DOSSIER

Mafia Italiane

13:31 - 20.05.20 Spartak Topollaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Mafia, ky emër i frikshëm për këdo, madje edhe për shtete të tërë si Italia, Kolumbia, Meksika pa përjashtuar SHBA, mendohet t’i ketë rrënjët në thellësi të shekujve. Si fenomen shoqëror ajo lulëzoi në gjysmën e dytë të shekullit XIX, por kishte marrë formë që në Mesjetë për të mos thënë që ajo kish lindur në Palermo prej shekullit XII, nga ata që u quajtën “Beati Paoli“. Disa mendojnë se themelues të Mafias do të ishin në shekullin XV tre kalorës spanjollë, vëllezër, që erdhën nga Toledo në ishullin Favignana, të cilët vendosën të hakmerren për nderin e motrës duke “institucionalizuar” të drejtën për të marrë hak. Por duhet të kalonin mbi tre shekuj që të flitej për mafian dhe i pari që guxoi ta bëjë këtë ishte Pietro Cala Ulloa, kryeprokuror i Trapanit më 1838. Mafia kishte një traditë sekulare dhe luajti një rol të rëndësishëm para, gjatë dhe pas bashkimit të Italisë. Fillimisht termi “mafioz nuk kishte konotacion kriminal, por “burrëror”. Me një histori pushtuesish të huaj siçilianët jo rrallë mbroheshin prej tyre. Në shekullin XIX nevoja për para i detyroi aristokratët të shisnin tokat te qytetarët e pasur dhe kjo çoi në nevojën për t’i ruajtur këto prona dhe për të mbledhur taksat, punë që më mirë se mafiozët, vështirë ta bënte kush. Mirëpo ata shpejt e kuptuan se mund të pasuroheshin më lehtë e më shpejt duke bërë ruajtësin e njëkohësisht banditin dhe e quajtën veten “La Cosa Nostra”. Me forcimin e shtetit disa prej këtyre u internuan në krahinën e varfër të Kalabrisë ku edhe u bashkuan më 1860 rreth një organizate të fshehtë që e quajtën ‘Ndrangheta’, anëtarët e së cilës me ritualet e betimit, detyroheshin të heshtnin deri në vdekje. Qendër u bë fshati San Luca i ngjashëm me Corleonen në Siçili ku mblidheshin për paqe krerët pas luftërave që morën jetën e mbi 700 njerëzve nga ’81-’95. Një nga krimet e hershme ishte rrëmbimi më 10 korrik 1973 në Romë, i nipit 16-vjeçar të një miliarderi nafte, John Paul Getty III, për të cilin u kërkuan në fillim 17 milionë $, por miliarderi britanik refuzoi madje deklaroi jo pa ironi se ai kishte 14 nipa e mbesa! Po kur rrëmbyesit i dërguan veshin e prerë të nipit i thirri mendjes, deri sa pas negociatash të gjata, në dhjetor pengu u lirua për 3 milionë $. Kryesori i rrëmbyesve ishte banditi i njohur Saverio Mammoliti, i mbiquajtur “Playboy”, i dënuar, i arratisur e i ridënuar disa herë, i cili pas një dekade burg pranoi të shndërrohej në i penduar, çka çoi në zbulime të rëndësishme, pas të cilave boss-ët e Ndrangheta-s krijuan “La Santa-n”. Shumat e mëdha të gjobave u krijuan mundësinë e grumbullimit të kapitaleve dhe investimeve në trafikun e drogës, sidomos me kartelet kolumbiane, por edhe në ndërtime brenda e jashtë Italisë. Mendohet që ajo të ketë mbi 10 mijë anëtarë që shpesh janë tepër brutalë, siç vepruan në rastin e një kasapi në Turianova, të cilit ia prenë kokën publikisht më 1991. Ndërsa nga ‘Cosa Nostra’ pati mbi 1000 e nga ‘Camorra’ 2000 të penduar, nga ‘Ndrangheta’ vetëm 42 të tillë deri në vitin 2008. Kjo organizatë ka shumë më tepër para cash se sa mund t’i përdorin, thotë Giuseppe Catozzella, gazetar investigativ, autor librash për grupet kriminale, ndërsa eksperti Antonio Nicaso përcakton se ‘Ndrangheta’ është shembulli perfekt i rrjetit kriminal globalist. Ajo përfitoi nga dobësimi i ‘Cosa Nostra’-s që gaboi rëndë teksa sulmoi shtetin më 1992 me vrasjet e Falkones dhe Borselinos, gjykatësit e jashtëzakonshëm antimafia. Në 1994 katër liderët e mafias u takuan në Liqenin e Komos për ndarjen e tregut dhe ‘Ndrangheta’ mori 70% të tij. Kur kreu i saj në Lombardi tentoi të veprojë i pavarur u vra nga bosët kalabrezë më 2008. Hierarkia është super e organizuar dhe rreptësishtë e absolutisht e detyrueshme të zbatohen urdhrat e eprorëve. Ata përdorin edhe femrat si “sorella d’Omerta”, për kodin e hekurt të heshtjes. Betimin e bëjnë mbi Bibël dhe mbi thikën e pilulën e helmit. Organizatat e kësaj tradite, me kalimin e viteve dhe dekadave u rigrupuan në kartele më të mëdha prej të cilave më kryesoret janë: ‘Cosa Nostra’, ‘Camorra’, ‘Ndrangheta’ dhe ‘Sacra Corona Unita’, për të cilën shkruam më sipër.




