OPINION

Kur gjykatat inkriminohen me ligj

17:59 - 22.05.20 Sokol Hazizaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Është e vërtet që mbajtja e sistemit gjyqësor, ose drejtësisë ka kosto të madhe. Po kaq e vërtetë është që sot në vendet e perëndimit duke përfshirë dhe ShBA-n, për shkak të kostos që ka shërbimi ligjor bizneset. Individët dhe gjithë strukturat juridike të njohura ligjërisht përpiqen t’i zgjidhin jashtë sallave të gjykimit konfliktet midis palëve, për shkakun e sipërcituar. Shembull përgjithësues të rritjes së kostos për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve pranë gjykatave është për shembull përllogaritjet e fundit në ShBA korporatat atje paguajnë më shumë se 20 miliardë dollarë në vit për mbrojtjen ligjore të çështjeve gjyqësore, duke përbërë një fakt alarmant që tërheq vëmendjen e tyre dhe tonën, gjithashtu, për nga kostot e larta që ka drejtësia në vendet e zhvilluara, duke mos përfshirë kostot e tjera organizative dhe funksionale të investimeve publike ndaj sistemit gjyqësor.




Megjithatë, përballë situatës në të cilën ndodhet ky vend dhe bota në tërësi, kur hiti pandemik ka shtrirë kthetrat e veta mbi njerëzimin, sërish qeveritë e tyre arrijnë të përballojnë dhe gjejnë rrugën më të mirë për individët mbi përqasjen në raportin midis të drejtës, lirisë dhe kufizimit të saj për të mirën publike. Sipas tyre është e qartë se nuk është pandemia që ka ndikim në demokraci, ajo vetëm ofron mundësi për liderë të caktuar politikë ta abuzojnë mbi atë për qëllimet e tyre politike. Për më tepër, sipas tyre  konstatohet se ky moment po konsiderohet si hapi i sigurt që përshpejton krizën e zhvillimit, veçanërisht të së drejtës.

Fakt, i cili bie në sy rëndom, midis të tjerave dhe mbi qeverisjen tonë. Duket sikur janë ndërmarrë masa të karakterit mbrojtës mbi shëndetin publik, duke detyruar njerëzit të qëndrojnë në shtëpi, duke klasifikuar çfarë është thelbësore dhe jo-thelbësore në procedurat mjekësore, dhe nga ana tjetër janë lënë tërësisht në hije liritë dhe të drejtat civile të qytetarëve.

Është e tepërt sot të ribësh me dije ose të ricitosh që shtetasve shqiptar u mungon aksesi në gjykatë. Kjo nuk është e rastësishme, por e qëllimshme, përpos faktit dhe shumë e dëmshme. Jemi i vetmi vend ku arbitrarisht shteti në situatën kur qytetari më shumë se çdo gjë tjetër vuan sigurinë juridike, qeveria shkel haptazi të drejtat e individëve të parashikuara në Kushtetutë. Nuk e kam fjalën për aktet normative të cilat kufizojnë lirinë kushtetuese të shtetasve shqiptar, që kanë të bëjnë me të të drejtat dhe liritë e parashikuara nga nenet: 37, 38, 41 paragrafi 4, 49, 51” (neni 175/2), pra me të drejtat kushtetuese që mund të kufizohen posaçërisht në kohë situatash të jashtëzakonshme, siç janë, paprekshmëria e banesës (neni 37), liria e lëvizjes (neni 38), e drejta e një shpërblimi në rast shpronësimi (neni 41/4), e drejta për punë (neni 49) si dhe e drejta për grevë (neni 51). Por për të drejta të tjera që janë themeli i të drejtës kushtetuese, për të cilat nuk është parashikuar asgjë nga aktet normative të dala këto kohë. Në mënyrë flagrante, haptazi, arbitrarisht, konstatohet se të gjitha aktet normative, me ndonjë përjashtim, siç ato në ruajtje të shëndetit të individëve, janë dhe vijnë në kundërshtim me nenin 42 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Kjo dispozitë parashikon se “. Liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor. Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjorë, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj”.

