OPINION

Kujdes, topi i Brukselit te porta jonë!

18:46 - 21.05.20 Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kaloi disi në heshtje javën e kaluar, kërkesa me terma sportivë e ambasadorit të BE-së, Luigi Soreca, ndaj liderëve tanë politikë për kujdes, sepse “topi është në fushën tuaj”. Por, më saktë akoma, me vendimin e 24 marsit për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, BE-ja e “hodhi topin drejt e portën tonë”, në Tiranë. Themi kështu sepse muajt e fundit “topi i Brukselit” hidhej e luhej kryesisht në portën e Parisit, Hagës e në ndonjë metropol tjetër. E pamë se si në fushën e tyre “mësynë” të gjithë lojtarët e Brukselit, madje edhe jashtë tij. Ndërsa politika jonë, për hir të së vërtetës më shumë “bëri sehir”, madje për motive të njohura gjeopolitike, gati sa nuk u bëmë “heronj” apo “viktima”!




Mirëpo, Franca, e cila është dhe kampione bote në futboll, jo vetëm nuk u “tërhoq në portë”, por u hodh me taktika fine në “sulm” politik. Propozimet e saj kompromis që çuan dhe te “PO”-ja e shumëpritur u pasqyruan në metodologjinë e re të zgjerimit të Komisionit Europian më 4 shkurt, e cila le ta themi troç, “na i fut të dyja këmbët në një këpucë”. Siç e kemi shpjeguar në një shkrim të mëparshëm, në atë metodologji ka vërtet “kulaç”, kur punët të ecin mirë, mirë, ndryshe nga më parë, ka edhe më shumë “kërbaç”. Këtë radhë, me një “arbitrim” të shumëfishuar, jo vetëm nga Komisioni Europian, por edhe shumë aktorë/faktorë të tjerë nga të gjitha vendet anëtare.

Shkurt, “Po”-ja e 24 marsit, krahas të mirave e përfitimeve, nëse nuk ecim në rrugën e duhur, mund të na e bëjë jetën më të vështirë e plot të panjohura. Sepse vërtet kemi një “Po”, por vetëm në parim, pa datë, ca më keq të “blinduar” jo me dy apo pesë, por plot 15 “bishta”, dmth., kushte e kërkesa, njëra më problematike se tjetra! Dhe vetëm kur i lexon kalimthi, të “shkojnë mornica në trup” dhe dashur pa dashur të vjen ndërmend thënia “hiç, hiç, po Abili vdiq”.

Kjo, pasi nuk janë 15 “kushte dosido, por vërtet të jashtëzakonshme, si pjesë e katalogut shpërthyes të 30 viteve të fundit, me problemet, pengesat dhe prapambetjet e shumta demokratike. Për fatin tonë të keq, 17 maji shtoi edhe një kusht tjetër të fortë, me disa “bishta” të tjerë dhe me jehonë tejet negative për imazhin tonë, pikërisht kur në qershor pritet që Komisioni Europian të paraqesë kornizën e këtyre negociatave dhe shqyrtimit të tyre nga vendet anëtare, të cilat do të “na kalojnë në vrimën e gjilpërës”.  Aksioni makabër me fadroma për shembjen e Teatrit Kombëtar pa u gdhirë e diela e bekuar, pa mbaruar ende pandemia, me një prani dhe dhunë të pajustifikueshme policore ndaj atyre që duhen vetëm përgëzuar dhe mbrojtur për rezistencën e tyre nuk kanë absolutisht asgjë të përbashkët me sjelljen dhe frymën europiane! Veç kësaj, bashkë me një prej simboleve më me vlerë, pavarësisht nga vlefta të trashëgimisë sonë kulturore, iu vu kazma edhe të paktën 5 kushteve që duhet të plotësojmë, sidomos atyre mbi çtensionimin e situatës politike, dialogun me opozitën, konsultimin me grupet e interesit dhe shoqërinë civile, respektin ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve kushtetuese, që e kanë në shqyrtim këtë dosje etj.. Shkurt hesapi, i dha një shqelm dhe vetë “Po”-së sonë ende në pritje.

Pavarësisht nga gjendja dhe atmosfera e rëndë e krijuar nga kjo intolerancë absurde e qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, momenti kërkon nga të gjithë aktorët/faktorët tanë politikë, e sidomos mazhoranca qeverisëse të bëjnë reflektimet e rastit dhe kryesorja, të veprojnë drejt politikisht.

