Opinion-Komente

Opozitë, shëro komplekset, ndryshe…

18:00 - 22.05.20 Artur Zheji

Është mjerisht e thjeshtë. Politika flet me akte dhe veprime, mbasi mbaron së foluri dhe mbasi ndërton publikisht bazën logjike të veprimeve që do vijojnë.
Km-ja, e prishi Teatrin, mbasi i kishte matur mirë forcat e veta, por sidoqoftë priti me nge dhe durim djallëzor, përderisa opozita të shfaqej në radhët e “Aleancës”.
Dhe opozita u shfaq, me një performancë gjysmake, me 1001 komplekse, në periferi të kësaj beteje morale dhe estetike, duke vijuar të shfaqet si një opozitë e dorëhequr, tashmë për një kohë të gjatë. Duke ndihmuar tërthorazi Km-në, që të hidhte në luftë taborët e gurmazeve të shitura, sipas tezave se tashmë, “beteja për Teatrin”, është një betejë politike, ku ay, Km-ja, ka shumicën dhe forcën vendimtare.
Gurmazet e shitura, kishin dhe kanë një platformë të gatshme: “tani Teatri vdiq, eja ta qajmë dhe ta varrosim së bashku!”
Gurmazet e shitura, mbrojnë shembjen dhe vjedhjen e truallit, duke sulmuar politikisht apo nën brez, mbrojtësit pasionantë të kësaj “çështjeje”!
Mirëpo vijojnë gabimet, në mënyrë të njëpasnjëshme! Nuk e di me siguri nëse janë të qëllimshme apo të paqëllimshme këto “gabime”. Sepse kjo prishje e dhunshme dhe përdorimi kërcënues i dhunës qeveritare, një dhunë e dukshme, e ashpër dhe terrorizuese, shkon shumë përtej Teatrit, është një Veprim i hapur Frikësues në emër të Forcës.
Në qoftë se opozita nuk i përgjigjet këtij Frikësimi dhe kësaj Dhune, në mënyrë të përpjestueshme dhe po aq sfiduese, mjerimi politik shqiptar, mund të diagnostikohet si një sëmundje. Opozita politike, duhet të ketë “0” komplekse në aktin e saj politik, ose të marrë kohë të zgjidhë komplekset e veta, përndryshe po jetojmë e do të jetojmë de facto, një monarki kushtetuese…



 

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.