Thjeshtazi, për të parë se sa diskriminuese dhe sa larg jemi nga parimi sipërcituar në Kushtetutë, që nuk është pjesë e kufizimeve të parashikuara deri tani në aktet normativë, mjafton të përmendim dy akte, të miratuara dhe hyrë në fuqi, siç janë Akti Normativ nr.1, datë 31.01.2020 “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit dhe sigurisë publike”, dhe Aktin Normativ nr.9, datë 25.03.2020 “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë e gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19”.

Pa dashur të bëj analizë teknike dhe të rënduar për qytetarin shqiptar, bëj me dije se duke filluar nga objekti i akteve të sipërcituara, ato jo vetëm që vijnë në kundërshtim me Kushtetutën, janë diskriminuese, por e vendosin përfundimisht të drejtën, drejtësinë, pushtetin gjyqësor nën varësinë dhe pushtetin e ekzekutivit. Mjafton t’i drejtohesh Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar duke ankimuar aktet e prodhuara prej Drejtorit të Policisë Shtetit, në zbatim të Aktit Normativ nr.1, duke kundërshtuar sekuestrimet e policisë dhe OFL-s, të vjen përgjigja e menjëhershme, se shqyrtimi i kërkesës së shtetasit për heqjen e sekuestros nuk bën pjesë në përjashtimet e pikës 3 të nenit 3 të Aktit Normativ nr.9, datë 25.03.2020.

Por çfarë thotë neni 3, pika 3 e Aktit Normativ nr.9, datë 25.03.2020, i cili ka gjasa të mos ndryshojë deri në vitin 2021, sepse në thelb parasheh shtyrjen e seancave gjyqësore deri në përfundim të gjendjes së epidemisë për çështjet administrative, civile dhe penale, duke përjashtuar një numër çështjesh që lidhen me masat e sigurimit penal dhe ato në mbrojtje të familjes, pa parashikuar çështjet tepër sensibile të mbrojtjes së pronës apo pasurisë.

Kjo përgjigje e gjetur rëndom nga gjykata nuk është qesharake, por është cinike dhe tërësisht e padrejtë si në raport me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nenin 6 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, por dhe me Aktin Normativ nr.1, datë 31.01.2020, i cili në përmbajtjen e tij parashikon afate të kufizuara në kohë të mbajtjes së sekuestros ndaj sendeve në posedim të individëve që kanë qenë të dyshuar ose kanë kryer vepra penale të rënda, apo persona të lidhur me ta.

Kjo pamundësi për të zhvilluar gjykimin ndaj dhe për një të drejtë themelore, atë të pronësisë, nuk mendoj se vjen për pasojë të gjithë përpjekjes qytetare për të reformuar drejtësinë, sepse, siç dihet, drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, por vjen si pasojë e një mentaliteti, vesi që tashmë e ka kaluar kleptomaninë personale të ca individëve me pushtet, duke e kthyer vesin në forcë ligjore të një mase të konsiderueshme njerëzish me pushtet, veçanërisht të ekzekutivit.

Ky format ligjor nuk përbën dhe nuk ka asnjë lidhje me të drejtën si procedurale dhe atë materiale, si civile dhe penale, sigurisht as më moralin e një shoqërie pretenduese për integrim, por ka të bëjë me një kategori sjelljeje për të cilën nuk ka rëndësi se çfarë lë mbrapa.

Akti Normativ nr.9, datë 25.03.2020, parë me vëmendje, ndonëse në titull përmban marrje masash në veprimtarinë gjyqësore për shkak të COVID-it, në esencë pamundëson të drejtën për një proces të rregullt ligjor, pamundëson administrimin e pronës përtej të drejtës njerëzore, shkel haptazi garancinë juridike të shtetasve shqiptar. Prodhimi i akteve të sipërcituara është një tmerr pa fund për shqiptarët, jo për shkakun e vetëm se zvarriten proceset gjyqësore, por për faktin se arbitraritetit nuk po i jepet përgjigja e duhur ligjore. Këto akte në esencë përbëjnë arsyen e vërtetë dhe të plotë që qytetarët tanë kërkojnë të largohen një ditë e më parë, si dhe nuk afrohet një investitor në këtë vend.

