Kryesore

Roza Anagnosti: Teatri? Konflikt në pandemi!

18:00 - 15.05.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Protesta tek Teatri, është për të drejtën, për qytetarinë. Nuk është e drejtë ta bësh këtë tani në pandemi kur njerëzve nuk u lejohet të dalin, pastaj thonë do çojmë policinë? Unë si nënë e aktore e qytetare ndjej dhembje. Çështja e Teatrit dihej, nuk erdhi papritur. Dihej. Pse e lënë për tani? Ne nuk jemi për përplasje, jemi një dhe për kombin. Nuk e kuptoj pse krijojnë konflikt në pandemi. Dëgjova dikë që tha diçka për ne artistët. Dua të them se ne gradat na i ka dhënë populli”. Ka qenë ky reagimi i Roza Anganostit për “GAZETA SHQIPTARE” pas debatit të madh që po bëhet për godinën e truallit të Teatrit Kombëtar. Reagimi i saj erdhi fill pas deklaratës fyese në parlament, nga deputetja Elisa Spiropali.




Anganosti, aktore dhe bashkëshortja e regjisorit Dhimitër Anagnosti tha se “Unë jam me teatrin, e mbështes teatrin, është memorie, për ne që jemi këtu e për ata që janë jashtë”. Duke kuptuar nevojën për zhvillim, dhe ndërtime të reja, Anagnosti shtoi se “zhvillimet e reja e kuptoj që vijnë, por janë disa gjëra, që duhet t’i ruajmë. I bashkohem kolegëve, kam ndjeshmërinë e sinqertë për teatrin, sepse është vend ku kam emocione. Unë s’mund të rri në shesh, po jam me ta. Aty janë shpirtrat e shumë artistëve që kanë bërë historinë e teatrit”,-tha Anagnosti.
Në vijim, ajo u shpreh se për vlerat e saj si godinë, “kanë folur për të emra të njohur të trashëgimisë, nga Emin Riza te Maks Velo i shkretë dhe unë u besoj gjykimeve te tyre”. Njëherësh, duke qenë se përplasja tek Teatri, vjen në një kohë pandemie, kur qytetarëve, nuk iu lejohet të dalin, ajo shpreh shqetësim.

“Unë nuk e kuptoj gjithë këtë që po ndodh. Thonë se është shumica! Por duhet të respektosh popullin tënd. Nuk janë vetëm artistët që e mbështesin, është edhe populli, e nuk mund të mos e respektosh, duhet t’i dëgjosh. Ne e kemi thënë fjalën tonë, në mënyrën më humane e të kulturuar”, tha Anagnosti. Sipas saj, Teatri është vlerë që duhet ruajtur dhe duhet rikonstruktuar, aq më tepër që i kanë gjetur fondet. Por njerëzit, edhe mund të jepnin para, për të ndihmuar. “Do ishte mirë, që kjo kohë të kishte vlejtur, për bashkëpunim e bashkërendim. Nuk është kohë për këtë, për shkak të situatës dhe sepse i kemi njerëzit jashtë e ne vetë jemi të bllokuar. Nuk më duket e arsyeshme të krijohen artifice në këtë situatë që po kalojmë”,- u shpreh Roza Anagnosti, duke pasur pranë, zërin e regjisorit që pohonte. Anagnosti është një ndër zërat në mbrojtje që prej fillimit të protestës. Ajo ka qenë disa herë në shesh duke shprehur vullnetin e saj publikisht. Deklarata e saj, vjen në një kohë, kur bashkia pritet të miratojë shembjen e tij përmes këshillit bashkiak.

VENDIMI
Policia Bashkiake ka zbarkuar të enjten pasdite pranë godinës së Teatrit Kombëtar.
Pas vendimit të qeverisë për kalimin e Teatrit në pronësi të bashkisë, kjo e fundit tanimë u ka kërkuar artistëve të lirojnë godinën. Në bazë të vendimit të qeverisë, Bashkia ka marrë në dorëzim zyrtarisht Teatrin Kombëtar, madje ka çuar edhe një letër ku artistëve u bëhet me dije se Teatri është pronë e Bashkisë, dhe duhet të lirohet sa më parë. Asnjë prej anëtarëve të Aleancës nuk kanë pranuar të marrin në dorëzim letrën dhe policët e kanë ngjitur në mur. Prej më shumë se dy vitesh artistët protestojnë për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ndërsa së fundmi ai është shpallur një nga shtatë objektet më të rrezikuara në Europë, sipas programit të “Europa Nostras”. Prej 19 korrikut 2018, ai ruhet me turne 24 orë.

Avokati popullit
Avokati i Popullit nis procedurat e shqyrtimit të ankesës për kalimin e pronësisë së Teatrit Kombëtar nga pushteti qendror në atë vendor.
Avokati i Popullit ka kërkuar nga Këshilli i Ministrave relacionin e këtij projektvendimi, procesverbalin e mbledhjes në të cilin është marrë ky vendim, si edhe informacion nëse është ndjekur ndonjë procedurë konsultimi me institucionet shtetërore apo me publikun përpara miratimit të tij.
Avokati i Popullit po shqyrton nëse veprimet e institucioneve shtetërore janë kryer në shkelje të të drejtave të qytetarëve dhe shumë shpejt do të dalë me një qëndrim zyrtar për gjetjet nga ky proces.

Protesta kundër shembjes së Teatrit, regjisori Budina: Kam marrë kërcënime

Regjisori Edmond Budina me tone të ashpra deklaroi se artistët dhe qytetarët do të reagojnë me çdo mjet kundër vendimit për ta kaluar Teatrin Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Pas takimit që zhvilloi me liderin e PD-së Lulzim Basha, Budina pohoi se kishte marrë kërcënime nga disa persona në rrjetet sociale. Ai theksoi se, nëse bashkia dhe qeveria tenton të ndezë zjarrin, me të do të digjen shtëpitë e atyre që tentojnë të shembin teatrin. “Keni dëgjuar gënjeshtra, që kryetari i bashkisë shpif dhe gënjen. Sot më kanë ardhur kërcënime nga njerëz anonim që në fotografinë e tyre kishin Al Capone. Këto kërcënime t’i mbajnë për veten e tyre dhe për kryetarët e bashkive. Ata janë me profile false. Me ne nuk do të luaj askush. Zjarri që do të ndezin ata, do të djegë shtëpitë e tyre. Thirrini mendjes, mos bëni marrëzira! Populli i Tiranës do të jetë atje. Ne jemi qytetarë të lirë që nuk bëjmë pjesë në asnjë pati politike”,-tha regjisori. Ai shtoi se “në këtë rast nuk mbrohet as PD, as LSI, e as opozita. Por mbrohet dinjiteti i qytetarisë shqiptare. Tregimi i forcës prej tyre, tregon se jemi në shtet dhune. Gjithçka është në dorën e pushtetit. Ky është moment tepër i vështirë. Ne do të reagojmë sipas reagimit që do të bëjnë ata”, -tha ai.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.