Intervista

Oketa: COVID-19 nuk është luftë, Rama krijoi psikozë frike tek njerëzit

11:00 - 04.05.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Gazmend Oketa beson se sa më shumë të zgjasë izolimi i qytetarëve shqiptarë, aq më shumë do të zgjasë edhe rikthimi në normalitet dhe në realitet i shoqërisë shqiptare. Z.Oketa përmes “Gazeta shqiptare” shpreh shqetësimin se përveç dëmit që ka pësuar ekonomia në tërësi dhe buxheti i vogël i çdo familjeje shqiptare, izolimi i zgjatur do të dëmtojë në ekstrem edhe atë pak kohezion social, që ekzistonte në shoqërinë shqiptare para se të fillonte kjo periudhë. Oketa fajëson kryeministrin Rama, i cili sipas tij që me fillimin e rrezikut nga COVID-19 ka mundur të krijojë një psikozë frike, duke përdorur krejt pa vend e tepër shpesh fjalën luftë. “Nuk besoj se pas tërmetit dhe situatës COVID-19, qytetarët shqiptarë do t’i gëzohen thjesht faktit që marrin frymë. Riformatimi i jetës sociale besoj se do sjellë një riformatim edhe në vendimmarrjen politike të qytetarëve sapo atyre t’i jepet mundësia për të zgjedhur”, – shprehet anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së.




 Z.Oketa, çfarë rrezikojnë shqiptarët duke qëndruar ende në shtëpi për shkak të pandemisë kundër COVID-19?

Mendoj se sa më shumë të zgjasë izolimi i qytetarëve shqiptarë, aq më shumë do të zgjasë edhe rikthimi në normalitet dhe në realitet i shoqërisë shqiptare. Sidomos rikthimit në realitet i druhem më shumë. Përveç dëmit që ka pësuar ekonomia në tërësi dhe buxheti i vogël i çdo familjeje shqiptare, izolimi i zgjatur do të dëmtojë në ekstrem edhe atë pak kohezion social, që ekzistonte në shoqërinë shqiptare para se të fillonte kjo periudhë. Rregullat e reja të distancimit social të vendosura dhe ato në vazhdim, diku me të drejtë e diku me qëllime të padrejta mund të bëjnë që edhe pse në kushte ekonomike të vështira, edhe pse të vjedhur në çdo qindarkë të fundit nga qeveria e tyre, shqiptarët të humbin sensin e kundërshtimit ndaj padrejtësive, të reagojnë individualisht dhe vetëm nëpërmjet rrjeteve sociale. Nëse kjo gjë ndodh, kjo do të ishte humbja më e madhe për të gjithë. Ajo që ne duhet të kemi më shumë kujdes, gjykoj se është mënyra se si do të orientohen qytetarët pas kësaj pandemie. Nëse secili do të orientohej nga uni, do të kërkonte zgjidhje individuale duke u izoluar në maksimum, gjykoj se dëmi në fund do të ishte shumë i madh. Nëse kjo situatë e vështirë do të shihet si një mundësi për t’i dhënë një dimension të ri shoqërisë, për të forcuar vlerat që duhet të na bashkojnë e jo ato që na ndajnë, si një mundësi për të kuptuar drejtë gjërat që kanë më shumë rëndësi në jetën e gjithsecilit, besoj se realiteti i ri në të cilin do të jetojmë do të jetë më i mirë se ai që po lëmë pas.

Si i konsideroni masat shtrënguese të qeverisë dhe zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme?

