Intervista

Transporti urban, Rixhin Qoshja: Nuk do të ketë rritje të çmimit të biletës

14:00 - 21.05.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Voltiza Duro – Që prej pezullimit të aktivitetit në fillim të marsit, humbjet e gjeneruara për të gjithë operatorët e transportit urban vetëm në kryeqytet kanë kapur shifrën 3 milionë euro në muaj. Kjo është bërë me dije nga kreu i Shoqatës Kombëtare të Transportit Urban, Rixhin Qoshja, gjatë një interviste për “Gazeta Shqiptare”. Ai thekson se akoma nuk janë në dijeni të protokollit të sigurisë për të aplikuar, në një kohë që është bërë dezinfektimi dhe larja e të gjitha mjeteve. Duke u bazuar në modelin europian, Qoshja shton se në autobus nuk mund të udhëtojnë në të njëjtën kohë më shume se 25 pasagjerë, pasi duhet të ruajnë distancën prej 1 metër nga njëri-tjetri. Sakaq, maskat dhe dorezat duhet të jenë të detyrueshme për pasagjerët gjatë udhëtimit, por ky ende nuk është një vendim zyrtar, pasi ende nuk ka një protokoll të posaçëm se si do të procedohet pas rihapjes së transportit publik. Kreu i Shoqatës Kombëtare të Transportit Urban thekson për “GSH” se nuk do të ketë rritje të çmimit të biletës, por shton më tej se ky shërbim nuk mund të rifillojë nëse nuk aplikohet reduktimi i akcizës së karburantit, TVSH, si dhe heqja e kufizimit të rimbursimit të TVSH-së.




Prej fillimit të muajit mars, transporti urban ka ndërprerë punën në të gjithë vendin. Sa janë humbjet e shkaktuara gjatë kësaj periudhe?

Humbjet e gjeneruara në të gjithë operatorët, vetëm në Tiranë është 3.000.000 €/muaj. Shoqëritë e transportit publik, kanë nevojë për mbështetje financiare, kjo është e sigurt, por nëse koha e burokracisë për të marrë këtë vendim është ajo që jemi mësuar prej vitesh, atëherë ajo ndihmë nuk do të jetë më e nevojshme, sepse kompanitë tashmë do të kenë falimentuar.

A keni gjetur mbështetje nga paketat e posaçme të qeverisë për situatën e jashtëzakonshme?

Ky shërbim ka nevojë për veprime të shpejta nga persona vendimmarrës të politikës. Kohët e burokracisë shtetërore nuk përkojnë me ato të operatorëve privat. Ato punojnë bazuar në kontratat e shërbimit dhe licencat përkatëse, të cilat duhet të azhurnohen dhe rivlerësohen nga bashkitë përkatëse dhe ministria e linjës sa më shpejt të jetë e mundur. Të gjithë punonjësit e transportit publik kanë përfituar nga paketa e dytë. Ende sot një pjesë e tyre nuk e ka marrë atë. Sa për vetë shoqëritë tregtare, deri tani kemi përfituar vetëm nga rimbursimi i taksave vjetore të bëra nga DPSHTRR. Kjo ndihmë nuk na nxjerr situata e rënduar e jona, por është gjithsesi drejtori Blendi Gonxhja duhet falënderuar pasi deri tani është i vetmi funksionar shteti, i cili e ka kuptuar mirë situatën tonë të vështirë. Çdo ditë që kalon pa një zgjidhje nga autoritetet lokale dhe qendrore, largon ndjeshëm ditën e rikuperimit të humbjeve të gjeneruara nga data 11 mars e në vazhdim. Janë rreth 10.000 punonjës në vend, aseti më i çmuar i këtyre shoqërive tregtare, të cilët kanë përfituar (një pjesë e tyre janë ende në pritje) 40.000 lekë për 3 muaj dhe nuk dihet çdo të ndodhë më pas me to.

Keni informacion se kur do të rinisë punën transporti urban në Shqipëri dhe a është përgatitur një protokoll sigurie për parandalimin e përhapjes së virusit?

