Intervista

Mesazhi i Yuri Kim, Ndoka: Krerët e ‘drejtësisë’, lidhje organike e politike me Rilindjen

11:00 - 25.05.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Nard Ndoka kreu i demokristianëve e akuzon kryeministrin Edi Rama për shkatërrues të sistemit të drejtësisë dhe së fundmi edhe të vlerave historike të vendit, teksa i kujton se në shtatë vite qeverisje nuk nënshkroi dot asnjë marrëveshje me konsensus. Z.Ndoka thotë për “Gazeta shqiptare” se qeveria “Rama” nuk e ka të gjatë dhe se opozita do të rikthehet në pushtet përmes votës së lirë. Aleati i Bashës përmend se derisa drejtësia të gjykojë krimin zgjedhor, organizimi i zgjedhjeve nga një qeveri tranzitore është e vetmja mundësi. Nard Ndoka ka besimin e plotë se me çdo lloj sistemi zgjedhor opozita sot është fituese teksa sistemin danez e sheh si një hap përpara, i cili mundëson realisht përfaqësim real të votës. Ai fajëson mazhorancën për ngërçin e reformës në drejtësi teksa shprehet se: “Thjesht të analizosh emrat e drejtuesve të “zgjedhur”, kupton qartazi lidhjen organike e politike më Rilindjen”.




Z.Ndoka, pse kaq e tensionuar situata politike pikërisht në kohë pandemie?

Lëvizja e Ramës në drejtim të Teatrit Kombëtar, kishte një axhendë të qartë politike të mirëmenduar; dhunë për artistët, politikanët dhe qytetarët. Duke zhvendosur kështu vëmendjen nga kriza ekonomike e krijuar nga pandemia, nga masat ekstreme të mbylljes dhe mungesën e mbështetjes financiare të familjeve në nevojë dhe biznesit. Tensioni, përplasja, dhuna, terrori, presioni, janë fenomene, që do të na shoqërojnë edhe pak javë nën qeverisjen brutale të Edi Ramës e Rilindjes.
Shembja e Teatrit Kombëtar dhe rinisja e protestave trazuan sërish mjedisin politik, por cila është përgjigja për ata që pyesin: Po opozita pse nuk e mbrojti dot Teatrin?
Kjo është një pyetje pa sens! Opozita është institucion, është alternativë qeverisjeje për nesër, duhet të jetë në krah të qytetarëve dhe në mbrojtje të interesit publik, por kurrsesi bandë e armatosur, as garnizon paramilitaresh.

Eksponentë të opozitës janë shprehur se: ‘E shembin vetëm kur fadromat të kalojnë mbi trupat tanë…’

