DOSSIER

1936, kur Ernest Koliqi qe më i majtë se Enver Hoxha

12:20 - 30.04.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ylli Polovina – Ndërsa pas shumë përpjekjeve për t’u bërë në Shqipëri protagonist politik i dorës së parë, më në fund Enver Hoxha ia doli kësaj ambicieje, duke kapur në maj 1944 postin e kryeministrit të një qeverie, që ende nuk e kontrollonte tërë territorin, në tetor të atij viti me mundësi më tepër për ta zotëruar këtë hapësirë shtetërore dhe më në fund tejet fuqiplotë në parakalimin e 28 nëntorit 1944 në Tiranë, mes shumë punëve qeverisëse, rindërtuese, por edhe egërsisht shtypëse, atij iu desh ditë pas dite ta përshtaste biografinë me shumë mungesa me gjendjen e re.




Kjo qe njëkohësisht njëra nga punët e tij më të ndërlikuara dhe që kërkonte kohë e dinakëri, vëllim kolosal manipulimi, por edhe pamëshire për të sakrifikuar çdo lidhje të padobishme njohjeje, miqësie dhe madje familjare. Nuk u ndal edhe para zhdukjeve fizike. Formati i imazhit të tij publik duhej të qe vezullues.

Këtu nuk është fjala se Enver Hoxha ishte një vagabond, një hajdut, homoseksual apo injorant dhe këto duhej t’i fshihte. Nuk i kishte këto defekte, edhe pse pas shembjes së regjimit të tij personal çfarë nuk është sajuar e shpifur po njëlloj siç bëri vetë Hoxha, për t’ia djallosur figurën me çdo mjet të mundur.

Falsifikimet e jetës së tij ishin gjëra shumë më ligësisht serioze. Prandaj në këtë veprim të tij, ai zgjodhi si krah të djathtë bashkëshorten e vet, së cilës i dha majën e piramidës përpunuese dhe botuese të librave: postin e drejtoreshës në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste. Ata që të dy në këtë mision nuk qenë përtacë, por shumë sistematikë, metodikë dhe punëtorë. Nexhmije Hoxha e vijoi këtë mision edhe pas vdekjes së bashkëshortit të saj, edhe pas rënies së diktaturës, edhe pas burgimit të vet, deri sa i rrahu zemra dhe kishte jetë. Shtoj se Hoxha nuk është i vetmi që e ka kryer këtë manipulim të madh, ai thjesht qe më i spikaturi prej liderëve politikë shqiptarë të shekullit të shkuar, ku për pastërti sinqeriteti ka ekzistuar një majëmali: Ismail Qemali. Duhet thënë gjithashtu se pas hapjes gjysmëdemokratike të Shqipërisë në dhjetor 1990, falsifikuesit e biografive të tyre, që nga politika e deri tek arti,  u shumuan aq fort dhe janë aq të papërmbajtur saqë ustai Enver Hoxha tashmë në histori ka përfunduar në një çirak.

Fotoja origjinale e ceremonisë për Topullin, para se të manipulohej Gazeta Demokratia 1936 Ceremonia në Berat për Çerçiz Topullin dhe Muço Qullin Enver Hoxha në ballkonin e Bashkisë së Shkodrës foto e manipuluar pasi ka fshirë të tjerët Gazetë e vitit 1936 ku përmendet fjala e Koliqit
<
>
Enver Hoxha në ballkonin e Bashkisë së Shkodrës foto e manipuluar pasi ka fshirë të tjerët

FJALIMI KONFORMIST DHE AHMET ZOGU  

Hoxha, si edhe me përparësi të gjithë shqiptarët, kishte një cilësi të dukshme: nacionalizmin. Nuk ia kanë edukuar posaçërisht, ai ka lindur bashkë me të. Në familjen dhe rrethin e tij më të afërt, masivisht të gjithë qenë atdhedashës të dukshëm. Edhe Gjirokastra, kjo kryekështjellë e kufirit jugor të sovranitetit etnik, e tillë është. Sepse kanë dalluar tek Enver Hoxha një nacionalist (dhe jo vetëm se në 1936 sapo kishte ardhur nga Franca dhe qe bir e nip i një familje të dalluar mëmëdhetare të qytetit) e caktuan të bënte pjesë në delegacionin për marrjen në Sarandë dhe sjellë në Gjirokastër, të eshtrave të Bajo Topullit.

