KULTURË

Aleanca: Kërkohet higjenë por teatri është pa ujë e drita

20:52 - 10.04.20 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka bërë publik një reagim ku thotë se ndonëse në kushte emergjence teatri është lënë pa ujë e drita duke vënë në rrezik jetë qytetarësh për aq kohë sa higjiena është primare për shkak të pandemisë. Duke kujtuar të drejtën për të protestuar në një demokraci, ata thonë se s’kanë marrë asnjë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë ndonëse ka kaluar një muaj që nga data kur është nisur shkresa.




Reagimi

Që prej datës 11 mars, dy ditë pas rastit të parë të identifikuar me Covid-19, gati një muaj më parë, i kemi drejtuar një letër Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku i kërkojmë lidhjen urgjente të ujit dhe dritave si masë e domosdoshme për parandalimin e rrezikut të përhapjes së virusit në kushtet në të cilat ndodhemi. Në atë letër kemi theksuar që kemi marrë të gjitha masat për respektimin e higjienes, distancës së sigurisë dhe minimizimit të kontakteve duke anulluar Festivalin për Mbrojtjen e Teatrit, duke anulluar tubimin e çdombrëmshëm në sheshin e teatrit, duke zvogëluar në maksimum numrin e personave në dezhurn dhe duke pastruar rregullisht.

 

Ministria e Shëndetësisë në papërgjegjshmëri të plotë me detyrën e saj për të mbrojtur jetën e çdo qytetari, në shkelje të të drejtave të njeriut, nuk ka kthyer asnjë përgjigje dhe nuk i ka lidhur dritat dhe ujin duke vënë në rrezik me vullnet të plotë shëndetin publik. E drejta e qytetarëve për të protestuar kundër qeverisë (në mbrojtje te kushtetutës, trashëgimisë kulturore etj) nuk përligj kurrsesi vënien në rrezik të jetës së tyre prej saj. Ajo e ka për detyrë ta mbrojë jetën e çdo qytetari, në çfarëdo rrethane, qoftë dhe atë të keqbërësit më të dënueshëm.

Por kjo qeveri jo vetëm që nuk po e bën, por po bën politikë me jetën e qytetarëve edhe në këto kushte të jashtëzakonshme, ku në çdo vend te prekur i gjithë populli, të gjitha partitë, të gjitha kahet janë unifikuar për të kaluar me sa më pak pasoja këtë situate.

E vetëdijshme për shkatërrimin që i është bërë sistemit shëndetësor në këto vite dhe paaftësinë për tu përballur me rrezikun qe na kanoset, qeveria vendos t’ua kalojë qytetarëve përgjegjësinë duke i akuzuar dhe terrorizuar në një kohë që ata po tregojnë maksimum ndërgjegjsimi.

Këtu nuk bëhet më fjalë vetëm show mediatik, këtu bëhet fjalë për kërcënim me jetën e qytetarëve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.