Të katërta këto, por edhe disa organizata më të vogla ishin sinonime të mafias. Sipas Vinçenco Mortillaros e Antonio Flores p.sh. Camorra në Napoli ishte një sekt i bashkim-vëllazërimit, anëtarët e të cilit të quajtur ndryshe “të respektuarit”, mbuloheshin me aureolën shpesh enigmatike të një robinhudizmi populist, mënyrë kjo e sofistikuar për t’u hedhur “trutë e gomarit” të varfërve që besonin vërtetë se ata, atë që iu a merrnin të pasurve u a kthenin të mjerëve. Jo rrallë ata fshiheshin pas shoqërive fetare, kalorsiake, masonike. I pari që i dokumentoi këto ishte Filippo Antonio Gualtieri, më 1865, Kryeprokuror i Palermos. Një ndër ata që e përcaktoi saktë Mafian dhe që e luftoi i pari në nivel të lartë shtetëror atë, ishte Antonio Starabba di Rudini (1839-1908), dy herë kryeministër, disa herë ministër, 13 herë deputet, kryebashkiak dhe prefekt i Palermos dhe rival i një tjetër kryeministri të famshëm të Italisë, arbëreshit të madh Francesco Crispi,(1818-1901). Rudini thoshte se “Mafia është e fuqishme, madje shumë më tepër se ç’besohet e në shumë raste e vështirë të zbulohet e të dënohet pasi mungojnë provat dhe faktet, e për rrjedhojë edhe fajtorët.” Ndërsa një tjetër përcaktim, gati 100 vite pas tij, bën Antonio Caponnetto, gjykatës i njohur antimafia i viteve ‘80, teksa thotë: Mafia është një organizatë sekrete, si nga akti themelues, bosi në krye të saj, ashtu edhe nga uniteti mbi bazë familjare. Pak a shumë kështu mendon edhe studiuesi palermitan Gaetano Mosca që flet dhe për përhapjen, ndarjen dhe organizimin e saj nëpër rajonet, provincat, qytetet dhe komunat, gjithnjë mbi bazë familjesh, klanesh apo atyre që quhen “cosche” mafioze, e që ruanin një lloj autonomie reciproke. Metodologjia e sofistikuar e aktivitetit ekonomiko financiar të mafias dhe llogaritë e bilanci financiar i saj është vështirë për tu zbuluar saktë, por sido që të jetë, Komisioni Parlamentar Antimafia dhe Banka e Italisë, e çon deri në 150 miliardë $, vlerën e aseteve dhe llogarive monetare të saj, shumë kjo mbi 10 % e PIL –it Italian. Të tjerë mendojnë se kjo është e ekzagjeruar ndaj e ulin atë mbi 10 herë, por përsëri flitet për miliarda $. TRANSCRIME jep një tjetër variant dhe çon në 25 miliardë $, kur sipas ISTAT, për 2012 Italia e kishte PIL-in 1.395.236 milionë $.