Nëse bëjmë një krahasim të dy periudhave, para dhe gjatë pandemisë së COVID-19, do të shohim se shqiptarët vazhdojnë çdo mëngjes, drekë apo mbrëmje të ushqehen me propagandë, e cila burimin kryesor e ka në zyrën kryeministrore dhe në studiot e ERTV. E njëjta gjë ka qenë dhe para izolimit, por dallimi është se tani shqiptarët janë brenda mureve të shtëpisë dhe mungesa e kontakteve të përditshme, përplasja e opinioneve apo qëndrimeve të tyre me miqtë, shokët apo kolegët, i bën që ata të “ushqehen” kryesisht vetëm me një drejtim. Që me fillimin e rrezikut nga COVID-19, z.Rama ka mundur të krijojë një psikozë frike, duke përdorur krejt pa vend e tepër shpesh fjalën luftë. Fakti që gjatë gjithë kësaj kohe kemi pasur dalje në ekrane të një njeriu të vetëm, mesazhe zanore në telefon nga një njeri i vetëm, ‘email’-e në adresat tona private apo zyrtare nga një individ i vetëm, i cili nuk na drejtohet si kryeministër i vendit, por na drejtohet si Edi që na përqaf, është strategjia e unifikimit të pushtetit, e cila na ka sjellë veç kthim prapa. Një kryeministër, kuotat e të cilit ishin në minimum, para fillimit të pandemisë, i jep të drejtë cilitdo që të ngrejë shumë dyshime si mbi masat shtrënguese e po ashtu edhe mbi zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme nuk mund të jetë i besueshëm. Nëse për këto masa shtrënguese për rrezikun e COVID-19, për strategjinë e kapërcimit të kësaj situate vërtet shumë të vështirë do kishin folur specialistët, mjekët epidemiologë, psikologë socialë, ekspertë të ekonomisë, ekspertë të arsimit etj., gjykoj se dhe perceptimi i shoqërisë si për masat shtrënguese, ashtu dhe reagimi i saj do kishte qenë krejt i ndryshëm. I ndryshëm, më social, më i pranueshëm e më i qëndrueshëm do të ishte edhe kapërcimi i situatës ekonomike në tërësi dhe të biznesit në veçanti, i cili është gjendur në vështirësi serioze. Gjykoj se pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare tregoi përgjegjshmëri në respektimin e rregullave të distancimit dhe izolimit dhe kjo ndikoi për mirë në uljen e numrit të personave të infektuar e për këtë shqiptarët duhen përgëzuar. Ata duhet të falënderojnë njëri-tjetrin për kujdesin e treguar e në mënyrë të veçantë duhet të falënderojnë mjekët dhe personelin ndihmës, të cilët u përballën 24 orë të çdo dite me rrezikun COVID-19.

A ishin të nevojshme ndryshimet në Kodin Penal dhe a besoni se do të ketë të arrestuar apo prokurorë që do të donin të ndiqnin çështje të tilla?

Hapja e një debati të tillë në mesin e një situate aspak normale për qytetarët shqiptarë më duket gjëja më pavend dhe më e panevojshme. Në vend që çdo përpjekjeje, çdo energji çdo burim financiar të vendosej në radhë të parë në dispozicion të qytetarëve të sëmurë me COVID-19 të përdorej për parandalimin e përhapjes së pandemisë nëpërmjet testimeve masive, në pajisjen e spitaleve dhe personelit mjekësor me mjetet e nevojshme, z.Rama gjeti kohë të merret dhe me Kodin Penal, duke bërë ndryshime të cilat besoj se nuk do të sjellin asnjë efekt pozitiv. Përkundrazi, debati mediatik i nxitur qëllimisht, lidhur me këto ndryshime, u përdor për të theksuar edhe më shumë fjalën luftë dhe për të forcuar psikozën e frikës te qytetarët. Në fund të ditës gjykoj se ajo që synohet nëpërmjet një strategjie të tillë është krijimi i kushteve psikologjike në shoqërinë shqiptare, kushte në të cilat qytetarët duhet thjesht t’i gëzohen faktit që dolën gjallë nga kjo “luftë”. Sipas z.Rama, ekonomia, e ardhmja e tyre dhe familjeve të tyre, nuk duhet të kenë shumë rëndësi për ta, rëndësi ka fakti që ata marrin frymë. E për këtë, si gjithmonë, ata duhet të falënderojnë liderin suprem. Të mos të çuditemi nëse në një qytet çfarëdo, z.Rama mund të zgjedhë Shkodrën për shembull, ndryshimet në Kodin Penal të “bien fuqishëm” dhe me gjithë zellin kryeministror mbi një baba me shumë fëmijë, i cili ka humbur gjithçka nga kjo situatë. Në ERTV dhe simotrat e tij do të shohim kronika, në të cilat dënimi i këtij qytetari “të pabindur” do jetë fitorja e ndryshimeve në Kodin Penal si dhe përfundimi me sukses i “luftës” ndaj COVID-19.

Si e konsideroni rolin e opozitës në këtë periudhë pandemie? Cili është vlerësimi juaj për kreun e opozitës, Lulzim Basha?

Personalisht e gjykoj se opozita ka respektuar me përgjegjshmëri rolin dhe misionin saj. Ajo nuk është shfaqur agresive, përfituese, e fiksuar pas interesit politik të momentit, por është shfaqur si një alternativë ndryshe, me propozime konkrete, me fokus kryesor interesin e qytetareve të çdo kategorie nga të rinjtë, te pensionistët nga të papunët te të punësuarit nga biznesi i vogël tek ai i madh. Sigurisht, gjithsecili mund të ketë opinionin e tij lidhur me qëndrimin e opozitës. Dikush mund të pretendojë më agresivitet, dikush mund të kërkojë të mos dalë me propozime, të cilat në disa raste më pas janë kopjuar nga z.Rama, por besoj të gjithë duhet të biem dakord se emëruesi i përbashkët është se ajo është treguar një opozitë konstruktive, një opozitë e cila është sjellë sikur ajo të kishte përgjegjësinë e administrimit të kësaj situate. Sigurisht që kam të njëjtin vlerësim dhe për rolin e z. Basha si drejtues i opozitës shqiptare. Gjithçka thashë për qëndrimin e opozitës, u referohen edhe qëndrimeve të z.Basha.

