OPINION

Teatri dhe talebani i Rilindjes

18:49 - 21.05.20 Rigels Lenja
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Historia e njerëzimit nuk ka parë shumë akte makabre e terroriste ndaj kulturës, si ai i 17 majit. Ka parë se si perandori romak Neroni dogji gjysmën e Romës, vetëm për të ndërtuar pallatin e tij mbretërorë. Hitleri urdhëroi djegien e Reischtag gjerman, për të përmbushur synimet e tij perverse politike. Teatri ynë, i ka të dyja, edhe makutërinë për të ndërtuar kulla, dhe perversitetin politikë. Por më shumë se sa perversitet politik, është një dëshirë e zjarrtë e qeverisë për të treguar se ka fuqinë që artistëve t’u tregoj grushtet. Gjë që nuk e bën dot me banditë. Ku njërit i dërgon makinën e drejtorit të policisë si taksi për ta sjellë në Tiranë. E tjetrit i shtron tapet të kuq kur “vetëdorëzohet” në polici. Një tipar i shoqërive të prapambetura është adhurimi për banditin dhe të dhunshmin, e që me Rilindjen e ka kthyer në kult-shtetërorë. Nëse shet drogë, s’ka problem, mund të bëhesh edhe zyrtar shteti. Nëse vjedh, bravo ke talent. Nëse mashtron, je orator. Nëse gënjen, je i zgjuar. Është një ligj xhungle. Ti mund të bësh çfarë të duash. Ama një gjë e ke të ndaluar ta bësh. Të mendosh ndryshe. Nëse ti mendon ndryshe nga ajo që thotë Rilindja, ti shpallesh bandit, hajdut, mashtrues, kriminelë.




Teatri që prishëm na dëshmoi frikën e pushtetit ndaj fjalës së lirë dhe protestës. Për të shembur një teatër, Edi Rama, u detyrua të vendoste masa karantine të ngjashme me ato të Kim Jung-ut në Kore. Një frikë në palcë ndaj një reagimi shoqërorë. E për të ta mbyllur aktin e tij terroristë, u detyrua të dërgojë 2000 forca policore për të dhunuar disa artistë dhe aktivistë. Edhe në Lazarat nuk pamë kaq shumë dhunë dhe dëshirë për të dhunuar, sa sa te teatri. Edi Rama përdori një manovër të ulët. Dërgoi çirakun e tij për të bërë atë që ai vetë, në rolin e dirigjentit kishte planifikuar. Mbase dëshironte të shikonte sa i mbanin këllqet çirakut të tij në bashki ose mbase nuk dëshironte që emri i tij të shkruhet në listën e barbarëve si shkatërrues të kulturës.

Teatri ishte një godinë historike e Tiranës, e cila u kishte mbijetuar kohërave. Ishte një monument, që nga ana historike u kthye në një monument të rezistencës qytetare. I rezistoi më shumë se çdo gjë që i ka dalë përpara talebanit të Rilindjes. Një rezistencë për demokraci, ku çdo element i rezistencës është thërrmuar. Jemi pa gjykata, pa Parlament, pa Akademi Shkencash, pa universitete, pa zgjedhje, pa bashki dhe së fundmi edhe pa teatër. Shqipëria në të vërtetë duhet të kishte prishur një teatër. Por jo Teatrin Kombëtar, por teatrin e sistemit që kemi ngritur. Nuk ka asgjë të keqe që një qytet të zhvillojë modernen, por duke ruajtur historinë. Teatri i ri mund të jetë i nevojshëm për qytetin. Por, a është kjo një nevojë urgjente? A nuk mund të priste dot ky projekt? E kur vendi ka kaluar dy kriza të forta, tërmetin e nëntorit 2019 dhe një mbyllje të plotë si pasojë e krizës së COVID-19. Të shpenzosh një shifër 30 milionë euro për një teatër në këtë periudhë. Këtë nuk e kanë luksin as buxhetet të qyteteve si Parisi, Londra apo Berlini. Mbase duhet ta pranojmë, qeveria ka fituar. Talebanët origjinalë, edhe ata triumfuan. Qeveria ka fituar, pasi ka ngadhënjyer mbi një godinë në një formë tipike talebaneske. Jo vetëm në formë, por edhe në argument. Në një argument tipik talebaneskë, se një godinë duhet prishur se është e vjetër. Të njëjtën gjë thanë edhe talebanët se statujat e Budës ishin të vjetra. Njerëzimi ka parë shumë ditë të këqija në orët tij. Diktatura dhe dhunë në përmasa të lemerishme. Po në fund ka pasur një dritë shprese, se diçka do të ndryshonte, për sa kohë kanë ekzistuar njerëz që luftojnë për lirinë. Kaligula vdiq e Roma u rilindi me Klaudion; Nero vdiq e Roma rilindi përsëri me Vespasianin; Hitleri vdiq dhe përsëri Gjermania u rindërtua. Ne humbëm një objekt historik, kulturor, por dëshmuam se duhet të luftojmë për të mos humbur edhe lirinë. E kjo e fundit nuk dhurohet, por fitohet. Dhe këtë formë lufte na e dëshmuan më mirë se kurrë aktivistët dhe artistët e ‘Aleancës për Mbrojtjes e Teatrit’. I mbijetuan çdo lloj presioni dhe tundimi në plot 32 muaj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.