Hoxha shkruan se kjo mundësi iu dha jo nga autoritetet, por vetëm prej mësuesit të tij të njohur Thoma Papapano. Këtë e rrëfen te libri i tij i kujtimeve “Vite të rinisë”.

Thotë: “Përgatitja e fjalës që do të mbaja më preokuponte, sidomos për faktin se gjer në çmasë duhej të shprehja lirisht e hapur ato që më zienin mua në kokë, si gjithë djalërisë përparimtare të kohës. Ceremonia do të ishte publike, do të merrte pjesë populli, por, donin s’donin, do të vinin edhe autoritetet e vendit, që nga prefekti e kryetari i bashkisë e gjer te xhandarmëria. Duhej gjetur, pra, një gjuhë e një mënyrë e tillë e të thënit të gjërave që fjala për patriotin e shquar të tingëllonte edhe si nderim e mirënjohje e thellë për të e për gjithë patriotët e tjerë që shkrinë jetën për atdheun, por edhe si betim i djalërisë e i popullit për ta çuar përpara e për ta realizuar çështjen e shenjtë të Shqipërisë, të përparimit e të transformimit të saj”.

Më pas në kujtimet e veta Enver Hoxha shkruan e zezë në të bardhë: “Njerëzve të regjimit disa pjesë u dogjën, por gjuha e përdorur ishte zgjedhur me kujdes”.

Duke ua mohuar autoriteteve të pushtetit lokal në mos organizimin, mirëdashjen dhe kontributin për këtë veprimtari, si edhe Ahmet Zogut kujdesin që për qëllime të brendshme politike tregonte ndaj figurave të tilla atdhetare (në “Vite të Rinisë” vetë E.H. paraqet edhe një foto para monumentit të lartë të Çerçiz Topullit në Gjirokastër, ndërtuar në vitet e monarkisë) në këtë libër është publikuar edhe një faksimile e faqes së parë të gazetës lokale “Demokratia”, të drejtuar atë kohë nga Xhevat Kallajxhiu.

Ngjarjen e veçantë të fjalimit ajo e paraqit si në faqen e parë, madje në krye të saj. Sipas pamjes së botuar në 1983, ai qe kryeartikulli i të gjithë edicionit të 1 gushtit 1936.

Në titullin kryesor të shkrimit “Ceremonia e inaugurimit të varrit të Patriotit të madh Bajo Topulli”, pjesa pasuese nis me nëntitullin germëmadh “Flet Enver Hoxha”. Teksti fillon me fjalët “Pardje të Premten u mbushën plot gjashtë vjet që kur ti, o Bajo, na u ndave nga gjiri i Shoqërisë Shqiptare. Megjithatë na duket sikur ka qenë dje, aq i gjallë është kujtimi yt në zemrat… e djalërisë që të njohu dhe të çmoi nga veprat e larta patriotike që i kushtove kësaj toke të shumë vuajtur. Djalëria shqiptare, besnike e principeve tuaja, gjunjëzohet para këtij qivuri modest dhe me admirim çuditet si ju o veteranë të paktë keni lënë vepra aq të shumta…”.

Siç mund ta shihni nga fotoja e kësaj faqe të parë të “Demokratia”, e cila shoqëron botimin e këtij shkrimi, deshifrimi i tekstit të kolonës së dytë është shumë i vështirë dhe turbullimi viziv i saj duket si punë e kryer qëllimisht. Me sa mund të shquash prej fjalëve dhe ta hamendësosh të plotë tekstin, Enver Hoxha në këtë fjalim të tij nuk ka asnjë rrokje apo fjalë, bashkim e tog të tyre, që të nënkuptojë ndonjë nga ato gjoja pjesë të tij “djegëse” për regjimin zogist. Çfarë tha qe konformiste me regjimin.