Besoni se Edi Rama po e kthen në favor të tij situatën post-tërmet dhe pandeminë një vit para zgjedhjeve të reja?

Nuk shoh asnjë shenjë, pavarësisht përpjekjeve të z.Rama, që administrimi i situatës së pas tërmetit të nëntorit 2019 dhe kësaj të Covid19, të mund të ndikojnë pozitivisht në imazhin e tij. Përkundrazi, e kundërta është e vërtetë. Jeta e qytetarëve shqiptarë ishte bërë shumë e vështirë edhe pa këto dy situata ekstreme. Gjatë gjithë periudhës që z.Rama ka drejtuar si kryeministër, varfërimi i qytetarëve dhe rrënimi i ekonomisë ka marrë përmasa të tilla saqë asnjë mrekulli, qoftë kjo dhe hapje negociatash me BE-në apo mbështetje financiare për Shqipërinë nga kreditorë të ndryshëm, do të mund ta shpëtojë z.Rama dhe Rilindjen nga një disfatë politike. Nuk besoj se pas tërmetit dhe situatës COVID-19, qytetarët shqiptarë do t’i gëzohen thjesht faktit që marrin frymë. Riformatimi i jetës sociale besoj se do sjellë dhe një riformatim dhe në vendimmarrjen politike të qytetarëve sapo atyre t’i jepet mundësia për të zgjedhur.

A duhej ta shfrytëzonte politikisht opozita dhe kreu i saj, Lulzim Basha, situatën e vështirë të pandemisë?

Personalisht mendoj se ajo nuk e ka shfrytëzuar dhe në asnjë rast nuk do duhej ta shfrytëzonte politikisht një situatë të tillë. Për aq sa e njoh z.Basha, do të ishte t’i kërkoje atij të bënte një gjë jashtë sjelljes së tij natyrale. Gjykoj se z.Basha ka bërë mirë që nuk e ka kapërcyer kufirin dhe ka ruajtur një pozicion të tillë gjatë gjithë kësaj periudhe. Koha për debat politik do të rikthehet shumë shpejt dhe opozita bën mirë që tregon durimin e duhur deri sa ajo kohë të vijë.

Pas gjendjes së jashtëzakonshme të pandemisë, sipas jush çfarë duhet të diskutojnë palët politike?

Ekonomia duhet të jetë tema kryesore. Detyrimisht duhen gjetur zgjidhje që e gjithë shoqëria shqiptare të kalojë me sa më pak pasoja e vështirësi financiare këtë situatë. Rikthimi i optimizmit, besimit se së bashku do ia dalim, nxitja e konsumit e kryesisht të prodhimeve vendëse duhet të jenë disa nga gjërat e para që duhen synuar për t’ju rikthyer normalitetit sa më parë. Sigurisht dhe arsimi është një problem më vete, shumë i rëndësishëm dhe që kërkon një zgjidhje në mënyrë që viti i ardhshëm shkollor të plotësojë edhe ndonjë mangësi të këtij viti. Është për të ardhur keq që, si në rastin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, ashtu edhe në rastin e atyre në shëndet e ekonomi të shkaktuara nga situata e COVID-19, z. Rama është treguar fyes dhe arrogant ndaj propozimeve të opozitës. E kam thënë edhe herë të tjera që një kryeministër i përgjegjshëm, edhe sikur propozimet e opozitës në gjykimin e tij të kenë të meta, nuk duhet të përgjigjet me fyerje apo tallje në çdo rast. Kjo mënyrë jo vetëm që nuk i bën nder institucionit të kryeministrit, por edhe mbyll çdo shteg bashkëpunimi apo mirëkuptimi për çfarëdo situate. Është e kuptueshme që për z.Rama është i papranueshëm propozimi për anulimin e koncesioneve abuzive, pasi qartazi ai ka dëshmuar se interesi publik nuk është prioritet i tij. Rasti i tenderit të Unazës së Re, ligji special për shembjen e Teatrit Kombëtar janë thjesht dy prej shumë rasteve që dëshmojnë një gjë të tillë. Në kushtet e një sjelljeje të tillë nga kryeministri, mbetet shumë pak hapësirë ndërmjet palëve për të diskutuar. Të mos harrojmë që edhe institucioni i Presidentit të Republikës, i cili mund të krijonte një klimë normale dhe të ftonte palët, të uleshin në tryezë dhe të gjenin pika bashkëpunimi është në qendër të sulmeve politike të mazhorancës dhe në një proces absurd shkarkimi.