Por le ta nisim me NDRANGHETA-n me qendër në Kalabri që konsiderohet më e forta dhe më e pasura organizatë mafioze në Botë, e vetmja që ka shtrirje në 5 kontinente, e cila ka një qarkullim vjetor aktual prej 55 miliardë $. Në të vërtetë grupi më i famshëm mafioz në Botë ka qenë ‘Cosa Nostra’, por goditja që shteti italian i dha me arrestimin e qindra bosëve e dobësoi atë, e pikërisht nga kjo përfitoi ‘Ndrangheta’ që në të vërtetë kish lindur prej saj.                                                                                 ‘Camorra’, e njohur ndryshe edhe si “Sistemi”, e lindur në Napoli, është më e vjetra organizatë kriminale italiane brenda së cilës prej vitesh pati edhe luftë klanore, siç qe edhe rasti i luftës mes Raffaele Cutolos, vëllezërve të tij të klanit “Nuova Camorra Organizzata” dhe klanit “Nuova Famiglia”. Erdhi një moment që ‘Camorra’ u zgjerua e u shtri kudo, madje numri i klaneve përbërëse shkoi deri 108, çka e bënte pothuaj të pamundur t’i komandoje. ‘Camorra’ është pa mëdyshje më kriminalja nga të katër organizatat e mëdha që përbëjnë mafian. Organizata e katërt më e madhe mafioze është ‘SACRA CORONA UNITA’ ose mafia pulieze që për nga afërsia me vendet e Europës Lindore është edhe më e lidhur me organizatat mafioze në këto vende si p.sh. lidhjet e forta me mafian shqiptare, ashtu si me ‘Ndrangheta’-n dhe ‘Cosa Nostra’-n. Qendra e saj është Salento dhe apogjeun e aktivitetit të saj e pati nga fundi i viteve ’80 e fillimi i viteve ’90. Shteti Italian e goditi fort teksa arrestoi shumë bosë dhe anëtarë të saj ndaj ajo u dobësua e margjinalizua për ta rimarrë veten e riorganizuar pas vitit 2010 dhe duke ndjekur strategji të re të fshehjes e infiltrimit në botën e biznesit në kërkim të gjetjes së një konsensusi gjithnjë e më të madh me shtresa të ndryshme të shoqërisë, të denoncuara shumë herë nga Kryeprokurori i Antimafias së Lecces, Cataldo Motta. SCU përbëhet nga 47 klane me një lloj autonomie dhe 1561 anëtarë. Organizimi është horizontal i ngjashëm me atë të ‘Ndrangheta’-s dhe aktiviteti i saj përfshin: trafikun e drogës, armëve, kontrabandën, fajdet, riciklimin e parave, bixhozin, prostitucionin, kërcënimet dhe vrasjet. Lufta mes grupeve njihet edhe si FAIDE. Më 23 Qershor 2004 në një operacion blic u arrestuan rreth 100 anëtarë të “Faida del Gargano”, ndaj duke dyshuar për tradhti në 21 prill 2009 ata vranë bossin Franco Romito dhe shoferin e tij. Një nga arsyet e dobësimit të kësaj organizate, gjatë viteve ’89–’91, në Provincën e Brindizit, ishin vrasjet e mbi 100 mafiozëve nga e quajtura “Faida del Brindisino”. Një nga luftërat më të përgjakëshme në Pulia u zhvillua gjatë viteve ’88–’93 nga “Faida del Taranto”, madje kjo, ishte luftë vëllavrasëse, ku tre të vegjlit e familjes Modeo vranë të madhin e vëllezërve i njohur si “Meksikani”. Numrin e të vrarëve gjatë kësaj faideje e çojnë deri 170. Pas 2010 me rigjallërimin e organizatës në të quajturën “Faida del sud Salento”, filloi një luftë e egër për dominimin e trafikut të kokainës në resortet turistike të Pulias madje edhe këtu deri vëllavrasëse. Kështu bossi historik i Gallipolit, Salvatore Padovano, ose “Nino bomba”, nën dyshimin e tradhtisë dhe mashtrimit në ndarjen e Eurove që rridhnin lum, vritet nga i vëllai Rosario dhe bossi i Casaranos Augustino Potenza. Vrasjet vazhdojnë edhe në ditët tona në Melissano e Casarano. Sipas Eurispes, SCU fitoi më 2019: 878 milionë Euro nga trafiku i drogës, 775 milionë nga prostitucioni, 516 milionë nga trafiku i armëve dhe 351 milionë nga gjobat shantazhuese dhe fajdet me % interesash të larta, pra rreth 2.5 miliard euro gjithsej. Si nëngrupe të saj janë edhe Societa Foggiana, Camorra Barese dhe Sacra Corona Libera.