Kjo duket se është edhe arsyeja që kjo fjalë nuk u botua ndonjëherë në mbi 150 botimet e tij të “Veprave”, “Kujtimeve”, “Ditareve”, librave teorikë apo të atyre të mbushur me fjalime dhe dokumente partiakë. Po të publikohej do të dukej lehtësisht se tek Enver Hoxha i motit 1936 nuk kishte as hapët dhe as fshehurisht me nëntekste, ndonjë rebel politik komunist, një kryengritës ndaj regjimit të Ahmet Zogut, një admirues dhe luftëtar i një Shqipërie më të lirë e më të zhvilluar.

Por, kjo foto e turbulluar e tekstit tek “Vitet e rinisë” ka edhe një arsye tjetër. Në të vërtetë ajo fjalë nuk u publikua ndonjëherë në faqen e parë të “Demokratia”, siç është montuar. Në botimin e saj të 1 gushtit, numri 505, kryeartikull ka qenë shkrimi “Populli dhe zyrtarët”, kurse ceremonia e inaugurimit të varrit të Bajo Topullit ndodhet në faqen e katërt. Pikërisht këtu botohet edhe fjala e E.H..

Ndërkohë, këtë manipulim e pason edhe një hollësi tjetër. Ndërsa Hoxha e rrëfen ngjarjen sikur qe ai fjalimmbajtësi kryesor, në brendësi të “Demokratia” të 1 gushtit 1936 thuhet se i pari pati qenë prefekti i Gjirokastrës, Nikollaq Zoi, i dyti drejtori dhe pronari i gazetës, Xhevat Kallajxhiu dhe i treti “studenti për drejtësi”, Enver Hoxha.

BALLKONI I BASHKISË SË SHKODRËS

Por, edhe pse kaq shumë të pavërteta për një ngjarje që mund të tregohej, ashtu siç pati ndodhur dhe gjithsesi t’ia zbukuronte biografinë si politikan, falsifikimi nuk ndalet deri këtu. Shkon më tej. Te “Vite të rinisë” E.H. shkruan po ashtu: “S’shkuan disa ditë e, nën përshtypjen e madhe që la ceremonia për Bajon, u vendos të krijonim një grup me patriotë e elementë të tjerë përparimtarë për të shkuar në Shkodër, të gjenim vendin ku ishin varrosur, diku në Shtoj, patriotët Çerçiz Topulli e Muço Qulli dhe eshtrat e tyre t’i sillnim të preheshin në Gjirokastër, në po atë kodër, në hyrje të qytetit, ku tashmë preheshin eshtrat e Bajos. Në grupin iniciator isha edhe unë. U përgatitëm, shkuam në Shkodër”.

Menjëherë në vijim: “Pata nderin e madh që edhe atje të flas unë në emër të delegacionit gjirokastrit e të gjithë popullit të Gjirokastrës, në ceremoninë që organizoi populli i Shkodrës për të përcjellë eshtrat e Çerçizit e të Muço Qullit”.

Pastaj Enver Hoxha mëshon fort në lojën e tij të pandërprerë të manipulimit: “Të gjitha këto veprimtari që koincidonin në momentet kur sa isha kthyer nga jashtë, i pushuar nga puna me një motivacion tepër të rrezikshëm për ato kohë, vërtet më jepnin kënaqësi e më shtonin vendosmërinë për të vazhduar më tej, por rrezikun e shtonin më tepër; afishohesha hapur në sytë e regjimit për prirjet e pikëpamjet e mia”.

E dimë tashmë mirë se motivi i kthimit nga Franca ishte se qe për disa vite rresht student mbetës dhe se prej konsullatës honorifike në Bruksel u zbua jo sepse ishte një komunist antizogist, siç në kujtimet e tij e ka paraqitur. Në 1936 Hoxha u rikthye në vendin e vet si një i falimentuar, por i cili kish gjeninë iluzioniste që krundet e tij në sytë e të tjerëve t’i shndërronte në bukë të bardhë.

Në librin “Vite të rinisë” Enver Hoxha episodin e Shkodrës e shoqëron me një foto ku në ballkonin e bashkisë është ai i vetëm që mban fjalim.