Pas sulmeve politike që përmendi, a shikoni një klimë normaliteti të ri mes mazhorancës dhe presidentit? Sipas jush, çfarë qëndron pas zbutjes mes kryeministrit Rama dhe z.Meta dhe në ketë rast nuk i referohem vetëm periudhës së pandemisë, por edhe ndryshimeve në Kodin Penal?

Nuk më duket një çështje, e cila duhet diskutuar kaq shumë dhe pas së cilës duhen ngritur detyrimisht teori pazari politik apo teori konspirative. Nuk është hera e parë që pas tensioneve të forta midis partive politike apo institucioneve ka edhe “armëpushime”, pauza apo marrëveshje. Nëse ne vazhdojmë të shohim gjithmonë me dyshim apo si jonormale atë që në fakt duhet të jetë normale, nuk bëjmë gjë tjetër veçse edhe ne japim kontributin tonë, por në drejtimin e gabuar, atë të destabilitetit dhe përplasjes pafund ndërmjet institucioneve, partive politike apo individëve. Shumë mirë që në një situatë të tillë nuk kemi debat të kotë e të pavlerë. Por kjo nuk besoj që na çon në konkluzionin se institucioni i Presidentit është tërhequr nga qëndrimi i tij lidhur me jokushtetutshmërinë e votimeve moniste lokale, apo nga kthimi si antikushtetues të ligjit që synonte rrëmbimin e territorit të Teatrit Kombëtar, apo të jetë tërhequr nga padia që ka depozituar në prokurori lidhur me tentativën e z. Rama për emërimin antikushtetues të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Për shkak të dy fatkeqësive natyrore, tërmetit dhe COVID-19 brenda një kohe të afërt duket se nuk bëhet më fjalë për zgjedhje të parakohshme. A është tashmë opozita e ndërgjegjshme se zgjedhjet e parakohshme janë të pamundura? A besoni se në kushtet aktuale Shqipëria mund të zhvillojë zgjedhje parlamentare?

Sot për sot nuk besoj se kjo gjë është e mundur. Sot prioritet duhet të jetë ruajtja e shëndetit dhe jetës të çdo qytetari shqiptar. Ndoshta pas dy apo tre muajsh mund të kemi një situatë normale dhe kjo çështje mund të vijë natyrshëm në rendin e ditës.

Një nga propozimet për reformën e re elektorale ka të bëje me datën e zhvillimit të zgjedhjeve, që parasheh ndryshimin e periudhës së përcaktuar për të vendosur datën e votimit si për zgjedhjet qendrore ashtu edhe ato lokale. Kur i gjykoni si më të përshtatshme zgjedhjet e reja parlamentare?

Zgjedhjet nuk i bën të lira e të ndershme data apo dita kur ato zhvillohen. Ato i bën të lira klima politike në të cilën zhvillohen, lider të përgjegjshëm politikisht dhe që nuk shohin pushtetin mjet pasurimi, por mundësi dhe nder për t’i shërbyer vendit të tyre, parti politike apo politikanë të palidhur me botën e krimit e jo kryeministra “bablokë” të lidhur me “çuna problematik”. Shoqëria shqiptare ka nevojë urgjente për të shkuar drejt një palë zgjedhjesh parlamentare dhe sa më shpejt kjo të ndodhë aq më mirë është.

A besoni se në rrethana të tilla, përmes një gare të barabartë, opozita do të mund të rikthehet në pushtet?

Rotacioni politik tashmë është thjesht çështje kohe. Qeverisja aktuale ka humbur besimin e qytetarëve, pasi në vazhdimësi ka treguar së pari, grykësi për të zhvatur gjithçka dhe së dyti paaftësi për të qeverisur. Në rastin më të keq, nëse ajo do të vazhdojë të zvarritet, data më e largët kur rotacioni politik do të ndodhë është qershori i vitit të ardhshëm. Mbetet për t’u parë nëse qeveria do t’ia dalë të tërheqë zvarrë edhe për një vit tjetër shoqërinë shqiptare. Një kryeministër, i cili në vitin e shtatë të qeverisjes nuk di akoma sa është Prodhimi i Brendshëm Bruto, sa është Buxheti i Shtetit dhe dallimin midis tyre, besoj ju kujtohet intervista televizive së cilës i referohem nuk duhet të jetë në atë pozicion as edhe një ditë më shumë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.