AKTUALITET

Pëllumb Pipero: Nga këshillat që më jep familja tek pyetjet e çuditshme që më vijnë. Kur dal nga shtëpia s’marr leje, ja çfarë do të mbaj mend nga kjo pandemi

17:27 - 10.04.20 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Enida Himaj-Prej më shumë se një muaji, Pëllumb Pipero së bashku me kolegët e tij është në vijë të parë në luftën ndaj Koronavirusit. Mjeku i mirënjohur gjithashtu thuajse përditë është pjesë e mediave, duke i dhënë përgjigje pyetjeve dhe shqetësimeve të qytetarëve. Ndaj ne vendosëm që në këtë intervistë ta pyesnim Piperon për të përditshmen, batutat brenda Infektivit, por edhe vendimet e vështira që mjekëve iu duhet të marrin. Në intervistën dhënë për “Gazeta Shqiptare”, mjeku flet edhe për ditët e tij, kur mbyll punën në spital. Vrapimi, leximi, shoqërojnë orët e mbetura, gjithnjë i rrethuar me shqetësimin e familjarëve për të.




Prej më shumë sesa një muaj Koronavirusi ka qenë kryefjala e ditëve tona, si ka qenë ky muaj për ju?

Ka qenë një muaj me një eksperiencë krejt të veçantë, nuk i ngjan as një muaji tjetër të gjithë muajve dhe viteve të mia si mjek. Ne kemi përjetuar shumë epidemi dhe pandemi, as njëra nuk ka qenë si kjo, në të gjitha aspektet, virus me shumë të pa njohura, me shumë frikë, me shumë panik, virus që të lë në vetminë tënde qoftë si individ, qoftë si shtet, qoftë si i shëndoshë dhe qoftë si i sëmurë. Madje për ata që kanë fatin e keq ta humbasin betejën me COVID-19, edhe vdekjen dhe varrimin e kanë në vetmi. Puna jonë si mjek mjaft e ngarkuar dhe e tensionuar, veçanërisht në fillimet e pandemisë, sidomos përballë një virusi ndaj të cilit ende nuk kemi një ilaç dhe një vaksinë.

Virusi ka ndryshuar jetën e të gjithë shqiptarëve, po jetën tuaj si e ka ndryshuar?

Njëlloj si jetën e gjithë qytetarëve, veçse unë jam i lirë të shkoj në punë, por jam i izoluar kur kthehem në shtëpi!

Si është situata brenda Infektivit, a ka “pushim” kjo luftë brenda, batuta apo të qeshura mes stafit dhe të sëmurëve?

Jeta është e çuditshme, shkojmë me merakun si do i gjejmë të sëmurët, si janë kolegët, a mos po mungon ndonjëri. Bëjmë mbledhjen, ndahen detyrat dhe pastaj organizimi i vogël i përditshëm i punëve, pavjon, vizitë e të sëmurëve, vlerësim i gjendjes së tyre shëndetësore, shumica janë të moshuar, të gjithëve ju mungojnë të afërmit, një pjesë me gjendje kritike për jetën, marrim shpesh vendime shumë të veshtira, por të nevojshme, kthehemi sërish e diskutojmë, e nuk mungojnë edhe batutat ndonjëherë dhe të qeshurat që shpesh priten edhe në mes. A po jemi bërë shumë më të afërt me njëri-tjetrin.

Besoj se këtë muaj keni marrë mesazhe dhe pyetje pafund, kush është pyetja më e çuditshme që ju kanë bërë përgjatë këtyre ditëve?

Pyetja më e vështirë për t’ju përgjigjur ka qenë dhe mbetet “kur do mbarojë epidemia”. Të çuditshme ka pasur dhe ka shumë, më mirë të mos i përmend.

Si është situata në familjen tuaj, po ata çfarë këshillash ju japin ju, duke qenë se jeni në vijë të parë?

Përgjithësisht në ankth, si do shkojë dita sot, a mos je infektuar, kemi merakun tënd, mos na e sjell virusin në shtëpi etj etj. Pra gjithçka rreth virusit. I kemi harruar gjithë të tjerat.

Keni frikë mos infektoni veten apo familjarët. Jashtë mureve të spitalit, si kujdeseni për veten?

Mjaft e vështirë të jesh i sigurt se nuk do të infektohesh, jemi shumë të ekspozuar. Mund të bëjmë gabime, qoftë edhe një gabim i vogël kushton shumë shtrenjtë.

Pasi mbaroni orarin në spital, si vijon dita juaj? Dilni nga shtëpia, a merrni leje kur dilni?

Jo nuk marr leje, ne mjekët e kemi lejen në “xhep” por natyrisht duke respektuar normat e distancimit social. Dal nga puna, kthehem në shtëpi, bëj një orë e gjysmë vrap çdo ditë në pyll, pastaj lexim i çdo artikulli që më vjen për COVID-19. Sa më shumë lexoj aq më pak di më duket, disa komunikime në media për situatën klinike dhe epidemiologjike, konsiderata dhe opinione për ecurinë e epidemisë,në studio apo Skype, Skyp-i na shpëtoi, qindra e qindra mesazhe nga qytetarët të cilëve mundohem t’ju përgjigjem të gjithëve. Prapëe lexim dhe komunikim me kolegët. Gjumë shumë pak.

Duket se kjo pandemi solli edhe njëherë në vëmendje aftësinë e mjekëve shqiptarë. Mendoni se figura si ju, apo kolegët tuaj duhet të jenë në vëmendje të publikut më shpesh sesa në të tilla situata?

Mendoj se mjekët në veçanti dhe bluzat e bardha në tërësi janë paragjykuar shumë, perceptimi ka qenë i gabuar. Nuk e di sa dhe si e ka ndryshuar kjo pandemi, por mendoj se janë njerëzit me njerëzor dhe më vetëmohues në çdo situatë, kjo pandemi po e dëshmon më mirë çdo ditë. Sa e gjatë do jetë kujtesa pas epidemisë dhe sa i respektuar e vlerësuar do jetë mjeku dhe bluzat e bardha nga shoqëria apo politika, le t’ja lëmë kohës.

Kur e gjitha kjo të përfundojë, personalisht çfarë do t’ju mbeti në mendje nga këto ditë krejtësisht ndryshe që po jetojmë?

Nuk e di saktësisht se çfarë, di t’ju them se është një eksperiencë e pa shoq dhe një solidaritet i pa shoq, që nuk do më shqitet nga mendja kurrë!

Besoj se e keni parë se në rrjetet sociale konsideroheni gati gati një hero. Madje janë bërë dhe këngë për ju, meme, si i shihni këto krijime?

Mendoj se çdo kohë apo situatë evidenton ca vlera, njerëz, specialistë, politikanë etj. Ndoshta çdo kohë ka dhe heronjtë e saj, që për mua këtë radhë janë MJEKËT DHE INFERMIERËT!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.