Sipas historisë së dokumentuar, Çerçiz Topulli dhe Mustafa Qulli qenë vrarë nga malazezët në Fushën e Shtojit më 1915. Në shtator të vitit 1936 ishte prefekti i Shkodrës, Javer Hurshiti (dhe jo grupi që u nis nga Gjirokastra), i cili zbuloi vendin ku qenë varrosur dy dëshmorët. Eshtrat e të dyve Hurshiti i vendosi në arkivole dhe pas kësaj ftoi bashkinë e Gjirokastrës të dërgonte një delegacion për të marrë pjesë në ceremoninë e përcjelljes për në vendlindje. Nga qyteti i jugut dërgatën e posaçme e kryesonte Beso Gega.
Sipas revistës vendase “Cirka” e datës 27 shtator 1936, dërgata gjirokastrike mbërriti në Shkodër në 14 shtator 1936 dhe se fjalën kryesore në ballkonin e Bashkisë e mbajti Ernest Koliqi. Mes të tjerash ai tha solemnisht: “E ju, o ju Hije madhore të Çerçiz Topullit e të Mustafa Qullit, nisnju kah vendet jueja tue ngjallun nëpër të gjitha buzët nji kangë shprese. Zgjoni në kalim zemrat e fjetuna; fuqizoni shpirtrat e ligshtuem. Shka kërkon djalëria prej Shqypnis? Drejtësi të plotë shoqnore”.

Koliqi flet si veprimtar i madh politik i të majtës. Sa larg dhe  e angazhuar shoqërisht është gjuha e mendësia e tij nga gjoja komunisti Enver Hoxha!

Padër Anton Harapi foli nga shkallët e PTT së vjetër. Mes të tjerash shqiptoi: “…diftoni djelmnis shqiptare shka u ushqeu idealin, çka u mbajti karakterin, shka u bani të pavdekshëm.….T’i diftojm, po, botës, se shqyptarët janë njimend burra; se mund të jemi Toskë e Gegë, muhamedan e kristjan, e njiherit shqyptarë të njimendtë. Zoti i vërtetë e atdheu le të na bashkojn, Zoti e atdheu të na mbajn, me Zot e me Atdhe të lumnojm!”

Ndërkaq nga fjala përshëndetëse e Enver Hoxhës asnjë gazetë shkodrane apo edhe vetë në 10 tetor 1936 “Demokratia” e Gjirokastrës, nuk botuan asnjë rresht. Kjo e fundit publikoi të gjithë fjalimin e Ernest Koliqit. Çfarë tha as vetë Hoxha nuk e botoi kurrë ndonjëherë. Po të qe me ato fjalët djegëse kundër regjimit, do t’u kish dhënë reliev me sa të mundte.

Ndërkaq nga personat që rrinin në ballkonin e bashkisë së Shkodrës, fiksuar nga aparati fotografik i Kel Marubit, në pas luftë dy u  pushkatuan, katër, mes tyre edhe kryetari i bashkisë së Shkodrës, Zenel Prodani, u burgosën. Kryetari i dërgatës gjirokastrite, Beso Gega, po ashtu u burgos dhe pas daljes nga qelia vdiq në rrethana tragjike.

“BERAT, 1936”, NJË

HISTORI E PATREGUAR

Përveç një rasti kur Enver Hoxha 28 vjeçar shfaqet bashkë me gjirokastritët e tjerë në vendin ku qenë gjetur eshtrat e Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit si edhe prapa grupit të folësve në ballkonin e bashkisë së Shkodrës, ai nuk gjendet në asnjë prej veprimtarive të tjera të shumta të kryera, përfshi edhe procesionin nëpër rrugët e qytetit. Kjo është e provuar tashmë prej shumë historianëve. Me këtë rast do të shtonim një hollësi tjetër.

Studiuesi i fotografisë Qerim Vrioni për ta spikatur më plotësisht historinë e përcjelljes së eshtrave nga Shkodra dëshmon se kjo ngjarje kalon edhe nëpër Berat. Të dy bashkë kemi pasur kërshërinë për të verifikuar nëse në grupin e protagonistëve në qytetin e një mbi një dritareve është edhe Enver Hoxha.

Qerim Vrioni foton që po ja bashkëngjisim këtij shkrimi, “Berat, 1936”, e ka pjesë të arkivit të tij familjar. Në të është edhe u ati, financieri Jakub Vrioni.