Cosa Nostra u ndje e rrezikuar nga krijimi i të quajturit Pool Antimafia me gjykatës, prokurorë dhe njerëz të zgjedhur të shërbimeve sekrete, karabinierisë, policisë dhe Guardia di Finanza-s, ndaj edhe nisi serialin e vrasjeve të njerëzve të shtetit si Kapiteni i Karabinierisë Emanuele Basile, prokurori Gaetano Costa e deri te Rocco Chinnici, kreu i Pool Antimafia më 1983 ndaj të cilit ekzekutori Antonio Madonia përdori 75 kg. dinamit, duke vrarë bashkë me të edhe tre të tjerë. Më 1988 vritet bashkë me të birin Stefano, Gjykatësi Antonino Saetta, sipas urdhrit të kushërinjve Nino dhe Ignazio Salvo. I diskutueshëm në Pool, mbetet roli i gjykatësit Antonio Meli (1920-2014). Tani po jepeshin shenjat e para për tratativa shtet–mafia. Edhe pse nuk kemi asgjë të dokumentuar ende se kur, si dhe nga kush filluan ato. Kjo temë e rrahur për dekada të tëra nga politika, institucionet shtetërore, juridike dhe mediat investigative, deri më sot nuk e ka akoma një përgjigje. Kuptohet se do të duhen vite ta gjejmë e ta kemi një të tillë sa kohë që individë të caktuar të politikës e shtetit, apo segmente të tij, si edhe mediave, u implikuan për interesa okulte me Mafian. Nga ana e saj s’ka dyshim për atë që Mafia, do të vinte në përdorim të gjitha mjetet, format, mënyrat deri metodat më të sofistikuara për arritjen e qëllimeve të saj si një lloj shteti brenda shtetit apo një shtet paralel duke korruptuar, shantazhuar, gjobitur, marrë peng, kërcënuar me jetë, vrarë e kryer edhe masakra të tmerrshme me eksploziv. Duhet pranuar se askund tjetër në Europë si në Itali, mafia nuk ishte kurrë kaq e organizuar, e fuqishme, influente dhe kriminale. Asaj mund t’ia kalojnë vetëm Kolumbia e FARK-ut, apo NARKOS-ve të Eskobarit dhe Meksika e karteleve të drogës të El Chapo-s, të njohura mirë tashmë për makabritetet e tyre edhe nga publiku shqiptar, falë serialeve televizivë realizuar në mënyrë impresionuese nga një gjigand i prodhimit dhe distribucionit të filmave televizivë si Netflix.

Tratativat shtet-mafia mes disa funksionarëve të lartë të shtetit dhe përfaqësuesve të mafias kulmuan në periudhën e njohur si “ stagione stragista” (stina e masakrave). Supozohet që thelbi i marrëveshjes ishte pikërisht ndalimi i masakrave me eksploziv dhe akteve terroriste në këmbim të zbutjes së luftës që shteti po i bënte mafias, sidomos abrogimi i Ligjit 41 bis për bosët e mëdhenj që mbaheshin nën regjim super të rreptë e të kontrolluar në burgje dhe Pool Antimafia i Falkone-Borselinos që kish arrestuar rreth 500 mafiozë për MAXIPROCES-in, ta mbante dorën duke pranuar bashkëjetesën reciproke shtet–mafia?

Në Siçili ‘Cosa Nostra’ kishte krijuar edhe një Komision Rajonal, si një organ ekzekutiv, i cili urdhëronte që të gjitha veprimet ndëshkuese kriminale të kryheshin vetëm nën siglën “Falanga e Armatosur”. Në krye të Komisionit nga 1982 unanimisht ishte zgjedhur Salvatore Riina i mbiquajtur Toto,(1930-2017)bosi i bosave apo Kapo i Kapove, një fshatar sa injorant dhe i egër, aq edhe i pajisur me inteligjencë e intuitë të rrallë natyrore. Ai thirrej edhe “u curtu” në dialektin korleonez, “shkurtabiqi” për shkak se ishte vetëm 158 cm. apo ndryshe edhe “bisha”, për brutalitetin shtazarak e gjakësor të karakterit. Komisioni kishte programuar një numër vrasjesh, atentatesh terroriste deri dhe masakrash nëse tratativat me shtetin do të dështonin. E pikërisht pse në rastet më të shumta ato dështuan u projektuan dhe vrasjet e politikanëve, katër ministrave socialistë të qeverisë italiane,(Mannino, Vizzini, Ando dhe Martelli, madje ky i fundit kish guxuar të thërrasë në Ministrinë e Drejtësisë si Drejtor të Përgjithshëm Penal, Xhovani Falkonen), deputetëve, prefektëve, kryetarëve të bashkive, prokurorëve, gjykatësve, komandantëve, komisarëve, kuestorëve, bankierëve e gazetarëve “bezdisës”. Kur më 30 janar 1992 maksiproçesi dha dënimet e rënda për bosët, një pjesë e madhe me Toto Riinën të parin morën burgim të përjetshëm, kapove nuk u mbetej gjë tjetër veç të fillonin stinën e masakrave. Së pari, me ata politikanë e deputetë që nuk mundën ta ndalin maksiprocesin, siç ishin zotuar, edhe pse ishin shpërblyer me vota, para e dhurata marramendëse së dyti me oficerë të policisë e karabinierisë që i përndiqnin prej vitesh dhe së treti gjykatësit e prokurorët kryesorë të maksiprocesit bashkë me disa prej gazetarëve më të spikatur investigativë.

