. Po fare pak, pastaj filloj vetvetiu vetëmbrojtja, harrimi i kësaj dambllaje mendore, fillova të kërkojë shpëtimin si gjithmonë tek librat, këta miq besnik që nuk të tradhtojnë kurrë në jetë. Dhe befas gjithçka u bë më e lehtë, muret u shembën, vetmia ia mbathi, drita u rikthye në shpirt. Fjala, magjitë e fjalëve që të bëjnë të ikësh ngado nëpër botë pa ndihmën e asnjë bilete, paraje, vize, avioni. Libri e kthen lirinë edhe në burgun më të ferrshëm, pa le në këto shtëpitë tona që janë burgje plot salltanete, ku mund të vësh muzikë, mund t’i biesh pak kitarës, mund të takosh virtualisht mijëra shokë.

Më duket e vështirë të shkruash në këto ditë, po ndërsa je duke u menduar kaq shumë në këtë vetmi të plotë, ndërkohë ti po shkruan. Po lind diçka nga këngët e së nesërmes. Nuk ua di fjalët, po ke erën e tyre në kokë, frushon, ison e tyre, farërat e tyre ende të mbuluara me fshehtësi, të pabëra fjalë. Nuk kam shkruar, por kam ripunuar gjëra që i kisha aty në “depon” time. Mendoj që kjo është një kohë e mrekullueshme për të ripunuar shkrime më të përparshme. Dhe këtë kam bërë ditë pas dite për t’u ndjerë i gjallë. Një mënyrë tjetër shpëtimi ka qenë folklori, kam lexuar përmbledhje këngësh popullore, një botë ku duket se nuk depërton dot asgjë kërcënuese. Kam dëgjuar këngë labe, një tjetër përmasë e papushtueshme nga vogëlsirat e jetës. Aty ka përherë diçka të përjetshme, aty nuk depërton dot kurrë nuhatja e Zonjës Vdekje. Kam gjetur aty gjëra të habitshme që syri e mendja nuk m’i kish rrokur më parë. Dhe shpresoj se disa motive të tyre do të më ndihmojnë për të shkruar më vonë. Të tjera dengje malli, diturish, melodish prej tyre u arkivuan tek ajo që quhet depoja e rrëmujshme e një poeti, krijuesi.

Pyetjes tënde se si do të jetë bota pas këtij gjumi të keq është shumë e vështirë t’i përgjigjesh, por unë besoj se diçka e madhe premton të vijë. Jo në aspektin material, po shpirtëror. Unë besoj se gjurmët që kanë lënë në kujtesën globale të njerëzimit kjo lëngatë do të zgjojnë dëshira të reja për jetën. Mjafton vetëm mësimi i madh që morëm mbi çmimin e saj. Bursa e jetës tashmë do të jetë me lartë. E për pasojë prej saj do të rriten edhe gjithë elementët që e mbajnë atë në këmbë. Puna, dëshirat për ta gëzuar më shumë, dashuritë që do të jenë më njerëzore, vrapimi pas saj do të jetë më me ngulsh. Për pasojë dhe arti si pasqyrim i saj. Shpresoj që edhe ai të ketë më shumë dritë, humanizëm, mesazhe mirëkuptimi, më shumë dritë dhembshurie.

Jeta pas çdo traume ka më shumë gjallëri e kuptim. Njerëzimi ka fituar beteja më të mëdha se sa kjo e fundit. Ka fituar mbi vitet e akullit. Duket sikur tërë globit tani i ka rënë një shtresë akullnaje përsipër. Por jeta vazhdon dhe poshtë tij. Miliona filiza dhe embrionë të gjallë presin çastin ta çajnë, të dalin drejt ditës.

Sa u përket librave, kam lexuar kryesisht poezi, është më lehtë me to, se shkëputesh e rilidhesh në çast me poezinë. Kam lexuar Ali Asllanin që është një thesar ende i pa vënë në bankën e historisë së letërsisë shqiptare aty ku ai e meriton si një poet i madh i fjalës shqipe dhe poezi të Janis Ricosit. Një nate kam lexuar gati deri në mëngjes ca përralla të magjistarit Mitrush Kuteli, këtij gjiganti të prozës shqipe. Dhe mbi të gjitha u kam telefonuar miqve, u kam thënë hajde ta pimë një kafe telefoni… kam fol pafund në telefon me mikun tim të dashur Pëllumb Kullën, kemi bërë filozofira mbi këtë që po ndodh dhe artin. Dhe pjesa tjetër ka qenë e qeshura, sepse ai siç dihet është hë për hë selia e të qeshurit shqip në këtë vend.

Pyetja jote e fundit është për duhanin i cili është më i anatemuari i kësaj sëmundjeje të mallkuar. Përgjigja është dekurajuese, thellësisht mëkatare. Po, kam pirë, mbase më shumë se herëve të tjera. Duke menduar sipas akademisë së mykur ala shqiptare për shëndetin. Të dali ku të dali, tani është vonë. Mushkëritë e mia tani janë si një kullesë makaronash, të grira prej tymit. Me një fjalë është vonë për t’i përmirësuar. Në këtë mes unë e di që jam një primitiv i pandreqshëm. Se dhe vetë duhani është një virus i mallkuar që na erdhi në Evropë dikur e na bëri gjëmën. Por të paktën ky të merr dalëngadalë dhe nuk ia ke shumë frikën. Në këtë mes, shkurt, unë jam një trim idiot, nga ata për të qeshur e për të qarë.

Një mesazh për njerëzit?

Fjalë e madhe. Nuk ka gjë më të lehtë se sa të japësh një manual të tërë këshillash e kjo nuk më rri mirë. Por sidoqoftë do të thosha se këto dalldi biblike nuk kalohen vetëm pa solidaritet, pa dashurinë për njeri-tjetrin. Duket si një gjë e stërthënë, po dashuria shëron, është e vetmja kurë shekullore që e ka mbajtur njeriun gjallë. Nga që duam njeri-tjetrin, kjo botë nuk do bëhet kurrë e vjetër, nuk do të gjunjëzohet kurrë dhe do të fitojë  mbi çdo gjëmë.

Ndjesë në se kjo intervistë është pak çapraze, po ajo nuk mund t’i shpëtonte dot klimës në të cilën u bë.

Falënderime për ty e për Gazetën Shqiptare!

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.