Nëse kemi dëgjuar deklarime të eksponentëve të opozitës, nuk duhet t’i përkthejmë, si mbrojtje nëpërmjet dhunës, por mbrojtje institucionale, ligjore e kushtetuese, sot për të denoncuar shkeljet dhe abuzimet e qeverisë dhe nesër për të mbajtur premtimin e marrëveshjes me aktorët e Teatrit. Dhuna shtetërore nuk mund të ndalohet më dhunë dhe as me trupat tanë, por me reagim të fortë qytetar sot dhe vendosje të drejtësisë nesër.
Çfarë zgjidh një hetim ndërkombëtar për shembjen e Teatrit, siç ka kërkuar Presidenti Meta?
Kur nuk funksionin drejtësia në këtë vend, kur nuk ka Gjykatë Kushtetuese, kur Kuvendi është monist, e vetmja rrugë mbetet hetimi ndërkombëtar. Është një turp i madh për qeverinë dhe mazhorancën aktuale, të shembë e dhunojë vlerat historike të kombit e të lajnë duart si Pilati! Hetimi ndërkombëtar sot dhe gjykimi nesër do t’i ndjekë deri në fund këta dhunues të vlerave historike dhe pronës publike.
Pse kaq i vështirë konsensusi për reformën zgjedhore? Çfarë po ndodh me reformën?
Nuk është i vështirë, por i pamundur të mbahet nga një personazh antikonsensus, siç është Edi Rama. Marrëveshja politike dhe konsensusi janë arti i të pamundurës nga një politikan reformator, por jo nga një arrivist dhe anadollak si Edi Rama. Për shtatë vite në qeverisje nuk nënshkroi asnjë herë marrëveshje më konsensus, por i prirur vetëm ndaj pazareve politike, të cilat i kishte për zemër edhe kur ishte në opozitë.
Çfarë sistemi synon opozita në tryezën për reformën zgjedhore? A është opozita e bashkuar për variantin danez që përmendi ambasadorja amerikane?
Opozita e Bashkuar është për çdo sistemi që pranohet nga të gjitha palët, sistemi danez një mundësi e mirë për kompromis nga të gjithë. Garancia më e madhe për organizimin e zgjedhjeve është organizimi i tyre nga një qeveri tranzitore. Derisa drejtësia të gjykojë krimin zgjedhor, organizimi i zgjedhjeve nga një qeveri tranzitore e vetmja mundësi.
Me cilin sistem zgjedhor opozita e bashkuar del fituese e zgjedhjeve?
Me çdo lloj sistemi opozita sot është fituese, sistemet janë të barabartë në përballjet pozitë-opozitë, ndryshimi është te përfaqësimi real i votës se qytetarëve. Ne kemi provuar edhe sisteme mjaft të mirë, sistemi mazhoritar dhe propocional më lista të hapura mbetet më i miri. Sistemi danez është një hap përpara, i cili mundëson realisht përfaqësim real të votës.
Në ngërç është edhe reforma në drejtësi? Për cilat arsye?
Reforma në drejtësi është kapur nga Rama e Rilindja, prishja e konsensusit për ngritjen e institucioneve të Drejtësisë, kanë dhënë një goditje të rëndë besueshmërisë te reforma. Thjesht të analizosh emrat e drejtuesve të “zgjedhur”, kupton qartazi lidhjen organike e politike më Rilindjen.
Sipas jush ku e ka burimin paralajmërimi i ambasadores së SHBA për mos prekjen e reformës në drejtësi?
Burimin e ka tek realiteti, por duhet që SHBA-të, të flasin me emra dhe persona përgjegjës, të na ndriçojnë të gjithëve. Edi Rama ka disa vite, që abuzon politikisht me qëndrimet e ambasadës amerikane, madje shpesh herë duke shantazhuar të tjerët më emrin e SHBA-ve! Ambasadorja duhet të flasë troç dhe “shqip”, që ta kuptojmë drejt!
Çfarë fshihet pas reformës në drejtësi? Sipas jush kush qëndron pas pazareve dhe lojërave me këtë reformë?
Nuk ka pazare, as lojëra, por vetëm një qëllim, thjeshtë ta kapin atë. Kjo ka ndodhur tashmë, drejtësia është kapur dhe është nën thundrën politike të Edi Ramës dhe Rilindjes, nëse SHBA-të e kanë kuptuar këtë fakt, ok, ka shpresë, në të kundërt do kemi një rrumpallë drejtësi, një kamxhik politik në duart e Ramës.
Për shkak të moszbatimit të kësaj reforme, a duhet të amendohen disa prej ligjeve të veçanta të reformës në drejtësi?
Reforma ka nevojë imediate të futet në shinat e konsensusit politik, nën monitorimin e SHBA-ve, por t’u pranuar nga palët, për të rritur besimin dhe forcën e zbatimit. Patjetër që duhen, riparime dhe vëmendje ligjore, për të përmirësuar gabimet dhe vendosur standardet e duhura.
A besoni vërtet te një marrëveshje e fshehtë kundër reformës në drejtësi, siç paralajmëroi ambasadorja Yuri Kim?
Nuk besoj shumë tek ky fakt, por besoj se Rama ka abuzuar me besimin e ambasadës së SHBA-ve dhe ekspertëve të saj. Nëse ambasadorja ka kuptuar këtë fakt, ok, por nëse kanë alibi tjetër, mendoj se Rama vazhdon akoma lojën e SOROS-it dhe po abuzon më perspektivën e drejtësisë. Të shohim për më tej, nëse ambasadorja do të shprehet konkretisht dhe më transparence për të gjithë, këto “kode” nuk dimë t’i përkthejmë! Të na falë, zonja ambasadore, por ne njohim deri më sot, vetëm një autoritet që ka folur edhe në emrin e tyre dhe ky është Edi Rama!
Çfarë e rikthen opozitën në pushtet?
Përmes zgjedhjeve të parakohshme apo zgjedhjeve normale të vitit të ardhshëm?
Opozita do të kthehet në pushtet më zgjedhje të lira, kurdo të zhvillohen ato. Çlirimi i votës së lirë dhe i zgjedhjeve domosdoshmëri për të gjithë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.