Është momenti të kuptohet drejt se çelja e negociatave nuk i takon kurrsesi vetëm BE-së, ndërsa ne vetëm të jemi sehirxhinj, se demek i kemi bërë detyrat! Pas 24 marsit nuk mund të ecet më sipas parimit “business as usual”. Përkundrazi, tani që edhe COVID po tërhiqet, po ushtojnë fort kambanat e alarmit për shumicën parlamentare dhe për gjithë të tjerët. Sepse le ta përsërisim, në BE nuk do të anëtarësohet vetë qeveria, partia dhe diplomacia, por e gjithë shoqëria dhe Shqipëria. Boll më me leksione, duke i dhënë mend Europës e botës se si e nga duhet të mësojë! Padyshim që ajo ka plot gjynahe dhe probleme të mëdha, por është shumë herët dhe jo relevante për ne që t’i japim mend botës; jo thjesht se jemi shumë të vegjël, por sepse i kemi punët “lesh e li” në shtëpinë tonë. Ndaj, kur dëgjon kryeministrin që “i qan hallet” BE-së, të vjen ndërmend thënia e mençur e popullit “Një pasha në Misir, por shtëpia s’ka hair”. Është shumë më e  udhës të dëgjojmë të tjerët brenda e jashtë nesh me qetësi, modesti dhe kokulur dhe më kryesorja, të fillojmë të zgjidhim lëmshin e ngatërruar para porte përpara se të jetë vonë.

Le ta theksojmë se janë tërësisht gabim, ata  qeveritarë që mendojnë se tani çelja dhe vazhdimi i negociatave është thjesht aspekt teknik e procedural, që i takon ekipit dhe kryenegociatorit dhe më i miri qoftë! Në fakt, kështu duhej të ishte, proces teknik, por kjo nuk ka ndodhur për faj të politikës të të dy krahëve, e cila për hir të axhendave të saj të çastit, e “kanë nxjerrë disa herë jashtë loje teknikën” në kulmin e suksesit të saj. Mos gaboni, vendimi i BE-së për çeljen e negociatave pas “Po”-së, që është ende “në ajër” do të jetë në radhë të parë dhe kryesisht politik dmth., mbi bazën e plotësimit dhe përparimit në realizimin e 15 kushteve që do të na qëndrojnë te koka si “shpata e Demokleut”. Se po të ishte për anën teknike, ne mund të kishim qenë me kohë në BE. Meqenëse jam marrë si diplomat me këtë dosje në Bruksel në 20 vitet e fundit, po u referohemi rasteve tipike, kur politika te ne e ka dështuar me turp teknikën dhe ekspertët. Në vitin 1996, ish-Komisioneri Hans van den Broek sinjalizoi në Tiranë mundësinë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociimit, shumë më e avancuar se kjo e sotmja, edhe pse mazhoranca e atëhershme ishte plot “zullume” përfshirë burgosjen politike të ish-liderit të opozitës. Mirëpo, farsa zgjedhore e vitit 1996 dhe pastaj kriza piramidale e fshiu nga faqja e dheut asociimin tonë me BE-në. Për fat të mirë, pas përfundimit të konfliktit të armatosur në Kosovë, u përfshimë në Procesin e Stabilizim-Asociimit. Në këtë kuadër, në vitin 2005 ishte gati për nënshkrim, madje edhe e sigluar marrëveshja jonë me të njëjtin emër me BE-në, produkt i një performance të shkëlqyer të ekipeve negociatore. E megjithatë, BE-ja e nënshkroi atë dokument vetëm në qershor 2006, kur në pushtet sapo kishte ardhur PD-ja. Pse? Sepse mazhoranca socialiste kishte humbur besueshmërinë politike edhe për shkak të korrupsionit galopant. Pak a shumë e njëjta histori u përsërit më 2013-ën, kur BE-ja nuk na dha statusin kandidat, edhe pse teknikisht e meritonim, por jo politikisht. Ky status na u dha më 2014-ën, kur në pushtet erdhi “Rilindja”. Veçse status i pashoqëruar me çeljen e negociatave që dihet se kemi 6 vite që po na mban pezull.

A mund të përsëriten sërish këto skenarë, që edhe nga ana statistikore përputhen, sepse kanë ndodhur në çdo 7-8 vjet? Kjo do të varet nga dinamika dhe besueshmëria politike e kësaj mazhorance, që krahas arritjeve të pamohueshme, pa dyshim është amortizuar dhe konsumuar ndjeshëm në shtatë vite në pushtet, me plot afera, skandale dhe dështime. Kësisoj, e vetmja mundësi për një mandat të tretë me zgjedhje sipas standardeve apo edhe për opozitën për të rimarrë pushtetin mbetet sjellja e tyre politike, që do të mundësojë çeljen e negociatave, nëpërmjet një marrëveshjeje tërësore të tyre, me konsensus dhe kompromis historik.