Kështu ia nisën me Salvo Limën,(Salvatore Achille Ettore Lima) në pragun e Zgjedhjeve Politike , në mëngjesin e të enjtes së 12 marsit 1992 në Valdesi, kur ai në shoqërinë e dy politikanëve të tjerë, Nando Liggio e Alfredo Li Vecchi, sapo doli nga vila e tij në Mondello në orën 09:20 dhe hipi në autoveturën private OPEL VECTRA, u qëllua për vdekje nga dy killer të hipur në një motoçikletë HONDA nga ato grossa cilindrata, Francesco Onorato e Giovanbattista Ferrante. Onorato, aso kohe 29 vjeç, kur pa që Lima i shpëtoi plumbave të parë dhe doli nga makina, e ndoqi për rreth 30 metra dhe e qëlloi tre herë me pistoletë të kalibrit të madh, ndërsa goditjen e fundit sipas ritualit mafioz ia dha në kokë. I penduar i drejtësisë më vonë ai rrëfeu gjithçka. Lima kish qenë Kryebashkiak i Palermos dy herë, Nënsekretar shteti po dy herë, tre herë deputet demokristian e dy herë eurparlamentar. Ai ishe mjaft i përfolur për raportet me bosët mafiozë dhe favoret e panumërta, kuptohet kundrejt shpërblimeve. Por synimin kryesor ‘Cosa Nostra’ e kishte te Andreotti, pjesë e katërshes së demokristianëve të mëdhenj me De Gasperin, Aldo Moron, dhe Amintore Fanfanin. Por të mbrrije te ai ishte e pamundur. Duke i dërguar një kurorë funebëre, Cosa Nostra kërcënoi me jetë në stilin e saj Callogero Antonio Maninon, katër herë ministër, gjashtë herë deputet dhe një herë Senator Demo-Kristian.

Një nga figurat më emblematike të politikës dhe shtetit Italian, njëkohësisht nga më apokaliptikët e të diskutueshmit është pa diskutim Giulio Andreotti (1919-2013). Shtatë herë Kryeministër, 32 herë Ministër, 11 herë Deputet(katër herë më i votuari nga italianët) si edhe Senator i përjetshëm. Për nga kohëqëndrimi si KM, atij ia kaloi vetëm Berlusconi. Pati akuza të pafund dhe dëshmitarë të shumtë ndër vite por me superaftësinë e tij duke manovruar në labirintet e legjislacionit Italian, pa lënë mënjanë edhe influencën e politikës qëndrimet shpesh shumë të diskutueshme të disa magjistratëve, ai ia doli të mos dënohet kurrë, me përjashtim të një rasti gati qesharak, kur në fund iu ngarkuan shpenzimet gjyqësore nga Apeli i Kasacionit!

E theksuam më sipër se pjesë e katërshes së madhe demokristiane ishte dhe Amintore Fanfani,(1908-1999) tre herë Kryetar i Senatit, pesë herë Kryeministër, po kaq herë ministër, nëntë herë deputet dhe Senator i Përjetshëm.