Në doni të bindeni për sa më sipër, mjafton të hedhësh një sy mbledhjeve të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, ku konstaton akte nënligjore dhe ligjore ndryshe nga gjithë përvoja prej vitit 2013, viti kur erdhën në pushtet rilindasit apo “socialistët”. Është rritur numri i vendimeve të tyre në lidhje me heqjen nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore të pasurive në gjithë vendin, veçanërisht në Tiranë.

Përgjigjen ndaj arbitraritet tashmë ligjor, të njëanshëm, jo kushtetues etj. duhet ta kishte dhënë institucionalisht reforma e drejtësisë, produkti saj. E kundërta po ndodh, ose asgjë nuk ka ndryshuar. Në se më parë një palë syresh gjyqtarësh emëruar politikisht, vullnetarisht bëheshin përkrahës të palëve politike, tani të gjithë gjyqtarët pa përjashtim, përkundër misionit të tyre janë nënshtruar përpara pushtetit politik. Mjafton të shkosh pranë gjykatave administrative konstaton lehtë se të “përulurit deri në dhimbje” që quhen gjyqtarë nuk kanë shansin të japin një vendim të drejtë në lidhje me lëndë të tilla si sigurimet e padisë ndaj akteve tërësisht arbitrare të shtetit, duke lënë në mëshirë të fatit bizneset dhe familje të tëra shqiptare. Gjykata penale më keq akoma. Gjyqtarë që ende nuk kanë kaluar në procesin e vetingut, tërësisht të nënshtruar nga Akti Normativ nr.9, datë 25.03.2020 mblidhen vetëm për caktimin e një datë tjetër gjykimi, duke lënë fatet e përndjekurit qytetar në dorën e një njeriu, kryeministrit. Vini re, sot e kësaj dite, prej asnjë gjykate në gjithë Shqipërinë nuk është bërë asnjë nismë për gjykim incidental, sipas të cilit iniciohet nga gjykata gjatë shqyrtimit të një çështjeje konkrete, zgjidhja në themel e së cilës varet nga ligji konkret që çmohet se është i papajtueshëm me Kushtetutën, për të cilën duhet të shprehet kjo e fundit. Dhe pse?, sepse janë tërësisht të nënshtruar nga ekzekutivi, përndryshe misionit të tyre ligjor dhe human.

Heshtja ndaj kësaj të keqeje, mund të jetë rruga më e mirë e zgjedhjes, edhe “mbështetja” ndaj të keqes sipërcituar, gjithashtu, por në se sot drejtësia në këtë vend dhe marrja e saj është diçka e pamundur, nesër pamundësia bëhet e ligjshme apo merr formë ligjore, arsye për të cilën humbasim vlerat humane. Kleptomania sot është e veçuar, nesër mund të jetë ligjore, arbitrariteti dhe njëanshmëria sot janë sjellje të dënuara nga ligji, nesër mund të jenë të justifikuara ligjërisht. Mënyra se si po hartohen aktet ligjore dhe nënligjore prej një tufe njerëzish pa dinjitet mund të sjellin dhe bëjnë realitet ligjor çfarë po ndodh rëndom nën petkun e epidemisë. Ndaj në ndalim të këtij procesi të tmerrshëm, duhet shpejt dhe në kohë vendosja në funksionin ligjor të SPAK dhe Gjykatës së Posaçme, vendosja në gjendje punë të Prokurorit të Përgjithshëm, që në zbatim të Ligjit nr. 97/2016 datë 6.10.2016, “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, të organizojë organin procedural të hetimit sa nuk është vonë, të hetojë, kontrollojë, monitorojë dhe struktura të tjera speciale pasojat e çdo nismë ligjore të organeve të ekzekutivit, duke siguruar jo vetëm parimin “Check and balance”, por duke ofruar dhe garancinë tashmë të humbur të ekzistencës së shtetit si aktori vetëm i vazhdimësisë së drejtësisë në këtë vend.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.