Nga Shkodra, pas ceremonisë, të shoqëruar prej disa pjesëmarrësve të grupit gjirokastrit dhe të Leskovikut, dy arkëmortet u nisën drejt jugut. Në Rogozhinë arkivoli i Muço Qullit duhej të merrte udhën majtas dhe nëpërmjet kalimit nëpër Elbasan, Pogradec dhe Korçë, të mbërrinte në vendlindje: Leskovik. Do të rivarrosej atje. Arkëmorti i Çerçiz Topullit duhej të vijonte udhëtimin drejt Beratit e prej andej, duke kaluar nëpër Këlcyrë, të shkonte në thellësi të jugut, në vendlindjen e vet, Gjirokastër.

Por ndodhi ndryshe. Të dy arkivolet vijuan rrugën drejt Beratit, ku u bë një ceremoni nderimi shumë madhështore. Përveç mjaft banorëve dhe nxënësve e mësuesve të shkollave në qytet, qenë të pranishëm edhe kryetari i Bashkisë Kolë Rrodhe si edhe Prefekti Qazim Bodinaku. Qerim Vrioni spikat se në rreshtin e parë të elitës shtetërore dhe intelektuale të Beratit, ishin edhe Prokurori i Shtetit, av. Rakip Leka si edhe Kryetari i  Gjykatës, Av. Avni Koka. Po ashtu qenë edhe Selami Qulli, i vëllai i Muço Qullit, farmacisti Vangjel Haxhistasa, av. Andrea Sahatçi, Av. Hasan Dosti, av. Xhevdet Mehqemeja, Milto Tutulani, gjyshi i Kristaq dhe Margarita Tutulanit…

Pas këtyre nderimeve  të gjithë e shoqëruan kortezhin deri tek Ura e Goricës, prej ku arkëmorti dhe shoqëruesit e Muço Qullit shkuan drejt Rogozhinës dhe ai i Çerçis Topullit kapërceu urën dhe mori drejtimin e ngjitjes nëpër shpinën e maleve që të çonte në Këlcyrë (ku Çerçizit iu bë një ceremoni e tretë) dhe më pas mbërriti në Gjirokastër.

Edhe pse kemi të paktën dy mote që bashkë me studiuesin Vrioni, duke mos e parë në foton e Beratit Enver Hoxhën, po kërkojmë të mësojmë se pas minimum pranisë së tij në Shkodër, ku shkoi me delegacion për të marrë eshtrat e Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit dhe sjellë ato në vendlindje, ku në të vërtetë ishte.

Deri tani nuk ja kemi dalë, sepse nuk dëshirojmë të ngutemi e ta mbyllim këtë dosje hetimi publicistik me shënimin sipër kapakëve të saj: Enver Hoxha sërish gënjen.

 

 


Shfaq Komentet (1)

Leave a Reply to ARTAN GOLEMI Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. KU KANE QENE TUJ SHKUE VETEM CERCIZIZ TOPULLI E MUCO QULLI,PA CETEN,?C”KA KANE LYP NE SHTOJ TE SHKODRES?PSE I KANE VRA NE PRITE?,ASKUSH NUK ANALIZON,AS NJEREZIT E DIJTUN E ME EMER TE KOHES,MOR PO KOT NUK KA ARDHE NE SHQIPNI PUSHTETI I KUQ-KRIMINAL,PER ARSYE SE EDHE ELITA E ATEHERSHME E KOHES KANE VLERESU TE TILLE NJEREZ; CERCIZI ME MUCO QULLIN KANE KENE TUJ SHKUE ME VRA ME PAGESE DHE KANE HASUR TE TRADHETUEM NE PRIT TE ATYRE QE KANE DASHTE ME VRA.JANE TRADHETUE NGA DHENESI I PARAVE PER ARSYE FRIKE NGA HAKMARRJA E PERSHKALLEZUAR TE FISIT QE DO TU VRISHIN NGA CERCIZI.KA MBETE SHQIPNIA TUJ VLERESUE FIGURA TE SHPIFUNA TE KRIMIT TE ORGANIZUAR FISESH,KY KOMB JENA
    PRANDAJ JEMI NE KETE GJENDJE SOT….

    Përgjigju &amp;darr;