Aldo Romeo Luigi Moro (1916-1978) Sekretar i Përgjithshëm e më pas Kryetar i Demokracisë Kristiane, President i Këshillit të Europës (1975), pesë herë Kryeministër, po aq herë ministër, tetë herë deputet. Ai i kishte shpëtuar një herë vdekjes në masakrën e 4 gushtit 1974 të trenit ITALICUS, me 12 të vrarë dhe 48 të plagosur, ku në çastet e fundit nuk hipi në atë tren, çka deri më sot ka mbetur tejet enigmatike. Megjithatë fati i tij tragjik që do e ndiqte nga pas lidhet me një tjetër Mafie, atë të Kuqen, me emrin Brigate Rosse (Brigadat e Kuqe) organizatë terroriste e ekstremit të majtë komunist m-l me frymëzim sovjetik e ndoshta pjellë e KGB-së. Në mëngjesin e së Enjtes së 16 Marsit 1978, teksa rreth orës 09:00 u nis me autoveturën FIAT 130 nga shtëpia e tij drejt Parlamentit ku pritej votëbesimi për Qeverinë e re Andreotti, në rrugën Fani një njësi brigatistësh që po e ndiqte i bllokoi rrugën duke ekzekutuar në pak sekonda dy karabinierët në makinën e tij dhe tre policët e eskortës që e shoqëronte, e po aq shpejt rrëmbyen vetë Moron. Pas refuzimit kategorik të institucioneve të shtetit për të plotësuar kërkesat e konsideruara të papranueshme të tyre, Moro i mbajtur për 55 ditë në një bazë të fshehtë, pasi kish shkruar mes një gjendje të kuptueshme depressive 86 letra institucioneve, krerëve të shtetit, Partisë Demo-Kristiane, familjes dhe miqve, u ekzekutua më 9 Maj 1978 dhe trupi pa jetë i tij u gjet brenda një RENAULT 4 të kuqe në rrugën Caetani. Ky krim i rëndë tronditi jo vetëm Italinë por gjithë Europën Demokratike e më gjerë. Moro pagoi çmimin më të shtrenjtë, jetën e tij, por edhe sot tingëllon groteske ideja se fajin për tragjedinë e ndodhur e pati romani i Leonardo Sciascia-s “Todo Modo“-1974, i bërë film nga Elio Petri më 1976 nën interpretimin e të famshmit Gian Maria Volonte dhe me muzikën e Gjeniut të kolonave sonore të filmave Ennio Morricone! Mirë që brigatistët imituan romanin dhe filmin, po ata që përgjigjeshin për jetën e tij a nuk gjetën kohë ta lexonin gjatë katër viteve librin apo të shkonin në kinema gjatë atyre dy viteve që filmi shfaqej ?!…

Italia, që nga paslufta, nxorri personalitete të njohura nga të gjithë krahët politikë filluar me De Gasperin, europjanistin e madh, e vazhduar me Moron, Fanfanin, Andreottin, Saragatin, Leonen, Kosigan, Çampin, Skalfaron, Berluskonin, De Mittan, Piccolin, Zaccagninin, Forlanin, La Malfan, Spadolinin, Gorian, Almiranten, Finin, Panelën, Nennin, Pertinin, Kraksin, De Martinon, Dinin, Prodin, D’Alemën, Amaton e deri te Toliatti, L. Longo, Berlinguer, Napolitano etj etj.

Betino (Benedetto) Kraksi (1934-2000) ishte personalitet i shquar socialist Italian, Drejtues që i dha një tjetër frymë PSI, kritik i ashpër i versionit m-l të socializmit sovjetik, Kryeministër ’83-’87, President i Këshillit të Europës- 1985, ministër, shtatë Legjislatura deputet dhe dy herë europarlamentar, që në shumicën e rasteve mbajti qëndrim të drejtë si proamerikan e pro NATO-s (p.sh. për raketat CRUIS dhe PERSHING në Itali) dhe për një politikë e raporte të kujdesshme me BRSS. Nënshkroi Konkordatin me Vatikanin, por dështoi në dy projekte të mëdha: Urën e Ngushticës së Messinës dhe mbrojtjen e Lagunës së Venecias nga përmbytja sistematike. U akuzua bashkë me shumë ministra, deputetë e politikanë socialistë për korrupsion e favorizim të biznesmenëve e koncesionarëve të mëdhenj në afera dhe tenderë të dyshimta nga ku rridhnin më pas “sponsorizime” (gjoja për fushatat elektorale të Partisë Socialiste) të njohura si tanxhente nga një grup prokurorësh të quajtur MANI PULITE- “të Duarve të Pastra” ose TANXHENTOPOLI me Di Pietron, Kolombon, Borrelin dhe Ilda Boccassinin etj. Ai nuk e pranoi kurrë këtë e quajti drejtësinë tendencioze dhe të politizuar e u largua në Tunizi, ku edhe gjeti strehim politik deri sa ndrroi jetë në Hammamet, nga një formë e agravuar e diabetit. Kraksi mbajti marrëdhënie miqësore me Berluskonin por edhe me Nanon, që u dënua më pas për abuzim e korrupsion me ndihmat italiane, e u fal nga Presidenti Berisha.