Bashkitë dhe qeveria duhet të jenë të vetëdijshme se çfarë do të thotë transporti publik për jetën dhe punën e qytetarëve të vendit tonë, të cilët, të gjitha transfertat brenda në qytete apo ndërmjet qyteteve i kanë të bazuara te transporti me autobus. Transporti publik me autobus është i vetmi sistem transporti i qytetit dhe vendit tonë. Nëse nuk është i shëndetshëm, pacienti nuk do të mbijetojë. Rritja, zhvillimi dhe ekonomia e vendit janë ndërtuar rreth këtij sistemi. Transporti publik është mënyra sesi ne arrijmë në punë, në shkollë, tek miqtë tanë, në plazh etj. Ne thjesht nuk do të jemi në gjendje të rihapim ekonominë tonë realisht pa të. Akoma nuk jemi në dijeni të protokollit të sigurisë për të aplikuar. Për sa na takon neve si operatorë, kemi bërë dezinfektimin dhe larjen e të gjitha mjeteve.

Sa pasagjerë do të jenë brenda një autobusi dhe a do të jetë i detyrueshëm përdorimi i maskave dhe dorezave edhe gjatë verës?

Duke marrë shembull nga çfarë ndodh sot në Europë, në autobusët tonë nuk mund të udhëtojnë në të njëjtën kohë më shumë se 25 pasagjerë. Kjo për shkak të ruajtjes së distancës prej 1 metër nga njëri pasagjer te tjetri. Maskat dhe dorezat duhet të jenë të detyrueshme për pasagjerët gjatë udhëtimit. Këto rregulla nuk janë ende zyrtare, por janë marrë ashtu siç po aplikohen sot në Europë.

Fatorino do të jetë në kontakt me pasagjerët duke rritur riskun e transmetimit të virusit. A nuk do të ishte më mirë aplikimi i sistemit të biletës elektronike?

Sistemi i biletimit elektronik është e vetmja zgjidhje për të respektuar masat e distancimin social.

Për sigurinë e jetës së qytetarëve, autobusët nuk mund të tejmbushen siç ndodhte më parë. A do të sjellë kjo humbje për transportin urban?

Patjetër, fakti që ne duhet të punojmë me jo më shumë se 25% të kapacitetit do të thotë që nëse punojmë, do të gjenerojmë humbje dhe ky është problemi kryesor i rifillimit të shërbimit.

Mungesa e transportit publik rëndon edhe qytetarët, të cilët ose duhet të marrin taksi për të shkuar në punë ose të ecin në këmbë. Cili është komenti juaj mbi këtë dhe a keni pasur kërkesa nga qytetarët mbi rifillimin e aktivitetit të transportit urban?

Të gjithë pajtohen që transporti publik është një shërbim thelbësor dhe kjo krizë e ka treguar atë më shumë se kurrë. Pra, çfarë presim të mbështesim këtë sektor? Nëse ne nuk e bëjmë atë sot, ky shërbim do t’i kushtojë nesër shumë më tepër shoqërisë, ekonomisë dhe mjedisit. Kërkesa kemi pafund, pasi rihapja e ekonomisë ka rritur ndjeshëm kërkesën e qytetarëve për transport nga shtëpia në punë dhe anasjellas. Duhet t’ju bëj më dije se tejmbushje e autobusëve vjen edhe si pasojë mungesës së korsive të dedikuara për transportin publik çka sjell vonesa nga trafiku i rënduar dhe si pasojë tejmbushjen e autobusëve.

A do të ketë rritje të çmimit të biletës? Cilat janë kushtet tuaja për të rifilluar punën sërish?

Jo, nuk do të ketë rritje të çmimit të biletës! Ne si operatorë nuk kërkojmë rritje të çmimit të biletës, por reduktim të akcizës së karburantit, TVSH, heqjen e kufizimit të rimbursimit të TVSH, si edhe të tjera çfarë u takon taksave lokale patjetër. Përndryshe ky shërbim nuk mund të rifillojë!

Po transporti urban ndërqytetas kur do të rifillojë?

Kjo pyetje është për autoritetet vendimmarrëse për faktin se edhe ne jemi në pritje. ha kreu i SHKTU.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.