KULTURË

SHUHET ARTISTI MAKS VELO!/“Iku me pishmane, nuk e mirëpritën se qe kritik”

12:30 - 08.05.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Fatmira Nikolli – Është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare piktori, arkitekti, shkrimtari e publicisti Maks Velo. I burgosur gjatë regjimit komunist pasi kundërshtoi kanonet zyrtare të artit sipas metodës së realizmit socialist, veprat e tij shënojnë gjurmët e artit modern që në vitet 1960. Personazh kontrovers dhe aktiv në shumë debate publike, gjatë demokracisë ai mbeti një zë i lirë dhe i pakontestueshëm, që përmes librave dëshmoi persekutimin diktatorial dhe mbrojti trashëgiminë e qyteteve, që nga piramida te teatri.

VEPRAT

Studiuesja e arteve pamore, Suzana Varvarica, në një lidhje “live” për “News 24” ka thënë se Maks Velo do të jetë një nga baballarët e modernizmit shqiptar. Varvarica rrëfeu kujtimet me Maks Velon, të cilin e njihte para viteve ’90, por atëherë për shkak se familja Velo ishte e persekutuar nga regjimi nuk kishin shumë lidhje edhe ata nuk njiheshin shumë, por në kohën e demokracisë u njohën në fushën e artit. “Pati jetë shumë të vështirë, por në 2015 ia arriti qëllimit të vetes duke ekspozuar veprat në Galerinë Kombëtare të Arteve. Unë mendoj se Velo iku me disa pishmane, pasi arti jo gjithmonë e pranonte atë, pasi ishte gjithmonë shumë kritik”. Ajo ka qenë kuratorë e ekspozitës së tij të fundit në GKA dhe i bën apel shtetit të mbyllë banesën e tij për të ruajtur veprat e artit që la pas. “Më vjen shumë keq, pasi jemi dhe komshinj, as 200 metra larg. E kam njohur pas viteve ‘90, jo se nuk e njihja para ’90-ës, por ai kishte jetë shumë të vështirë. Ishte një shtëpi e bukur, por nuk hynte askush se ishte familja e persekutuar. Ai ishte një artist që kishte kaluar shumë vite në burg, që i ishte ndërprerë marrëdhënia me artin, sistemin, miqtë. Nga 1990 deri në 2015 plot vite që Maksi jo që nuk punoi, por iku me disa pishmane. Sistemi i artit figurativ dhe viziv jo gjithmonë e mirëpriste, pasi ishte shumë kritik, por edhe shumë artist”, tha Varvarica.

Studiuesja kujtoi se ai ishte shumë impulsiv dhe aktiv, po ashtu artist. “Nuk reshte së punuari çdo ditë, prandaj janë gjithë ato botime dhe një seri punimesh. Shteti duhet të vendosë kthetrat e mira, kur një artist i mirë duhet t’ia marrë nën mbrojtje veprat nëpërmjet Galerisë së Arteve. T’ia bllokojnë shtëpinë. Që vepra e tij të rruhet. Ai preku gjithçka kishte të bënte me artet pamore. Në ekspozitën e 2015-ës, Maksi arriti të thoshte që qëllimin që i vura vetes, e realizova”, kujtoi ajo.

MAKSIII 96156084_233683944740504_5508006312547450880_o
<
>
C

DËNIMI

“Agjitacion dhe propagandë kundër shtetit” ishte dënimi që i mori 10 vjet jetë Maks Velos gjatë periudhës më të egër që ka parë Shqipëria. Sipas studiueses, arsyeja e dënimit të tij në komunizëm ka qenë arti dhe mendësia e tij. “Maks Velo dhe një grup artistësh të tjerë nuk pranonin mendësinë e realizmit socialist, të pikturës, skulpturës dhe grafikës. E gjykuan për këto dhe për mënyrën e të jetuarit. Maks Velo nuk është vetëm figurë horizontale, me ulje dhe ngritje. Artisti nuk lë vetëm gjurmë figurative, por shumë më të thella. Maks Velon duhet ta shohim për jetën e tij. Pse duhet të jetë gjurmë në artin shqiptar. Ai është artist modern. Ne jemi të vonuar në artin modern, por 40 vite të realizmit socialist janë peshë e rëndë dhe pikërisht Maks Velo do të jetë nga baballarët e modernizmit shqiptar. Edhe arti ta pranojë si të tillë”, – tha Varvarica.

ALEANCA

Nga protestat për mbrojtjen e Piramidës, te protesta për mbrojtjen e Teatrit, Velo mbeti një zë i lirë gjë që sot, bën që ai të lërë një vend bosh të pazëvendësueshëm në sferën publike. “Një zë i fortë në mbrojtje të trashëgimisë dhe arkitekturës shqiptare por jo vetëm, një artist me botë dhe zemër të madhe. Me kontribut të jashtëzakonshëm gjatë gjithë jetës për shoqërinë dhe Shqipërinë. Autor i një sërë projektesh të ndryshme të rëndësishme të projektuara prej tij ose në bashkëpunim janë Parku i Madh i Liqenit, Tiranë, shkolla ‘Emin Duraku’, objekti i banimit pranë hotel ‘Tiranës’, godina e ish-ATSH, ish-hotel ‘Arbana’ Tiranë, kinemaja e Laprakës, kinema ‘Pionieri’, Tiranë, ‘Uzina Mekanike’, Peshkopi etj’”, shkruan Aleanca për Teatrin. Ata kujtojnë se Velo ka qenë pjesë e qëndresës dhe një nga mbështetësit më të fortë të kauzës së teatrit në sferën publike. “Në sheshin e teatrit gjeti gjithmonë një mikrofon të hapur, duke ndarë me ne eksperiencën profesionale dhe fjalën e tij në mbrojtje të Teatrit, të cilin e konsideronte një monument historik dhe kulturor. Një mik i qytetit, që do të na mungojë të gjithëve. Qytetari dhe arkitekti Maks Velo ka nderimin dhe bekimet tona. Faleminderit, Maks! Shoqëria shqiptare ka një borxh shumë të madh ndaj teje”, thuhet në shënim.

POLITIKA

Presidenti Ilir Meta ka shprehur mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të piktorit dhe arkitektit Maks Velo. Meta shkruan në “Facebook” se ikja e Velos lë pas një boshllëk të pazëvendësueshëm në shoqërinë shqiptare.  Sipas presidentit, Velo dhe zëri i tij kritik do t’i mungojë në veçanti mbrojtjes së interesit publik në këtë periudhë të brishtë institucionale dhe demokratike. Për kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi, Maks Velo ishte pasionant i lirisë, mbrojtës i së vërtetës dhe luftëtar i së drejtës. Ai tha se Maksi zhvilloi shumë beteja në jetë dhe të gjitha i fitoi me artin, erudicionin, pasionin, qëndresën dhe stoicizmin e tij. Ndërsa kryeministri Rama në postimin e tij shoqëruar me foton e Velos ka shkruar: “Çfarë trishtimi! Lamtumirë Maks”! Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e cilësoi Velon shembull spikatës të disidencës në telajo, arkitekturë dhe libra. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, tha se kryeqyteti humbi një artist brilant, që la pas vepra ikonike, ndërsa ceremonia mortore do të organizohet nga Bashkia e Tiranës.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.