Duke iu rikthyer mafias, le të bëjmë një retrospektivë të disa prej krimeve më të bujshme të saj. Nëse i hidhet një sy listave të masakrave dhe të të vrarëve që mafia në përgjithësi dhe katër organizatat më të mëdha të saj në veçanti, kanë kryer nga 1945 e deri më sot, ajo që të bie më shumë në sy është se pjesa më e madhe e të vrarëve është nga forcat e rendit, pastaj vijnë sindikalistët, sipërmarrësit, gjykatësit e prokurorët, politikanë të të gjitha niveleve, deputetë e kryetarë bashkishë e komunash, gazetarë investigativë, në fund, të afërm apo edhe vetë mafiozë me njëri tjetrin, pa harruar edhe të vrarët gabimisht që s’janë pak, e që të marrë së bashku, bëjnë mijëra. Këto lista të nxjerra nga raportet zyrtare policore apo të prokurorive, tashmë janë publikuar edhe nga mediat apo OJQ të denja për tu besuar dhe që natyrisht nuk e nderojnë Italinë, një nga katër fuqitë e mëdha demokratike të Europës. Pas rrëmbimit dhe vrasjes së Moros nga BR, u vra në 2 Mars të ’79 gazetari i famshëm investigativ Karmine “Mino” Pekoreli, në prag të publikimit të disa dokumenteve shumë të rëndësishme e kompromentuese për lidhjet Mafia-Pollitikë-Shtet. Më 6 Janar ’80 vritet me 8 plumba në sy të familjes, Piersanti Mattarella, President i Siçilisë, vëllai i Presidentit aktual Italian Serxho Mattarella. Më 3 Shtator ’82, vritet bashkë me zonjën e tij, Emanuela Setti Karraro (30 vite më e re se ai) dhe shoferin, Gjenerali Karlo Alberto Dalla Kieza, Prefekt i plotfuqishëm i Palermos që kish punuar e jetuar edhe dy herë të tjera me vite në Siçili dhe e njihte si askush tjetër situatën dhe forcën e Cosa Nostra-s aty. Një film i mrekullueshëm franko-italian i regjisorit Giuseppe Ferrara me titull “100 ditë në Palermo”, ku interpretojnë aktorët e kalibrit Lino Ventura dhe Giuliana De Sio, u realizua dy vjet pas këtij krimi. Në Prill të ’88, vritet edhe Senatori Demo-Kristian Roberto Ruffilli. Vrasjet e Mafias vazhduan dhe për ato mund të shkruhen vëllime të tëra por nuk mund të mos përmendim edhe njëherë masakrat e tmerrshme të Kapaçit me 5 të vrarë e 23 të plagosur më 23 Maj 1992, në orën17:57’:48’’ dhe Via d’Amelios,6 të vrarë dhe 24 të plagosur, në orën 16:58 të 19 Korrikut 1992 ku me sasi të mëdha eksplozivi u vranë gjykatësit e mëdhenj e me kurajo të jashtëzakonshme, Falkone e Borselino dhe ata që i shoqëronin.

Nuk mund të mos përmendim si një argument për tratativat Shtet – Mafia, kontaktet e të dërguarëve të Gjeneralit Subranni dhe Kolonelit Mori me bossët mafiozë të tipit Toto Riina. Prokurorja Liliana Ferrero informon Borselinon dhe ky i fundit Ministrin e Brendshëm Skoti, por KM Amato e zëvendëson Skotin me N.Mançinon Borselino i shpreh dyshime edhe bashkëshortes për devijimin dhe lojën jo të pastër të Subrannit në kontaktet me Mafian e cila e pezulloi planin e vrasjes së C. Manninos, me shpresën e një marrëveshje, që nuk u arrit pasi më 15/01/1993 arrestohet Kapo i Kapove Toto Riina, ndaj kjo bëri që bossët të ndahen në pro dhe kundër traktativave, të cilat tashmë u kërkua të bëheshin me Bossin Bernardo Provencano (1933-2016), gjithashtu korleonez, po aq i egër dhe gjaksor, në mos edhe më shumë se Riina. Në këtë kohë zbulohen 55 “Papelle” –Pusulla,nga të cilat vetëm njëra jo autentike, të dërguara nga bosët kryesisht Vito Çançiminos, Kryebashkiak i Palermos dhe të birit Massimo, politikan mafioz i dënuar përfundimisht i formës së prerë. Një tjetër politikan i akuzuar dhe i dënuar nga drejtësia ishte edhe Senatori Marcello Dell’Utri, me një odiseadë gjyqesh, i strehuar në Liban, i ekstraduar e burgosur dhe liruar së fundmi, për arësye “shëndetësore” në Dhjetor 2019.