Sa për negociatorët, për fat të mirë gjatë 20 viteve të fundit janë kualifikuar dhe krijuar jo më një, por disa ekipe të aftë; veç Tiranës dhe metropoleve të tjera, ata kanë kaluar dhe në “filtrat” Brukselit; këtu bëjnë pjesë dhe diplomatë e ambasadorë me përvojë të gjatë që i gjen jashtë, në MPJ si drejtorë, zv.ministër e kudo. Pra, nuk është aty problemi. Ca më tepër që, siç “duken bathët” dhe negociatorët më të mirë të futim në fushë, ata mund të qëndrojnë gjatë “në stolin e rezervave”, duke vërtetuar thënien e urtë “peshku në det, tigani në zjarr”.

Sepse në rastin tonë, ndryshe nga Maqedonia e Veriut ndodh si me atë që i thanë “O Bato të hëngërt tënja, e ke të keqen nga brenda”. Dhe kështu mund të vazhdojë kjo gjendje nëse liderët tanë politikë nuk do të bëjnë përpjekje të vërteta për gjetjen e gjuhës së përbashkët të kompromisit vërtet historik për këtë moment sublim; jo vetëm me pohime, intervista dhe rezoluta Kuvendi, pra, jo me letra, por me vepra. Sepse, kjo paradigmë e re kërkon një strategji cilësisht të re bashkëpunimi ndërmjet opozitës dhe shumicës, jo me “pazare”,  por me parime, programe dhe projekte të ndërsjella, mbi bazën e mirëkuptimit, dialogut, lëshimeve dhe kompromiseve të rastit.

Ja pse, sidomos pas 17 majit, është përgjegjësia historike e kësaj shumice parlamentare të ndërmarrë sa më shpejt hapa dhe veprime për çtensionimin e situatës, për të krijuar një klimë dhe mjedis sa më tolerant dhe të favorshëm; mundësitë janë të shumta dhe kjo mund të fillojë me tërheqjen nga disa ligje të diskutueshme që kanë bezdisur dhe vetë institucionet europiane, pse jo një qasje të re ndaj Presidentit të Republikës, zbutjen e klimës me median, shoqërinë civile, me një “detantë” për Teatrin dhe pikat e tjera të nxehta. Kjo të vazhdojë me një gjuhë dhe komunikim tjetër me opozitën dhe të tjerë, pa sulme, insinuata, batuta, sipas logjikës qe nesër mazhoranca mund të jetë vetë opozitë.

Nga ana e saj edhe opozita, krahas përshkallëzimit të nartyrshëm të luftës së saj politike të heqë dorë nga teprimet me sulme të paprincipta, nga “vicklat dhe cic micet” politike, duke gjykuar se nesër mund të jetë në qeveri dhe do të ketë nevojën për mazhorancën e sotme, që negociatat të mos bëhen “pengu” i radhës i konfliktit të pandërprerë politik. Shembujt pozitivë nga liderët e opozitës nuk mungojnë, ato u shfaqën së fundi pas tërmetit të 26 nëntorit dhe pandemisë. Vetëm kështu, shumica e sidomos opozita që synon të marrë pushtetin pas tetë vitesh mund të rifitojnë besimin e humbur politik e të bëhen bindës në kauzën e tyre.

Së fundi, vetëm me të tilla sjellje dhe qëndrime cilësisht të reja politike, me përmbajtje e në formë  e jo “sa për të larë gojën” do të jemi në gjendje të mbrohemi mirë në portë, ta mbajmë topin larg zonës së rreptësisë e sidomos jashtë vijës fatale që të mos hamë gol, të tregojmë kujdes nga faullet që mund të çonin në penallti, nga “kartelat e verdha e sidomos ndonjë të kuqe”. Dhe po humbëm, rezultati të jetë i ngushtë, që të paktën të zgjatet koha e rregullt e ndeshjes dhe kur arbitrat nga Brukseli, Parisi, Berlini, Haga e të tjerë t’i bien “bilbilit për përfundimin e ndeshjes” të mos e shohim veten të skualifikuar dhe prapë në “kategorinë e tretë”. Se, hajde të ngjitemi sërish lart si po vijnë punët!

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.