Një skandal i madh në Itali, ku nuk mund të mbuloheshin implikimet e njerëzve të Shtetit me Mafian, ishte edhe ai i njohur me emrin“Loxha Masonike P-2”(Propaganda-2, se Propaganda-1 ishte në Monako) pjesë e Grande Oriente d’Italia në krye të së cilës ishin E. Cefis dhe L.Xheli, por sipas shumë të tjerëve në krye të saj ishte vetë Andreotti, që kuptohet, nuk e pranoi kurrë. Me Loxhën Masonike P-2 dhe Mafian lidhet edhe një tjetër skandal i madh financiar, ai i bankës Ambrosiano, që falimentoi me 1.4 trilionë $. Gropa e madhe financiare që ajo krijoi, shumat astronomike në ishujt Bahamas, (parajsë fiskale) që edhe sot ende nuk janë sqaruar përfundimisht ku janë, implikimi deri i njerëzve të fuqishëm të Vatikanit, u mjegulluan edhe më shumë pas (vet)vrasjes së Roberto Calvit, nr.1 të saj, që u gjet i varur në Urën Blackfriars në Londër, më 18 Qershor 1982?! Edhe vetë Presidenti Napolitano( i vetmi komunist në krye të shtetit) hyri në konflikt me Prokurorinë e Palermos, pas përgjimit të një bisede të tij me dëshmitarin e rremë Nikola Mançino, për traktativat Shtet-Mafia, por çështja u mbyll pa e publikuar regjistrimin, duke u manovruar në labirinet e ligjeve.

Vrasjet e Mafias vazhdojnë edhe në ditët tona. Të fundit të vrarë nga Mafia janë dy fëmijë, 11 dhe 12 vjeç, kushërinjtë Simone dhe Alessio D’Antonio të ekzekutuar më 12 Korrik 2019. Si mund të pranohen krime të tilla primitive e të përbindshme të kohëve të barbarisë në një Itali që i ka dhënë aq shumë qytetërimit botëror, nga antikiteti romak, Rilindja e Madhe e Mesjetës, e deri në kohët tona moderne. Megjithatë, duhet pranuar se ato kanë ardhur duke rënë ndjeshëm, në radhë të parë falë sakrificës, shpesh deri sublime të Forcave të Rendit, Prokurorëve e Gjykatësve të ndershëm. Ajo luftohet vetëm me përkushtim e ndershmëri duke e goditur ashpërsisht dhe pa kompromis por kjo vetëm kur në rradhë të parë këtë e bën politika. Edhe vetë Amerika nuk e pati të lehtë ta luftonte Mafian. Al Kapone, Gambinot, Gottit, Kastellot, Xhankanat, Lukezet, Korleonët, e gjithë familjet mafioze, që sot më shumë i shohim si personazhe nëpër filma të Hollyëood-it, u deshën dekada të neutralizohen. Shqipëria duhet të jetë shumë vigjilente se Mafia shqiptare, për të gjitha rrethanat dhe arsyet që dihen, është në vëllazëri të plotë me atë italiane, madje, s’duhet harruar se Mafia komuniste në pushtet e “parimorit” të madh m-l, Diktatorit Hoxha, për vite të tëra zhvilloi kontrabandën e cigareve, pikërisht me Mafian italiane, ndaj nuk është krejt rastësi që deri ministra të brendshëm të së majtës socialiste, u dënuan apo u detyruan të dorëhiqen për lidhjet me Mafian. Si një nga ata, që e preka dhe e njoha nga afër Italinë mike dhe italianët e mrekullueshëm, ku jetojnë, punojnë e kanë gjetur mikpritje, ndoshta si në asnjë vend tjetër mbi 500.000 shqiptarë, pata fatin e madh dhe nderin e veçantë të shërbej me vite aty, si përfaqësues diplomatik i vendit tim. Duke analizuar këtë tumor malinj në trupin e saj, aspak nuk do të thotë se atë e ka mbytur e keqja. Përkundrazi, madhështinë e saj dhe të popullit artist, mendjendritur e duarartë Italian, të provuar me kolosët që ka nxjerrë në çdo kohë e në çdo fushë, do të kemi rast ta paraqesim në të tjera shkrime të së ardhmes së afërt.

* DIPLOMAT

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.